E premte, 29.03.2024, 05:10 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Pushtues, kultura, udhëheqës dhe tragjedi

E merkure, 04.07.2007, 06:35 PM


Bregdeti Jugor i Shqiperise, pushtues, kultura, udhëheqës dhe tragjedi

Për shkak të pozitës së tij gjeografike bregdeti shqiptar i Adriatikut ka pësuar shumë pushtime, të cilat i kanë dhënë kësaj zone atë trashëgimi të pasur etnike dhe kulturore që shohim sot. Grekët e lashtë, romakët, vandalët, sllavët, turqit, normanët, venedikasit, francezët, italianët dhe gjermanët kanë dëshiruar të gjithë linjën bregdetare jugore të Shqipërisë. Siç thotë edhe arkeologu më i shquar shqiptar, Neritan Ceka, lufta për kontrollin e ngushticës dhe ishullit të Korfuzit ka qenë me rëndësi themelore për historinë e Butrintit dhe të bregdetit jugor shqiptar, nga lufta e parë e Peloponezit në shekullin V para K., te luftërat e Napoleonit të shekullit XIX. Fiset ilire, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, patën ndërtuar qytete të fortifikuara në maja kodrash në shumë vende të këtij rajoni, një prej të cilëve është edhe themelimi i Butrintit. Fisi i fuqishëm i Kaonëve pati si kryeqytet Phoeniken. Nga shekulli VII dhe VI tregtarët grekë vendosën koloni përgjatë bregdetit shqiptar në Durrachium, (Durrësi i sotëm), Butrint dhe Apolloni. Ata u pasuan nga romakët që e përdorën Butrintin si portë hyrëse në provincën romake të Maqedonisë. Romakët ndërtuan rrugë, bujtina dhe sollën tregtinë, udhëtarët si dhe forcat ushtarake. Qytete të tilla si Bylis dhe Amantia lulëzuan në këtë kohë. Përgjatë bregut u zhvilluan edhe porte si Orikumi dhe Saranda. Nën sundimin romak, qyteti i Butrintit vazhdoi të lulëzojë dhe të zgjerohet. E gjithë zona e bregdetit shqiptar të Shqipërisë së sotme, shijoi frytet e paqes romake dhe lulëzimin e jetës së qyteteve, megjithëse në kodrat larg bregut, fshatrat mbetën primitivë dhe të veçuar.
Kur perandoria u nda në krahun lindor dhe perëndimor, në vitin 395 pas K, rajonet jugore kaluan në perandorinë bizantine dhe kishën ortodokse lindore. Midis shekujve IV dhe XI bizantinët ushtruan ndikim të fuqishëm në territorin që sot e quajmë Shqipëri dhe pjesën më të madhe të kohës e kontrollonin atë plotëisht ose në mënyrë të pjesshme, megjithëse pati një periudhë të gjatë nga shekulli VII- IX kur e humbën kontrollin.
Gjatë shekullit V rajoni pësoi pushtime të shumta prej avarëve, hunëve, vizigotëve dhe ostrogotëve. Në gjysmën e dytë të shekullit VI, sllavët pushtuan Shqipërinë dhe një pjesë të madhe të Greqisë. Një periudhë shthurjeje e ligjit dhe kaosit vazhdoi derisa bizantinët e morën nën kontroll. Në shekujt XI-XII në Shqipëri u vu re dobësimi i ndikimit bizantin, falë pushtimeve të herëpashershme të normanëve gjatë bregut. Në vitin 1081 Valona (Vlora e sotme) dhe qytete të tjera bregdetare ranë në duart e normanëve. Pas dobësimit të Bizantit, gjatë kryqëzatës së katërt të 1204-ës, Venediku u shfaq si kërcënim për bregdetin shqiptar. Luftërat civile në Bizant në mesin e shekullit XIV, krijuan trazira edhe në provincat evropiane të perandorisë dhe më pas i tërë Ballkani përfshirë edhe Shqipërinë Jugore, ra nën sundimin otoman.
Prej vitit 1200 ka patur një lëvizje të vazhdueshme të shqipfolësve drejt jugut të bregdetit të Adriatikut. Megjithatë njëfarë ndikimi grek midis elitës, arriti të mbijetonte falë tolerancës etnike dhe fetare të autoriteteve otomane, gjatë shekujve të parë të sundimit të tyre. Pasi otomanët forcuan kontrollin e tyre mbi Ballkan, tregtia filloi të lulëzonte sërish. Përbërja etnike e bregdetit shqiptar filloi të bëhet më e larmishme, ndërkohë që më shumë shqipfolës, së bashku me romë, tregtarë hebrenj, vllehë (barinj gjysmështegtarë që flisnin një gjuhë të ngjashme me rumanishten) dhe të tjerë, arritën të vendosen dhe të tregtojnë përgjatë bregdetit. Vendbanimet gjatë bregdetit lulëzuan dhe shumë kisha të bukura u ndërtuan nga Himara në Sarandë. Shndërrimi në myslimanë, në Shqipërinë Jugore, ishte i pjesshëm dhe ortodoksia vazhdoi të ishte mbisunduese. Bashkësi greqishtfolëse mbijetuan dhe lulëzuan në zonat e Himarës, Pogonit dhe Sarandës.
Në përgjithësi shqiptarët, ashtu si malazezët, perceptoheshin nga administrata otomane si të egër dhe shpërfillës ndaj ligjit. Për shkak të individualitetit të tyre të spikatur, i cili dukej se sfidonte çdo kontroll, otomanët u detyruan të ndryshojnë sistemin e tyre për t’ju përshtatur veçorive të shqiptarëve. Kështu gegët malësore dhe bashkësitë e krishtera rreth distrikteve të Himarës dhe Sulit, gëzuan një pavarësi virtuale në këmbim të një tributi të vogël, por të rregullt, ndaj administratës otomane.
Aty nga shekulli XVII, pasuritë e Portës së Lartë filluan të pakësohen. Humbja e otomanëve në Vjenë në vitin 1683, shënoi fillimin e rënies së perandorisë otomane. E përballur me një varg luftërash me Venedikun, Austrinë apo Rusinë, forcat otomane pësuan disfatë pas disfate dhe kaluan vazhdimisht në mbrojtje në të gjitha territoret e tyre evropiane. Gjatë gjithë shekullit XVIII, perandoria otomane u dobësua dalëngadalë prej një numri disfatash ushtarake.
Si rezultat, filluan një numër revoltash në vende të ndryshme, pasi zotërit feudalë përfituan nga dobësimi i pushtetit otoman në provinca. Në fund të shekullit XVIII vendbanimet përgjatë bregut si Butrinti u gjetën nën pushtimin si të Francës ashtu edhe të Venedikut.
Ndryshe nga shekujt e mëparshëm, klima mbytëse e fazës së fundit të sundimit otoman bëri që tregtia dhe prodhimi të ngecnin në vend dhe zonat e banuara nga shqiptarët mbetën rajonet më të prapambetura të Evropës. Një pasojë e decentralizimit të skajshëm të administratës otomane ishte shfaqja e interesave vendore të afta për të shfrytëzuar pozitën e tyre të privilegjuar. Dobësimi i ngadaltë, por i vazhdueshëm i autoritetit otoman, i lejoi zotërinjtë feudalë shqiptarë apo bejlerët, të zgjerojnë pashallëqet e tyre (troje nën autoritetin e një pashai apo beu) duke shtuar kështu të ardhurat dhe ndikimin e tyre. Por kjo çoi, gjithashtu, në luftëra midis bejlerëve, duke i futur rajohet shqiptare në anarki feudale. Kjo gjendje vazhdoi deri në mes të shekullit XVIII kur një masë e madhe pronash feudale u shkrinë në dy pashallëqe të mëdha. I pari, në Shqipërinë Veriore kishte si kryeqytet Shkodrën dhe sundohej nga Bushatllinjtë dhe i dyti, në Shqipërinë Jugore kishte si kryeqytet Janinën dhe drejtohej nga Ali Pashë Tepelena.

Sundimi i Ali Pashës
Ali Pasha (1740-1822), në këmbim të shërbimeve që u pati bërë osmanëve, u caktua në vitin 1788 guvernator i Janinës. I lindur në Tepelenë, në 1740-ën, Aliu kaloi pothuajse njëzet vjet të jetës së tij si bandit në Shqipërinë Jugore, Epir dhe Thesali. Aty nga mesi i jetës së tij ai e ktheu njohjen e botës së cubnisë në dobi të tij, me qëllim që të fashiste zemërimin e sulltanit të alarmuar nga bandat e grabitësve që bënin asokohe kërdinë në Epir dhe Thesali. Duke ditur vendet ku fshiheshin, Aliu ishte në gjendje të shtypte miqtë e tij banditë duke fituar kështu besimin e sulltanit, i cili e shpërbleu duke i dhënë pashallëkun e Trikallës. Ndërsa bejlerët vendas luftonin për kontrollin e Janinës, Aliu e mori nën zotërim në vitin 1788, me bekimin e sulltanit. Nën kontrollin e Aliut, Janina lulëzoi si një qendër e rëndësishme kulturore dhe ekonomike, e arritshme nga të gjitha tregjet e mëdhenj të Shqipërisë Jugore dhe të Greqisë Perëndimore. Sagiada në Çamëri ishte porti kryesor për tregtinë e Janinës. Asokohe, si në të kaluarën, nuk kishte një vijë të mirëpërcaktuar gjeografike midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë sundimit të Ali Pashës, ekonomia e bregut të Adriatikut u përmirësua mjaft me ndërtimin e rrugëve të reja dhe zhdukjen e bandave të grabitësve dhe piratëve. Tregtia u zgjerua kur tregtarët grekë u vendosën përgjatë bregut, kisha të reja mbinë ngado dhe u arritën përparime kulturore. Aty nga fundi i shekullit Aliu tregoi aftësi të spikatura diplomatike gjatë bisedimeve për aleanca, herë me Francën e herë me Anglinë.. Për Napoleonin, pas fitoreve në Italinë e Jugut dhe në Dalmaci, bregdeti shqiptar ishte bërë i rëndësishëm, për shkak të afërsisë me këto dy vende, ndërsa hyrja drejt tyre komandohej nga Gadishulli Ballkanik. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, Ali Pasha ndërtoi fortifikime mbresëlënëse kudo nëpër zotërimet e tij- përfshirë këtu edhe fortesën e rëndë dhe të zymtë të Porto Palermos, midis fshatrave bregdetarë Himarë dhe Qeparo.
Në vitin 1797 Franca pushtoi ishujt jonianë. Kjo u pasua nga një aleancë e otomanëve me Anglinë dhe Rusinë dhe më pas edhe nga shpallja e luftës me Francën. Në 1799-ën, sidoqoftë, ishujt jonianë ranë në duart e rusëve me të cilët Aliu nuk kish mundur dot të vendoste marrëdhënie miqësore. Rusët nxitën rivalët e Aliut, përfshirë këtu edhe shqiptarët e krishterë të Sulit, të cilët ishin larguar nga vendlindja e tyre, Himara, shumë vite më parë për në malet e thepisura të Sulit në Çamëri.

Masakra e pashait në Sul
Suliotët, rreth 12000 vetë ishin të krishterë shqiptarë që përbënin një bashkësi të vogël e të pavarur, disi e ngjashme me atë të fiseve katolike të Mirditës në veri. Suliotët banonin në një grumbull fshatrash të paarritshëm, në rrafshinën në veri të Artës, rreth 610 m mbi lumin Akeron. Në vitin 1797, Ali Pasha urdhëroi një sulm mbi qytetin e Himarës që pat ndihmuar suliotët kundër tij dhe më shumë se 6000 civilë të paarmatosur u therën. Për këtë arritje turqit e shpërblyen Aliun me titullin “Arslan”, ose Luan. Por vetë suliotët vazhduan ta sfidonin Aliun. Në vjeshtë të vitit 1799, ai vendosi të fillonte një ekspeditë kundër tyre. Edhe një herë i mundur dhe i poshtëruar Aliu vendosi t’u jepte fund njëherë e mirë suliotëve. Në fund të 1803-shit, pas një lufte të gjatë e të përgjakshme, suliotët u detyruan të dorëzohen dhe iu premtua në këmbim, një kalim i sigurt në Korfuz. Aliu, siç e kishte zakon, e shkeli premtimin duke sulmuar refugjatët suliotë pa mëshirë. Gjatë këtij sulmi ndodhën episode dramatike në njërin prej të cilëve, gratë e Suliut u hodhën bashkë me fëmijët e tyre, në humnerat e malit Zalong për të mos rënë në duart e Aliut.

Koka e prerë e Aliut
I ndihmuar nga bijtë e tij, Aliu e zgjeroi sundimin përmes gjithë Shqipërisë Jugore dhe në një pjesë të madhe të territorit grek, duke e mbajtur pashallëkun e vet me anë të tributeve dhe bakshisheve të majme që paguante në Stamboll. Tani Aliu kishte filluar të shihej si njeriu më i fuqishëm në pjesën evropiane të perandorisë osmane dhe sukseset e vazhdueshme dhe të dukshme të Napoleonit e bënin Aliun të mos ndihej mirë. Prandaj ai kërkoi të lidhej me anglezët. Ai gjeti një mbështetës të devotshëm te poeti Lord Bajron, i cili asokohe po udhëtonte nëpër Greqinë Veriperëndimore dhe Shqipëri dhe u mbajt nga Ali Pasha në pallatin e tij. Ndërsa britanikët përpiqeshin që të pengonin Aliun të formonte ndonjë aleancë me Napoleonin, interesat franceze mbroheshin qetësisht nga agjenti i tyre François Pouqueville. Si francezët dhe britanikët e ndihmonin Aliun me dërgesa municionesh, topa dhe artileri, të cilat ai menjëherë i përdorte për të zgjeruar territoret e tij. Ai kish kohë që synonte të shtinte në dorë fortesën e qytetit të Beratit, e cila kishte rëndësi të madhe strategjike dhe praktike pasi ishte qendra e krahinës që njihej si “hambari i Shqipërisë”. Në vitin 1809 Aliu e mori Beratin dhe caktoi si guvernator birin e tij Muktarin. Vitin që pasoi mori Vlorën dhe një vit më pas Delvinën dhe Gjirokastrën. Siç pritej, suksesi dhe guximi i Aliut shkaktuan mospëlqimin e autoriteteve otomane. Ai vazhdoi me dëshirën e vet për pavarësi dhe planet e tij drejt veriut bënë që sulltani të merrte masa për të penguar fuqizimin e tij. Aliu u shkarkua papritur nga postet dhe u urdhërua t’i dorëzonte pashallëkun të emëruarit të sulltanit. Aliu e kuptoi se çdo bashkëpunim i mëtejshëm me administratën turke ishte i pamundur. Atëhere ai hapur ua ekspozoi çështjen grekëve. Kur ai formoi lidhje me Philiki Etairia, një organizatë revolucionare greke, pushteti osman u shqetësua nga mundësia e mbështetjes masive që të krishterët mund t’i jepnin Aliut. Nga viti 1821 5000-7000 luftëtarë grekë iu bashkuan forcave të Aliut. Në fund sulltani e urdhëroi Aliun të shkonte në Stamboll e të jepte llogari për veprimet e tij. Aliu nuk iu bind urdhërit, por ushtria e tij dalëngadalë filloi t’i dorëzohej Portës së Lartë. I braktisur nga të gjithë përveç disa pak ndjekësve besnikë, Aliu rezistoi për 17 muajt që pasuan, i rrethuar në kështjellën e Janinës, ku më në fund u vra nga agjentët otomanë dhe koka e tij e prerë u dërgua në Stamboll.

Luftrat ballkanike
Fillimi i shekullit XIX solli një varg kryengritjesh kundër turqve në vendet e Ballkanit. Pas rënies së pashallëkut të madh të Ali Pashës, familjet e vjetra shqiptare mysliamne, dikur të fuqishme, u përpoqën të marrin fuqinë. Otomanët u përgjigjën duke rritur taksat dhe duke dërguar shumë shqiptarë në Azinë e Vogël. Sidoqoftë, prej kësaj kohe fuqia osmane fillon të dobësohet ndjeshëm. Një varg disfatash ushtarake dëshmuan për prapambetjen ekonomike, teknologjike dhe ushtarake të Perandorisë Otomane. Në vitin 1821 grekët filluan luftën e tyre për çlirim, e cila zgjati deri kur flotat e bashkuara të Rusisë, Francës dhe Anglisë, shkatërruan një flotë otomane-egjiptiane, në gjirin e Navarinos, në 20 tetor 1827. Humbja e pavarësisë, barra e rëndë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, taksat e larta dhe pagesat e borxheve, shpesh me interesa të larta, nxitën shtimin e qëndresës së shqiptarëve ndaj sundimit turk. Në fund të shekullit, pasuria e perandorisë ishte në kuotën e saj më të ulët. I vënë poshtë nga luftërat jashtë perandorisë dhe problemet e brendshme politike, sulltani ishte gjithnjë e më pak në gjendje të kontrollonte zyrtarët e tij në provincë dhe fisnikët vendas mysliamnë. Pas humbjes së forcave turke në Luftërat Ballkanike (1912-1913),

Genocidi grek në Çamëri
Fuqitë e Mëdha filluan diskutimet për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar; Lufta e Parë Ballkanike në vitin 1912, kishte rezultuar me humbje të mëdha të ushtrive turke kudo në Ballkanin e Jugut, ndërsa në Luftën e Dytë të 1913-ës, fuqitë fitimtare të krishtera, veçanërisht Greqia, Serbia dhe Bullgaria, luftuan për të ndarë plaçkën e fitores. Gjatë këtij procesi interesat e popullit shqiptar u shpërfillën nga Fuqitë e Mëdha dhe kudo gjatë kësaj periudhe ata vuajtën pasojat e dhunës ndëretnike në troje tradicionalisht shqiptare. Greqia, e cila doli fitimtare nga Luftërat Ballkanike u përpoq të siguronte për vete gjithë Shqipërinë e Jugut. Në tetor të vitit 1913 shpërtheu e ashtuquajtura kryengritje vorioepirote gjatë së cilës vullnetarë grekë sulmuan Shqipërinë e Jugut, duke terrorizuar banorët dhe duke djegur fshatrat e tyre. Qëllimi i grekëve ishte të formonin një Epir të Veriut të pavarur me qëllim që të sabotonin bisedimet ndërkombëtare që po mbaheshin në Firence mb statusin e ardhshëm të rajonit. Më në fund, në dhjetor të vitit 1913, Fuqitë ranë në ujdi që të formohej një shtet i pavarur shqiptar që do të përfshinte rajonet bregdetare të Adriatikut dhe rajonin që grekët e konsideronin si Epiri i Veriut. Megjithëse mbizotëronte popullsia shqiptare myslimane, Greqisë iu dha zona e gjerë në jug, të cilët grekët e njohin si Epiri i Jugut, ndërsa nga shqiptarët njihet me emrin Çamëri.
Pas vendosjes së Linjës së Firences, disa trupa greke u tërhoqën nga Çamëria. Banda terroriste greke sidoqoftë mbetën po aq të rrezikshme. Meqë shumica e popullsisë ishte myslimane, ata u trajtuan me të njëjtën përbuzje si banorët turq që jetonin në Greqi. Në 23 shkurt të 1913-ës, 72 banorë u vranë në fshatin e Përroit të Selamit pranë Paramithisë. Kjo shënoi fillimin e sulmit mbi banorët shqiptarë myslimanë, që kishte si qëllim t’u fuste frikën banorët dhe t’i detyronte të largoheshin nga shtëpitë. Gjatë gjithë dhjetëvjeçarit, prona e myslimanëve shqiptarë u rrëmbye pa pagesë dhe shumë të rinj u dërguan në mërgim të detyruar në ishujt e Egjeut. Kjo e bëri të pamundur qëndrimin në Greqi për këto familje- duke i detyruar të largohen drejt veriut, në Shqipëri. Kështu shumë bashkësi të vogla çame u vendosën në bregdetin jugor të Adriatikut duke ndryshuar përbërjen fetare të zonave dhe duke përhapur popullsinë myslimane.
Me ardhjen në fuqi të Ioannis Metaksait, një qeveri gjysmëfashiste, në vitin 1936, gjendja e popullsisë shqiptare në veriperëndim të Greqisë u bë edhe më e vështirë. Kolonizimi i zonës nga grekët u shtua edhe nga përfshirja aktive e kishës ortodokse greke dhe konfiskimi i pronave të çamëve u çua më tej nga zëvendësimi i emrave shqiptarë të vendeve me emra grekë. Kështu, për shembull, Sivota e sotme njihej si Murtos para vitit 1935. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore solli një valë të re emigrantash në Shqipërinë Jugore. Në tetor të 1940-ës Italia pushtoi Greqinë. Italianët ishin në gjendje të shfrytëzonin ndjenjat nacionaliste që kërkonin ribashkimin e të gjitha trojeve të banuara nga shqiptarë që lidhej me fitoren e fuqive të Boshtit. Një numër çamësh u armatosën nga italianët dhe bashkëpunuan me ta në luftën kundër fshatrave grekë të kontrolluar nga partizanët grekë, megjithëse të tjerë çamë luftuan kundër ushtrisë italianë. Sidoqoftë, brenda një muaji, forcat greke ishin në gjendje të zmbrapsnin forcat italiane përtej kufirit shqiptar dhe pushtuan pjesë të mëdha të Shqipërisë së Jugut.

Ditët e luftës
Pushtimi i shpejtë i Greqisë nga forcat gjermane në prill 1941, u mundësoi italianëve të rifitojnë kontrollin e disa pjesëve të Çamërisë, përfshirë këtu edhe krahinat e Janinës, Thesprotisë dhe Prevezës. Midis çamëve rënia e shpresave për fitoren e fuqive të Boshtit u prit me alarm. Kur, në tetor 1944, gjermanët filluan të tërhiqen nga Greqia qindra çamë gjithashtu kaluan bashkë me ta në Shqipëri. Me qëllim që të krijonin një rajon kufitar etnikisht të pastër, shqiptarët myslimanë, me anë masakrash u dëbuan nga Greqia e Veriut. Shumica kaluan në Shqipëri ku u vendosën në rrethinat e Vlorës, Durrësit dhe Tiranës. Qindra çamë të tjerë u vendosën në pronat përgjatë bregut të Himanrës të braktisura nga familjet që ishin shfarosur gjatë luftimeve, fillimisht kundër pushtuesve fashistë dhe më pas, në vitin 1944, midis Frontit Nacionalist grek të Vorio Epirit dhe “Ballit Kombëtar” shqiptar. Disa grupe çamësh u vendosën në fshatrat ekzistues, përgjatë bregut si në Borsh, i cili ishte tradicionalisht mysliman, duke theksuar kështu karakterin jo-helenik të rajonit. Çamë të tjerë u vendosën në fshatra krejt të rinj si Çuka pranë Sarandës.
Në fund të vitit 1945, anije angleze minapastruese, filluan heqjen e minave nga Kanali i Korfuzit, me gjithë protestat e shqiptarëve, të cilët i kishin shtrirë ujërat territoriale tri milje larg brigjeve shqiptare. Britanikët i shpërfillën kërkesat e shqiptarëve duke mëtuar se ujërat e Kanalit ishin ujëra ndërkombëtare. Shqiptarët u përgjigjën duke qëlluar me artileri kundër anijeve britanike në Kanalin e Korfuzit. Atëhere britanikët dërguan katër destrojerë në kanal, dhe më 22 tetor, dy nga anijet u ndeshën në mina dhe u mbytën duke shkaktuar vdekjen e 44 njerëzve.

Diktaturë dhe postdiktaturë
Gjatë pesëdhjetë vjetëve të regjimit komunist bregdeti i Adriatikut nuk u zhvillua pasi vendi u izolua nga pjesa tjetër e botës. Megjithëse u ngritën kooperativa të shumta bujqësore dhe ferma shtetërore që prodhonin ullinj de fruta, përveç Sarandës që u zhvillua edhe si qendër portuale dhe turistike, bregu mbeti i pazhvilluar. Paqëndrueshmëria kronike që pllakosi Shqipërinë pas shembjes së sistemit parti-shtet në vitin 1991, ishte veçanërisht e rëndë në Shqipërinë Jugore. Qindra mijëra të rinj kaluan përmes pikës kufitare të Kakavijës duke kërkuar strehim dhe punë në Greqi. Të tjerrë, të ardhur nga veriu u vendosën në fshatrat e braktisur nga banorët greqishtfolës, shumica e të cilëve kishin migruar në Greqi. Hapësira të gjera tokash bujqësore u braktisën dhe shumë ndërtesa pronë shtetërore u shkatërruan gjatë kryengritjes popullore kundër qeverisë, në vitin 1997. Me përjashtim të Butrintit, shumë nisma turistike, deri tani nuk kanë mundur të tërhiqen ndonjë numër të madh turistësh. Megjithatë, klima e përmirësuar politike e viteve të fundit dhe zhvillimi i rrugëve dhe infrastrukturës duhet t’i sigurojë një të ardhme të ndritur këtij skaji magjepsës, por pak të njohur të Evropës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora