E marte, 23.04.2024, 09:42 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Vajtimi i burrave pilurjotë

E merkure, 15.07.2020, 07:53 PM


VAJTIMI I BURRAVE PILURJOTË

Sprovë

Nga Timo Mërkuri

Në datën 10.07.2020  vdiq në moshën 62 vjeçare Thoma Çipa nga Piluri. Vdekja ndodhi në mesnatë dhe në mëngjez familja hapi mortin sipas traditave pilurjote, pavarësisht se i ndjeri ndodhej  familjarisht emigrant në Patra të Greqisë prej disa vitesh dhe në çastet e mortit pilurjotët e pranishëm ishin të pakët. Sipas traditave të herëshme pilurjote, vëllai i të ndjerit, Polo Çipa zuri vajin në dhomën e burrave ku i ligjëronte të vëllait:

O Thoma o vëlla,o Thoma

Ylli që dil nësaba, o vëlla,

Po ç’ishte këjo hata, o vëlla

Plag e rrëndëe dot se mba, o vëlla,

Bota na kishte sevda,[1] o vëlla

Seç ma theve njërin kra’,oooovëllaaaa!

1-Teksti i mësipërm vajtohej mes ngashërimeve e lotëve, pavarësisht se në dhomën tjetër gratë kishin zënë vajin me kujë e ligjërime. Mosha e të ndjerit, që s’kishte qasje me vdekjen, vdekja e ndodhur në kurbet larg njerëzve të afërm e të dashur, larg  bashkëfshatarëve, miqvedhe të njohurve e shtonin zezonën e ligjërimeve të grave, por pavarësisht kësaj, vajtimit të Polo Çipës për të vëllanë i rezervohej vëmëndja dhe radha e nderit. Kjo vëmëndje dhe ky nderim vinte jo nga fakti i vlerësimit të tekstit apo “bukurisë[2]” së vajtimit. Shkaku ishte tjetër, vajtimi i Polo Çipës ishte “vajtim i burrave”, një rit mortor tepër i hershëm shqiptar, që në vise tëtjera është haruar, madje edhe në shumë fshatra të krahinës së Himarës nuk praktikohet më. Vetëm nëPilur ky zakon ka rrënjë të thella në kohë e të gjëra në praktikim, si ai rrapi në mes të fshatit, ndaj dhe erërat e modernitetit i rrëzojnë gjethet e i thyejnë degë, por rrënjët nuk ja shkulin dot.Rrastet e ralla ku zbatohet ky rit, misteri që buron nga hershmëria e tij si dhe qasja me “gjamën

e burrave” janë më se të mjaftueshme për të tërhequr vëmëndjen e studiuesve të dokeve zakonore shqiptare.

2-Në dukjen e parë, riti i “vajtimit të burrave” duket se bie ndesh me formulimin zakonor sipas të cilit “burrat nuk qajnë”. Këtu ndoshta duhet të sqarojmë dallimin midis kuptimit të foljes “qaj” me foljen “vajtoj”, të cilat në dukje të parë janë identike por që në kuptimin zakonor janë shumë të ndryshme me njera tjetrën

Të “qash” do të thotë të nxjerrësh apo të lehtësosh me klithma e lotëdhimbjen tënde fizike apo shpirtërore  tëshkaktuar nga ndonjë goditje e jashtëme, e cila të ka lënë plagë në trup apo shpirt. Përkundër kësaj, të “vajtosh” do të thotë që dhimbjen tënde (vetëm) shpirtërore, nëpërmjet vajtimit me ligje, ta shndrosh në lartësim të personit, vdekja e tëcilit ta shkaktoi këtë dhimbje. Vajtimtari nuk ka plagë fizike që të ndikojnë në dhimbjen e tij, veç atyre që i shkakton vetes në zbatim të ritit mortor, si goditje me grusht gjoksit apo cënim i fytyrës e kokës.

3- Vajtimi i burrave në Pilur ështe një rit dhe praktikim i zakonshëm në çdo mort,. Ndryshon itensiteti emocional i vajtimeve i cili varet nga mosha e të ndjerit, mënyra e vdekjes së tij dhe nga aftësia e talenti i vajtuesit. Nëkëtë  kontekst, vdekja e një të riu vajtohet me gjëmë e logori me ton të lartë.përkundër vajtimit të “shtruar” në vdekjen e  një plaku. Kështu, vdekja nga një vrasje apo fatkeqsi e menjëherëshme  ka një ngarkesë emocionale më të madhe se sa vdekja e një të sëmuri që ka lënguar në krevat muaj e vite me rradhë etj.  Ajo që duhet theksuar është fakti se çdo shtëpi[3] që ka patur mort, ka përjetuar “vajtime burrash” krahas ligjërimit të grave.Thjeshtë, në mes të ceremonisë mortore, në mes të dhomës së burrave, tepër natyrshëm, një burrë i familjes ngrihet në këmbë ose ulet në mes të dhomës e zë vajin me ligje për të ndjerin. Pasi vajton fillimisht në dhomën e burrave, niset me vaj në buzë në dhomën e grave, të cilat e rritin itensitetin dhe tonalitetin e vajtimeve të tyre, duke dramatizuar skajshëm situatën.

Është tepër i zakonshëm ky moment në mortet e fshatit tim. I pazakontë do të konsiderohet mungesa e këtij vajtimi.

4- Në pamje të parë duket se vajtimi i burrave është një vajtim vetmitar, një vajtim i vetmuar, vajtim i një njeriu të vetëm dhe për pasojë,është një shmangie e traditës së të vajtuarit kolektiv të popullit tonë. Kështu duket  në pamje të parë.

Në familjet pilurjote,“vajtimi i burrave” nuk është vajtim i një burri të vetëm. Këtë vajtim mund ta nisë një burrëi familjes, por natyrshëm mund ta shoqërojë dhe një apo dy burra të tjerë të familjes ose burraqë kanë ardhur për ngushëllim nqse ata e përdorin këtë rit, dmth nqse dinë të vajtojnë. Kur themi që “e shoqërojnë një apo dy burra të tjerë të familjes” nuk “fshihemi” pas rasteve kur të gjithë djemtë vajtojnë bashkërisht prindin e vdekur, por flasim për  bashkim në vajtim tëfamiljarëve dhe burrave miq e dashamirës që kanë ardhur për të bërë zakonin (ritin) mortor të përcjelljes së të ndjerit apo të ngushellimit familjarëve.

Le ta shohim nga një këndvështrim tjetër këtë rit zakonor: kur pilurjotët shkojnë për ngushëllim[4], ata nisen si grupe burrash[5] dhe në momentin që afrohen rreth pesedhjetë metra pranë shtëpisë së mortit, nisin “vajtimin e burrave”. Në këtë vajtim ata  përmëndin  cilësitëpozitive të të ndjerit, miqësinë e tyre me atë dhe  dhimbjen e tyre për vdekjen e tij. Këtë vajtim e bëjnë të gjithë bashkë, në formë kolektive, nën një rregull të pashkruar, sipas të cilit njeri prej tyre ligjëron vargun e parë dhe grupi e shoqëron me “iso” vajtimi dhe me goditje të gjoksit me grushte e gjeste të tjera. Ky fakt është dëshmi e pakundërshtueshme e përjetuar, prej nga nxjerim konkluzion se edhe “vajtimi i burrave”,  njësoj si vajtimi i grave është formë e vajtimit kolektiv e popullit shqiptar.

5-“Vajtimi i burrave” të Pilurit ka qasje me “gjamën e burrave” në krahinat e veriut dhe me vajtimin e Lekë Dukagjinit dhe të ushtrisë shqiptare në sheshin e Lezhës, ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit.Aty Lekë Dukagjini doli para ushtrisë, ra në gjunjë, goditi tokën me pëllëmbën e dorës së djathtë, pastaj goditi gjoksin me dy grushta njeri pas tjetrit, u ngrit në këmbë dhe me gjeste vetëdëmtimi nëfytyrë hodhi një hap përpara dhe nisi të shqiptonte formulë  dhimbjeje për vdekjen e “atit, të prijësit, të zotit të Arbërisë” dhe se “tani ata mbetën jetim” etj. Pas shpinës sëtij, gjithë ushtria shqiptare përsëritëte lëvizjet, gjestet e fjalët e Lek Dukagjinit, i cili pastaj bënte lëvizjen e dytë duke rënëprapënë gjunjë e duke goditur përsëri tokën, për tu ngritur prapë dhe duke ecur në këtë mënyrë drejt Katedrales, ku ishte trupi i Skënderbeut..

6-Disa studiues, këtë ditë e quajnë si ditën kur filloi të përdorejzakoni “gjama e burrave”. Vlerësimi i ditës së vdekjes së Skënderbeut si dita kur filloi përdorimi i ritit të “gjama e burrave”është njësoj si të shohës në një pemë molle një kokërr mollë në degën e lartë, të hipësh e ta këputësh dhe duke e ngrënë  të thuash se…pema e mollës sot filloi të ritet. Vetkuptohet qëështë gabim llogjik pasi normalisht mund të thuash se ditën e sotme këputa dhe hëngra kokrën e parë të mollës të kësaj peme por jo se mqse ti hëngre mollën e parë, atëherë filloi të ritet pema e mollës..Historianët kanë parë dhe kanë  marë “kokrën e mollës” (Vajtimin e Lekë Dukagjinit) por pema e mollës (riti mortor, pjesë e kodit zakonor) ishte mbjellur me kohë dhe ishte ritur e kishte prodhuar kokra me kohë. Konkretisht  riti i “gjamës së burrave” ishte futur në Kanun (Kanuni i Lekë Dukagjinit) pasi ishte debatuar në Kuvendin e Dibrës qysh në gjallje të Skënderbeut.

Ndërkohë ka një anë tjetër negative cilësimi si datlindje e këtij riti dita e vdekjes së Skënderbeut. Riti i “gjamës së burrave” është “binjak” me ritin e “vajtimit të burrave”. Dikur ka qënë i njëjtë gjer në imtësi[6] si dy degë të një peme, por ndryshimet mes krahinave si pasojë e zjarrit të pushtuesit dhe ngricës së robërisë turke, bëri që njërës degë të mos i ritet filizi apo tjetrës ti përzhiten gjethet, duke pësuar ndryshime dytësore mes tyre,. Kështu “vajtimi i burrave” ndryshon nga “gjama e burrave” se te “vajtimi i burrave” kemi vajtim me ligje ndërsa te “gjama e burrave” kemi vetëm shqiptime të formulave të caktuara me kanun. Nuk është shumë e vështirë që një ligjërim vajtimor të ngurtësohet në një formulim vajtimi ose anasjelltas, një formulim vajtimi të shpërthejë në ligjërim si ujrat e përenjve malorë kur shkrin dëbora. Gjestilacionet janë gati të njëjta, vetkuptohet që kanë ardhur duke u zbutur në kohën tonë. Në thelb, të dy ritet janë akoma identike, pavarësisht se duken  si dy degë peme pas një zjarri, sepse i ushqen e njëjta rrënjë peme. Këto rite, për nga identiteti, janë rite mortore të herëshme shqiptare, parailire dhe ushtrohen kolektivisht.

7-Ndërsa themi se riti i vajtimit kolektiv është një rit parailir, duke e cilësuar datën e vajtimit të Lekë Dukagjinit si datë e lindjes së ritit mortor të “gjamës së burrave” ne e afrojmë datlindjen e këtij riti mortor në mesjetë, duke i mohuar epoka jete.Dhe po të shohim se “vajtimi me ligje” është burimi i këngës sonë iso-polifonike si shumëzërrësh popullor, duke shkurtuar kohën e ekzistencës së këtij riti vajtimor, ne shkurtojmë padrejtësisht edhe  kohën e jetës së këngës sonë. Pra, me “një të rënë të lapsit” fshijmë epoka të tëra historike dhe kulturore të popullit tonë duke rënë në kurthin e tezave se “shqiptarët janë të ardhur von në ballkan”.

8-Doket tona zakonore, ritet mortore, këngët dhe vetë historia e jonë nuk ka filluar në mesjetë, sado e lavdishme të jetë epoka që cilësohet. Mesjeta është një kapitull i historisë sonë me sukseset dhe disfaktat e saj, por historia e jonëështë një libër me shumë kapituj, leximi i të cilëve është detyrë dhe detyrim para se të nisim të shkruajmë për tema të tilla madhore, që konfigurojnë tiparet e kombit tonë.

9-Normalisht që lind pyetja se si shpjegohet që ky rit kaq i hershëm i ka mbijetuar trysnisë së pushtuesit turk për pesëqint vjet në Pilur dhe në disa fshatra të veriut, ndërsa është “fshirë”, “djegur” apo haruar në fshatra dhe krahina të tëra të vendit tonë. Pyetja është shumë e drejtë dhe llogjike por ne duhet të zgjerojmë hapësirën e shpjegimit për të gjetur arsyen.

Ritet mortore lindën në shoqërinë shqiptare në kohën e konsolidimit të familjes bashkë me disa rite e doke e norma të tjera tipike si “besa”, “nderi i motrës”, “shënjtëria e nënës” për tu vijuar me këngën “shumëzërrëshe popullore”, “martesat jashtë fisit”etj të cilat ishin si kromozonet e AND të etnitetit tonë. Mbi bazën e tyre u krijua etniteti ynë i cili kishte një unitet origjine në tërësinë e tij.Ky krijim zgjati në disa epoka dhe nuk u bë për disa shekuj.

Pushtimi turk ishte si një zjarr që dogji e preu çdo degë peme, por ky zjarr nuk i përfshiu disa krahina e fshatra, që për arsye të ndryshme gëzuan një farë autonomie nga pushtuesi, përfshi këtu edhe besimin fetar të krishterë..Të tilla ishin krahina e Himarës, Mirdita dhe disa zona të tjera veriore ose të disa fshatra të thella malore. Në këto krahina jeta vijonte sipas dokeve zakonore shqiptare dhe besimit kristian. E cilësojmë besimin kristian sepse në krahinat e tjera shqiptare që pranuan ndryshimin e fesë (për çfardo arsye), në ritet e jetës së tyre (si ritet mortore, dasmat etj) u futën  normat zakonore myslimane, të cilat nuk i linin hapësirë riteve të herëshme shqiptare. Në këto krahina autonome jeta vazhdonte sipas kodeve të herëshme zakonore shqiptare, të cilat ruheshin me konservatorizëm, që në fakt shpëtoi shumë doke e zakone të vjetra, duke mbajtur të pastër identitetin shqiptar të banorëve.

Piluri është fshat malor, me popullsi autoktone të vendosur aty qysh në antikitetin e herëshëm, fshat luftëtarësh me besim kristian ortodoks dhe doke e zakone të herëshme që lëshojnë “filiza” dhe në ditët tona. Pushtuesi turk e ka masakruar dhe e ka djegur çdo shtëpi por  zjarri i tij nuk i dogji dot “rrënjët e pemës” të riteve  zakonore të herëshme që vazhdojnë të ushqejnë filizat e rinj me të njëjtin ushqim.

10-Riti mortor i “vajtimit të burrave” në rastin tonë nuk u bë në Pilur por u bë në Patra të Greqisë, ku kishte emigruar familjarisht i ndjeri, bashkë me prindërit. Duke e ballafaquar me rastin e “gjamës së burrave” që ju bë Martin Camajt në fshatin e tij, ku familja organizoi ceremoninë e “gjamës së burrave” mbirrobat që poeti pati dërguar paraprakisht nga Gjermania, duket se ka një shmangie të kodit zakonor në rastin pilurjot.

Martin Camaj, shkrimtari dhe albanologu i shquar shqiptar. që kaloi një pjesë të mirë të jetës në Gjermani me një karrierë të ethshme akademike, ku dhe ndërroi jetë më 1992, është vajtuar me “gjamë burrash” në familjen e tij, ku ai edhe është vajtuar me lot e kujë prej grash e burrash njëherësh, duke qëndruar i pajetë para tyre në shtëpinë e lindjes, jo me trup por me kostum.

Vajtimi mbi petkat e Martin Camaj është bërë sipas konceptit që“morti bëhët në shtëpinë e të ndjerit”, pavarësisht se ku vdes ai. Kështu u është bërë morti në Shqipëri mijra e mijra nizamëve shqiptarëqë janë vrarë nëpër luftërat turke shkretëtirave të Arabisë dhe kanë qënë të pranishëm në shtëpitë e tyre vetëm me shpirt, si zogj të bardhë ardhur nga larg..

Në rastin tonë, vdekja ndodhi në Patra të Greqisë, ku i ndjeri kishte shtëpinë dhe familjen e tij bashkë me prindërit. Shtëpia në Patra, pavarësisht me qera, e blerë apo e ndërtuar prej të ndjerit, ku banonte ai vetë me familjen dhe prindërit,plotësonte  kuadrin e formulimit “shtëpi dhe familje” që kërkon riti mortor. Piluri mbetet thjeshtë fshat i origjinës, aty pas mjegullës, me dritaret e shtëpive të braktisura që lotojnë vesë mëngjezeve .

Sarandë, më  12-14 07.2020



[1]Ka kuptimin…Bota na kishte zili…

[2] Vajtoi bukur… themi për ndonjë vajtore që vajton me tekst të arirëdhe zë  të bukur (melodi) vajtimi. Thuhet ndryshe dhe…me lloj vajtimi.

[3]Në përmbledhjen time “Ku hardhia pikon vesë” me këngë, vaje e bejte pilurjote, botim I MILOSA Sarandë  2012 kam publikuar disa vajtime të tim eti për vëllain, nënën dhe xhaxhain tim, kështu që nuk është nevoja ta zgjeroj listën e vajtimeve të burrave në këtë shkrim.

[4] …nëpër fshatra  të tjera , larg vendbanimit të tyre.

[5]  Natyrshëm që kanë marrë dhe gra me vete, por ne flasim për ritin e burrave.

[6] Në vajtimin e Skënderbeut veç ushtarëve dukagjinas apo krutanë, ishin edhe ushtarët himariotë dhe epirotë të cilët bënin ritin e “vajtimit të burrave” apo “gjamën e burrave” njëherësh me pjesën tjetër të ushtrisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora