E premte, 29.03.2024, 10:01 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Ishulli

E hene, 20.07.2020, 06:03 PM


Ishulli

Nga Edison Ypi

Eksperimete të drojtura letrare dhe muzikore. Ndonjë pllakë gramafoni që nxirrte më tepër gërrvima se zë. Pak më vonë manjetofon rus si dollap që i këputej shiriti or' e minutë. Recitime, lexime, ndonjë shetitje në grup në Dajt ose në plazh. Këto dhe të tjera të tilla, brenda një lloj mondaniteti bolsheviko-proletar aso kohe në modë në vendet e lindjes, kjo ka qënë pakashumë menuja e ishujve të parë antikonformistë aty kah fillimi i viteve '60-ë. Bij intelektualësh që kishin studiuar në perëndim dhe i kishin shpëtuar pushkatimit apo litarit, mpleksur me bij eksentrikë baballarësh komunistë qefmbetur, ishin banorët e parë të këtyre ishujve.

Ishujt, secili antikonformist në mënyrën dhe masën e vet, ishin dy llojesh; me simpatizantë të lindjes dhe të perëndimit.

Ishullarët e lindjes qarkullonin pllaka gramafoni me muzikë ruse, lexonin dhe recitonin ethshëm Lermontovin, Pushkinin, Eseninin, lëshonin psherëtima lakrimogjene për Moskën, Krimenë, Ukrainën, Detin e Zi, Siberinë, Kamçatkën, Traktatin e Varshavës.

Ishujt e perëndimit, që nuk linin kolltuk me këmbë të përdredhura pa e cilësuar se cilit Luigj i përkiste, merreshin me kanconeta italiane, neorealizëm, Balzak, Hygo. "Njeriu që qesh", "Tre shokët", "Shvejku" ishin nga romanet më të pëlqyer.

Ishujt nuk e preknin një cak, nuk e kalonin një prag, nuk bërtisnin, nuk klithnin, ishin dhe mbetën të mbytur brenda një ekstaze latente vetmjaftueshmërie që kurrë nuk shterrej dhe kurrë nuk shpërthente.

Më interesanti dhe më i shijshmi, më i vërteti dhe më eksituesi, ishte një ishull tjetër që nisi të formësohet nga vitet 70 e tëhu. Ishte ai që bashkë me leximet, recitimet, kanconetat, neorealzmin, kishte edhe shpërthimin e urrejtjes kundër ditaturës, ishulli i disidencës.

Ishulli i disidencës shqiptare, me jo më tepër se nja 10 ishullarë se më i madh bëhej i pasigurtë, zhdukej dhe dukej si ujdhesat e rërës në grykat e derdhjes së lumenjve para dhe pas vërshimeve.

Ishujt ishin me vetëm femra ose vetëm meshkuj. Edhe me femra edhe me meshkuj, nuk mund të ekzistonin se ishin lehtësisht të goditshëm.

Femrat e ishujve me vetëm femra u tregonin mikeshave histori sentimentale të stërholluara me meshkuj të ishujve me vetëm meshkuj.

Meshkujt e ishujve me vetëm meshkuj i tregonin mikut foton e filanes ku i dukeshin pakëz mbathjet.

Ishujt me vetëm meshkuj me ishujt me vetëm femra jepnin e merrnin me njëri-tjetrin pakashumë si shpatet shkëmbore të një lugine me lumin që rrjedh në mes.

Shtëpia ku mblidheshin ishullarët ishte shtëpia, avllia, ose bodrumi i njërit prej ishullarëve. Dritaret e dhomës ku mblidheshin ishullarët mbuloheshin me batanije që të mos dëgjoheshin të bërtiturat kundër regjimit.

S'do ment që Sigurimi e dinte ku ishin ishujt, cilët ishin ishullarët, çfarë llafosnin. Ishulli dhe sigurimi bashkëjetonin në një simbiozë në dukje të pamundur por më se të kuptueshme. Sigurimi hera-herës burgoste ishullarë, dhe e shpërbënte ishullin. Mirpo sapo zhdukej 1 ishull, krijoheshin 2 ishuj. Kështuqë Sigurimi mjaftohej me mbajtjen nën kontroll të një numuri ishujsh si pengohet zgjebja për të mos u përhapur.

Dukej sikur Sigurimi u thoshte ishullarve; E di që ekzistoni. E di që mblidheni mbrëmjeve për të na sharë e për të mos na lënë kusur. Nuk kam ç'u bëj. Jo se jeni shumë apo pak, por sepse jeni të pazhdukshëm.

Ja prisnin ishullarët; Faleminderit shoku Sigurim që na lejon ta nxjerrim dufin. Edhe ne e dimë që nuk të dëmtojmë dot. Por pas pak vitesh Jalta, Stalini, Çurçilli, do zëvendësohen nga Malta, Regani, Gorbaçovi. Të tjerat i merr vet me ment ti o turiqen sigurimist që pas disa vitesh do bëhesh demokrat.

Sigurimi kishte dhe ishujt e vet. Ishujt i sigurimit ishin të përbërë nga bij të nomenklaturës që vallzonin Rock & Roll në të famshmet bodrumet e Shallvareve. Sigurimi që gjente gjilpërën në mullarin e kashtës nuk dinte ç'bëhej anës Lanës, ishte gënjeshtër tepër e trashë të cilën sot po e rrëfejnë si të vërtetë. Bijtë e nomenklaturës të lidhur me pesqint fije me sigurimin që vërtiteshin me manjetofon në krahë, nuk kanë qënë kurrë ishuj disidence.

Ishullarët e vërtetë që nxirrnin nga fundi i dheut Dostojevskin dhe Xhojsin, kishin dëgjuar për Teatrin, Kinostudion, Festivalin e 11, por nuk u jepnin rëndësi, i konsideronin qesharakë, ose inekzistent.

Në vitet '80 ishullarët disidentë i bashkonte kryesisht televizioni, diskutonin fijepërpe çfarë tha njëri e tjetri komentator televiziv perëndimor nga Moska, Varshava, Vjena.

Zëri i Amerikës kishte arritur një lloj konfidence me dëgjuesit e frigur shqiptarë. Por përmes një mënyre djallëzore; Duke folur me Shqipe të trashë dhe mbytur si nga fundi i pusit. Zëri i Amerikës nuk tha kurrë ndonjë gjë që të tërhiqte vëmendjen e ishujve. Mbeti gjithë kohës i frikshëm. Kurrë nuk u bë i dashur. Ishullarët gjithmonë e kanë ditur se Zëri i Amerikës ka qënë i kontrolluar nga Sigurimi.

Nga fundi i viteve '80 ishulli disident u përkeq. Gjatë luftës së gjatë me shtazën, ishullarët ishin lodhur. Ndalën leximet, recitimet. U bënë egoistë. J'u bjerr idealizmi. I mposhti materialiteti, konsumizmi.

Kur s'pati më frikë dhe urrejtje, s'kishte pse të kishte as ishuj dhe ishullarë.

Sot ishujt e dikurshëm sa të frikshëm e të rrezikshëm po aq të shijshëm, janë zëvendësuar nga një det me kakë demokratike katundareske.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora