E enjte, 28.03.2024, 10:48 AM (GMT)

Kulturë

Sinan Gashi: Dashuri para vdekjes

E enjte, 23.07.2020, 07:00 PM


DASHURI PARA VDEKJES

Nga Sinan GASHI

-tregim-

- Duhet të të puth!

- Je në vete?!- madje publikisht, në mes të sheshit … -Mos ke luajtur mendsh?

Kësaj radhe sytë ju kishin zgurdulluar dhe merrnin një pamje të trishtë.

Zamira, studentja e letërsisë së huaj, që nga mëngjesi kishte mbetur vetëm për vetëm me qiriun e tyre, Stresin. Të tjerët, ata të katit të parë gjysëmbodrum, me torbë ding me gjëra të domosdoshme për rrugë, kishin lëshuar shtëpitë. Urdhri i dal nga megafoni ushtarako - policor shtonte shqetësimin e frikë nga të gjithë. Të gjithë duhet të iknin nga këtu, nga qyteti i lindjes dhe i kujtimeve …

Stresi me shikim në dritë, grilat e lëshuara të së cilës I jepnin mundësi të paktën për shikim të pastër. Gjithçka I dukej me pamje zebarake. Diçka mbante në dorë, që më shumë e ledhatonte se sa e vinte në shërbim. A thua e kaluan kufirin nëna me grua e fëmijët, ai nxori pyetjen në heshtje shqetësimi për ta. Ata i nisi për udhë, kurse vetë nuk mund të binte në dorë të tyre. Kishte rënë në sy dhe kishte evidencuar që kur e zunë në një mbledhje politike në terren dhe e mbajtën një natë të tërë nën grushtim në polici. Ikni ju, i këshilloi, se unë dal më vonë, mos u merakosni. Nënës iu fsheh lagështia e lotëve në rrudhat e shumta në fytyrën e rreshkët, kurse e shoqja u skuq gjak faqeve të fryra dhe, në vend se të shoqin përqafoi ngrohët fëmijët që i mbante tepër afër.

Kur u kthye në shtëpi, s’ishte askush pos Zamirës, që e priste mbështetur në ballkonin e vogël të katit. Madje mezi dukej  ajo nga vazot e mëdha të luleve. Eja lartë! - i tha posa e fiksoi figurën e tij. Jam vetëm! Poshtë është më sigurt,- ia ktheu ky, duke mos e pasur mendjen fare as te ajo dhe as te qëndrimi i saj i vetmuar këtu. Unë ngela këtu, - s’iu prit të rrëfehej sapo u ul në një kanape  dalëboje. Të mitë shkuan e më thanë që të qëndroja këtu, se rrezikohen vajzat e reja shikimin e kishte të shpërfillur dhe pak si në faj I nxirrte fjalët me drojë, sikur priste një qortim të rreptë më pastaj. Ndoshta gjej ndonjë shteg të fshehtë me dikë dhe bashkohem diku, - e përmbylli, ngj se e mërzit Stresi i cili as që jep shenja që po e dëgjon.

- Tashti kemi mbetur të vetëm, e mund të kontrolloj shtëpi për shtëpi!

- Si po mendon, pra?

- Dalja e fshehtë na rrezikon edhe më shumë.

- Ani…!

- Ti në krahët e mi duke më puthur, si dashnorët e Venedikut, sheshit përstrup. Dyshimet e zbehta siguria më e madhe. Së fundi, ti je deklaruar për guximin!

Ajo futi gishtin delikat përmes flokëve të shkurtra të zeza, ngriti pak harqet e vetullave fushës së ballit të lëmuar e të zbehtë dhe ofshan thellë. Jetë o jetë, i tha vetes. Unë të puthem me këtë burrë që veç i afrohet moshës së babit tim. O, Zot!

Në çast iu kujtua kolegu i grupit, nga një fshat malor, që e vështronte me shikim të ndrojtur vazhdimisht gjatë ligjëratave, prej ku ajo lexonte dëshirën për afrim, për shoqëri. Adhurimi i tij veçsa shtohej përditë e më shumë, sa dikur nuk ju durua dhe zinte vendin në të njëjtën ulëse apo pranë saj, në çdo ligjëratë. Kush e di se sa netë ka ëndërruar, dhe sa herë ka fantazuar një takim intim, duke u përkëdhelur e duke thënë fjalë përplot emocione, që dalin me një timbër të dridhshëm, herë-herë edhe me kuptime fragmentare, vetëm sa për të thënë diçka. Për të nisën edhe shoqet e kursit ta gërgasin, se, ajo një ditë do të bëhej nuse e katundit, dhe do t’i rrinë mirë rrobat e malësores… Atëherë as që mendoja për të ardhmen. Provimet, studimet, dëshmia për aftësi njohurish, këto ishin preokupimet e mia. Pret koha, i thosha vetës gjithmonë, kur përvidhej heshturazi ndonjë pyetje e natyrës së tillë brenda meje. E tash, ja çfarë ndryshimi i shpejtë. Ende pa përfunduar diplomimin, ik kah të mundesh e bëj çfarë të thonë! O, Zot, të qofshim falë!

- Nuk e di cila është koha më e mirë?- tha ai.

- Ta presim sa terri I mbrëmjes ta mbulojë qytetin,- dëshironte ajo.

- Nuk mendova të rrezikojmë aq shumë.

- Ani, si po mendon?

- Ditën me diell dhe duke luajtur lojën e dashnorëve të marrë në këtë dreq rrethimi.

Për pak kohë pllakosi heshtja brenda dhe jashtë. Pas disa çasteve një uturimë i ngriti që të dy në këmbë, me shikim kah grilat e dritareve, që shikonin vetëm sa ishte e gjerë rrugica për karshi. Më pastaj hapat e zhurmshëm këpucësh ushtarake, me një ritëm të çrregullt.

- A thua kanë ikur të gjithë këta flliqanë?

- Në daç i kontrollojmë shtëpi për shtëpi. Kohë kemi mjaft dhe ushtarët po ashtu.

- Po e bëjmë edhe një xhiro, kur të kthehemi sigurohemi më mirë. Mos po na del diçka e papritur. Këta janë me sherr e kush e di si ndodh.

Zamira ju ngjit për trupi Stresit, i cili veç bëri gati revolen e vogël, që e mbante në xhepin e brendshëm të sakos. Mos u frikëso!- i tha më tepër vetës se sa asaj, ngase zëri nuk u dëgjua fare. Me gishtat e shkurtë zgjeroi edhe pak shufrën e roletës. Hapat me zërat dhe hijet e tyre u zhdukën pas kthesës së parë të një pesëkatësheje. Ndoshta nuk kthehen më këndej, se shumë rrugë e rrugica ka qyteti. Apo mos veç bëjnë propagandë sa për të futur frikën. Ku e di njeriu ç’i pjellë mendja dreqit të mallkuar.

- A ikim tashti, pra?- tha Zamira e frikësuar.

- Edhe pak

- A futemi pra në pjesën e errët të bodrumit? Ata dinë vetëm të vrasin, kupton!

- Më duhet të raportojë për gjendjen e krijuar këtu. Nuk bën gjithçka të shkojë pa dëshmi.

- Gazetare je, ti?!

Pyetja i doli me një habi aq të madhe, sa Stresit i gufoj një gaz i përçudshëm. Kush kishte menduar se në këtë gjendje gufon nga ndrydhja një gaz i pakontrolluar.

- Pse, nuk më njeh ti?

- Tashti asgjë nuk po kuptoj. Gjithçka po më duket se është mister për mua. Edhe këto mure që i pashë posa linda, tashti më bëhet se janë tjera, më të buta, më të huaja, më të…

- Gazetar nuk ka. Ikën se ata janë fytyra të njohura. Rrezikohen.

- E ti?!

- Do ta njoftoj me telefon BBC-inë.

Ai nuk shikon nga ajo. Mendonte se ta formulojë mendimin, ngase ishte hera e parë për raportim të tillë. Mos po bëj më shumë keq sesa mirë me këtë njoftim, i lindi dyshimi. Jo, i tha vetes menjëherë, le të dihet gjithçka që po ndodh këtu. Më nuk ka çka humb nga kjo. Gjithçka mori fund. Është fare e mundshme që të vritemi ne të dy këtu, pa na parë kush, apo dhe në mes të sheshit, nëse nuk na del interpretimi teatral bindës. Më mirë një zë në shkretëtirë se heshtje mortore para kohe. Fundja, të gjithë e dinë se unë nuk e kam ushtruar ndonjëherë gazetarinë, e aq më pak raportimin e drejtpërdrejtë.

- Nisja, pra, më shpejt, e ikim nga këtu. M’u bë se dëgjova sërish zëra.

- Sa ta gjej numrin e telefonit,- i tha  qetë.

Alo, alooo! Po ju raportoi nga Prishtina, nga kryeqyteti i Kosovës, vendi ku po bahet përzënia masive e popullatës nga të gjitha lagjet ... Përtej, nga kufja e BBC-isë u dëgjua një  a l o  në fillim, e pastaj një ndrydhje suste. Ndoshta e incizoj në megafon, mendoi. Sot, më datën 3 prill 1999, ky qytet i zhurmshëm u boshatis dhe ka marr pamjen e një vendi të shkret, ku as zëra as gjë e gjallë nuk duket kund. Kolonat e gjata të njerëzve, me plaçka në krah, kanë mësyrë rrugën qendrore; disa për në stacionin e treni e disa edhe për në Fushë-Kosovë. Milicia e ushtria armike me megafon çirren e kërcënojnë, që të shkojmë të gjithë në  A l b a n i, të cilën e adhurojmë kaq shumë. Edhe “Bregu i Diellit”, edhe lagjja “Arbëria”, edhe andej nga Gërmia, nuk kanë të ndalur ecjet lumë të njerëzve të moshave të shtyra , të grave e fëmijëve. Të rinjtë e të rejat janë më të rrezikuar dhe ende qëndrojë të strehuar podrumeve e garazheve. Ata që bëjnë kontrollin, kërkojnë para për të kaluar postblloqet. Madje ka nga te rinjtë që edhe i arrestojnë, po ashtu edhe vajzat e reja. Janë hapur fjalë që ato edhe i përdhunojnë edhe publikisht në disa raste. A l o, a l o! Po ju dëgjoi,- tha zëri për matanë. Ti veç fol edhe të falënderojmë që na flet nga vendi i ngjarjes. Jemi duke pritur momentin edhe ne që kemi ngelur, - vazhdoi raportimin Stresi, - për të ikur disi. Nuk e di a do mbetemi të gjallë, se rrugët janë rreth i mbyllur. Do të presim ndonjë moment më të përshtatshëm, e …

- Mjaft më, eja ikim, të lutem!- u përxherua Zamira.

- U këput lidhja, për dreq,- thirri me inat Stresi, duke u lëshuar këputshëm mbi kanape. Do bulëza djers të ftohta i shkëlqenin ballit.

- Tashti mund të bëjmë çfarë të dimë e të mundemi, - ofshani thellë.

- Dëgjo Zamira! Tash është më mirë të dalim, se rrugët sikur janë boshatisur. Nisemi kah rruga kryesore. Ti vërma dorën rreth qafës dhe kacavirru, sikur më dashuron, kupton… A ke luajtur teatër ndonjë herë?

- Unë, teatër?!- pyeti veten ajo. A do të mund ta bëjë një veprim të tillë? Vërtet për këtë njeri kam ndier simpati, që pas një jave kur u vendos te ne. Korrektësia e tij, puna e madhe që bënë, dhe një delikatesë e lindur, sikur ma krijonte një lakmi për të. Madje, duke e vlerësuar për shumë veprime dhe një butësi shpirtërore që e manifestonte në përditshmëri, një ndjenjë simpatie, që nuk guxoja t’ia thosha as vetes, në vetmi. Pse jam kaq e marrë, e pati gjykuar sa herë vetën. Një njeri i martuar, i moshuar, ta krijojë simpatinë, e ai kolegu i kursit, që për një fjalë që ma thotë, skuqet deri te veshët, asgjë! Hajde, mendje, hajde! Si po u bllokuaka truri nganjëherë, sa mos të gjykohet drejt! Kush ka të drejtë më shumë: mendja apo zemra?! ...

- A je kësajde, moj!- i mëshoi zërit thekshëm Stresi, me një fije nervozizmi.

Ajo u shkund nga përsiatja dhe ia përqendroi shikimin…

Rruga ishte e boshatisur. Çdo lëvizje e vogël krijonte thyerje të qetësisë mortore. Do zëra të shkëputur herë – herë vinin dhe shuheshin pa u përcaktuar drejt kahjeardhja e tyre. Këta ecën rreptë, me një hap gati ushtarak. Ajo ia kishte future dorën nën krahë dhe bëhej gati që, sapo dukej ndonjë grup milicësh, t’ia  niste lojës… Ecën edhe ca, me shikim të përvjedhur përanash. Dhe, ia zhurmëri hapash të thatë, që shoqëroheshin me do fjalë të pa qarta, jo nga largësia sa nga ndjenja e frikës.

- Ndalu, kujdes tashti!,- i tha Zamirës, dhe ajo iu hodh në përqafim, sa e shtrëngonin duart pas qafës, edhe nga ndjeja e herës së par të një puthjeje, aq e ndihmonte frika, që të mos shihte fundin e jetës. Edhe Stersi, i mbështetur për një shtylle elektriku, kishte fshehur sytë nën jakën e ngritur të saj ...

- Shiko do njerëz!- tërhoqi vërejtjen njëri nga ta.

- Tanët janë!- ia priti tjetri.

- Këta nuk din të bëjnë dashuri, e aq më pak kështu rrugëve, në mënyrë moderne.

- Thua të mos i certifikojmë?

- Dihet kush ka vullnet për dashuri tashti, kupton.

Derisa hapat e tyre ua rrëmbeu kthesa e parë, ajo nuk i shqitej atij. Në sy i shkëlqyen lot të vaktë, përzier gëzim e ndjenjë bashkë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora