E merkure, 21.10.2020, 09:02 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Ernest Koliqi

E hene, 13.07.2020, 08:26 PM


ERNEST KOLIQI

Nga Xhelal Zejneli

Prozatori më i madh dhe më fuqishëm i periudhës së pavarësisë, Ernest Koliqi (1903-1975) lindi në Shkodër më 20 maj 1903. Është bir i Shan Koliqit dhe i Age Cuk Simonit. Mësimet e para Koliqi i mori në Kolegjin Severian të Jezuitëve. Në vitin 1918 i ati e dërgoi për shkollim në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia të Lombardisë. Atje njohu kulturën dhe letërsinë italiane. Poezitë, tregimet e shkurtra dhe komeditë e para i shkroi në gjuhën italiane. Me disa studentë, themeloi në Bergamo gazetën e përjavshme Noi, giovani (Ne të rinjtë). Këtu i botoi edhe vjershat e veta të para. U kthye në Shkodër. Mësuesi i tij, Luigj Bumçi (1872-1945) ka qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Nëpërmjet tij, u njoh me Kolë Thaçin (1886-1941), me Kolë Kamsin (1886-1950), me Lazër Shanton (1892-1945) dhe me Karl Gurakuqin (1895-1971).

Bashkë me Anton Harapin (1888-1946) dhe me Nush Topallin themeloi të përjavshmen opozitare Ora e maleve. Numri i parë i këtij periodiku jetëshkurtër doli në Shkodër më 15 prill 1923. Ishte organ i Partisë Demokratike Katolike, e cila i kishte fituar zgjedhjet në Shkodër.

Shënim: Nush Topalli është baba i kalorësit të shqipes, albanologut dhe akademikut Kolec Topalli (Shkodër, 1938 – Tiranë, 2018). Më 1948, kur Koleci ishte 10-vjeç, për arratisjen e vëllait, babai iu burgos, ndërsa e ëma me tre fëmijët u internuan në kampin e Tepelenës. Është autor i veprave kapitale “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, Tiranë 2007, “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, Tiranë 2011. “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, Tiranë, nëntor 2017.

*   *   *

Figura më të njohura politike dhe letrare të kësaj kohe ishin Gjergj Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid’hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli (1882-1965). Tani e tutje, afirmohej edhe poeti i ri, Koliqi. Në këtë kohë botoi poemën dramatike “Kushtrimi i Skanderbeut”, Tiranë 1924. Vepra përmban ode për Gjergj Kastriotin (1405-1468) si dhe për figura të tjera të mëdha të historisë së popullit shqiptar. Koliqi i krijoi odet sipas traditës së letërsisë së Rilindjes Kombëtare.

Në dhjetor të vitit 1924, Ahmet Zogu (1895-1961) mori fuqinë me një grusht shteti. Koliqi dhe shumë intelektualë të tjerë të shquar u detyruan të emigronin. Koliqi u vendos në Tuzëll (Tuzla) të Bosnjë e Hercegovinës. Në Jugosllavi qëndroi pesë vjet. Në Tuzëll ku qëndroi tre vjet, u njoh me krerë të fiseve të malësisë shqiptare të veriut, të cilët po ashtu ishin në mërgim. Këmbyen mendime për zakonet e lashta të malësorëve, për letërsinë gojore dhe për tiparet heroike të mënyrës së tyre të jetesës.

Në vitet 1930-1933 Koliqi punoi si profesor në shkollën tregtare të Vlorës si dhe në gjimnazin e Shkodrës. Rrethanat politike e detyruan të largohet në Itali. Duke botuar artikuj studimorë për historinë dhe për letërsinë shqiptare, e njoftoi publikun italian me kulturën shqiptare. Koliqi shërbeu si ndërmjetës kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

Për ta njohur brezin e ri të intelektualëve shqiptarë me letërsinë italiane, në vitet ’30 Koliqi solli në shqip poezi të poetëve të Apenineve. Botoi antologjinë në dy vëllime “Poetët e mëdhej t’Italisë”, Tiranë 1932, 1936. Vëllimi i parë përmbante përkthimet nga Koliqi të klasikëve: Dante Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321), Françesko Petrarka (Francesco Petrarca, 1304-1374), Ludoviko Ariosto (Ludovico Ariosto, 1474-1533) dhe Torkuato Taso (Torquato Tasso, 1544-1595). Vëllimi i dytë ndërkaq, përmban përkthime poetësh të shekujve XVII dhe XVIII: Xhuzepe Parini (Guiseppe Parini, 1729-1799), Vinçenco Monti (Vincenzo Monti, 1754-1828), Ugo Foskolo (Ugo Fiscolo, emri i vërtetë Niccolo Foscolo, nga nëna greke; Zakint, Greqi, 1778 – Turnham Greent / Londër, 1827) dhe Alesandro Manzoni (Alessandro Manzoni, 1785-1873).

Në vitin 1933 Koliqi u regjistrua në Universitetin e Padovës. Studioi pesë vjet pranë gjuhëtarit Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1983). Në këtë universitet Koliqi punoi si profesor i gjuhës shqipe. Në vitin 1937 mbrojti tezën Epica popolare albanese (Epika popullore shqiptare). Që andej, bashkëpunoi me botuesit e të përjavshmes kulturore “Iliria” që filloi të dalë në Tiranë më 4 mars 1934. Tanimë Koliqi ishte një albanolog i njohur. Në vitin 1939 Koliqi udhëhoqi katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.

Koliqi ishte njohës i mirë i kulturës dhe letërsisë italiane. I njihte mirë krijimet e poetëve të gadishullit të Apenineve. Midis tyre edhe të poetëve Xhozue Karduçi (Giosue Carducci, 1835-1907), Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912) dhe Gabriele d’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938).

Në kohën e synimeve ekspansioniste të fashizmit italian, Vangjel Koça (1900-1943) dhe Vasil Alarupi (1908-1977) ishin mbështetës të vërtetë të ideologjisë së sipërthënë. Rritja e ndikimit italian në Shqipëri përfundoi të premten e Pashkëve në vitin 1939 me pushtimin dhe aneksimin ushtarak të Shqipërisë.

Duke qenë nacionalist, Koliqi bëri ç’është e mundur për ta zhvilluar kulturën shqiptare edhe në kohën pushtimit italian. Në vitet 1939-1941 Koliqi u bë ministër i arsimit. Në këtë mes, ndihmoi botimin e një antologjie të letërsisë shqiptare, në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë”, Tiranë 1941. Vepra u redaktua nga gjuhëtari Namik Resuli (Berat, 10.9.1908 – Torino, 12.9.1985) dhe nga gjuhëtari e folkloristi Karl Gurakuqi (Shkodër, 1895 – Palermo, 1971). Në këtë botim që nuk është kapërcyer sot e kësaj dite, punuan studiuesit më të mirë të kohës.

Shënim: Namik Resuli është autor i botimit kritik shkencor Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Reproduzione e transcrizione (Città del Vaticano, 1958). Ky botim është i pari i llojit të vet në historinë e albanologjisë dhe si i tillë, shënon fillimet e filologjisë moderne shqiptare.

Në vitin 1940 Koliqi themeloi dhe drejtoi të përmuajshmen letrare dhe artistike “Shkëndija”. Revista dilte në Tiranë.

Shqiptarët nën Mbretërinë Jugosllave, nuk kishin të drejtë të deklaroheshin si shqiptarë. Rrjedhimisht, nuk kishin të drejtë shkollimi në gjuhën amtare.

Nën drejtimin e Koliqit si ministër, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, për herë të parë u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Me ndihmën e tij u hap shkolla e mesme në Prishtinë, ndërsa studentëve nga Kosova iu dha bursë për të ndjekur studimet në Itali dhe në Austri. Në shumë qytete të trojeve shqiptare - në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ku deri atëherë ishte i ndaluar shkollimi në gjuhën shqipe, Koliqi çeli një numër të madh shkollash shqipe dhe dërgoi mbi 200 mësues.

Duke i ofruar punë si profesor në Shqipëri, Koliqi u përpoq të shpëtojë prej nazistëve albanologun austriak me prejardhje çifute Norbert Joklin (1877-1942).Në vitet 1942-1943 Koliqi ishte kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë, që sapo ishte themeluar. Ky institut do të jetë pararendës i Akademisë së Shkencave.

Para se ta merrnin pushtetin forcat fitimtare komuniste, Koliqi u largua nga Shqipëria për t’u vendosur në Itali. Veprimtarinë e tij në fushën e letërsisë dhe të kulturës e vazhdoi pa reshtur. Në vitet 1957-1973 botoi në Romë periodikun letrar “Shéjzat” (Le Plèiadi). Revista ndiqte zhvillimet letrare në botën shqipfolëse. U bë tribunë e letërsisë arbëreshe, mbrojti trashëgiminë e autorëve të paraluftës, të autorëve në mërgim të cilët ishin anatemuar nga kritika zyrtare e pasluftës.

Më pas botoi monografitë “Poesia popolare albanese” (Poezia popullore shqiptare), Firence 1957, “Antologia della lirica albanese” (Antologjia e lirikës shqiptare), Milano 1963 dhe “Saggi di litteratura albanese” (Sprova për letërsinë shqiptare), Firence 1972.

I konsideruar si ithtar i letërsisë borgjeze, reaksionare dhe fashiste, nga autoritetet e pasluftës Koliqi u godit rëndë.

Me bashkëshorten Vangjelije Vuçani, Koliqi kishte dy fëmijë, Markun dhe Elizabetën. Vdiq në Romë më 15 janar 1975.

*   *   *

Vepra – Në periudhën e pavarësisë, në aspektin e vëllimit dhe të gamës, proza e letërsisë shqiptare shënoi një rritje të konsiderueshme. Kjo periudhë e letërsisë arriti kulmin në vitet tridhjetë dhe në fillim të viteve dyzet. Shumë intelektualë shqiptarë, duke qenë të njohur me ide dhe modele letrare evropiane, nisën të krijojnë në prozë, dramë e poezi vepra me vlera të çmueshme. Nga të gjithë prozatorët e periudhës, askush nuk qe më i madh dhe më i fuqishëm se Koliqi.

Për herë të parë bëri emër si prozator me përmbledhjen “Hija e maleve”, Zarë 1929. Janë 12 tregime për jetën e kohës në Shkodër dhe në malësinë e Shqipërisë së veriut. Një pjesë e shkrimtarëve të asaj kohe ende lëngonin nga sentimentalizmi i romantikës kombëtare. Te Koliqi ndërkaq, kemi një trajtim pak a shumë realist dhe analizë psikologjike të karaktereve njerëzore. Përmbledhja përmban tregime të shkurtra që sillen rreth temës qendrore - ndeshje e kulturave: zakonet tradicionale të malësisë, si martesat me shkuesi dhe gjakmarrja fisnore ndeshen me idetë dhe vlerat bashkëkohore perëndimore. Shumë intelektualë shkodranë, në vitet ’20 dhe ’30 ishin shkolluar jashtë. Me t’u kthyer në atdhe, ata u përpoqën për ndryshimin e realitetit të ashpër të Shqipërisë veriore.

Në tregimet e tij, Koliqi flet për rolin dhe rëndësinë e qytetërimit të një kombi të zhytur në errësirën e padijes (tregimi tragjik “Gjaku”); për mësuesin idealist i cili është i shtrënguar të vërë në vend nderin e familjes dhe të hakmerret për vrasjen e të vëllait (i njëjti tregim); Ky tregim të përkujton gjakmarrjen në “Prillin e thyer” të Kadaresë. Në rrëfenja të tjera autori flet për motive dashurie: muzikanti popullor, në saje të talentit të vet, synon të bëjë për vete vashën shkodrane; për vrasje dhe gjakmarrje ndër fiset malësore; për kërcimtaren, e cila nga shpirtrat e malit shndërrohet në vashë të bukur, nga e cila më pas i dashuri i saj zhgënjehet; për ndjekje xhandarësh, të ngatërruar sipas kanunit, me detyrime dhe fjalë bese; për magjinë e mbinatyrshmes mbi komitin; si dhe për Skënderbeun. Shpirtrat e maleve gjithmonë ndodhen në mendjet e fiseve të veriut, kështu që disa tregimeve ua japin frymën e së mbinatyrshmes.

Përmbledhja e dytë e Koliqit me rrëfenja është “Tregtar flamujsh”, Tiranë 1935. Kemi tema të ngjashme me ato të përmbledhjes së parë. Rrëfimi në këtë vëllim me gjashtëmbëdhjetë tregime është më i fuqishëm. Depërtimi në psikologjinë e personazheve të sjellë ndër mend shkrimtarin italian të Sicilisë Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello, 1876-1936) veprën e të cilit Koliqi me siguri e ka njohur. Tregimet e këtij vëllimi vlerësohen si më të mirat e prozës shqiptare të periudhës së paraluftës.

Njëzet e pesë vjet më vonë, Koliqi botoi romanin e shkurtër me 173 faqe “Shija e bukës së mbrume”, Romë 1960. Vepra flet për temën e mallit për atdheun të mërgimtarëve shqiptarë në ShBA dhe ka theks të dukshëm politik.

Koliqi ka qenë i ngacmuar edhe nga muza poetike. Pra, shkruar edhe poezi. Përmbledhjen me poezi “Gjurmët e stinëve” Tiranë 1933 Koliqi i shkroi gjatë viteve të mërgimit në Jugosllavi. Me poezitë në të, në mënyrë filozofike poeti i kthehet vendlindjes së vet. I kthehet Shkodrës me emocionet e stinëve të ndryshme të natyrës, ndërsa formën e poezisë popullore shqiptare e gërsheton me simbolizmin e evropian.

“Symfonia e shqipevet”, Tiranë 1941 është poezi në prozë për tema historike kombëtare që të sjell ndërmend veprën e tij “Kushtrimi i Skanderbeut”. Vepra është përkthye edhe në anglisht “Symphony of eagles”, Romë 1959

Vëllimi poetik i “Kangjelet e Rilindjes”, Romë 1959 po ashtu është shkruar në gegërisht dhe është botuar edhe në italisht.

*   *   *

Pas luftës, Koliqi është gjykuar nga pushtetarët për veprimtarinë politike të tij, ndërsa vepra i është flakur nga historia e letërsisë shqiptare. Veprat letrare dhe artistike vlerësohen me kritere estetike dhe jo me ato politike dhe ideologjike. Historia e letërsisë botërore njeh raste kur shkrimtari në jetën publike apo private të tij ka mbështetur një ideologji që ka qenë në kundërshti me tendencën historike, por këtë s’e ka manifestuar dot në krijimtarinë letrare të vet. Kritika letrare e botës demokratike veprat e një krijuesi të tillë i ka vlerësuar me kritere estetike.

Poeti dhe kritiku amerikan Ezra Paund (Ezra Pound, Hailey/Idaho, 1885 - Venecie, 1972) ishte romanist brilant me arsimi të jashtëzakonshëm. E ndërpreu karrierën e profesorit universitar në ShBA dhe u nis për në Evropë. Vëllimin e parë poetik “Me dritë të fikur” (A lume spento, 1908) e botoi në Itali. Po atë vit u vendos në Londër ku me një grup bashkëmendimtarësh formoi qerthullin poetik imazhizmi. Më 1914 u njoh me të famshmin poet, kritik dhe dramaturg anglo-amerikan Tomas Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965) të shkolluar në Harvard, në Sorbonë dhe në Oksford. Më 1948 Elliët mori çmimin “Nobel”. Midis dy poetëve u lidh një ndër miqësitë letrare më frytdhënëse të shekullit XX. Në dhjetëvjeçarin e ardhshëm ata e transformuan poezinë anglo-amerikane. Më 1920, nga Londra, Paund shkon në Paris ku qëndroi katër vjet. Këtu i bashkëngjitet rrethit të krijuesve të famshëm Gërtrud Stain (Gertrude Stein, 1874-1946), Xhejmz Xhojs (James Joyce, 1882-1941), Heminguei (Ernest Hemingwey, 1899-1961), Frensis Skot Fixhërëld (Francis Scott Fitzgerald, 1896-1940).

Në vitet 1910-1920 Paund ishte personaliteti kryesor i avangardës poetike angloamerikane.

Më 1924 Paund u vendos në Rapall të Italisë ku qëndroi deri në vitin 1945. Gjatë kësaj periudhe poeti pësoi ndryshime. U përfshi nga ideologjia obsesive shkatërruese. Besonte se qytetërimi modern shkon pa kthim drejt shkatërrimit dhe se fajtorë kryesorë për këtë janë qarqet kapitaliste bankare në krye të të cilëve qëndrojnë çifutët. Kjo e afroi poetin me antisemitizmin nazist dhe me fashizmin e Musolinit. Gjatë Luftës II Botërore Paund zhvilloi propagandë kundër aleancës antifashiste, sidomos nëpërmjet radios italiane. Më 1945 u zu në Gjenovë nga ushtria amerikane dhe u shoqërua për në ShBA, ku qysh më 1943 ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për tradhti të lartë. Megjithëkëtë, procesi gjyqësor nuk u mbajt ngase gjykata, në pikëpamje mendore, e shpalli si të paaftë për gjykim. Në vend të burgosjes, e mbyllën në repartin neuropsikiatrik të spitalit “St. Elisabeth” të Uashingtonit, ku qëndroi deri në vitin 1958. Pas kësaj u kthye në Itali.

Me krijimtarinë poetike të Paundit janë marrë kritikët letrarë më të mëdhenj të botës. vepra letrare e tij sot e gjithë ditën studiohet në ShBA dhe në mbarë botën e lirë. Askujt s’i ka rënë ndërmend që krijimtarinë letrare ta lërë në harresë apo edhe ta flakë nga historia e letërsisë për shkak të jetës publike apo private të autorit. Krijimi letrar i Paundit është vlerësuar me kritere estetike dhe jo me kritere jashtletrare.

Në letërsinë shqipe s’kemi asnjë rast të ngjashëm me atë të Paundit. Të çelësh dhjetëra apo qindra shkolla shqipe në të gjitha trojet shqiptare nuk do të thotë se i ke shërbyer pushtuesit. Koliqi është një nga shkrimtarët e shumtë që duhej rivlerësuar. Për rolin e tij në zhvillimin e prozës në letërsinë shqiptare, Koliqi mbetet gjigant.

Në fillim të viteve dyzet, sa i përket stilit të përdorur, gamës tematike, përmbajtjes dhe vëllimit, krijimtaria letrare u zhvillua mjaft. Meritë të madhe për këtë ka botuesi, prozatori dhe studiuesi Koliqi.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora