E shtune, 20.04.2024, 03:10 PM (GMT+1)

Mendime

D. Kokanozi: Të gjymtuar, por të disiplinuar

E shtune, 08.11.2008, 12:31 PM


Të gjymtuar, por të disiplinuar

 

-Shenime per romanin e P. Kulles, Vdekja e Enver Hoxhes-

 

Nga D. Kokanozi

 

Prej më shumë se njëzet vjetësh vërehej një shpërpjesëtim gjithnjë e më i ndjeshëm midis dimensionit tragjik me të cilin pjesë-pjesë rikonstruktohej natyra e vërtetë e diktatorit të Shqipërisë dhe mungesës së një ekuivalenti artistik, e një vepre të denjë për përmasat e asaj katastrofe ku ai e shtyu vendin. Natyrisht është fjala për detyrime të natyrës morale, të cilat shkrimtarë të ndjeshëm kanë ditur t’i respektojnë sistematikisht. Në disa nga vendet e Lindjes një letërsi e vërtetë "pasdiktatoriale", term pak abuziv nga ana ime, filloi duke dhënë portrete tronditëse të diktatorëve përkatës. Mjaft përfaqesues mbetet rasti i novelës së Sollzhenicinit, Një ditë nga jeta e Ivan Denisovicit, etj.

 

Gjithsesi, edhe për një diktator të formatit të xhepit, por mjaft të prapë,  siç ishte rasti i diktatorit shqiptar Enver Hoxha, që në fillim u duk se do të tregohej respekt ndaj ketij detyrimi të pashkruar, por e vërteta është se veprat e ndonjë autori me fantazi të zhvilluar por me mundësi të kufizuara, që e paraqisnin diktatorin si kanibal apo vrasës femrash, pasi i përdhunonte, kam përshtypjen se bënë të kundertën e asaj që pritej; shtynë lexues të veçantë  të dyshonin edhe për të vërtetat që ishin dokumentuar nga publicistë e historianë të shumtë.

 

Por me sa po shohim këto ditë, duket se gjithçka ishte çështje kohe. Këtë përshtypje krijuam duke lexuar  romanin e ri të Pëllumb Kullës,Vdekja e Enver Hoxhes, botuar nga  Sh. B. "Arbëria".

 

Gjithsesi, nuk duhet të përgatitemi të lexojmë gjëra të llahtarshme për diktatorin, nuk do të ketë dëshmi rrëqethëse për të, nuk do ta shihni as duke bubulluar e damkosur "armiqtë" që komplotonin për të keqen populli, madje nuk do ta shohim as të ulur në ndonjë mbledhje byroje. Do ta shohim vetëm në një pozicion:  të shtrirë. Ai ka vdekur. Tamam për këtë na siguron që në fillim rrëfyesi, Betimi, që do të na shoqërojë një copë herë të gjatë nëpër faqet e romanit, ngjarjet e të cilit fillojnë pikërisht në ditët që pasojnë vdekjen e despotit shqiptar. 

 

Por edhe në një rrethanë të tillë, aparati sistematik dhe i mirëorganizuar i propagandës së diktaturës, nuk do të bëjë më pak  nga sa bënte në gjallje të tij. Qëllimi është që të mos ndodhë asnjë këputje me imazhin që kujtesa kolektive ruan për satrapin.  Kjo është shumë e rëndësishme.  Edhe në vdekje e dekompozim, imazhi tij është jetik për vazhdimësinë e diktaturës. Ai duhet të sundojë e shtypë trurin e kombit edhe për shekullin e ardhshëm, të pakten. Masat janë marrë me kohë që vepra e tij të projektohet shumë thellë në kohë. Por tani, numri i personave që do të merren me detyrimin e  mjerë të sinkronizimit të veprës me imazhin, do të jetë mjaft i kufizuar; një grimior dhe një figurë tjetër e frikshme, si e dalë nga ankthet e fëminisë, një farë Teloje që mund të ishte edhe një farë Suloje apo çfaredolloj gorille tjetër e programuar të të zhdukte cilindo pa u menduar dy herë, madje pa menduar fare. 

 

Duke bërë këtë zgjidhje, pra duke e hequr diktatorin nga lista e personazheve të gjalla e  që veprojnë aktivisht në faqet e romanit të tij, Kulla nuk harron ta zhvendosë vazhdimisht lexuesin diku në krah të kufomës vip. Vërtet ai nuk do ta shohë kurrë atë ballëpërballë, por në brendësi të vetes do të ndjejë   ankth,  do të ndjejë një prani të ftohtë, që të rrëqeth.

 

Fatmirësisht për lexuesin, një personazh i tillë, sado me emër të zymtë e trishtimndjellës, në duart e një autori si Kulla, nuk i ka të gjitha letrat në dorë për të na prishur gjumin përsëri e të na fanitet në ëndërr. Në faqet e librit në fjalë, ai  është para atij detyrimit historik, ku përgjithësisht përfundojnë gjithnjë diktatorët, ai duhet të na bëjë të qeshim. Të qeshim me të e të qeshim me veten.

 

Dhe situata në të cilat Kulla vë personazhet e tij, janë gjetje të një bukurie të veçantë. Në të vërtetë rrethana të tilla me humor e krejt të papritura, gati të denja për korridoret e një klinike psikiatrike,  janë organizuese të çdo kapitulli të romanit të tij, gjë që e strukturon librin në trajtë mozaiku. Pjesë të veçanta të tij  qëndrojnë me vete, por synimi është që tëresia e tyre të japë një vizion sa më të gjerë e të thellë të diktaturës.

 

 Le të kujtojmë, midis të tjerash, takimin në shtëpinë e kulturës, kur kreu i partisë së rrethit duhet të gjejë shprehjet e duhura që t’u japë disa punonjësve lajmin e vdekjes dhe reagimin e këtyre të fundit, bisedat e personazheve në kampin e pushimit, që duke bërë sikur nuk dinë gjë se çfarë ka ndodhur (pra vdekja e diktatorit) diskutojnë për posturat e xhestikulacionet që duhet të marrin me të ardhur lajmi, bisedat dhe arsyet që jepen për heqjen a mos heqjen e zisë, vite më vonë etj.

 

Në valet e kësaj budallallepsjeje kombetare që shpaloset dora dorës,  duke i shtyrë ngjarjet dhe shfytyruar në mënyrë groteske personazhet, vërejmë se thelbi i rrëfimit të romanit ka një realizëm të paqortueshëm. Vdekja e Enver Hoxhes, jashtë çdo inskenimi dhe skenografie me të cilën iu paraqit botës, ajo në të vërtetë  u përjetua si një tragjedi nga një masë e madhe njerëzish. Dhe këtu mendoj se është një nga meritat e mjeshterisë së autorit; ai nuk del në fund e të na thotë: kjo ishte e gjitha komedi, ata bënin gjasmë, se në thelb mezi e prisnin vdekjen e diktatorit. Kjo nuk ndodh, se po të ndodhte, nuk do të përkonte me të vertetën.

 

Dhe duke i prerë në këtë rrafsh ngjarjet, ne na lind e drejta për një interpretim të dyfishtë të romanit: ai është një satirë për diktaturën, por nuk kursen edhe nëe pjesë të mirë ëe nënshtetasve që jetonin nën hijen e saj. Një kalimtar i rastit, dikush që nuk e ka përjetuar atë kohë, nuk do të mungonte që në majë të buzëve të bënte pyetjen: Pse bëjnë kështu këta njerëz? Çfarë kanë në barkun e tyre këto personazhe të fandaksura? Thënë ndryshe, mund të pohohet se shqiptarët dolën nga diktatura me sindrome të njëjtë me atë të fëmijës së tronditur në barkun e nënës, por mund të hamendësohet edhe e kundërta. Pra se ata e përjetuan dhimbshëm vdekjen e Enver Hoxhës, u tronditën thellë prej saj. 

 

Autori nuk merr përsipër të mbajë qëndrim në këtë pikë. Ai na lë të lirë të gjykojmë vetë sjelljen e asaj mase të madhe njerëzish në çastin e lajmit të vdekjes dhe të ngjarjeve që shtjellohen më pas. Madje edhe kur i shtyn deri në paroksizëm  rrethanat tragjikomike të rrëfimit të tij, autori  ndjehet i qetë sikur pas vetes ruan një kartë që do ta nxjerrë menjeher sapo dikush të thotë se në ndonjë çast e ka tepruar disi.

 

Ketu duhet të ketë diçka në nivelin e përversitetit interaktiv që lidh diktatorin dhe nënshtetasit e tij. Fenomeni është i çuditshëm, madje i papërsëritshëm. Është një rast ku do të pranonim më mirë shfaqjen e dytytyrëshe dhe të bërit gjasme, gjë që do të qe e kuptueshme dhe e përligjur, por nuk duket të jetë tamam ashtu. Ai lumë lotësh e qurrash, që derdhën miëra e mijëra vetë me bark bosh, këpucë që u fusnin ujë e të veshur me dok kombinati,  e midis tyre edhe mjaft  njerëz që ishin persekutuar, flet për të kundërtën.

 

Të krijohet përshtypja se puna e parë e Kullës nuk ka qenë që të gërmojë e rrëmojë në kujtesë për të gjetur  ngjarje dhe personazhe të  asaj kohe. Kjo befasisht merr një rëndësi të dorës së dytë. Duket se së pari është mbështetur te një imazh i përgjithshëm i atyre ditëve të paharrueshme. Ishte  zymtësia dhe serioziteti qesharak i turmave, gjëja me tronditëse dhe më e pabesueshme e atyre ditëve. Ai ka vendosur një  materie të qullët, diçka si plastelinë e modelueshme, siç ishte  dinjiteti i nje kombi që nuk di nga t'ia mbajë, në një lloj akseleratori paniku, që ishte përgatitja për lajmin e gjojagjemes. 

 

Rezultati shihen në bukurinë e mjaft rrethanave krejt të jashtezakonshme, të  personazhet fontomatike dhe dialogët absurde, që duket sikur i përkasin një bote surrealiste. 

 

Rezultati është se ne ndodhemi në një teatër hijesh te populluar me dordolecë tragjikë, të cileve në ballë u rrjedh truri prej tutkalli. Shkurt në faqet e romanit do të gjejmë edhe disa nga pasojat  me të cilën shqiptarët dolën nga aksidenti me diktaturën.

 

  Kulla merret tamam me këtë  materie gri të shpërbërë që ka lënë pas diktatori, me këtë shpirt të gjymtuar   të nënshtetasve të tij, ndonëse këtu ka nevojë për një saktësim: Ata janë vërtet të gjymtuar, por ama të disiplinuar, siç nënkuptohet nga bisedat në atelienë e improvizuar të Betimit, nga ku shihet ajo radhë prej mijëra e mijëra vetësh, që qëndron devotshmërish me orë të tëra në pritje, për të përshëndetur edhe një herë të fundit atë që e kishte katandisur jetën e tyre në zgrip të ekzistencës.  

 

Parë në këtë kënd, Vdekja e Enver Hoxhës, merr edhe cilësitë e një pasqyre që Kulla u vë përpara bashkëkombesve të tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora