E diele, 09.08.2020, 03:56 AM (GMT+1)

Kulturë » Gorica

Pëllumb Gorica: Udhëtim në varret e mbretërve ilirë

E merkure, 15.07.2020, 07:55 PM


UDHËTIM NË VARRET E MBRETËRVE ILIRË

UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA

Të udhëtosh është jo vetëm bukur, për aq kohë sa je në shoqërinë e miqëve për të kaluar një ditë ndryshe mes mistereve të fshehura, e emërvendeve “fosile” të lashtësisë.

Panoramat mbresëlënëse të luginës piktoreske të Shkumbinit të mbajnë të burgosur në gjarpërimet e rrugës që përshkohet shpejt dhe këndshëm drejt Juglindjes. Ajo kalon besnikërisht ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit të kësaj lugine në shekuj, Shkumbinit, gurgullues e i kaltër, si një shirit argjendi, me vërshimin drejt detit Adriatik. Shkumbini njihet edhe si vijë ndarëse gjeografike për dy dialektet e gjuhës shqipe (gegë dhe toskë), por ndërkohë ai bashkon brigje dhe fate njerëzish e etnopsikologji të ndërmjetme. Studimet tregojnë që ai nuk ka pasur as emrin e sotëm (më së pari quhej Eordej, pastaj Genus e së fundi Shkumbin).

Të soditësh lumin që rrjedh në të kundërt me rrugën, shikimi të humbet në shtratin gri të zhavoreve, sa në njërin krah në tjetrin, hera-herës breg më breg, gjithë potere që duket sikur zbraz shirat e ditëve të fundit. Do të shohësh edhe një pamje të trishtë, e brigjeve të tij të mbushur me mbeturina, që e ndotin tmerrësisht atë.

Në këtë udhëtim të këndshëm të ngacmojnë mendimet rrugët, urat, kalatë, etj, të periudhave të ndryshme historike. Lugina e Shkumbinit mban në gjirin e vet gjurmët e një prej rrugëve më të rëndësishme në botë, të famshmes Egnatia, të ndërtuar nga romakët në shekullin II p.e.s, një nga mrekullitë antike, që për shumë shekuj bëri të mundur lëvizjen e karvaneve nga Roma në Kostandinopojë e anasjelltas. Straboni në librin e VII e përshkruan atë: ‘‘Via Egnatia, pjesa e parë e saj kalon nga Kandavia, e shkon drejt Lyhnid e Pelion. Prej këtej shkon në Edesë dhe Pella, deri në Thesalonik. Polibi thotë se janë 267 milje. Ata që kalojnë këtë rrugë, duke u nisur nga viset pranë Epidamnit dhe Apolonisë, në të djathtë kanë viset e Epirit, që lagen nga deti i Sicelisë deri në gjirin e Ambrakisë, nga e majta malet e Ilirisë e fiset e Maqedonisë e Paionisë“. Fragmentet që ruhen vende-vende edhe sot e kësaj dite, si skelete prehistorike, as varrosur e as mbi tokë janë prova e kësaj “autostrade” të mirënjohur të lashtësisë.

Në bedenat e kodrinave që ngjiten lartësive, ku kreshpërojnë krenarë shkëmbinjtë e ashpër aty- këtu janë mbështetur vendbanimet, si të qëndisura me dorë. Sytë të mbetën në një kodër të bukur, ku shtrihej qyteti i Librazhdit, i rrethuar nga kurorat e rrepeve, shelgjishteve e vërrinjve që fëshfërijnë freskinë e lumit. Përskaj qytetit, lugina e Shkumbinit sa vjen e bëhet befasuese, nga thyrjet dhe përthyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse e diku të mbytura nga deti i gjelbërimit. Buzë rrugës syri të rrok restorante e bujtina me arkitekturë të larmishme, që të ftojnë të çlodhesh. Kalojmë nën një urë, të madhe dhe të bukur. Ura e trenit në Bushtricë më e larta në vendin tonë, si një lapidar i gjallë. Më tej shtrihej fusha e Domosdovës, Rrajca, dhe qyteza minatore e Prrenjasit, me fabrikën e pasurimit, që tregon se dikur këtu ka pasur industri nxjerrëse dhe përpunuese mineralesh. Në periudhën e luftërave shqiptaro-turke quhej fusha e Tërvolit. Gjergj Kastrioti, para se të nisej në betejë kundër turqve porosit luftëtarët e tij: ‘‘Këtë betejë duhet ta fitojmë me domosdo’’ dhe i mbeti emri fusha e Domozdovës. Nga historitë gojore thuhet se Gjergj Kastrioti betejën e fitoi, por pati humbje të mëdha luftëtarësh, sa gjaku i tyre rridhte si përrenj. Po kështu, thuhet se edhe emri i Përrenjasit, ka lidhje pikërisht me këtë betejë.

Rruga dredhon në krahun e djathtë të rrjedhës së Shkumbinit në Mokër të Pogradecit. Një erë e freskët përhap motivet e shpirtit të kësaj lugine, ku janë thurur baladat shkumbinore, e sikur i merrte me vete i degdiste s’dihet se ku, tej sinoreve të kësaj treve së stërpasur e të papërsëritëshme me mistere. Ndihet tronditja e makinës, sigurisht nga punimet për hapjen e rrugës Qukës- Qafë Plloç, si një koridor i rëndësishëm drejt Juglindjes, e një shprese se ditë të mira do vijnë edhe për zhvillimin e saj. Vende- vende pamjet shëmtohen prej vapës, që në mungesë të shiut, u merr frymën jo vetëm njerëzve, por edhe gjallesave dhe bimësisë. Mokra të ngjan si një kështjellë gjigande me kodra dhe maja malesh të larta, që ngrihen hijerëndë; me formacione gjeologjike dhe zgjatime luginash nën fëshfërimën e ujërave që rrjedhin pranë tyre. Format shkëmbore, si mure ciklopike të lloj të gurit, që vetë natyra i ka ndërtuar këtu në Mokër, janë të veçanta. Lavandrat e lulet e tjera si në një idil magjik fërfërojnë mezhdave, duke e mbushur me ngjyra të ndezuara e aromë tokën e thatë, e të gurtë të kodrinave. Lavanda është bimë e njohur që nga kohërat e lashta, më lule që i japin syrit pamje të një vendi bujar. Ndërsa vështrojmë këto pamje, sjellim ndërmend se nga rrjedh emri Mokër, aty ku “përkëdhelet” e djeshmja dhe e sotmja mes historisë dhe natyrës. Ka shumë mendime për prejardhjen e emrit Mokër. Emërtimi i së cilës rrjedh nga fjala më lart, më në krye, që është ilir. Emri i Mokrës lidhet me mjeshtërinë e skalitjeve së gurëve të mullirit për bluarjen e drithërave (mokrave), e diktuar nga ujërat e shumta. Ajo vjen edhe nga garat sportive që zhvilloheshin në lashtësi, me mokrat e mullirit. Thuhet se dy atletët më të fuqishëm u vunë në garë për të fituar zotërime mbi këtë krahinë. Njëri, që ngriti mbi shpatulla gurin e sipërm të mullirit, u nis nga lartësitë jugore, ndërsa tjetri, që ngriti gurin e poshtëm të mullirit, u nis nga lartësitë veriore. Mbas disa ditësh udhëtim të mundimshëm, me gurë mbi shpatulla, u takuan të dy. Vendtakimi, përcaktoi emrin e Mokrës dhe ndarjen në dy pjesë të saj, Mokra e Sipërme dhe Mokra e Poshtme. Ka edhe një histori se emërtimi Mokër, është bërë nga historiania Ana Komnena, vajza e Aleks Komnenit, Perandorit Bizantin, e cila e identifikon Mokrën me emrin Mokrob ose Mokros të një princi bullgar të kohës. Studjuesit shkruajnë se princesha e ka bërë nga që kishte lidhje gjaku me djalin e mbretit bullgar Jovan Vlladisllav, të vrarë në vitin 1018 në sulmin kundër bizantëve në Durrës.

Por të gjitha këto histori rreth emërtimit Mokër e kanë një shtrat të përbashkët, që i ka mbijetuar rrokullisjes së shekujve, deri në ditët tona. Duhet të pranojmë faktin që është i pamohueshëm, se në themelimin e shumë krahinave, qyteteve shqiptare kontribuan pushtues e feudalë të huaj e vendas, të cilët shfrytëzuan pasurit tona natyrore dhe civilizuan një mjedis socialo-gjografik. Ndërsa shumica e emërtimeve të vendbanimeve të Mokrës kanë mbetje nga pushtimet sllave në Ballkan. Bullgarët në shek. e XI, kur doli në dritë organizimi ekonomik apo etnik, duke njohur dhe mësuar toponimet e vendasve, pra të ilirëve, i deformuan dhe i emërtuan sipas gjuhës së tyre. Mokra u mboll me emërtime sllave, që mbetën kështu si vezët e një qyqeje në folenë e një tjetër shpendi më të urtë. Shumica e këtyre toponimeve fshatare vijnë nga historitë dhe pagëzimet, që rezultojnë të hershme në kohështririje. Banorët e hershëm të Mokrës kanë emëruar çdo pëllëmbë tokë, sa gjurmët e të cilave gjenden ende sot. Të gjithë emrat e arave, burimeve, kodrave janë në shqipen e vjetër ose latine, pak prej tyre janë përshtatur në gjuhën sllave dhe osmane. Përpjekja e parë për zëvëndësimin në shqip të toponimeve të huaja sllave, greke, romake, me anë të “Ligjit mbi ndryshimin e emrave të qyteteve, katundeve, lumenjve, të imponuar prej të huajve dhe zëvëndësimin në shqip”, u bë nga qeveria e mbretit Zog në vitin 1937. Por, ai dekret i mbretit Zog, ishte një përpjekje e dështuar, që përfundoi ashtu si mbreti, të cilin e nënshkroi pa u zbatuar nga nënpunësit e tij. U vendos të ndryshoheshin Velçani në Mokërza, Manastireci në Manastir, Strelca në Vathëz, Dunica në Donikë, Homeshi në Lekaj, Hondishti në Hundisht, Kriçkova në Kastriot, Llënga në Langu, Pleshishti në Gjokaj, Proptishti në Luginë, Rodokali në Kamizi, Slabinja në Grykaz, Slatina në Kallëz, Somotina në Vetmaj, Trebinja në Tërbunë, etj.

E ndalëm makinën buzë rrugës. Pikërisht, atje ku Shkumbini bën një kthesë, e të ndjell vetiu ta kundrosh. Rrjedhja e lumit luan një motiv (të duket sikur dëgjon Vivaldin), e përkëdhelur nga flladi i brigjeve, dhe përshkëndritur nga rrezet e diellit. Të shfaqet eleganca e urës shekullore të Golikut, tërësisht e stilit Romak, e rrënuar dhe rindërtuar nga mjeshtrat e kësaj treve në Mesjetë, me shtratin e gjatë 17 m, e gjerë 3 m, e lartë 10 m, që kokën e mbështet në truallin shkëmbor të Zall Torrës, ndërsa këmbët i lëshon në Golik. Kalldrëmi i saj që dikur zbardhëllonte nga hapat dhe patkonjtë e kuajve, ështe ndërmbytur nga myshku e bari, dhe shkurre që kanë mbirë midis gurëve nuk e lejojnë urën të duket e plotë me gjithë bukurinë e arkitekturës së saj.

Nisim një dialog me urën, atë të qëndresës qindravjeçare të këmbëve të saj ndaj ujërave të lumit, dhe luftrave të pushtuesve ndaj këtyre trojeve përgjatë shekujve, që erdhën e ikën në rreshta të panumërta e nxinë gjithçka. Në heshtje të bëhet se dëgjon zëra të lashtë, këngë tragjike, histori, luftëra e bëmat e luftëtarëve. Këtu kaluan legjionet romake, divizionet sllave, taborret turke dhe ushtritë e fuqive të mëdha në Luftën e Parë Botërore, e mbollën shkatërrim kudo, edhe pse koha, kjo shkatërrimtare e madhe, i mbulon me pluhurin e harresës ngjarjet që lidhen me të. E ndërtuar me dy qemerë, ajo ka edhe dritaren e mbyllur, që sipas legjendës ka mitin e nuses së murosur, mbasi çka ndërtohej ditēn, shembej natën dhe sipas besytnive duhej një kurban që ura të qëndronte. Lumi vinte rrëmbyeshëm dhe nuk i linte ustallarët ta mbaronin. Sapo e hidhnin harkun vërshonin ujërat e merrnin përpara, dhe e rrënonin atë. Nënat e moçme thonin se u deshën trembëdhjetë vite për të përfunduar urën. Deri kur një kalimtar u rrëfeu ustallarëve legjendën për kalanë e Rozafës ndodhi gjëma. U muros nusja, vasha e më të voglit nga vëllezërit, dhe ura u ngrit pa u shembur.

Makina rrëshqet mes peizazheve. Sa më thellë të futesh, aq më interesante shtrihet Mokra me burime ujërash, që zbresin mespërmes brerores së gjelbër të lartësive të Valamares, e aty- këtu vendbanimet në kurriz të kodrave. Brenda këtij peizazhi tërheqës, ndonjë makinë shkonte rrallë e përmallë fshatrave. Proptishti është porta e parë e ashtu siç thuhet aty: Në Mokër futesh që nga Proptishti. Ndalojmë nga ku kundrohet pamja e murrëtyer e tokave, arave, dhe bimësisë së lodhur të tij nga vera e nxehtë. E gjelbërta e pyjeve përzihet me ngjyrën e hirtë të kurrizeve shkëmbore.

Selca e Poshtme shfaqet e mbledhur kruspull, në lugun e dy kodrave mes pyllit të drurëve frutorë, si një bahçe magjepsëse, me shtëpitë jo shumë larg njëra tjetrës, e një dorë me ara. I rralluar nga njerëzit se ata, kanë ikur e ikin si guri që rrokulliset tatpjetë. Zhurmat e pakta njerëzore, në ara, pemëtore dhe stanet e ndërtuara me mure guri, e përtej larg zilet dhe këmborët e bagëtive, të përzihen me blegërima dhe kakarisje shpendësh. Disa të lehura qenësh, që vinin nga larg e ndjenin se po mbërrinin mysafir, si për të përshëndetur befasisht ardhjen. Ulemi në një kafene të vogël mes gjelbërimit, që të freskon nga vapa përvëluese e të çlodh nga rruga e gjatë. Në një tavolinë tre burra ngjajnë, si gur që skanë lëvizur të mbajnë me thonj e me dhëmb këtë vendbanim. Ata pijnë raki, sikur duan të lehtësojnë sadopak shpirtin. Njeriu sa më afër natyrës të jetë aq më tepër bën një jetë të thjeshtë.

Pas përshëndetjeve të përzemërta, disa zakone të tyre, të një mentaliteti të formuar prej shekujsh, e mbjellë në çdo vatër mokrare na bëjnë të pijmë rakinë e fortë të qershisë së sapozier, me cakërritjet e gotave. Me pas përfshihemi në një bisedë interesante, që rrjedh e ngrohtë, e padyshim me grimca hareje, sikur njihemi prej vitesh. Dhe s’ka se si të ndodh ndryshe, përderisa ajo që i shqetëson, solli një mendësi mes nesh. Ata kanë shumë për të thënë, por flasin me radhë, duke i lënë vendin të moshuarëve për tema shoqërore dhe historinë e Selcës së Poshtme. Natyrisht nuk iu shmangen paralelizmave të së sotmes me të shkuarën.

-Nuk është e lehtë,- thotë Çelniku, - të jetosh në fshat e sidomos këtu. Shumica e banorëve, po e humbasin dëshirën të jetojnë në këtë vend, sa të merr malli të takosh njerëz në rrugë, të dëgjosh të qarat e fëmijëve, apo këngë e gëzim. E zot i fuqishëm është heshtja. Shikon porta të mbyllura që i kanë mbuluar bari dhe ferrat. Edhe atje ku banohet vështrimi ka mbetur te pragu i portës mos valle futen djemtë, e njerëzit e tyre të shtrenjtë, apo ndonjë mik. Kushtet për banim, qysh në kohërat e hershme kanë qenë të favorshme, e vendbanimet, teksa shpie në mëndje hijeshinë e tyre, ngjanin si qytezat antike, me burime të shumta dhe rrugët gjarpërushe me kalldrëm. E përse duhej të ndodhte kështu, duke lënë vendlindjen për të ikur në Tiranë, Durrës, Pogradec, Elbasan, në Greqi, Angli, Gjermani e Itali e gjetkë? Këtë braktisje njerëzore, e ndjen në çdo fshat, dhe vetëm natyra e ka ekuilibruar me ngjyrën e shpresës.

Vështrimi drejtohet në kurrizin e një kodre të lartë të Selcës së Poshtme rreth 1040 m, që për shkak të ndërtimit gjeologjik i ngjan një amfiteatri natyror. Kudreti na shoqëron e filloi të ligjëroj, për vendet ku kalonim, për zbulimet e për çdo gjë tjetër. Sapo arrin në kreshtën, nga ku shfaqet çdo gjë në gjerësinë e pëllëmbës së dorës pamja është befasuese. Ne vështrojmë Kriçkovën, në faqen e një kodre të lartë. Ndërsa më tej, shtrihet Rodokali me emër hyjnor. E thotë legjenda: ‘‘Perëndia apo mbreti i detit në Dyrrah, Redoni flijimet e mëdha i bënte me kuaj, të cilët i merrte ndoshta këtu’’.Vazhdon Somotina e Slabinja dhe përballë Slatina, e në krah të saj Lakteshi e Velçani, që për nga madhësia është quajtur qëndra e Mokrës. Përtej është Pllaja e Llëngës, aty ku ndodhet manastiri i Shën Marenës, simboli i Mokrës, ku njerëzit pa dallime fetar shkojnë për shërim të familjarëve, dhe maja e Gurit të Nikës me Valamaren. E shijon edhe çdo detaj të natyrës. Cicërimat e zogjëve dhe insekteve, me një zukatje bezdisëse (të gjinkallave të trallisura në këngën e tyre monotone e të pandërprerë), freskinë e barit, luleve, gjetheve të pemëve, nga fërshfërima e erës, që afron lartësia e saj me pastërti ajri. Dielli na kërkon një kapele apo hijen e ndonjë lisi. Diku syri të ze një tullë, më tutje gurë të gdhendur me ngjyrën e errët të myshkut, të fshehur në ferra, e pranë një gropë e thellë prej dy metrash që të fut frikën. Kërkime thesaresh pa tjetër, e shenja gurësh të shpërndarë faqes së kodrës. Ah çfarë trishtimi nga demoni shkatërrimtar i artefakteve. Pa kurrëfarë gërvishtje të arkeologëve që prej 50 vjetësh.

Gradishta emërvend siç quhet, mbi supet e saj ka mbajtur një kështjellë të shek V-IV pK, e cila dëshmon kohën legjendare ilire. Përfytyrimi të çon larg në histori, kur këtu mbretëronin Bardhyli Plak, Kliti e Bardhyli i Ri. Duke iu referuar Plutarkut, këtu u bë dasma mbretërore e Piros së Epirit me Birkenën, vajzën e mbretit Bardhyl i II. Sot kjo kështjellë është shkatërruar, si shumë mrekulli ilire, që u shëndrruan në gërmadha, nga lakmia e pushtuesëve. I zbuluar rastësisht nga mokrari Idriz Kume, Vangjush Manastirlliu nga Pogradeci, dhe arkeologu Neritan Ceka, në vitet 1967-1970, duke gërmuar në këtë vendbanim historik. Midis të tjerave zbuluan një paftë bronxi (që gjendet në Muzeun Kombëtar), e analizuar shkencërisht nga arkeologu Neritan Ceka. Kjo paftë përshkruan një skemë luftimi, si triumf i ushtrisë ilire, mbi atë maqedone. Luftëtari i parë në kalë, me veshje, mburojë dhe përkrenare Ilire, është mbrojtës i jetës, Medaur. Disa studjues bejnë të ditur, se Selca e Poshtme e Mokrës, flet për fillesën e mitologjisë së Ilirisë. Apo vetë historia dhe mitologjia e shtetit të parë Ilir. Këtu u bë qëndresa mbretërore e Bardhylit Plak, i cili 90 vjeç luftonte mbi kalë, siç shkruan Diodori. Duke hyrë në ngjarjet e ndodhura këtu, ku janë derdhur falangat maqedonase, legjonet romake, dyndjet sllave e hordhitë osmane ne e kujtojmë mbretin Kliti, madhështia e të cilit kulmon në vitin 335 para e.s, në betejën me Aleksandrin e Madh, si qëndresa e parë ndaj lavdisë së tij, që pas tre ditëve të para të luftimit u detyrua të tërhiqet.

Autorët antik: Straboni, Tuikididi, Deodori, Plutarku (sepse, duke folur për një objekt historik, s’mund të mos respektojmë ligjërimin e historianëve), flasin për qytetërimin e lashtë këtu, ku kanë jetuar Dasaretët e lashtë, me dinasti ilire të organizuar, e jetë urbane dhe civilizim, që ndërtuan qytet, patën ushtri dhe administratë, klasë sociale të niveleve të ndryshme, arkitekturë; e përdornin qeramikë, mozaikë dhe banjat publike, ku gratë mbanin bizhuteri ari dhe argjendi, ku prodhoheshin mjete pune dhe armë prej metalesh, etj. Flav Ariani i lindur në Bitini, Azia e Vogël viti 95 para Krishtit. e 175 pas Krishtit, e Kurt Rufi romak, që jetoi në shekullin e I-rë pas Krishtit, na përcjellin se ky vendbanim antik është identifikuar me qytetin e lashtë të Pelionit, i shek V p.e.s. Ata na kanë lënë edhe një të dhënë të veprimeve luftarake të ilirëve për mbrojtjen e Pelionit, në vitin 335 para Krishtit.

Ajo që e bën të veçantë këtë vend është fakti se, aty gjenden 5 objekte me vlera arkeologjike, unike në llojin e tyre, të njohura si Varret Mbretërore Ilire të Selcës së Poshtme. Të fshehura nën pyllin e harlisur, në shkëmb të ngjajnë si banesa të futura, si në asnjë vend tjetër të trojeve tona. Ashtu me plot emocion së brendëshmi i prekim nga afër. Në njërin nga varret ka shkrime murale, që edhe pse për të ishte ngritur një tendë të mbroheshin, ishte po aq e dëmtuar. Aty përmendej emri Meko. Në një tjetër varr karakteristikë është pjesa e zbukuruar me kollona dhe muraturë pllakash guri.

Sot, megjithëse të dëmtuara Varret Mbretërore Ilire të Selcës së Poshtme, edhe pse janë marrë në mbrojtje si pasuri kombëtare po zhbëhen çdo ditë e më shumë. Ndaj, ato, si një vend arkeologjik turistik, kërkojnë vëmendje për mirëmbajtjen e tyre, për t'u prekur edhe nga njeriu i thjeshtë. Do donim të kishte ciceron për ‘‘të mësuar më shumë’’, sepse nuk ndjehemi mirë kur ai e ‘‘vret syrin” këtu njëherë në muaj.

Në Selcën e Poshtme qetësia prehet në misticitetin e vellos së një mrekullie të antikitetit. Nëse ky fshat me këto vlera antike për turizëm, do të kishte qënë në ndonjë vend tjetër të botës, sot do të priste e përcillte me shumicë turistë.

Ne zbresim dalëngadalë nga Selca e Poshtme, dikur qëndër ilire, por që s’është më veçse një fshat i vogël. Dita e ndjen që do ikë shpejt, e do t'i lërë vendin natës, me shenjat e një freskie të magjishme të saj. Retë zbresin pa kuptuar në qiell e shtrohen këmbëkryq aty, me ato dritëhijet që kanë diçka mistike, sa diellin që po perëndon e bënin të luante e ngatërrohej mes tyre për t’u fshehur e për ti thënë ditës: Mirëutakofshim!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora