Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arshi Pipa: Lamtumirë, Martin Camaj!

| E diele, 19.07.2020, 03:45 PM |


Pergatiti: Fritz RADOVANI

12 MARS 1992  PROF. ARSHI  PIPA:

LAMTUMIRË, MARTIN CAMAJ!

Fjala e Prof. Arshi Pipës:

Vdekja e Martin Camajt ashtë nji humbje e madhe, nji humbje kombetare.

Martinin e kam njoftë së pari në Rome, mbasi lashë Shqipninë. Kjo ka qenë në vitin 1957. Kemi ndejtë bashkë për afër tri javë para se të shkoja në Shtetet e Bashkueme. Qysh prej athere kemi qenë në kontakt të vazhdueshem.

Po të shihet dosja e korrespondencës që kam me Martinin, ajo ashtë ma e madhja në zyrën time.

Po filloj me nji frazë përmbledhëse: Martini ashtë përfaqësuesi ma i naltë i kulturës shqiptare. E them këtë jo vetem sepse ai ashtë nji poet, poeti ma i madh që ka Shqipnia sot, por edhe për cilësina të tjera intelektuale të tij. Sikurse e dini, Martini ka qenë editor i nji reviste, “Shëjzat”, që ashtë revista ma emdite në kohnat e vonshme. Martini ashtë edhe linguist, nji njeri i cili i ka dhanë albanologjisë ndoshta si pak vetë të tjerë, sidomos në fushën e gramatikës dhe të dialektologjisë. Martini ka nji emën shumë të randësishëm si pedagog.

Ai ka qenë mbajtësi i së vetmes katedër të gjuhës shqipe në Gjermani.

Ai ka qenë profesori i kushedi se sa nxansave, të cilët sot janë albanologë të shquem dhe janë ndoshta këtu bashkë me ne sot. Asnji intelektual tjetër shqiptar, me sa di unë, nuk përmbledh në personin e tij të gjitha këto merita sikurse i spjegova. Revista Albanica e ka emnue Martinin si kandidat për çmimin Nobel në letërsi. Unë do të kufizohem per me thanë diçka per Martinin si letrar, si poet. Pse po kufizohem vetëm në këtë lamë të Martinit, do ta shihni prej sa do të thuhet ma tej.

Në nji letër të vitit 1959 drejtue mue Martini shprehet me këto fjalë: “Nga lirika kam kalue në shkencën gjuhësore, per mos me u nda nga krijimi letrar.

Prej letërsisë kam pasë gjithçka, edhe vullnetin tim per me jetue.” Unë nuk di a ka pasur nji tjetër person në gjithë historinë e letërsisë shqipe, i cili ka mund me folë në këtë mënyrë, i cili ka pasë kaq pasion intens për letërsinë. Nji njeri, i cili e ban letërsinë, poezinë, qëllimin e jetës së vet, ky njeri ashtë sigurisht i veçantë, nji njeri i jashtëzakonshëm. Në nji poezi të rinisë Martini shprehet me këto

vargje:

Kur të vdes le të b?hem ujë

e fryma e eme ?vull,

në fusha do të bie si shi.

E kuptoni se fjalë të tilla janë të frymëzueme nga nji dhimbsuni e madhe per popullin shqiptar e sidomos per popullin e maleve tona, per nji vend që ka qenë vazhdimisht i unshëm, i vorfën.

Martini flet per Shqipninë si per nji popull të lidhun te buka. Në nji tjetër strofë të kësaj poezie të shkurtën Martini zhvillon nji ide e cila ka qenë e vazhdueshme në apostullatin e tij. Kjo ashtë fryma e autoktonisë shqiptare, të cilën Martini e shpreh me fjalën shqipe dheas: shqiptarët janë dheas.

Kur të vdes le të b?hem gûr

në sk?jin e vendit tem

të qindroj kufi.

Me këto fjalë Martini shpreh patriotizmin e vet, nji roje e kufinit para anmiqve të Shqipnisë. Por poezia e Martinit nuk kufizohet me nacionalizmin. Te nji tjetër poezi, edhe kjo e rinisë, gjendet edhe kjo frazë:

Avitu, njeri!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dale

si bima prej fare në pranverë.

Këtu Martini i lëshon vendin humanizmit, nji humanizëm që sigurisht ka nji tingull kristian, por nji humanizëm i cili ka nji shtrirje universale, pa dallim seksi, feje, race, gjinie. Fjala ashte” per njeriun në përgjithësi. Poeti shprehet këtu për atë që quhet solidaritet njerëzor. E me këtë thotë diçka, e cila kalon në letërsi përtej vleravet etike të zakonshme, përtej edhe së mirës e së keqes, ashtu sikurse e gjejmë tek fraza evangjelike “Zoti e lëshoi shiun mbi të mirin edhe mbi të keqin”.

Ky ashtë nji ideal poetik, i cili, per me e arritë në atë shkallë sikurse e shpreha, ashtë filtrue te Camaj, në mendjen e në shpirtin e tij, në nji proces psiqik që ashtë i pashembullt në historinë e letërsisë shqipe.

E kam fjalen tek kryevepra letrare e Camajt me titullin “Dranja”. Dranja ashte nji emën i zakonshëm grueje në malet e Veriut. Dhe njeni prej personazheve të kësaj vepre ashtë nji vajzë e re, ma tepër fëmijë sesa grue, e cila quhet Dranje. Por ajo që duhet vënë në dukje ashtë se po me këtë emën Martini quen nji… breshkë. Poeti identifikohet me breshkën. Po, mund të thoni ju, çka i pelqen kaq shumë breshkës Martini? Martini i pëlqen breshkës disa cilësi, të cilat përbajnë etikën e të jetuemit si breshkë.

Per shembull, breshka ecën në vijë të drejtë, pa ba dredha si gjarpni. Ashtë e dumeshme. Ashtë e paqshme. Nuk ankohet. Nuk idhnohet. Ashtë indiferente per pronën. Jeton pa plang e pa shtëpi. Pullazin e shtëpisë së vet e ka përmbi kurriz. Ashte nomade. Poeti e quen në nji vend kozmopolite. Ai vëren rrashtën e saj, e cila ka do kutia, të cilat i kujtojnë Martinit gjeografinë e hemisferit.

Edhe ma e randësishme sesa kjo që thashë, ky simbolizëm emblematik i breshkës, ashtë përkufizimi i breshkës prej Camajt

Edhe ma e randësishme sesa kjo që thashë, ky simbolizëm emblematik i breshkës, ashtë përkufizimi i breshkës prej Camajt.

Breshka ashtë per Martinin një qenie e papërsosun. Kjo ashtë shumë e randësishme për mendimin poetik të Martinit. Kur ai thotë qenie e papërsosun, edhe këtë e përcakton, madje imagjinon në papjekuninë shtazore të breshkës diçka të ndërmjeme midis mamiferëve, sisorëve, edhe reptilëve. Me fjalë të tjera, ai flet pë breshkën si për një qenie transitore në evolucionin e jetës përmbi dhé.

Mua më duket se në këtë definicion që Martini i jep breshkës ai merr nji qëndrim per gjendjen e sotme të njeriut. Njeriu sot ashte shumë larg së qeni i përsosun. Ju e shihni se çfarë po ngjet në bote. Ne ende jemi njerëz të cilët jemi shumë afër kafshës, ne vrasim, ne shkatërrojmë. Por, prapëseprapë e dimë, e ndiejmë se njeriu nuk mund të kufizohet me këtë gjendje që ashtë sot, se duhet të kalojë përpara. Ashtë nevoja nga ana tjetër për njifarë pastrimi mendor, për njifarë katarsis. Ashtë kjo rendje e njeriut per ta kalue këtë fazë, ashtë kjo që e shpëton njeriun prej damnacionit.

Kuptoni prej kësaj edhe qëndrimin filozofik të Martinit. Kjo mund të përkufizohet me fjalen optimizem. Ata që e kanë njoftë Martinin natyrisht e dinë mjaft mire që ai ka qenë nji njeri me gjallni të madhe, me nji dëshirë të madhe per me u shprehë në nji mënyrë që shprehja e tij të vendoste kontakt me njerëzit. E kjo natyrisht shprehte optimizmin në drejtimin e nji fare rilindjeje të njeriut. E kur unë flas per njeriun, nuk flas per ndonji njeri të jashtëzakonshëm, por per njeriun e zakonshëm. Këtu del në shesh nji tjetër përmasë shumë e randësishme e personalitetit të Martinit, në atë që e kemi quajtë demokratizmi i Martin Camajt, diçka që ashtë në kundërshtim krejt me kultin e heroit, diçka prej së cilës del se Martini ka qenë përbuzës i këtij kulti. Martini nuk e donte heroizmin, nji ashtu si breshka. Martinit nuk i pëlqejshin ideologjitë revolucionare, qofshin ato të djathta ose të majta. Por nuk duhet ta kuptoni këtë se Martini ishte për rezignatë. Jo nënshtrim pasiv ndaj së keqes.

Mesazhi i Martinit në këtë mes mund të shprehet me fjalën rezistencë.

Jo rezistencë pasive, por rezistencë aktive. Në veprën e tij “Dranja” Martini e përcakton këtë koncept me nji titull shumë të rëndomtë e grotesk: “Ngjarje dite”. Për çka ashtë fjala? Ashte fjala per nji vendim që merr qeveria, s’ka randësi çfarë qeverie, per me çfarosë breshkat. Agjentët e qeverisë, tregtarët e breshkave, mbushin vagona me breshka, të cilat i çojnë në kasaphanë. Ai që çon nji breshkë, paguhet si çmim me kafe e me sheqer, në peshën e vet breshkës. Por mandej lind pyetja, çka me ba me rrashtat e breshkës? Mirë që mishi të hahet, por çka me ba me rrashtat e breshkës. Ndërsa bisedohet në instancat e nalta të qeverisë, çka ndodh? Nji annate breshkash shkon te hekurudha, vihet ndër binarët e trenit e kështu ndalon trafikun.

Kjo ashtë nji alegori, por e cila, më duket mua, i shkon fort bukur per shtat diçkaje qër ka ndodhë në kohët e fundit. Flitet këtu pë bllokimin e trenit. Çka banë studentët e Tiranës, kur bllokuen sheshin “Skanderbej” edhe rrëzuen monumentin e diktatorit? Ata dhanë sinjalin për nji mënyrë komportimi, e cila ta shkatërronte diktaturën pa gjak. Mund të thuhet se të njajtën gja janë rue ba kosovarët në Jugosllavi.

Moisiu iu prini hebrejve për me i çue te Toka e Premtueme, por ai vetë nuk hyni mbrendë. Camaj vdiq, pa pa fitoren e demokracisë ndër këto dy fronte kombetare shqiptare që përmenda.

Ndoshta ky krahasim mund t’i duket dikujt tepër i shtymë. Por nuk duhet të harrohet edhe nji gja: se poezia e madhe ashtë disa here profetizuese.

Në latinishten ka nji fjalë per këto dy cilësi të përmbledhuna në nji. Kjo ashtë fjala votes.

Vepra e Martinit nuk u plotësue per shkak të vdekjes së tij të parakohshme. Edhe këtu unë gjej pak a shumë nji profeci të tij. Ai e përshkroi breshkën si nji qenie të papërsosun.

Por ajo çka ka mbetë e papërsosun, ajo do të vazhdojë, do të vazhdojë të jetoje me shpirtin. Martinit mund t’i thuhet pikërish kjo, që vepra e tij do të vazhdohet. Kjo ashtë edhe dëshira e të gjithë të dashunve të Martinit, e grues së tij, e familjarëve të tij në Shqipni, e shokëve të tij ma të dashun.

Pusho në paqë!

Shenim nga F.Radovani: Vorrimi u ba në Munich Gjermani...

Fjalimi me rastin e varrimit të Martin Camaj, botue nga Prof. Gjon Sinishta:

Albanian Cathiolic Bulletin (Buletini Katolik Shqitpar) 1992-Vol XIII Fq. 172-74.

Fjalimi asht botue pa asnjë ndryshim nga origjinali.