Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pjetër Meta: Dhe një lis i madh i Nikaj Mërturit ra…

| E enjte, 16.07.2020, 07:57 PM |


DHE NJË LIS I MADH I NIKAJ MERTURIT RA…

(Në nderim të profesor Murat Gecaj, i cili është ndarë sot nga jeta)

Profesori dhe enciklopedisti i Nikaj Merturit, prof.dr. Murat Gecaj është shuar. Largimi i tij nga kjo jetë ka pikëlluar çdo Nilkaj- Merturas, çdo person, intelektual, student, publicist, historian, arsimtarë dhe njeri i letrave që e ka njohur. I dashur, i urtë, komunikues, ndihmëtarë i pakursyer, i zellshëm për në punë, familjarë i shkëlqyer, bashkëpunues dhe i pakursyer për të zbuluar historinë e trevës ku u lind, një eksplorues i paepur në qindra punë dhe shënime kritike, publicistike, libra dhe paraqitje të tjera shkrimore. Murat Gecaj do të na mungojë të gjithëve. Lamtumirë miku dhe biri i Nikaj- Merturit! Në këtë moment të dhimbshëm dhe pikëllues, po ju sjell një jetëshkrim për profesor Murat Gecin, i cili së shpejti do të botohet në librin kushtuar Nikaj- Merturit.

***

Një tjetër intelektual të cilit nuk i pushoi pena, sot e kësaj ditë që prej vitit 1963, përmbi 55 vite është Murat Gecaj, nga fshati Currajt i Epër të fisit të Nikajve. Ai lindi në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës më 29 mars 1940. Filloren e shtatëvjeçaren i mbaroi në qytetin Bajram Curri, kurse të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Në shtator të vitit 1958, filloi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega gjuhë-letërsi, ndërsa në vitin 1960 dërgohet në Bashkimin Sovjetik, në Universitetin “Zhdonov” në Petërburg. Pas dy vitesh, kur u prishën marrëdhëniet midis dy shteteve erdhi përsëri në Tiranë dhe në vitin 1963, mbaron fakultetin me vlerësimin “shumë mirë” për gjuhë-letërsi. Menjëherë pas studimeve emërohet redaktor në gazetën javore për fëmijë “Pionieri”. Në vitin 1966 deri në vitin 1973, transferohet në Tropojë si drejtues i sektorit të kulturës. Në vitin 1974 rikthehet në Tiranë si redaktor për arsimin dhe kulturën e traditat në gazetën e përditshme “Bashkimi” dhe në vitin 1980 deri në vitin 2002, redaktor në gazetën arsimore e kulturore “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë, ku dhe doli në pension.

Prodhimi intelektual i Murat Gecajt ka filluar që në shkollën e mesme dhe është i pandërprerë edhe sot në moshën 78-vje?are. Ai është përqendruar në fushën e arsimit, të kulturës, historisë, traditës atdhetare, folklorit dhe në fushën e kërkimeve shkencore.

Në kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, iu delegua mbajtja e një prej kumtesave më të rëndësishme të kongresit. Në fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ka të depozituara si autori i disa zërave për arsimin e shtypin (Tiranë 1985 e 2010 ribotim). Ka qenë bashkautor e redaktor letrar i veprës “Historia e Arsimit” (Tiranë 2002) dhe bashkautor në botime të tjera arsimore, historike, folklorike etj. ka redaktuar e recensionuar disa libra të publikuara në Kosovë, Shqipëri, Preshevë e Suedi. Ka drejtuar e recensionuar punë shkencore të studentëve të kursit pasuniversitar për pedagogji pranë Fakultetit Histori- Filologji.

Krijimtaria letrare dhe jo vetëm e Murat Gecajt zë vendin kryesor në aktivitetin e tij më jetëgjatë në fushën e letrave. Ai ka botuar 17 libra publicistikë e studimorë, ku një vend të rëndësishëm në tematikën e tyre zënë mbresa, kujtime, studime për Tropojën. Ai botoi në vitin 2000 librin “Si e pashë unë Kosovën”, në vitin 2001 librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, në vitin2002 “Pishtar të parë të normales së Shkupit”, jetëshkrimin “Ëndrrat e grisura të jetës sime”, 2010 pjesa e parë e 2018, pjesa e dytë. Pa numëruar botimet e tjera të shumta, më duhet të bëj një koment për librin jetëshkrim “Ëndrrat e grisura të jetës sime”. Ai libër është testament artistik, i vlefshëm jo vetëm për familjet e brezat, por edhe për cilindo që dëshiron të mësojë ?’është jeta e si duhet të ballafaqohemi me të për ta përballuar. Me një vërtetësi të habitshme artistike i përshkruan peripecitë e jetës, mundësitë e arta e mbresëlënëse që iu krijuan në periudha të ndryshme dhe dështimet e tyre nga prapaskenat e njerëzve, kur ai ishte i ri në moshë, i papërvojë dhe nuk mjaftonte inteligjenca e tij për t’i kapur mundësitë e krijuara para djallëzive e forcës së pozicionit të tjerëve që të kishin në dorë. Falë vitalitetit, karakterit, zotësisë e aftësive krijuese, vendosmërinë e këmbënguljes profesionale, duke mos lënë për asnjë çast studimin e krijimtarinë që në moshë të vogël, Murati me zotësi e pasion prej gazetari, arriti që t’i thyente barrierat absurde, duke treguar kështu dinjitetin e njeriut të nderuar e të respektuar shoqërisht e profesionalisht gjatë të gjitha periudhave që nga fillimet e para për shkollim universitar, e deri në përfundim të aktivitetit si studiues, redaktor e krijues. Për një periudhë kohe Murati ka punuar në mësimdhënie, pedagog në Fakultetin Histori-Filologji, pranë Universitetit të Tiranës.

Autorësia e tij në fushën e studimeve e të botimeve për arsimin e kulturën si dhe për shkencën është e njohur në lidhjen e vazhdueshme periodike me revistat “Studime Filologjike”, “Kultura popullore”, “Revista Pedagogjike”, “Të drejtat e njeriut”, “Perla”, “Univers”, “Pajtimi” etj. Ai ka shkruar e botuar studime e shkrime në të gjitha revistat e gazetat e tjera të Shqipërisë e Kosovës në gazeta e revista në Nju Jork, Zvicër, Hollandë, Greqi, Suedi, Itali, Mali i Zi etj.

Punimet shkencore, historike dhe të mendimit pedagogjik, janë kërkuar të lexohen në simpoziume e aktivitete të ndryshme në Prishtinë, Shkup, Preshevë, Ulqin Nju Jork, Salerno-Itali, Boras-Suedi etj.

Murat Gecaj, si intelektual i pavarur dhe aktiv, njihet si veprimtar i dalluar, duke u bërë pjesë e redaksive të revistave e gazetave brenda e jashtë vendit. Që nga viti 1990 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe anëtar i “Bordit të vlerësimeve të botimeve letrare e publicistike”, pranë Ministrisë së Arsimit.

Në vitin 1992, mbajti disertacionin dhe mori gradën “Doktor i Shkencave Pedagogjike”.

Në vijim e vlerësim të punës së tij shkencore, historike, letrare të folklorit, të pedagogjisë etj në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”.

Edhe sot ai mban detyra të tjera shoqërore pa lënë pas dore krijimtarinë. Murati është përgjegjës seksioni në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, është anëtar i shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës me qendër në Nju Jork, është “Anëtar nderi” i shoqatës së shkrimtarëve e artistëve e krijuesve shqiptarë, në Suedi “Papa Kelmendi XI-Albani”.

Për aktivitetin e tij letrar, studimor, historik, pedagogjik e të gazetarisë është nderuar me Dekoratën “Naim Frashëri” dhe dy herë me urdhrin “Naim Frashëri”. Është nderuar me “Medaljonin e Skënderbeut”, nga komuna e Çairit- Maqedoni. Për librin “Si e pashë unë Kosovën” (2000) nga shoqata e të rënëve të kombit shqiptar, mori ?mimin “Nderim për Kombin”. Për punën e aktivitetin letrar- gazetaresk është vlerësuar me disa “Mirënjohje” në Shqipëri, Kosovë, Shkup, Filadelfia (SHBA), Salerno- Itali etj.

Është bashkautor i 12 librave, shkrimeve, studimeve, redaktimeve letrare etj.

Që nga viti 1963 Murat Gecaj ka bashkëpunuar me Radio-Tiranën për emisione të arsimit, për tradita e botime letrare. Gjithashtu ka bashkëpunuar në emisionet e radios “Blu Skaj” të Prishtinës, Radio-Gjakova, Radio- Kukësi, Radio-Mitrovica, Radion “Dituria” në Suedi, “Zëri i Amerikës”, Radio-Moska etj.

Në tre vitet e fundit, Murat Gecaj ka një bashkëpunim të frytshëm dhe aktiv me shkrime të ndryshme me tematikë për arsimin, traditën në 18 faqe internet, nga “Fjala e lirë”, në Londër “Zemra Shqiptare”, Oxford Angli, “Bota e re” Nju Jork e në të gjitha vendet e tjera të Evropës e Amerikës ku shkruhet shqip.

Murat Gecaj njihet nga të gjithë si njeri i qetë, i vëmendshëm, shumë shoqëror, bashkëpunues, i ngrohtë e shumë inteligjent, nga i cili mund të mësosh. Ai ka qenë dhe mbetet një familjar model, jo vetëm si krijues e gazetar, por edhe si intelektual të kompletuar, për të cilin krenohet shoqëria, fshati e krahina e tij.

PJETËR META

Publicist dhe shkrimtar