E marte, 23.04.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Editorial

Xhemal Ahmeti: Xhamia Osmane - simboli i ri i Republikës së Kosovës!

E merkure, 22.07.2020, 09:45 PM


XHAMIA OSMANE - SIMBOLI I RI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

E drejtë e shumicës që jeton aty. Ata vendosin për udhën dhe fatin e tyre. Ne duhet t'ua respektojmë vullnetin, pa shtypur mendimin tonë për gjendjen.

Nga Xhemal Ahmeti

Liria e ushtrimit të fésë nuk duhet të gërvishtet. Kjo përmban edhe të drejtën e komuniteteve për të ndërtuar tempujt e tyre. Protesta e ateistit kundër ndërtimit të tempujve fetarë është poashtu e drejtë e garantuar me kushtetutë. Brenda kësaj polemike s'ka ç'kërkon shteti. Sekulari me përvojë dhe i shkolluar e konsideron debatin ndërmjet këtyre dy poleve si pjesë të emancipimit të tyre me dinamikën e koekzistencës.

Sipas kësaj që shkruam më lartë atëherë polemikat dhe protestat kundër apo pro ndërtimit të xhamisë në Prishtinë s'duhet trajtuar si dramë, por si kacafytje sezonale ndërmjet religjiozëve dhe ateistëve, të cilët mbrojnë arealet e tyre që besojnë t'i sundojnë. Apo konflikti ka portret tjetër e ne eufemizojmë situatën nga indiferenca e thellë ose interesi material personal, partiak, familjar?

1 ÇKA NDODHI DERI TASH

Pasi u shpërbë Jugosllavia, sapo rra sistemi i Enver Hoxhës dhe pasi iku serbi gjatë dy festave të bajrameve as sheshet nuk i zënë faltarët myslimanë e lere më xhamitë. Duke u nisur nga ky mobilizim dy-herë një-orësh në vit, persona të njohur për nga qëndrimet e tyre radikale plasuan kërkesën e ndërtimit të një xhamie të madhe në Prishtinë. Mundësisht në qendër të Prishtinës. Me dëshirë diku afër katedrales katolike dhe me minare më të gjata se kodrinat përreth. Kërkesa u bë nga shoqata përfaqësuese e xhamive të Kosovës BIK. Nuk vonoi shumë dhe doli në shesh edhe sponsori: Diyaneti turk me asistencën e TIKA - s, respektivisht Erdogani siguroi financimin e xhamisë. Ashtu siç bëri në Tiranë. Fillimisht komuna e Prishtinës kërkonte një arkitekturë ndryshe, të përshtatshme me "kohën" dhe "ambientin" ekzistues. Dikur u dorëzua dhe lejoi vënin e themelit. Gjersa BIK dhe një pjesë e madhe e myslimanëve praktikues gëzohet e feston për këtë punë, një pjesë e vogël e shoqërisë proteston kundër. Ata thonë se s'kanë gjë kundër xhamive, por kundër tiranit të Bosforit që ka shtrirë kthetrat mbi sovranitetin dhe lirinë e tyre, ndërkaq apologjetët e Erdoganit në Kosovë [të etiketuar edhe si agjent të shërbimeve turke] nuk thonë se Erdogani nuk është tiran, porse protestuesit janë islamofobë? Cila palë ka të drejtë?

2 PËRFAQËSIMI BRENDA DISKURSIT

Legalizuesit e kërkesës dhe miratuesit e saj nuk marrin qëndrim publik. Debateve thirren mullahë të njohur të neosmanizmit erdoganesk dhe kundërshtarë të flaktë të të parëve. Neoosmanët sillen më arrogancë dhe snoberi [më shumë nga injoranca] debateve ngase për momentin e dinë që kanë fituar luftën. Nervoza dhe argumentet e palës tjetër përjetohen nga recipienti si vaj histerik humbësish.

Kur analizojmë postimet e fraksionit të Erdoganit zbulojmë strukturat përkrahëse të vijës: prinë aktualisht anëtarësia e re e PDK-së, pastaj ajo e VV - së; nuk mungon as LDK e Gjilanit dhe Kaçanikut. Të AAK - së dhe tjerave parti bëjnë spektatorin por opinioni e di se edhe ato kanë futur TIKA-n shkollave fillore ku sundojnë komunat. Nga ana e personelit të medias pro projektit shquhen ata të grupit KOHA dhe TV Dukagjinit. As persona nga stafet e portalerisë së RTK - së nuk mungojnë. Me përjashtime të veteranëve të caktuar të shoqërisë civile, shumica e stafeve të OJQ -ve janë pro ndërtimit të xhamisë osmane të financuar nga Erdogani.

3 GJENDJA

Nëse bëhemi të sinqertë dhe analizojmë këto indikatorë siç janë, atëherë duhet të pranojmë se Fraksioni [për nga intensiteti dhe prezenca brenda diskursit mediave "serioze" dhe institucioneve civile e shtetërore, partive] që përkrah ndërtimin e xhamisë të tipit osman me financimin e Erdoganit përbën shumicën absolute brenda shoqërisë kosovare. Asgjë për tu habitur: të gjitha qeveritë që nga Hashim Thaçi e deri tek kjo e Hotit në praktikë kanë përkrahur këtë variant të ecjes së Kosovës drejt Turqisë [në vepër duke ia dhënë infrastrukturën, transportin, telekomunikacionin, shkollat, kultet fetare myslimane ...]. Kohëve të fundit shumica e partive të veçanta kanë hequr maskat dhe edhe retorikën ia kanë përshtatur asaj të Erdoganit: sulmojnë BE-në, SHBA-të dhe vendet e ashtuquajtura "oksidentale". Nga kjo del se partitë, mediat, shoqëria civile dhe shteti nuk përkrahin gjithaq xhaminë si hapësirë komode biznesi e faljeje të besimtarëve të tyre myslimanë, por më shumë e konsiderojnë atë si simbol demonstrativ konkurrence ashtu siç bëri "paraardhësi" i tyre Justiniani kur ia tregonte dhëmbët Romës, ashtu siç bëri Sulltani me Hagia Sofian, pra kështu siç bën Erdogani sot në Stamboll dhe në Prishtinë.

4 KONKLUZIONI

Kur një pakicë e humbë luftën ajo nuk donë të thotë se u shua fare. Asaj mund t'i dëshirojmë fuqi e energji për ndonjë kohë tjetër. Për këtë kohë Kosova ka vendosur të zgjedh vijën neoosmane. Ky vullnet shumice duhet respektuar edhe kur s' na pëlqen fare. Natyrisht duke mos heshtur kurrë duke recituar mendimin se: xhamia është projekt politik sipas strategjisë së shpaluar nga Davotoglu me shkrim për rikthimin e tokave ish osmane; se shqiptarët dalin të pamoralshëm kur përkrahin tiranë të formatit të Millosheviqit [fizikisht ndaj kurdëve dhe pakicave tjera në Turqi dhe kulturalisht e ekonomikisht ndaj kulturës shqiptare në sferat e tyre autoktone], pavarësisht leverdisë politike e materiale me të cilat i josh Ankara. Kësaj radhe fitoi Erdogani tek shumica. Si Tito që fitonte dikur.

Si duket Kosova ende nuk është e gatshme të jetë e pavarur. Me këtë as shqiptare. Europiane (politikisht) si ashtu jo.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: At Shtjefën Kurti, njëri prej 100 viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar Frank Shkreli: Sali Bollati - Çam shqiptaro-amerikan, i mbijetuar i Gjenocidit Grek Gjekë Gjonaj: Bashkimi i shqiptarëve në Mal të Zi, mision i pamundur Gani Mehmetaj: Xhamia në Ulpianë dhe kisha e Milosheviçit, janë objekte të ngatërresave politike Blerim Latifi: Serbia veç një kundërshtari ia ka drojën, nacionalizmit laik shqiptar Xhelal Zejneli: Ernest Koliqi Thanas Gjika: Në vend të polemikës me z. Auron Tare Frank Shkreli: Diasporë, heshtja nuk të ka hije! Fetnete Ramosaj: Me fabrikime nuk shkruhet historia, as nuk kushtëzohet e ardhmja Thanas Gjika: Kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë Xhelal Zejneli: Riorganizimi dhe ripozicionimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni Frank Shkreli: Provat për Martin Camajn do i marr kur të hapen dosjet e Beogradit Gani Mehmetaj: Ku janë ikonat e shqiptarizmës Ernest Koliqi e Mustafa Kruja? Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt Gani Mehmetaj: Shkollat e Ernest Koliqit, vepra më e madhe kombëtare në 100 vjeteshin e fundit Blerim Latifi: Camaj, Koliqi dhe shërbimet sekrete Ndue Ukaj: Pas Koliqit e Camajt, kush është në radhë për t'u përbaltë? Agron Tufa: Gërmo Tare, gërmo! Frank Shkreli: Dorëheqja si një akt patriotik dhe njerëzor! Ilir Çumani: Me?shire? dhe keqardhje pe?r despotin tone? kryeministe?r...

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora