Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


U nda nga jeta miku i shkrimtarëve, Prof. Dr. Murat Gecaj

| E enjte, 16.07.2020, 08:53 PM |


Sapo mësova me dhembje për ndarjen nga jeta të mikut të të gjithë shkrimtarëve dhe mikut tim, Prof.Dr.Murat Gecaj.

Fatkeqësisht njerëzit e mirë po ikin një e nga një. Ndaj po shkruaj me dhembje për humbjen e një miku të mirë.

Eh, të tilla janë ligjet e natyrës.

Kështu e ka jeta, ka lindje, ka zhvillim, por dhe vdekje...

I lumtur është ai njeri që lë pas një emër, por e rëndësishme është kur lë një emër të mirë. I tillë ishte edhe Prof Murati. Ai hynte tek grupimi i njerëzve të mirë dhe dashamirës. Nuk kishte si të bëhej ndryshe ai bir i Alpeve. I lindur e rritur mes bardhësisë së borës, bukurisë magjepsëse të kurorës përrallore të alpeve shqiptare, ku ligjëron Valbona. Në formimin e tij rol të madh ka luajtur historia e egër, por atdhetare, mes betejash për mbijetesë, krahinës së Gjakovës, veçanërisht e fshatit të lindjes Bujan. Ky vend me bukuri të rrallë, e rriti me dashurinë për vendin, për natyrën, për njerëzit, për këngët epike të Krahinës. Të gjitha këto dhe edukimi i familjes me tradita atdhetare, e bënë Muratin një njeri të mirë që kërkonte nga vetja. Me vullnet dhe punë, ai i ngjiti shkallët e kulturës kombëtare, duke ia kushtuar dijet e veta arsimit shqiptar. Pas kreu Universitetin, e nisi punën si redaktor i gazetës “Pionieri”dhe duke i ngjitur shkallët e dijes, arriti të marrë gradën “Doktor i shkencave pedagogjike” e më pas , iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”.Për një periudhë afër 55-vjeçare, është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, në gazeta e revista shqiptare.

Prof. Murat Gecaj ishte  studiues e publicist shqiptar. Ka mbajtur një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Eshtë autor i disa zërave për arsimin e shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe ribotimi (Tiranë, 2010); bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera: arsimore, historike, folklorike etj.Ka botuar një sër veprash studimore dhe letrare.

Veç vlerave të mësipërme ai ishte bujar, shpirtgjerë dhe i paërtuar, njeriu që e shpërndante mirësinë përmes buzëqeshjes. Megjithë moshën dhe problemet shëndetësore ishte i kudogjndur, i papërtguar të ndihmonte shkrimtarët e rinj, të shkruante për ta, duke i inkurajuar në rrugën e vështirë por të bukur të artit letrar. Kështu ka lënë emrin e tij të nderuar në shumë botime.

Iku njeriu i mirë Murat Gecaj, iku fizikisht, por ai i ka lënë duart dhe mendjen jashtë, emër që gjendet dhe do të lexohet nëpër bibliotekat dhe libraritë e vendit.

I paharruar qoftë kujtimi i Prof.Dr. Murat Gecajt! I qoftë e lehtë balta !

Me dhembje iu shpreh ngushëllimet e mia familjes Gecaj, duke iu uruar të kenë kurajo për humbjen e njeriut të tyre të dashur!

Ngushëllime miqve të tij!

Me konsideratë për njeriun e mirë, Murat Gecaj!

Lamtumirë miku i të gjithëve!

Vilhelme Vrana  & Fitim Haxhiraj

Vlorë, 16.7.2020