Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Shkoi në përjetësi Bashor Gegë Buzhala

| E marte, 14.07.2020, 07:20 PM |


HOMAZH,

SHKOI NË PËRJETËSI BASHOR GEGË BUZHALA

(19 mars 1948-11 korrik 2020)

Nga Prend Buzhala

Shkoi në përjetësi Bashor Gegë Buzhala (19 mars 1948-11 korrik 2020). Jo vetëm për familjen e ngushtë e të gjerë, por për lagjen e vëllazërinë Buzhala (Çabiqi, Klinë) ishte lajm i pikëllueshëm ndarja nga jeta. E ka njohur një rreth i gjerë miqsh e qytetarësh jo vetëm nga komuna e Klinës, por edhe më gjerë. Ishte i afërt, me të gjithë, i nderuar dhe i gatshëm për të ndihmuar.

Ishin të paktë ata që dikur shkonin në shkollë të mesme. Bashori ishte ndër të parët e këtij fshati që kreu shkollën e mesme ekomomike në Gjakovë. Punësohet në Zyrën e Vendit në Ujëmirë (Klinë), ku edhe jetoi për disa dekada. Këtë përkushtim për arsimim ai e tregoi edhe më vonë, në ndihmë të të tjerëve.

Në secilën kohë ndau përkushtimin e fatin e tij me atë të popullit. Prandaj i jemi mirënjohës. Në kohën kur po sulmohej autonomia e Kosovës, ai ishte deputet i Kuvendit Komunal në Klinë dhe me deputetët shqiptarë organizojnë seancat jashtë ndërtesës komunale, për të mos e njohur pushtimin serb dhe për ta vazhduar jetën institucionale si komunë.

Gjatë gjithë viteve '90 gjendet në veprimtaritë e lëvizjes nacionale politike të rezistencës, qoftë si njëri ndër drejtuesit e SHFB "Nëna Tereze" në Klinë, qoftë si veprimtar polik i partive politike, si ajo liberale, demokristiane etj.

Që në fillim të viteve '90, kur po okupoheshin edhe institucionet lokale, ai nuk pranoi ta hiqte flamurin shqiptar nga objekti i Zyrës së Bashkësisë Lokale të Ujëmirit dhe përjashtohet nga puna. Ishte i vetmi ofiqar që largohet në fillim nga puna. Mandej do të pasojnë përndjekjet e thirrjet e panumërta në polici (meqë në atë kohë përcillja informacione për gazetën "Bujku"/"Rilindja e QIK-un, ishin 13 këso arrestimesh e bastisjesh vetëm më 1990).

Do theksuar se prindërit e tij, babai Gegë Buzhala dhe nëna Mane Buzhala, qenë vrarë nga forcat serbe në mars të vitit 1999, vetëm pse nuk pranuan të dilnin nga shtëpia. I vranë e i dogjën soldateska serbe.

Personalisht, i jam mirënjohës për bashkëpunimin që kishim në shumë lëmi të jetës e gatishmërinë e tij për t'u gjendur afër në çastet e vështira.

Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe rrethit të gjerë.

Pushoftë në paqe!

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!