E marte, 28.06.2022, 01:08 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Arratisja

E hene, 13.07.2020, 08:16 PM


Arratisja

Nga Edison Ypi

Të gjithë donin të arratiseshin. Të shumtët ëndërronin, disa shpresonin, pak niseshin, edhe më pak ja arrinin.

Ata që e "çanin ferrën" numuroheshin me gishtat e dorës.

Prej atyre që niseshin, shumica, pasi përgjakeshin mbi telat me gjëmba ose shqyheshin nga qëni i kufirit, përfundonin në burg.

Kush thotë sot se nuk i ka vajtur kurrë në mendje të arratisej, gënjen, ose ka qënë pjesë e mekanizmave kriminale të pengimit të arratisjes.

Të vetmet vende ku për arratisjen flitej hapur ishin ishujt. Për ishullarët arratisja ishte veprimi më i lartë që mund të kryhej prej më trimave dhe më vizionarëve.

Nuk ka ndodhur kurrë që ishullarët ta dekonspironin njëritjetrin për arratisjen. Rastet fort të rralla që dukeshin të tilla, i përhapte sigurimi për ta dekurajuar arratisjen në përgjithësi.

Tregohej me tallje një mesele për dikend, i cili, duke bërë "autokritikë" gjatë një mbledhje, kishte thënë; I kërkoj kolektivit të më dënojë me arratisje në botën kapitaliste ku vuajnë për bukën e gojës.

Për fort të rrallët që nuk arratiseshin por shkonin në një vend tjetër për ndonjë punë apo specializim, nuk thoshin "udhëtoi" apo "vajti" apo 'iku", por "doli jashtë shtetit".

Bisedat për arratisjen ishin jerm, dehje, delir. Bisedat ishullore për arratisjen ishin nga më të shijshmet. Një ishull që nuk fliste për arratisje nuk ishte ishull. Kur një mesnatë po flisja për një silur me propulsion brenda të cilit parashikoja të arratisesha natën nga Liqeni i Pogradecit, Ilir Strazimiri shqiptoi fjalët lapidare që të nesërmen bënë xhiron e arqipelagut;

Edison Ypi, mos u arratis natën, arratisu ditën për diell që të shohi gjith' mileti.

Si rregull pa përjashtim, kush vendoste të arratisej, nuk mendonte për pasojat, sado dramatike, sado tragjike, dhe askush nuk pyeste, nuk kërkonte spjegime. Arratisja ishte më e larta sakrificë që mund të bëhej ndaj lemerisë së Diktaturës. Arratisja ishte therorizëm, vetflijim, akt sublim, pasojat e të cilit sado tragjike nuk merreshin parasysh, nuk shkoheshin nëpër ment.

Për të kontrolluar dhe mundësisht kthyer ata pak që arrinin të arratiseshin, Sigurimi "hidhte" spiunë "jashtë shtetit". Ishullarët habiteshin; Pse sigurimi spiunët nuk "i dërgon" ose "i nis", por "i hedh" ?

Arratisjet më fatkeqe ishin në Jugosllavi, në Kosovë, prejnga të kthenin.

Më pak dramatike ishin arratisjet në Greqi.

Rastet më të shpeshta ishin tentativat. "Tentativa për arratisje", që mund të ishte edhe vetëm një fjalë goje, kushtonte jo më pak se 15 vite burg.

Fshatrat kufitarë, postat e kufirit, telat me gjëmba, qëntë e kufirit, ishin tema të preferuarat për ata që jo vetëm ëndërronin por edhe përgatiteshin për tu arratisur. Regjimi kishte ngritur një sistem frike dhe survejimi që i kishte bërë pothuaj të gjithë banorët e fshatrave kufitare informatorë. Ushtarët roja kufiri nuk ishin kurrë qytetarë, por vetëm fshatarë. Në fshatrat kufitare veriore silleshin roja nga fshatrat jugorë dhe anasjelltas. Rojat e ardhur dhe banorët informatorë bashkëjetonin në një armiqësi latente që kurrl nuk zhdukej dhe kurrë nuk shpërthente. Banorët nuk guxonin të flisnin keq për rojat. Rojat thoshin për banorët e fshatit; "Janë shumë të poshtër. Mendjen vetëm për tu arratisur e kanë". Për t'i marrë me të mirë banorët e fshatit kufitar, ndonjëherë u sillnin "furnizim" me ushqime në sasira qesharake.

Në Durrës kufiri ishte në breg të detit.

Në Pogradec pas orës 9 të mbrëmjes kufiri ishte zalli i Liqerit ku kërciste çizmja e ushtarit.

Në lindje kufiri fillonte në Librazhd.

Në jug kufiri zinte fill në Gjirokastër.

Në veri, po të hyje në Shkodër, e kishe kaluar tashmë kufirin.

Mënyrat e ëndërruara apo edhe të zbatuara për tu arratisur ishin një botë prej Walt Disney që të linte pa ment;

Hedhje nga ndonjë majë mali me krahë pëlhure si të Ikarit.

Natë e errët. Komardare e fryrë mirë dhe e mbrojtur nga kafshimi eventual prej ndonjë peshkaqeni. Çarçaf i bardhë. Dy bukë. Rrotë djathi. Bidon me ujë. Lopata duart, dhe…drejt e në mes të Adriatikut ose Jonit derisa të kalonte ndonjë anije e huaj që të shihte çarçafin e bardhë të valavitej mbi komardare.

Hedhje me dron nga Çervenaka. U bënë përpjekje, po vështirësitë inxhinierike lidhur me motorrin, lëndën djegëse, shuarësin e zhurmës, elikën, nuk e mundësuan kurrë ndërtimin e atij droni.

Variante të zbatuar;

Nga liqenet e Pogradecit apo të Shkodrës gjatë një nate të errët me not me trupin e lyer me dhjamë derri ose mbi komardare.

Në kokë një sharqi i boshatisur, trupi nën ujë.

Variante të tilla ka ndodhur që të jenë të suksesshëm. Por ka ndodhur, fatkeqësisht një numur herësh, që edhe kur mbi ujrat e liqeneve nuk kapeshin, pasi bënin pak kilometra në drejtim të Maqedonisë ose Malit të Zi, ngatërronin dritat, dritat këndej u dukeshin si dritat andej, dhe ktheheshin nga ishin nisur, ku dihej çfarë i priste.

Të gjithë donin të arratiseshin nga kjo tokë e nëmur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora