E marte, 20.10.2020, 09:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Mevlud Buci: Basir Bushkashi - Qiejt e brengave

E hene, 20.07.2020, 05:48 PM


MJESHTËRIA ARTISTIKE DHE FIGURACIONI POETIK NË POEZITË E BASIR BUSHKASHIT

(Disa mendime rreth librit më të ri të poetit të shquar, “Eseninit matjan”, Basir Bushkashi, titulluar “Qiejt e brengave...”)

Nga Mevlud BUCI, Studiues e publicist

Cilido lexues, veçanërisht studiues e publicist, kur rilexon krijimtarinë poetit matjan e mbarëkombëtar, Basir Bushkashi, do të ndjente peshë të rëndë në shpirt e në mendje, do të meditonte e, pse jo, edhe të shkruante e argumentonte për lirikat filozofike, të thjeshta e domethënëse, të cilat të japin kënaqësi, të frymëzojnë e mbi të gjitha të mësojnë sesi është vlera, drita e shpirtit, mençuria e mbi të gjitha njeriu i kohës, njeriu i mirësisë, sesi është dashuria e vërtetë, bukuria e madhështia e jetës njerëzore. Pa mëdyshje e pa aspak hiperbolë e nostalgji, e themi qysh në fillim të këtij studimi të thjeshtë, se poeti Bushkashi është një vlerë e shtuar për kombin, i përket një brezi të shquar e gjurmëlënës, një poet me dritëlirì, me frymëzim dhe, mbi të gjitha, i kuptueshëm e frymëzues për lexuesit e çdo moshe.

Mati i barotit, vendlindja, Mallunxa e fisnikërisë, shokët, ngjarjet, momentet a gjurmët e jetës, fisnikëria njerzore e, mbi të gjitha, drita e shpirtit dhe e zemrës pasqyrohen me tërë bukuritë në çdo varg e poezi, me flladet e lulet e Dejës, me rrezatimin e hijeshinë e lëndinave, me dritësimin e atdhetarisë e të dashurisë së vërtetë njerëzore.

Basir Bushkashi gdhend petalet e jetës, dukuritë e zërit të zemrës, pasqyron me mjeshtëri të rrallë atë çka gëlon në zemrën e njeriut, atë që ngjan me mineralet e thellësive, me artin e fjalës së mençurisë. Sa e thjeshtë, aq edhe e thellë, sa e bukur, aq e madhërishme, sa lakonike, aq drithëruese është poezia e këtij poeti dritëlirì. Përse?

Në të gjithë librat e Bushkashit, të cilët janë pasqyrë e dritës hyjnore të shpirtit njerëzor e deri tek i fundit “Qiejt e brengave...” pasqyrohet trinomi: Jetë-dashuri-dhimbje. Në këtë trinom bashkëjeton fjala e mençur, mjeshtëria artistike, lirizmi i hollë drithërues dhe mbi të gjitha filozofia, e cila bëhet moto frymëzuese e krenari për lexuesin.

Për poetin Bushkashi, për librat e tij, ku i afrohen të pesëmbëdhjetëve, kanë shkruar shumë, janë botuar disa shkrime e janë gdhendur mendime të qarta të argumentuara. Sidoqoftë, ne dhe cilido, ka vend për të shkruar në pafundësi për krijimtarinë e këtij poeti të vërtetë, i cili me genin, me provat e botimet brilante, i ngjan kurorës së Dejës e të Koratës së Matit.

Të tillë janë studiues të talentuar, si Albert Frashëri, Ndue Dedaj, poetët Lindita Doda, Bajram Canameti, Kujtim Stana e plot të tjerë.

Krijimtaria e poetit Basir Bushkashi flet me filozofinë e vargut, me gjetjet artistike, flet me sinqeritetin krijues e thellësinë e mendimit, flet me filozofinë matjane, me mallin e bukuritë për vendlindjen, për jetën, për vlerat e mbi të gjitha për enigmat e dashurisë së vërtetë.

Lexuesi, a studiuesi, tek vargjet e Bushkashit zbulon dritën e altarit, mirësinë, bukurinë e virtytit, zbulon dritën e thjeshtësisë, zëlirinë, mallin e dhimbjen.

Me të drejtë studiuesi i talentuar, prof. dr. Albert Frashëri që nga Italia, midis të tjerash shkruan: Basirit i mjaftojnё dhjetё fjalё pёr tё rrëfyer dhimbjen e madhe tё varfёrisё. Njё dhimbje universale pёrpara tё cilёs drita humbet shkёlqimin e saj, sikur tё ndjehej fajtore pёr vuajtjen njerёzore. Probleme tё tilla dramatike tё kohёs sonё në vargun e Basirit shndrrohen nё njё urtёsi kristaline pёr ditёt tona.” (“Qiejt e brengave...” ADA 2020).

Një poet që zotëron mjeshtërinë figuron e laton fjalën, një poet, e sitë e kohës, një poet që njeh jetën, njeriun, shpirtin, psikologjinë e mbi të gjitha karakteret e dukuritë jetësore. Pra, në poezitë e tij, lexuesi i thjeshtë, politikani a shtetari, nxënësi a mësuesi, studiuesi a historiani, bariu apo akademiku mëson se ç’është jeta, si është e si duhet të jetë njeriu, sesi rrezatojnë vlerat, drita a shpirti, djersa dhe drita e zemrës.

***

Përse gabova?!

Para pak kohësh, kur rilexova librin brilant: “Zjarre dhe fllad...”, të të shquarit Bushkashi, i thashë: “I shtrenjti Basir, “Esenini i Matit”, mos boto më, se ky libër është kulmor!”. Basiri nënqeshi dhe nuk m’u zemërua. Kur mora librin “Qiejt e brengave...” meditova, vendosa të shkruaj se e pashë se kisha gabuar nga dashamirësia dhe krenaria për botimet e tij. Ky libër, “Qiejt e brengave...”, m’u duk një kurorë krijimtarie, një pasqyrë drite e jete, një galeri e mjeshtërisë dhe figuracionit poetik.

“Qiejt e brengave...” janë qielli i dhimbjes, i dritëlirisë, i varfërisë, janë jeta e një populli shpirtëdritë që vuan nga politika shterpë, politikanët fallco të etur për karrierë e pasuri, të etur për padrejtësi.

Qysh në titullin alegorik, poeti Bushkashi, shpërfaq enigmën çnjerëzore, betimin e kupolës të etur e të përbetuar për dredhì, shpërfaq mall e dashuri, virtyte e mbi të gjitha krenari legjitime me vendlindjen, kombin, breznitë dhe dritën e vlerave bashkëkohore.

“Fluturat e mallit”, me të cilën hapet botimi brilant “Qiejt e brengave...”, shpërfaq kontrastin, antitezën njerëzore në një shoqëri të vetëquajtur demokratike (në fakt demoshkërdhatë M.B.)

“...

Fluturat e mallit

Malli vetë

Herë i ëmbël,

Herë i helmtë...” (Fluturat e Mallit” fq. 13)

Poeti Bushkashi është mjeshtër i vargut, një “mjek” i jetës, një psikolog i thellë e real i kohës, ku në poezi zbulon realitetin e hidhur që kalojmë:

“...

Se kjo është bota

Me të mirë e të këqinj

Lum kush në zemër

Nuk fsheh gjarpërinj...” (“Ndjehem i ngazëllyer” fq. 15)

Metafora dhe simboli, epiteti metaforik, kontrasti antiteza, krahasimi e mbi të gjitha përshkrimi mjeshtëror poetik shpërfaqen në poezitë e librit brilant “Qiejt e brengave...”.

Poet i mesazheve të fisnikërisë, i dashurisë për Matin, Dibrën e kombin, për vendlindjen. Penda e tij sikur pikon dritë, dashuri e fisnikëri njerëzore:

“Sikur të ndodhë,

Që s’do të ndodhë kurrë:

Që të gjithë matjanët

Të iknin turrë...

Unë s’do të lëvizja

Do t’rrija këtu:

Me malet dhe fushat,

Do të flisja për Ju...” (“Me malet dhe fushat” fq. 17).

Mjeshtëria artistike e Bushkashit buron nga zotësia profesionale, si pedagog letërsie, si bir i Matit, që njeh e don vendlindjen, traditat, njeriun, që nga fija e barit, a flladi i malit, zbulon dritësimin e mineralit, dritësimin e shpirtit njerëzor, të vërtetat, mirësitë, vlerat e virtytet.

Tek Bushkashi bleron thjeshtësia, ajo sesi e çfarë të kërkojë njeriu-njeri e jo dredharaku i posteve e pasurive. Poeti ka një mendësi të thellë, të gjerë reale, njerëzore:

“...
Në do të mendoni

Për bustin tim

Mos u shqetësoni

Se ku do të jetë...

Mjafton, ju lutem,

Një hije bliri

Ndër fllade të ëmbla

Të prehem i qetë...” (Ndër fllade të ëmbla” fq. 21)

Poeti Bushkashi është mjeshtër i lirizmit poetik, i portretizimit të vlerave. Ai ngre monumente përjetësie më të mëdha se dekoratat fallco presidenciale, me orientime të partive shterpë. Ai skalit ato që i rrezatojnë kombit, historisë e brezave:

“...

Me Matin në shpirt, që nga lashtësia,

Dhembshur u ndave, një ditë, nga kjo botë...

E thellë në gji t’mori përjetësia

Parajsës së shenjtë me borzilokë...” (“Dilaver Kurti” fq. 25)

E veçanta e vargut dhe e poezisë së Bushkashit është stuhiargjend, me mjeshtëri artistike dhe figuracion të rrallë poetik. Ai flet me njeriun, me kohën, me vlerat, ai flet me dritësimin e brezave. Është nder i madh për të gjithë ne, për kohën, për Matin e për kombin, krijimtaria brilante e poetit të shquar e talent i rrallë i Bushkashit.

Në këtë kohë katrahure e “demokratike”, shteti e shtetarët s’kanë kohë të lexojnë e të mësojnë nga i talentuari, Basir Bushkashi. Ai s’ka nevojë për lavde, as shkrime a vlerësime. Atë e vlerëson koha, e vërteta, talenti mjeshtëria prej poeti të shquar, që i thur himne kombit, shpirtit, figurave, vlerave e mbi të gjitha dritësinë, fisnikërinë matjane, kombëtare e atë bashkëkohore. Figuracioni poetik i Bushkashit është i veçantë, origjinal, frymëzues e real. Ai përdor fjalë e togfjalësha të rrallë filozofikë si në poezinë “Tërbimi”: “...përlotur një qen...”, “...tërbuar nga dhimbja...”, “...si të qe luan...”, “...n’çmendurinë e vet...”. Poeti veron përtej kohës: dje, sot dhe nesër. Ai është si mjeku që diagnistikon kohën, të vërtetën, atë që populli i thjeshtë a i drejtë nuk i shikon:

“...

Ata që ishin...

Ata janë,

Dhe ata do të jenë...

Gjersa helmi

T’groposet thellë...” (“Ata” fq. 30)

Epiteti metaforik, simboli, krahasimet, antitezat e mbi të gjitha përshkrimet poetike e filozofike mbizotërojnë në poezitë e poetit Basir Bushkashi. Gati te çdo poezi bleron dashuria njerëzorja fisnikëria, e bukura, e thjeshta e mbi të gjitha dlirësia e shpirtit poetik, që veçse një mendje e zemr si Bushkashi e dritëson. Malli dhe dashuria, dlirësia e shpirtit prej poeti: amanet atdhetar, hyjnor, njerëzor:

“...
Eh, sa të dashura më janë ato vende,

Ku gjysh-stërgjyshërit flenë n’përjetësi!

Kur sytë të mbyll, atyre dherave të ëmbël,

Dua të tretem, diku, përbri...” (“Eh, sa të dashura” fq. 27)

Poeti Bushkashi shikon në horizont, ai portretizon kohën, ai shpërfill politikanët, deputetët, sharlatanët e antivlerat:

“...
Dhe shiu i mallit

S’di ku do t’bjerë

Pandërprerë.

E sërish qielli

Do të çelë blu

Harkuar

Me ylberë...” (“Sërish qielli” fq. 29)

Poeti i ndjesisë, i mjeshtrisë artistike, i realitetit kohor, parë në një vështrim dinjitoz e real. Përdorimi mjeshtëror i fjalës dhe i figurave, gjetjet artistike e përshkrimet poetike jepen nëpërmjet thellësisë së mendimit, lirizmit frymëzues. Poezia e Bushkashit na jep mesazhe njerëzore, vrullon dashuri dhe të bën të meditosh, të ndjehesh sikur je mes flladesh, mes gjelbërimesh plot aromë. Në vargjet e thjeshtë me ngarkesë emocionale, na jepen ide filozofike, ku pasqyrohet artistikisht njerëzorja, realja dhe jeta në zhvillim:

“Syri,

Sheh gjithçka.

Dhe gjithçka ruan.

Po heq e vuan:

Se një mërzi

Keqas e vret:

S’sheh veten e vet...” (“Syri” fq. 57)

Poezi të arrira, të frymëzuara e mbi të gjitha jepen me tone lirike, me figuracion të larmishëm, të shkruara me mjeshtëri të rrallë artistike.

Urime e penda dritë, poeti-mjeshtër i Matit e i kombit, Basir Bushkashi!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora