Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhat Halimi: Me nënën

| E diele, 12.07.2020, 08:48 AM |


Nexhat Halimi

Me nënën

I zbrisje me mund shkallët e shtëpisë tjetër

Të vishe me pjatën me patëllxhan e bizele

Ftohtë i zvarrisje këmbët akullit, moj rebele

Arrije pak pak në lëvizje mendimit të vjetër

-Mos eja më plakë e imja, në këtë stuhi.

I leje të mbathurat te dera e s` flisje dot fjalë

Apo veç prekje llaf për ethe lufte e për valë

Të liroja dorën pjate dhe ikja thellë në vetmi

Më bëje be në çdo gjë të gjallë e të vdekur

Kërkoje t`i ecja udhët e vjetra veç dhe të reja

Asgjë të mos blej pa e parë, mbyll` në thes

Ta zbërthejë cila është  e para pula apo veja

Të nisem çaste më herët të mos arrij i fjetur

Të mbërrij te vetja në çdo takim e aty të pres

Pamje gjysmë e vdekur

I jepem ëndrrës, ti ende vjen në ballkon

A të kujtohet tashmë që s` të kujtohet

Veç pse shpirti ndarë nga trupi s` lexohet

Ja vjen me `i pjatë pemësh e më zgjon

Befas përsëri zhdukesh e ngel veç vetmi

Kot është askush s` vjen të flas me mua

Veç vij e shkoj me hijen tënde në krua

Ka kohë s` ndiej degëzim vetëtime në hi

Iku kujtimit e arrij në Dumnicë ndër lot

Aty të gjej të heshtur buzë jallisë së fjetur

Pa askënd afër i ndjekur malli dhe tretur

Pemët tharë rruga pak e shkelur ka mot

Pamjet gjysmë të vdekura me enigma lart

Frynë erë e çuditshme me shije të thartë