E enjte, 28.03.2024, 08:04 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Ëndrra e trembur

E shtune, 11.07.2020, 06:13 AM


Ëndrra e trembur, del hair!

Tregim

Nga Përparim Hysi

Ky tregim i jetuar është si një shtojcë apo epilog i tregimit " E gjeta,VANGJEL!". Nuk stërzgjatem,kur tregoj ,se e di mirë që lexuesi është pak si snob apo qibar. Nuk para i pëlqen historitë e gjata dhe aq më tepër e vështirëson punën me auditorin lexues një tregimtar i rëdomtë si puna ime. Unë jam fshatar me ADN të fortë dhe fshatarët thonë:- Vetëm litari duhet i gjatë, kurse biseda sa më e shkurtër.

*     *    *

Nuk kish kaluar as një javë nga aksidenti ku unë dola pa"lagur", por mendja më rrinte tek ngjarja. Kështu do të qe,se një natë pashë në ëndërr një gjarpër,që,sa më pa që shpëtova nga aksidenti, më sulmoi. U alarmova dhe nuk kisha asnjë gjë në dorë për t'u mbrojtur. Epo dy duar për një kokë,por këtë  radhë këmbët m'u bënë duar dhe e shkela gjarpërin me aq forcë, sa pashë që tundi bishtin dhe ngordhi. Kështu ndodhi natën dhe,kur po tregoja në mëngjes (epo kush e mban të keqen  për vete?), babai foli para të tjerëve:- Ëndrra e trembur ka për të dalë hair! Nuk kish qetësues më të mirë se kaq. Në mëngjes (qe dita e fundit të marsit 1968), i hipa biçikletës dhe drejt qytetit. Qeshë në pritje të asaj letrës që i kisha bërë ENVER HOXHËS. Atë kohë,Enver Hoxha, kish deklaruar haptas: " Çdo mëngjes unë e filloj punën duke lexuar letrat nga populli". Dhe me mua ndodhte ajo gjendje emoconale e ariut me ujkun. Ariu i paska thënë ujkut:- Sivjet, do zënë shumë gorricat! -Ku e di ti?- pyeti ujku. -Epo më hahen mua,- i dha fund ariu.

Kështu mendova dhe unë,"populli" që prisja përgjigje. E dija mirë që letra vinte në komitet të partisë dhe jo mua"popullit" në dorë. Ngaqë shpresa humbet e fundit, kalova andej nga komiteti hapur pa hapur zyrat mirë. Kur më hodhi sytë një"shenjt" nga ata që punonin atje. Qe instruktor në komitet të partisë dhe nuk kam njohur njeri më të ndershëm sa ai. E dinte hallin tim( më kish ndjekur në ballafaqimet me sekretarët) dhe,sa më pa, më thirri brenda.

- Dëgjo,- më tha, dje ka ardhur fonogram nga shoku Enver (ti i ke bërë një letër) dhe ka porositur   që do të fillosh mësues në Petovë (Petova është vendlindja ime). Jo vetëm kaq,- shtoi SHENJTI,i miri dhe altruisti HYSEN MEMA, por shoku Enver e ka shoqëruar fonogramin dhe me fjalët:- Personi (është fjala për Zotninë time) ka bërë një autokritikë bolshevike dhe nuk i ka fshehur asgjë partisë. U bëra me krahë dragoi dhe qeshë gati ta ngrija atë komunist aq të ndershëm në krahë. Por"Shenjti" kish njohur shumë entuziastë si unë dhe për t'u vënë vulën fjalëve të tij, më tha:- Këta do ta mbajnë fshehur,se duan që të zbatosh vendimin e Komitetit Ekzekutiv. Sa kam vënë re, ti gojën nuk e ke veç për bukë dhe porosia tjetër:askush nuk duhet të marrë vesh për çka biseduam.

E përqafova atë njeri aq të mirë dhe tani qeshë bërë si ANTEU që,pasi prekte tokën, bëhej dy herë më i fortë. Tani nuk isha i pushuari nga puna për biografi, por një tjetër,fare tjetër. Për mua kish dhënë porosi ENVER HOXHA! M'u kujtua një nga kapterat veteranë në repartin ushtarak të SHËNGJINIT ku shërbeva trivjet. Kapteri qe nga fshati Kashnjet i Lezhës dhe më thosh:" Përparim,a e di se si themi ne, katolikët:- Po e pate mirë me Perëndinë,shenjtët nuk kanë ça me të ba". E kujtova kapterin e zgjuar,KOLË  HILA dhe buza  më shkoi vesh më vesh.

*     *    *

Dhe tani "froni i punës sime" u vendos aty,përballë Komitetit Ekzekutiv. Dora-dorës,isha ai punëtori mitik dhe i papunë tek skica"Molla të ndalueme" të Migjenit. Dhe ashtu si ai, pa i lënë gjë mangut,sodisja në një fasad muri "dacibaot"e kohës apo"fletërrufetë". U kthehesha dhe u stërkthehesha atyre,se i ngeshëm isha dhe mezi prisja... Kur u shfaq dikush. Qe shefi kabinetit të partisë në rreth që më njihte mirë. Më përshëndeti (duket më tatoi pulsin) dhe kaq. Sapo matesha të largohesha, më hoqi pak mënjan dhe më tha:- Përparim, ti ke bërë një letër dhe është vendosur që të kthehesh në arsim,por vetëm me një konditë:-Shko sot në fermë (fshati ku banoja ishte sektor ferme),puno atje nja dy orë dhe,pasi të sjellësh një shkresë që atje,së fundi,e zbatove vendimin e Komietit Ekzekutiv që punove në prodhim dhe do kthehesh në arsim.

Po unë ku harroja dot atë porosinë e kapter KOLËS dhe ia prita flakë për flakë:- Jo, nuk do shkoj të punoj në fermë,por po shkoj në POSTË dhe do t'i bëj telegram ENVER HOXHËS me këtë tekst:- Fjala juaj nuk pi ujë në FIER!!! Po kërcënoja me kobure bosh,por zyrtarin sikur e shpoi bodeci në vend të lig, u hodh përpjetë nga e keqja, më mbërtheu dorën (kish frikë mos ikja), m'u lut që ta ndiqja pas në zyrat e komitetit. Më la një fragment minute në korridor dhe më ftoi në zyrën e sekretares së komitetit.Aty për aty mbrriti dhe shefi i seksionit. U bënë tre. Fjalën e morii seketarja M...:- Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që të fillosh në arsim në fshatin Petovë. Kjo,sekretarja, qe ajo e "orgazmës" kur më vendosi në njërën dorë kazmën dhe në tjetër shatin.

E mora shkresën në dorë dhe u thashë:- Për mua të rrojë shoku Enver se për ju"kur të lodhesha në kazëm,do çlodhesha në shat!".Atyre mend u ra tavani mbi kokë. Në ankesën time, i citoja me emra dhe,Enver Hoxha, tek ka lexuar letrën time,duhet të ketë qenë në orët e tij të mira,se,siç mora vesh më vonë, i kish fshikullar pakëz. E mora emërimin dhe filova më 1 prill 1968 dhe në Petovë punova gati 25-vjet. Epo në MYZEQE thonë:- Kau në vendin e tij,e çan brazdën drejt. E,- më tha babai,- a nuk të thashë? Shtëpia ime buçiti atë mbrëmje të 31 marsit 1968.

*     *    *

Më tepër se një epllog

Plagët e pambyllura të biografisë sime, i kish rëmuar deri në rrjedhje një kushëriri ynë, komunist nga viti 1943. Ai kish bërë një letër prej një faqe e gjysëm dhe nuk kish lënë "plagë" pa rëmuar. Kish shpifur sikur babai im kish qenë Komandat me Ballin Kombëtar dhe,ndërsa përmendte të ndjerin xhaxhain tim,HILMI HYSI që u pushkatua me grupin e dytë te deputetëve,shtonte se imatë i bënte karshillëk partisë,se e kish ringjallur duke i vënë emrin njërit prej dejmëve të tij(këtu nuk kish gënjyer). Thoshte për hallat e mia(të martuara që në kohën e Zogut) se qenë martuar në dyer armiqësh. Por kushëriri im i"dashur"(epo yti të nxjerrë sytë),qe jo vetëm i shqetësuar,por dhe radikal:- Përparim Hysi nuk duhet të edukojë brezin e ri.Letra është e gjatë (për fat të mirë,ra në dorën time dhe e kam ende) dhe,pa e ditur se ç'kish broçkollitur ai, unë i tregoja ENVER HOXHËS çdo gjë.Mbi të gjitha, nënvizoja që xhaxhai im,me profesion jurist, i arsimuar në MON PELE, quhej HILIM HYSI dhe qe pushkatuar me Grupin e dytë të deputetëve me RIZA DANIN e Co... Dhe qe fat për mua që Enver Hoxha vendosi në favorin tim. Ky qe "takimi" i parë (virtual) me ENVER HOXHËN,por nuk qe i vetmi.

*    *   *

Kur po moshohej,Enver Hoxha,seç rishikoi një nga veprat e tij . Dukej se"fantazma e Bankos" po i sllej përqark dhe ashtu siç ka  patur një rubrikë tek "Zëri i populit",pohojnë me gojën  e tyre,ai me gojën e tij pohon: "... kur fashistët më kërkonin deri në qiell, unë me Delikaten shetisnim fare hapur para syve të tyre. Do të thoni:- Si ishte e mundur? Dhe po vet vazhdon:- A e kini parë një foton time me syze e mustaqe në MUZEUN e LUFTËS? Atë fotografi ma ka bërë Qemal Stafa. E ngjita këtë fotgrafi në letërnjoftimin që ma dha një shok. Do të thoni:-Po si quhej?  Ja që nuk më kujtohet,por mbiemrin e kishte HYSI!! (kini parasysh që xhaxhai im,HILMI HYSI, mbante syze e mustaqe dhe qe shok me Enver Hoxhën. Por pohimi vazhdon dhe më tej: për Delikaten letrërnjoftimin na i dha gruaja e tij që e quanin VERA. Ne dhe sot e kësaj dite në shtëpi Nexhmies i thërresim Vera.

Kush ishte VERA? Enver Hoxha luante si artist,kur i duhej. VERA është xhaxhesha ime MYNEVER SKRAPARI (SANXHAKU) që ishte bashkëshoqe e Nexhmies në Institutin "NANA MBRETËRSHË".Ngjanin aq shumë sa DELIKATJA nuk kish pse ndërhynte tek letërnjoftimi.Por sozia Vera nuk luajti as gishtin,kur xhaxheshës sime i pushkatuan të shoqin në moshën 35-vjeç,dhe VERËN origjinale  e dëbuan nga shtëpia në TIRANË dhe bashkë me dyçupat e saj,njërën 6-vjeç dhe tjetrën 4-vjeç e dërguan në një fshat të largët të LUSHNJËS. Deilkatja nuk lëvizi as gishtin kur VERËN e pushuan nga puna si mësuese dhe dërguan punëtore në një nga fabrikat e Tiranës. E për më tej:edhe sot e kësaj dite nuk i kemi gjetur eshtrat e xhaxhait tim. Histori të trishta që nuk harrohen lehtë.

Trianë,10 korrik  2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora