Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Helena e Trojës

| E enjte, 23.07.2020, 08:08 PM |


Resmi Osmani

Roman

PAS TROJËS

(fragmente)

HELENA E TROJËS

Si gjithë flotën greke që po kthehej ne atdhe, edhe anijet e Menelaut i kishte hapërdarë stuhia në shkretëtirën ujore të Egjeut. Anija e mbretit hepohej sa majtas djathtas, direkët përkuleshin dhe kërcisnin, dallgët përplaseshin në bash e në fajkë.Velat i kishin ulur dhe rremat i kishin hequr. Sido që qielli kaltëronte dhe dielli ndrinte, deti hala nuk ishte qetësuar.Timonierin e kishte gjuajtur me rrufe Zeusi dhe ai kishte mbetur pikë i vdekur. E mbetur pa drejtues anijen e shtynin dallgët.Nuk e dinin ku ndodheshin, nuk dukeshin kurkund brigjet e tokës.Timonieri i dytë që zëvendësoi të parin, priste të vinte nata që të orientohej nga yjet udhërrëfyes për kthimin në shtëpi. Menelau çapiste me hapa të mëdhenj në kuvertë, si luan i mbyllur në kafaz, durimhumbur e i paqetë dhe herë pas here,i hidhte sytë nga Helena që ishte mrekullisht e bukur.E bukur deri në dhimbje . Ai e donte këtë grua. Në zemrën e tij Afërdita kishte ringjallur sërish dashurinë. Ajo kishte nisur për tek  ai Erosin, që kishte lëshuar nga harku shigjetën e argjendtë dhe kishte plagosur sërish zemrën e tij.

Së thënës nuk i shpëton dot.

Po Helena?

* * *

“Unë jam Helena, Helena e Spartës, që tani e paskëtaj do të më quajnë Helena e Trojës. Kështu më quajti mbreti krenar Priam para oborrtarëve, kur nuk pranoi të më dorëzonte në duart e Menelaut dhe Odiseut, që kishin ardhur për të më marrë, por ai i përcolli me përbuzje duarbosh. Kishin ardhur të më kërkonin që në Spartë të më kthenin dhe sherrin ta shuanin. Me mos kthimin tim ,lufta u shpall.

Nuk mund të jesh e lumtur pa qenë fajtore!

Ky ishte mësimi i jetës.

Dikur, më e lumtura ndër gra, sot më fatkeqja, e përfolura dhe e shara. Nënat, etërit dhe motrat që kanë humbur djemtë, burrat dhe vëllezërit në atë luftë të përgjakshme, më bëjnë fajtore, më quajnë të pabesë, kurorëshkelëse, bishtdredhur, bushtër e ca më keq me fjalët më të pista e ndyrësitë e vulgut. Edhe detarët e kësaj anije, më shohin shtrembër, përbuzshëm dhe me siguri midis tyre më shajnë si u vjen përgoje. Nuk ka zor të bësh fajtore dhe të shash dikë tjetër. Besomëni: nuk jam fajtore! Në këtë anije, jam gruaja e kthyer, që burri po e shpie në shtëpi.S’e di: si plaçkë lufte, robinë, skllave, apo zonjë pallati?

Thonë se ati im është Zeusi, që më ngjizi me nënën time, së cilës iu shfaq si mjellmë. Unë këtë se besoj.Të qe kështu, “Ati im”, nuk do të lejonte që mbi mua të binin gjthë këto mynxyra.Po neise, le t’i besojmë mitit. Nga njera vezë linda unë dhe Poluksi, nga tjetra Klitembnestra dhe Kastori. Mbreti Tindar na rriti si të na kishte bija e bij dhe jo thjeshtra. Kjo ishte lindje hyjnore.Vëllezërit u shquan për trimëri, ne për bukuri. Ati ynë dhe nëna Leda e bukur flokëartë, na dha virtyte, por jo pavdekësinë. Për mua thoshin se isha më e bukra e botës!

Sapo kisha mbushur gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe kisha lulëzuar si më e bukura e luleve, erdhi tinëz mbreti i Athinës, Tezeu, trim i tërbuar dhe më rrëmbeu. Më shpuri në pallatin mbretëror. Ta dini, ajo e tij nuk ishte dashuri: i vrullshëm, i nxituar, i babëzitur, ai më mori virgjërinë si të isha një skllave, dhe në vend të kënaqësisë epshore e sensuale më ngjalli neveri. Nga ky rrëmbim më çliruan të dy vëllezërit e mi dhe më kthyen në shtëpi. Ky ishte rrëmbimi i parë.Të jesh e bukur deri në përsosmëri, është lumturi por edhe fatkeqësi, pre e lakmisë të dëshirave mashkullore, gëzim per sytë, por dëshpërim për zemrat, përçartje për mendjet.

Klitemnestra u martua me Agamemnonin, mbretin e Argosit.Për mua u shfaqën një dyzinë mtonjës, mbretër e princër nga gjithë vendet e Akejve, të hijshëm, burrërorë, me pasuri e begati, më trim njëri se tjetri. Ishin gati të luftonin dhe vriteshin për mua. Im atë në mëdyshje, kë të zgjedh e kë të lë, nuk i jepte dot karar. Atbotë, Odise mentari, itakasi, i tha atit tim të ma linin zgjedhjen mua. Ata do të pranonin dhe nuk do ta vrisnin të zgjedhurin tim. Fatlumi ishte Menelau. Jo se ishte më trimi, as më i pashmi, por e njihja më mirë se ishte rritur në oborrin e tim eti dhe do të trashëgonte mbretërinë e Spartës që ishte atdheu im.

Ishim të qetë dhe të lumtur, jetonim në begati dhe gëzim, Menelau më dëshëronte dhe adhuronte sipas mënyrës së tij, si grua e stoli të jetës së tij dhe të atij pallati. Zotat na gëzuan me një vajzë që e quajtëm Hermionë, por nuk munda ti jepja dot një djalë. Atë ja dha një skllave korintike.Kjo më dëshpëroi shumë dhe ma zvordhi burrin. Kështu rridhte jeta deri sa në pallatin tonë në Spartë erdhi mik princi Trojan Paridi.

Menelau e priti princin Trojan dhe Enean , me nderime,si miq të shquar, sipas sërës që u takonte, si pjestarë të familjes mbretërore trojane. Darka e shtruar për ta ishte e begatë dhe me gjithë dhantitë e tokës së Spartës. U therën mishra, nga qilarët u nxor verë e vjetër, si nektari që pijnë hyjnorët. U thirrën muzikantët, ushtuan fyejt me zë bilbili, xamaret e pipzat, lira me tinguj hyjnorë , e cimbalet tingëllinin si argjend, fërgëllonin si një psherëtimë dajret. Skllavet gjysmë të zhveshura luanin ca valle sin ë orgjtë dionisiake, gaztorët hidhnin e prisnin shakatë e kripura.

Menelau më thirri edhe mua të njihesha e të festoja me miqtë.

I kishte ulur miqtë pranë vetes. Kishin vendosur tryeza të ulta, mbushur me gjithë të mirat dhe kupa të arta e të argjendta për verë, që të pikonin për perënditë dhe të pinin e kënaqeshin edhe vetë. E kisha marrë vesh kush ishin  e nga vinin, por kinse bëra me gjasë të paditurën dhe pyeta Menelaun:

-E dimë ne, Menela hyjnor, cilët janë të huajt që na kanë ardhur në shtëpi?

-Pa shihi moj grua,-mu drejtua ai- nga mbret hyjnor lindur janë ata e këtë s’mund të fshehin, ngaqë njerëzit e rëndomtë s’mund të bëjnë fëmijë të tillë. Princi Parid është biri i mbretit Priamit zulmëmadh të trojës dhe Enea nipi i tij.

Princi Parid u përul hijshëm para meje. O ç’befasi për sytë e mi! Te ai gjithçka rrezatonte hijeshi, rini e freski. Harmonia e përsosur trupore atletike, sytë si dy copa qielli, buzëqeshja e ëmbël dhe rrëzëllitëse, reflekset e qelibarta të lëkurës, flokët e arta Kaçurrela dhe mjekra e sapo dirsur…..Ai u hutua, u shtang, shikimi iu mjegullua, i ikën fjalët dhe u ul në stolin e tij si pavetëdije. E pëlqeva që në shikim të parë. U ula dhe unë kundruall tim shoqi. Shërbenjëset më prunë një stol mrekullisht punuar, një shkorsë leshi të butë për tu ulur dhe punëdoret: një kanistër argjendi, ku mbaja lëmshet dhe furkën e artë, me një shtëllungë leshi tëbutë ngjyrë manushaqe. Nuk do të haja e pija, vetëm do tu bëja shoqëri miqve krah tim shoqi, në shenjë sajdie. Punëdoret dhe avlëmendi i kanë hije një mbretëreshe.

Të nesërmen Menelau u nis për në Kretë. U kërkoi ndjesë miqve dhe më porositi t’i sajdisja e përsa kohë të qëndronin(le të rrinin sa të donin), tu plotësoja çdo kërkesë e dëshirë. Miqtë shkuan për gjueti dhe u kthyen ndaj mbrëmjes. Princin Parid e shoqëruan skllavet në banjë, e lanë, e lyen me vajra erëmirë, i dhanë për të veshur tunikë të bardhë dhe ai u paraqit  para meje, në odën time, pa ndrojtje, marramendës, rrëzëllitës, me një vështrim lutës dhe buzëqeshje të mistershme. Mi mori duart në të tijat. Prej tyre vinte një drithërimë molisëse që më shkoi në zemër e në gjak. Shikimi i tij u zhyt në timin si në një pus lumturie.

-Jo-tha ai,-ti nuk je grua vdektare, por perëndeshë. Bukuria jote nuk është tokësore, por qiellore.

Kapi një tufë të flokëve.

-Flokët e tua të arta kanë butësinë e mëndafshit.

Më preku me mollzat e gishtave faqet, gushën:

-Oh, lëkura jote e praruar është si petlat e trëndafilit, ka brishtësinë e luleve të zambakut.Aroma e kurmit tënd si e jaseminit, sytë e tu, o Zot, seç bukuri! Burojnë dashuri e mirësi.

Fliste me dalldi e si në jerm i drithëruar e me një vështrim përpirës. U hutova dhe u trallisa. Askush deri atëhere s’më pati mikluar me fjalë aq ëmbëlake që zinin fill nga zemra.

-Të dashuroj Helenë, bëhu zonjë dhe sundimtare e zemrës sime!- Kur unë nuk po i përgjigjesha, ai më tha- se ishte premtimi I perëndeshës Afërdita që unë të bëhesha e tija. Foli e foli ligjërata dashurie. E folura e tija ishte si një këngë ëmbëlake. U ndamë kur në odë erdhën mëndesha dhe skllavet e mia.

Të nesërmen i vidhesha si të kish bërë një faj, por ai s’mi shqiste sytë dhe si reshtëte fjalët. Më përgjërohej, më lutej deri në dhimbje e në lëngatë, si i sëmuri që kërkon shërim.

Në mbrëmje u theva. Durimi, ndrojtja,turpi dhe mendimi se po tradhëtoja tim shoq, u bënë të paqëna.U dorëzova. Paridi erdhi në odën time.

Bëm dashuri.Ai e trajtoi trupin tim si të ishte një lule e brishtë. Duke iu dridhur gishtat më hoqi nga kryet diademën dhe mi la flokët të më derdheshin si një ujvarë supeve e mbi gjoks. Zbërtheu karficat dhe fibulat dhe teshat e mia ranë në fund të këmbëve. Mbeta fare lakuriq-Si nimfa kur del nga deti- tha ai.

U zhvesh dhe vetë, pastaj u ul anash mbi shtrat dhe më mori në gjunjë. I hodha dorën në qafë, ndjeva që i rrihte zemra si zog. Më puthi në qafë, në gushë, pastaj ngadalë si të kishte frikë se mos i shkoqesha në duar, më shtriu në shtrat. Më puthi sytë, faqet, pastaj buzët, lehtësisht, ëmbël. Të tijat ishin të ngrohta prush, fryma era mollë.

-Lermë të pi nektarin e këtyre buzëve- më tha.

Buzët zbritën më poshtë, në gushë, pastaj me majat e gishtave ledhatoi të dy sisët, thithi me ashk thithkat. Unë fërgëlloja, dridhesha, përvëlohesha dhe rënkoja. Kërthizën me gropëzën e saj ai e quajti kupë e artë të mbushur me eliksir dasdhurie.

Kur zbriti më posht ai tha:

-Kjo njelmësi vishtullore është kripa e jetës!

Nuk durova dot më, e shtrëngova fort dhe klitha:

-Të lutem,  tani!

Trupat tanë u bënë njësh, hymë te njeri-tjetri dhe unë përjetova atë ndjenjë të perëndishme ekstaze parajsore që se kasha përjetuar kurrë më parë, mu hapën portat e qiellit…….ishte ajo natë një bekim që nuk donim të mbaronte kurrë. Isha e dashuruar marrëzisht.

Por ç’është dashuria, lumturi apo fatkeqësi?

Besoj lumturi për atë që e ka dhe e përjeton, fatkeqësi për atë që e kishte dhe e humbet.

Mu lut të iknim bashkë në Trojë, sepse do të duheshim dhe përjetonim lumturi të përjetshme e të padëgjuar. E vonova përgjigjen. U mendova gjatë. Ishte vendim i vështirë. Mendja mu çakërdis, nuk ruaja dot qetsinë dhe kthjelltësinë. “poja” dhe “joja”, përlesheshin brenda meje, luftonin me njera-tjetrën, herë fitonte njëra e herë tjetra. Përjetoja dhe vegoja pështjellimin dhe zemëratën e tërbimin që do të shkaktonte ikja ime.

Në fund të fundit, duhet të flakja tej shumë gjëra që ishin jashtë meje dhe të mendohesha e vendosja për lumturinë vetiake. Tek e fundit, kjo ishte jeta ime. Isha njeri i lirë dhe jo skllave apo send i timshoqi. Sido që ai s’e mendonte kështu. Kjo dashuri ishte si dhuratë dhe urdhëratë e zotave. Pa tjetër që në këtë mës ishte Afërdita, që më derdhi në zemër gjithë atë dashuri e ngazëllim, bëri që t’I harroj të gjitha: vajzën Hermiona,burrin mbretin menela dhe atdheun Spartën e shtrenjtë. Kisha gjetur atë që një gruaje një herë i jepet rasti në jetë! Si e tillë kjo nuk ishte as e turpshme as tradhëti, por dashuria e vërtetë.

E vendosa, I thashë po!

Mëndesha Briselda e kishte kuptuar dhe mu shfaq. Nuk mund t’ia fshihja. Asaj i besoja. U përpoq të më kthente mëndjen e të më bindte për të kundërtën, por e kuptoi që ishte e kotë. I thashë që Menelaut dhe teë tjerëve tu thoshte se trojani më rrëmbeu, ashtu siç më kishte rrëmbyer dikur Tezeu.

Të nesërmen, akoma kur muzgu nuk ia kishte lënë vendin ditës, e veshur si shërbëtore, kryembuluar, bashkë me Paridin dhe Enean, morëm arratinë. Kuajt fluturuan. Anija na priste. Kur rojat e pallatit e pikasën, dhanë kushtrimin dhe u vunë në ndjekje, anija kishte dalë në det të hapët dhe kishte nisur velagufuar lundrimin për në Ilion…..

Pastaj ngjanë ato që ngjanë: lufta e gjatë, e egër, me vite të tëra, pa fund dhe fitore të asnjerës palë, por me pirgjet e të vrarëve, ndër ta fatosa e heronj si im kunat Hektori, Akili e Ajaksi. Erdhi puna që për sytë e trojanëve, luftëtarëvedhe grave të tyre të isha një grua e urryer, fatkeqësisjellëse, mbartëse e kobit dhe mynxyra e rroposjes së Trojës. Këto thuheshin sheshit, pa droje. Nuk guxoja të dilja nga dhomat e pallatit tim, se nuk mund të përballesha me shikimet e tyre përbuzëse dhe fjalët e helmëta. Jeta ime, sido që u lutesha ditë-natë zotave, u kthye në një makth e det pikëllimi. Qava sa lotët mu shterrën dhe shikimi mu mjegullua. Ca vite lumturi, po i paguaja me dhjetë vite mjerim e fatkeqësi, që më vranë zemër e shpirt. Ç’ti bësh, i tillë ishte  vullneti i Zotave, por ky nuk ishte as shfajësim as ngushëllim. Jeta është e përkohëshme, dashuria e përjetshme. Brezat që kanë ikur dhe ata që do të vijnë, në kërkim të lumturisë, kanë dashuruar dhe do të dashurojnë. Më mbante gjall vetëm dashuria e Paridit dhe mirësia e mbretit Priam.

Në njërën nga ditët Menelau sfidoi dhe ftoi në dyluftim Paridin. Unë isha pengu i bejlegut.Kush të fitonte, më merrte mua dhe lufta quhej e mbyllur. U rreka ta bind Paridin që të mos pranonte. Qe e kotë. Përveç me sedër e gjak mbretëror, atij si mungonte trimëria.

U ndeshën poshtë mureve të kështjellës.

Bashkë me princër, princesha, mbretin dhe mbretëreshën, e gjindje të shumtë zum vend mbi mur në bedenat, në pritje të ndeshjes. Të dy palët, trojanë e akej, u vendosën ballas.Tanët pranë mureve të kështjellës.

Menelau erdhi me qerren e tij të luftës që e tërhiqnin dy kuaj të azdisur që hingëllinin e si mbante vendi. Hovi nga qerrja me vrull. Mburoja e gjerë i mbulonte parzmin, në përkrenare i lëkundej xhufka me qime bishtkali. Hovi vrullshëm nga qerrja dhe mori me të djathtën shtizën majëmprehtë, dhe si të donte ta peshonte e ngriti lart horizontalisht.Të vetët e brohoritën. Ashtu trupmadh, i zdërhallur,  i hakërryer, kërcënues, dukej i frikshëm.

-Dil këtu, o burracak, ngashnjyesh grash, që të kuptosh sa të vlen lëkura kur ndeshesh me burra! - E cyti Paridin, me zë bubullues si brurima e luanit.

Paridi nuk iu përgjegj, por i armatosur rëndë doli në log, me hapa të matur dhe i kujdesshëm.

Kisha mbështetur duart në gurët e bedenës, as e gjallë as e vdekur, angështia e zemrës dhe kobi i asaj që mund të ndodhte, po më sfilitnin, gjunjët më ishin prerë dhe së brendshmi kasha një boshësi dhe të ftohtë, që më akullonte duar e këmbë. Si të mos mjaftonte e gjithe kjo, vështrimet e njerëzve, disi përbuzëse e qesëndisëse që më bënin fajtore për gjithçka po ndodhte, ishin si një mallkim i heshtur. Pranë kisha mbretin dhe mbretëreshën, që çuditërisht dukeshin të qetë. Zemra e tyre ishte bërë gur. Besonin se do të ndodhte ajo që zotat kishin paravendosur.

Kjo i ngushëllonte dhe u jepte shpresë. Por jo mua.

Akili dhe Hektori matën me hapa largësinë dhe midis dy luftuesve hoqën një vijë të baraslarguar dhe dhanë shenjën e dyluftimit. Krahët u ngritën, majat e ushtave ndritën, fluturuan duke vërshëllyer si gjarpërinj, po të dy u dredhuan. Atbotë, shpatat dolën nga milli dhe të dy u derdhën furishëm dhe egërsisht. Parzmoret shungulluan, shpatat vringëllonin, dyluftuesit ofshanin. Silleshin rrotull njeri-tjetrit si dy luanë. Çdo goditje ishte vdekja dhe ngjallja ime. Më rrënqethej kurmi, më mehej fryma dhe lotët më rridhnin pa vullnetshëm. Të dy palët kurajonin dhe mbështesnin luftëtarët duke e shoqëruar luftimin me “oh” e “ah”,’bjeri, vraje”, thirrje e pasthirrma nxitëse.

Ato shpata vrastare vendosnin për fatin tim dhe asj lufte të përgjakshme.

Shpatat u thyen, shkëlqyen në diell tehet e thikave të frikshme. U mbërthyen për beli, pa mundur të rrëzonin për tokë njëri-tjetrin. Atëhere ndodhi e papara dhe e padëgjuara: të dy ndërluftuesit i mbuloi një mjegull e dendur ngjyrë qumështi. Na humbën nga sytë. Nuk mënoi gjatë dhe nga muri i mjegullës doli Menelau. Dukej i dërrmuar, i lodhur, i drobitur e mezi i shtynte këmbët. Akejtë e brohoritën. Ajaksi dhe Patrokli nxituan, e kapën nga krahët që ta ndihnin.Ne u mpim dhe u nemitëm.

O hyjnorë që bëni çudira! Paridi, gjthaq i lodhur e i pafuqi, u shfaq duke iu marrë këmbët. Aty ju gjendën Hektori dhe Enea që e morën dhe e futën brenda kështjellës.

Kishte ndodhur mrekullia.

Nga dyluftimi nuk pati të fituar, as paqe.

Thanë se atë reng Menelaut ja punoi Afërdita që e kishte për zemër Paridin dhe që për gëzimin tim, i shpëtoi jetën. Por më pas ajo nuk arriti të gabonte syrin dhe dorën e Deifobit, që mbi Paridin, kur ishte mbi ledh duke luftuar, lëshoi nga harku shigjetat e helmuara, që nga jeta me vojtje e larguan.

Kur akejtë, pushtuan qytetin, Menelau me trimat msynë konakët e mi. Isha gatitur për të pritur vdekjen. Me hap të lehtë i dola para. Kishte ardhur fundi, se çdo fillim një fund e ka. Pa oh e ah, pa psherëtima e lot, e heshtur, pa thënë asnjë fjalë a kërkim falje e mëshirë, u ula në gjunjë para tij. Gremisa kryet, zbulova qafën nga flokët dhe prita goditjen. Ndjeva vringëllimën e shpatës që doli nga milli, kurmi mu rrënqeth, por në vend të presës së shpatës, ndjeva në sup peshën e një dore të rëndë që më ngriti në këmbë. Guxova dhe e pashë në sy.Më bëri shenjë ta ndiqja pas.

Perëndesha Afërdita që më shtiu në ngasje,  jetën ma kurseu , por përse valllë?

Ajme! Paridi u vra, por ai është i gjallë në mendjen dhe zemrën time. Kështu u ndërpre me dhunë e gjak, dashuria e jetës sime, por ajo nuk ka mort, sa kohë do të regëtijë shpirti dhe jeta ime. Zjarri i saj do të flakërojë përjetësisht në zemrën time, si në ditën e parë kur e ndezi shkëndija e syve të tij. Dhe ja ku jam, si një skllave, në kuvertën e kësaj anijeje, e mbështjellë me një shkorsë të leshtë, e rrahur nga erërat e detit. Unë po kthehem në shtëpi sërish me Menelaun, për të qënë zonjë e atij pallati, por jo si Helena e Spartës por si Helena e Trojës. Në atë pallat që e braktisa. E ç’gëzim të ri mund të kem vallë?

Duket sikur Menelau është i kënaqur!

Këtë donte, këtë e arriti!

Kjo udhë e detit, me ravgimet e saj nuk dihet kur dhe për ku e ka fundin.

Kështu e deshën Zotat.

Argos-Greqi, prill 2002-Tiranë, janar 2018