E shtune, 20.04.2024, 12:44 AM (GMT+1)

Mendime

Ruzhdi Ushaku: Moskuptime apo shmangie të qëllimta nga thelbi i polemikës

E premte, 07.11.2008, 11:17 AM


MOSKUPTIME APO SHMANGIE TË QËLLIMTA NGA THELBI I POLEMIKËS

 

-Në lidhje me shkrimin «Përpjekje për të zhvlerësuar dhe zvogëluar rezultatet në fushën e studimeve onomastike  dhe etimologjike» të A. Konushevcit, « Zëri » ,11 nëntor 2006.

 

Nga Prof. Dr. Ruzhdi USHAKU

 

Për shkrimet e fundit të A. Konushevcit dhe punën e tij të dobishme nga fusha e studimeve gjuhësore-onomastike, më duket se kam qenë i qartë dhe nuk i bie moh asaj që kam thënë apo shkruar për të. Ndërkaq, nuk e kam të qartë se cilat janë ato « shumë shpjegime të tij rreth disa emërvendeve  të trajtuara (…) » për të cilat kam shprehur gatishmërinë që të pajtohem me të. Mos mendon vallë në ato të cilat i kanë thënë të tjerët shumë kohë para tij ?! Nuk e kam të qartë se ku e sheh ai përpjekjen time për t’i zhvlerësuarë përpjekjet e tij qëllimmira ?! Vlerësimet ashtu edhe vërejtjet e tij i kam marrë në konsideratë të duhur, prandaj e kam parë të arsyeshme t’i përgjigjem dhe të jap disa sqarime dhe shpjegime plotësuese të cilat në vazhdim morën kahje polemizuese.

 

Paragjykime të pabaza  me digresione të sërishme

 

Nuk i jam bashkuar , as nuk do t’i bashkohem kurrë asnjë kori, grupi apo grupacioni, klani a tarafi. Kjo praktikë është dhe do të jëtë prore e huaj për mua.Kjo hamendje e Konushevcit është fiktive dhe krejt e pabazë. Nëse ka bile një argument të vetëm për këtë, duhet ta thotë publikisht.

Nuk e di cilat janë ato punime e rezultate të tij  me të cilat është paraqitur në shtyp, internet, përkatësisht Wikipedia që unë  qenkësha përpjekur për t’i zhvlerësuar apo zvogëluar, apo qenkësha marrë ndonjëherë me to. ?! Mos jam vallë mëkatar  pse punën e tij të vyer nuk e kam ngritur në piedestalin e epiteteve në shkallën sipërore absolute ?!

A parapëlqehet një fjalor i tillë në punimet sadopak serioze të cilat kanë nisur të bëjnë rrugën e vet ?. Mos jam mëkatar pse rezultatet e tij për tema a çështje të caktuara në forumet e caktuara i konsideroj digresion nga temat e polemikës sonë dhe se atutë e tij bashkë me citimet e referimet e shumta nuk i konsideroj a priori vizë  universale apo imune edhe për çështjet e diskutuara apo të diskutueshme nga libri im në fjalë ?!

A nuk është digresion i tij kur, duke cekur toponimet Ulc-ini-um, Delm-ini-on, Bat-ini, Cum-ini-on e të tjerë të kësaj kategorie, të pakontestuara prej meje, i vendos jashtë tezës së tij për paradigmën e pretenduar Ulqin-Shkumbin ?! Por për digresionet me shumësi të dhënash  kryesisht të njohura , në veçanti, në fund të këtij shkrimi.

 

Kute e kritere kundërthënëse për Valbonën e Shkumbinin

 

Duke cituar burimin në gjuhën angleze dhe duke përkrahur  mendimin se «  prapashtesa –-ona nuk duhet të ngatërrohet me –ona që shfaqet zakonisht në emra lumenjsh(…) » Konushevci harron se i ka futur në të njëjtën kategori me Valbonën edhe emërvendet Grab-ona, Grab-ana , Graban-ica , Vlona e ndonjë tjetër.

Më i arsyeshëm do të ishte inkuadrimi i Valbonës me konkordancat hidronimike  Narab-ona, Bos-ona por, në dallim prej Valb-ona kjo nuk mjafton sepse mungon shpjegimi i duhur i gjymtyrave të para bartëse të kuptimit Narab- përkatësisht Bos- për t’ i vënë

këto në paradigmë më të sigurtë.

Sa i takon shpjegimit të dukurisë o<au, këtë fakt e kam pasur parasysh shumë më herët në një punim dhe kontekst tjetër (Kr. studimin tim për Bunën në f. 16-17 në librin tim më të ri, apo punimin përkatës më të hershëm, botuar edhe në gjuhën angleze. 

Në fjalinë e parë për emërlumin Valbona kam shkruar si vijon : « Hidronimi Valbona në Shqipëri , sipas njohurive që kemi deri më sot, është dëshmuar për herë të parë në formë të shkruar në vitin 1684 si ‘fiume Valbona vulgo Cernizza’ « (Kr. librin tim në fjalë. f.55). Për këtë konstatim timin  Konushevci shkruan : «  Se emërtimi Valbona po na u shfaqka në formë të shkruar  vetëm në shek. XVII, sipas z. Ushaku, nuk çon peshë(…) ». Ky shtrembërim i i konstatimit tim nga ana e Konushevcit (sikur të isha unë kumbar i emërlumit Valbona) nuk ka nevojë për koment, por signalizon  se sa është e rëndësishme që lexuesit serioz t’ i kenë parasysh burimet e dorës së parë dhe t’i krahasojnë me shkrimet e tij dhe të mi gjatë polemikës ,për të gjykuar sa më drejt.

Nëse Konushevci di për ndonjë dëshmi më të hershme të shkruar , por jo të supozuar, për emërlumin Valbona, do t’i isha mirënjohës sikur ta konfirmonte publikisht. Nëse jo, bile mos t’i kapërcejë të dhënat e shumta në librin tim prej Vallis bona nga viti 861 dhe në vazhdimësi sa e sa Valbona e Bonneval-a a të ngjashme me to në hapësirën gjeografike të Italisë, Francës, e mos të flasim për një sërë hidronimesh a toponimesh bitematike me gjymtyrën Val në hapësirën e Shqipërisë dhe Dalmacisë për të cilat ka aq të dhëna në punimet e mia përaktëse.me të dhëna gjeografike dhe kronologjike.

Sa kanë të bëjnë toponimet e cekura më lart Ulc-ini-um, Delm-ini-on, Aig-ini-on, Bat-ini, Cum-ini-on e të tjerë të të këtij lloji, me paradigmën e pretenduar Ulqini-Shkumbini, (përkatësisht me Scampini, të cilin vetë Konushevci e pranon si më të vonë si mundësi kalimi nga Scampa), kur dihet (po e përsëris edhe në këtë rast) se në trajtat më të hershme Genus-us, Genesis flumen Scampa , Scampeis e Hiscampis nuk figuron askund prapshtesa INI në dallim prej emrit të Ulqinit i cili vazhdimisht në diakroni e ruan këtë prapshtesë INI. ?

A nuk është ky digresion nga tema bosht ?! A nuk është digresion kur Konushevci e vendos Shkumbinin edhe në kontekstin e emrave të fortesave të shumta të dëshmuara në De aed. të Prokopit.

Duke iu referuar veprës Ilirët të H. Cekës, të cilës vepër i jam referuar para Konushevcit, ky i fundit e përfundon polemikën duke theksuar rrudhjen e o-së në u të cilën jo vetëm që nuk e kam mohuar por e kam cekur si dukuri shumë kohë para Konushevcit në punimet për emrin e Ulqinit antik Olcinium-Ulcinium, dhe në vazhdimësi Dolcinium-Dulcinium, Valdanos-Valdanus etj., edhe pse kjo nuk është aq relevante për temën bosht. I pa vend më duket edhe paralelizmi i emërlumit Shkumbini, historikisht dhe gjeografikisht i përcaktuar, me emrat e përgjithshëm consobrinus, mulinum, corona. Sa për alternimet e prapashtesës –at me –ak kam shkruar para Konushevcit por sërish edhe pas tij.

 

Valdanusi i pakuptuar dhe i paidentifikuar

Konushevci nuk e ka kuptuar apo nuk don ta kuptojë se konkordanca toponimike me një Valdanusi tjetër te Dubrovnikut nuk njeh në atë hapësirë ndonjë « Lug i Nokës » apo « Vudinoç » tjetër a të ngjashëm me to ku ai Valdanusi tjetër të mund të jetë kalk nga shqipja siç pretendon Konushevci për Valdanusin te Ulqini dhe kot harxhon fjalë për këtë çështje. Nëse ai di për ndonjë « Lugu i Nokës » apo « Vudinoç » te Dubrovniku le ta thotë që ta kemi si argument të rëndësishëm, por jo edhe vendimtar apo absolut për shpjegimin e toponimit Valdanusi apo Valdanosi.

 

Tani për sfidat e Konushevcti

 

Titulli i përgjigjes sime pararendëse « Digresione me shumësi të dhënash kryesisht të njohura » i ka shërbyer Konushevcit si mjet retorik  dhe refren për sfida të njëpasnjëshme. Si duket e ka harruar ndajfoljen domethënëse kryesisht ose e ka ngatërrar me atë kryekeput. Statistikisht mund të konstatohet lehtë se sa dhe çfarë digresionesh ka bërë Konushevci  në reagimet e tij të fundit, sa u është referuar emrave dhe burimeve  të ndryshme  dhe sa ka qenë origjinal me rezultatet e tij të reja dhe të panjohura deri më sot.dhe llogaria është e qartë. Dominojnë gjithsesi të dhënat e njohura dhe ndajfolja kryesisht është plotësisht në vendin e vet. Nëse Konushevci e argumenton të kundërtën, jam i gatshëm ta korrigjoj titullin e shkrimin tim si vijon :  *Digresione me shumësi të dhënash kryesisht të reja dhe të panjohura apo kyekëput të reja.

 

Përfundim

 

Vlerësimi i kësaj polemike u mbetet të tjerëve, sot ose nesër, këtu apo diku tjetër. Binarët të cilëve kam rrugëtuar janë kryesisht të verifikuar dhe të vlerësuar, të vlerësueshëm edhe më tej përgjithësisht, përkatësisht në rastin konkret. Edhe A.Konushevci i ka binarët e vet, të vlerësuara dhe të vlerësueshme, me perspektivë më të gjatë jetësore. Eshtë e drejtë e tij të vë pikë në këtë polemikë aq sa edhe imja, duke mos harruar aksiomën përkatësisht teoremën e njohur, dhe të verifikuar përgjithësisht, se në shkencë ka prore vend për… 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora