Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Riorganizimi dhe ripozicionimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni

| E shtune, 11.07.2020, 02:47 PM |


RIORGANIZIMI DHE RIPOZICIONIMI I FAKTORIT POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONI - IMPERATIV I ÇASTIT HISTORIK

Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje territoriale, është çështje e territorit të pushtuar

Nga Xhelal Zejneli

Në një shtet dyetnik siç është Maqedonia, bashkësia etnike e caktuar pozitën e vet synon ta mbrojë në dy mënyra:

- duke realizuar liri dhe të drejta të caktuara qytetare; ose

- duke realizuar të drejtat kombëtare.

Për liri dhe për të drejta qytetare pretendon pakica etnike apo minoriteti. Ndërkaq, një bashkësi etnike që paraqet forcë demografike, krijuese, prodhuese, mbrojtëse, që posedon dimension historik dhe që paraqet vlerë politike e intelektuale – siç janë shqiptarët në Maqedoni - lufton për status politik.

Kudo në Ballkan, shqiptarët janë popull autokton. Popujt rrënjës gjithmonë synojnë të drejta politike dhe jo liri apo të drejta qytetare.

Statusi politik i shqiptarëve në Maqedoni mund të zgjidhet në disa mënyra:

I. Zgjidhja sipas Marrëveshjes së Ohrit - Marrëveshja e Ohrit shqiptarëve u mundëson:

- Realizimin e të drejtave kulturore, siç janë: e drejta e arsimimit në gjuhën amtare, në të gjitha nivelet e arsimit; dhe e drejta e kultivimit të traditave kulturore.

- Realizimin e të drejtave kombëtare në nivel vendor, siç janë: përdorimi i gjuhës shqipe me anë të përkthimit dhe përdorimi i cunguar i simbolit kombëtar.

- Ligjet që i prekin interesat e bashkësisë etnike “joshumicë” të miratohen me të ashtuquajturin parim të Badinterit. Me parimin e Badinterit nuk nënkuptohet vetoja klasike apo tradicionale. Me të nuk nënkuptohet miratimi konsenzual i akteve juridike. Përveç kësaj, në këtë vend ku përpos shqiptarëve jetojnë edhe minoritetet etnike si: vllehtë, romët, turqit, serbët - parimi i Badinterit lehtë mund të keqpërdoret.

Me tri të drejtat e lartpërmendura, d.m.th. me të drejtat kulturore, me të drejtat kombëtare në nivel vendor dhe me parimin e Badinterit, shqiptarët në Maqedoni nuk e kanë statusin e popullit shtetformues.

Me interpretimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit nga VMRO-ja, shqiptarëve në Maqedoni u rrezikohen dhe u vihen në dyshim edhe tri të drejtat e lartpërmendura, të parashikuara me të. Rrjedhimisht shqiptarët, prej një bashkësie etnike me të drejta të pjesshme, të mbrojtura me kushtetutë, shndërrohen në pakicë dhe në minoritet me të drejta të nëpërkëmbura.

II. Autonomia kulturore - Zgjidhja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni nëpërmjet një autonomie kulturore, kurrë nuk do të pranohet. Me një autonomi kulturore shqiptarëve mund t’u mundësohen kryesisht të drejta kulturore, siç janë: arsimimi në të gjitha nivelet në gjuhën shqipe, kultivimi i vlerave dhe i traditave kulturore folklorike, mediumet në gjuhën shqipe... Prej vitit 2006 e këndej, nacionalistët sllavë tentojnë që shqiptarët t’i joshin, madje jo me zhvillim kulturor, por me ndërtime infrastrukturore.

III. Autonomia politiko-territoriale – është një prej zgjidhjeve të mundshme të çështjes shqiptare në Maqedoni. Ky lloj autonomie nuk mundëson subjektivitet politik qendror të mjaftueshëm. Mbartës të shtetësisë do të ishin kryesisht maqedonasit. Megjithëkëtë, në shtetet me hapësirë gjeografike të vogël siç është Maqedonia rrallëkund praktikohet. Një zgjidhje si kjo, e dobëson kohezionin e shtetit dhe i nxit tendencat centrifugale të bashkësive etnike. Si rrjedhojë, krijohen mundësitë e dekompozimit të tij.

IV. Kuvendi me dy dhoma dhe e drejta e përdorimit të vetos - Shqiptarët në kuvendin shtetëror, për çështjet që kanë të bëjnë me interesat kombëtare, të kenë të drejtën e përdorimit të vetos. Me fjalë të tjera, aktet juridike që i prekin interesat e shqiptarëve, të miratohen me konsensus. Kjo zgjidhje politike do të bënte të mundur decentralizimin e mirëfilltë të pushtetit qendror dhe subjektivitetin e plotë të shqiptarëve në shkallë vendore.

Me interpretimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit nga pala maqedonase, në Maqedoni nuk kemi një decentralizim të njëmendët të pushtetit qendror. Një pjesë e madhe ingjerencave të pushtetit vendor vazhdojnë të jenë nën kompetencat e pushtetit qendror. Në anën tjetër, shqiptarët për të pasur pushtet vendor vërtet të decentralizuar, duhet të manifestojnë kapacitet administrues. Me hedhurinat nëpër rrugë dhe me çrregullimin e planit urbanistik nuk dëshmohet potenciali udhëheqës. Në asnjë vend të botës së qytetëruar nuk ndodh që në çdo hapësirë të gjelbër të ngrihet ndërtesë. Kuvendi me dy dhoma mund t’u mundësojë shqiptarëve të drejta të plota në shkallë vendore si dhe të drejta të pjesshme në shkallë qendrore, d.m.th. ato që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare themelore, përfshi edhe ndarjen e drejtë të buxhetit të shtetit.

Sipas zgjidhjes së lartpërmendur, shqiptarët do të ishin bashkësi etnike me të drejta kombëtare themelore, të garantuara me kushtetutë, por nuk do të ishin popull konstitucional. Trashëgues të shtetësisë, mbartës të shtetësisë dhe popull shtetformues, d.m.th. komb – do të ishin maqedonasit.

Zgjidhja e sipërthënë nuk e cenon karakterin unitar të shtetit, por shteti nuk është tanimë monoetnik dhe centralist. Gjuha shqipe, përpos në organin ligjvënës të shtetit do të përdorej edhe në atë ekzekutiv. Zgjidhja e sipërme e parandalon pozitën dominuese të maqedonasve mbi shqiptarët.

Zgjidhja e sipërthënë në asnjë mënyrë nuk i cenon, as i rrezikon interesat kombëtare të popullit maqedonas. Përkundrazi, zgjidhjen e sipërthënë Maqedonia bëhet më e qëndrueshme edhe më demokratike. Zgjidhja e lartpërmendur e statusit politik të shqiptarëve është pothuajse identike me zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të parashikuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, nën premisën që ajo të interpretohej drejtë, përkatësisht të mos keqinterpretohej, të mos shtrembërohej apo të mos interpretohej njëanshëm.

Problemi shqiptar në Maqedoni sot, qëndron pikërisht në keqinterpretimin dhe në shtrembërimin e Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht në interpretimin e njëanshëm të saj.

Duke qenë se Marrëveshja e Ohrit paraqet zgjidhje të pjesshme të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe duke qenë se interpretimi i njëanshëm i saj këtë zgjidhje të pjesshme akoma më shumë e diskrediton, atëherë rezulton fakti se ultra-nacionalistët maqedonas: tentojnë ta mohojnë luftën e 2001-shit, nuk duan ta njohin UÇK-në dhe kanë për qëllim ta komprometojnë krahun politik të luftës.

Duke qenë se Marrëveshja e Ohrit u hartua në prani të faktorit politik ndërkombëtar influent, atëherë është detyrë e tyre të ndërhyjnë menjëherë për ta ndaluar diskreditimin e saj.

Po qe se nuk ndërpritet nëpërkëmbja e Marrëveshjes, atëherë faktori politik shqiptar duhet të riorganizohet. Me fjalë të tjera, çështja shqiptare në Maqedoni mund të radikalizohet.

V. Federalizimi i Maqedonisë - Pozita e shqiptarëve në Maqedoni mund të zgjidhet edhe duke ua mundësuar atyre statusin e popullit shtetformues, që mund të realizohet nëpërmjet federalizmit të saj.

Për të qenë shqiptarët popull shtetformues, nevojitet që Maqedonia të përkufizohet me kushtetutë si vend i dy popujve: i popullit shqiptar dhe i popullit maqedonas. Me këtë nënkuptohet që:

- Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e vendit;

- Gjuha shqipe të përdoret gjatë komunikimit ndërkombëtar;

- Simbolet e shtetit, d.m.th. flamuri, himni dhe stema - t’i përmbajnë në vete vlerat historike, politike dhe kulturore të të dy popujve;

- Kuvendi i shtetit të përbëhet prej dy dhomave: dhomës së bashkësive etnike; dhe dhomës së qytetarëve;

- Në dhomën e bashkësive etnike, të gjitha ligjet të miratohen sipas parimit të konsensusit. Me fjalë të tjera, secila nga bashkësitë etnike të ketë të drejtën e vetos;

- Kontributi në krijimin e buxhetit të shtetit të jetë në përputhje me potencialin demografik dhe ekonomik të të dyja bashkësive etnike;

- Ndarja e buxhetit të shtetit të bëhet në përputhje me përqindjen e popullsisë të bashkësisë etnike shqiptare;

- Decentralizimi i pushtetit qendror dhe subjektiviteti politik, ekonomik dhe kulturor i bashkësive etnike në shkallë vendore.

Në nivel vendor, të dyja bashkësitë etnike – shqiptarët dhe maqedonasit – krahas simboleve shtetërore të përbashkëta, do të kishin të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare të veta - flamujve kombëtarë, të himneve kombëtare dhe të stemave kombëtare.

Zgjidhjet e mësipërme nënkuptojnë federalizmin e Maqedonisë. Në Maqedoninë federale shqiptarët do të ishin faktor politik vendimmarrës në nivel qendror.

Federalizimi i një shteti, në rastin konkret i Maqedonisë, nuk nënkupton me domosdoshmëri edhe krijimin e kufijve të brendshëm. Ka shtete federale me kufij të brendshëm, por ka edhe të shtete që nuk kanë kufij të tillë.

Shtete federale, përkatësisht konfederale nuk janë vetëm Belgjika apo Zvicra. Të tillë shtete kemi edhe në rajon. Bosnja dhe Hercegovina për shembull, përbëhet prej dy entiteteve dhe tre popujve konstitutivë. Entitete janë: Federata Muslimano-Kroate, me 51% të territorit të përgjithshëm dhe Republika Serbe, me 49% të tij. Popuj konstitutivë janë: boshnjakët (myslimanët) - me 44% të popullsisë së përgjithshme, serbët – me 33% dhe kroatët – me 17%. Janë edhe do minoritete – 6% (këto të dhëna të vitit 1992 përputhen 99% me të dhënat e vitit 2008). Të tria gjuhët, d.m.th. boshnjakishtja, serbishtja dhe kroatishtja janë zyrtare. (Politika zyrtare serbe, kombin boshnjak dhe gjuhën boshnjake e njeh vetëm përballë ndërkombëtarëve. Përndryshe shkolla serbe nuk njeh komb dhe gjuhë boshnjake). Me fjalë të tjera, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy njësive politiko-territoriale dhe prej tre popujve shtetformues. Derisa serbët kanë entitet të veçantë, myslimanët dhe kroatët kanë entitet të përbashkët. Edhe kroatët duan entitetin (territorin) e vet, ndaj me zgjidhjen e Dejtonit nuk janë të kënaqur. Uashingtoni dhe Berlini duket sikur i thonë Zagrebit: Me ndihmën e “Stuhisë” i dhamë fund separatizmit serb në Kroaci. Rrjedhimisht, kroatët në BH duhet të pajtohen me zgjidhjen e Dejtonit”.

VI. Maqedonia me dy entitete - Çështja shqiptare në Maqedoni mund të zgjidhet edhe nëpërmjet krijimit të një Maqedonie me dy entitete, d.m.th. me dy njësi politiko-territoriale: me entitetin shqiptar dhe me entitetin maqedonas. Maqedonia me dy entitete do të përbëhej prej dy kombeve: prej kombit shqiptar dhe atij maqedonas. Kufijtë e brendshëm të entiteteve nuk kanë karakter ndërkombëtar. Kufiri i entiteteve në fakt është administrativ.

Mirëpo, krijimi i entiteteve nënkupton luftë për territore. Pothuajse kurrë në histori nuk ka ndodhur që territoret të përvijohen pa luftë të përgjakshme. Lufta për Maqedoninë do të shpinte në bellum omniem in omnes. Uashingtoni dhe Berlini nuk do ta lejonin një luftë të tillë, rrjedhimisht as edhe zgjidhje radikale.

Dy kombet që e përbëjnë shtetin me dy entitete, në një moment të caktuar historik, mund të ndahen, qoftë me luftë, qoftë në rrugën paqësore. Serbia për shembull, në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX, shkaktoi katër luftëra: në Slloveni (lufta zgjati dy javë), në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Ndërkaq, Çekosllovakia që ishte shtet federal me dy njësi politiko-territoriale u nda në rrugën paqësore.

Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është çështje e pakicës apo e minoritetit, nuk është çështje e të drejtës së zbatimit të parimit të Badinterit apo të vetos në Kuvend, nuk është çështje e njohjes së statusit të popullit shtetformues apo e federalizmit të vendit. Nuk është as kontest territorial. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje territoriale, është çështje e territorit të pushtuar.

VII. E drejta për vetëvendosje - Një mundësi tjetër e shqiptarëve në Maqedoni është edhe e drejta e tyre e natyrshme për vetëvendosje. Kjo e drejtë është historikisht e justifikueshme, për arsye se:

- Shqiptarët, në hapësirë të caktuar, banojnë në mënyrë kompakte;

- Shqiptarët kufizohen me vendin amë – Shqipërinë;

- Me maqedonasit nuk i lidh as gjuha, as kultura, as tradita dhe as feja;

- Ç’prej vitit 1912, përkatësisht 1944 deri më sot, shqiptarët në Maqedoni kanë qenë populli më i shtypur në kontinent;

- Maqedonasit ndaj shqiptarëve, njësoj si serbët, janë të ngarkuar me paragjykime;

- Sot e kësaj dite, maqedonasit tentojnë ta ruajnë pozitën dominuese mbi shqiptarët;

- Sot e gjithë ditën maqedonasit synojnë t’i mbajnë shqiptarët në pozitë inferiore dhe t’i shndërrojnë në koloni;

- Duke qenë popull me identitet të diskutueshëm, maqedonasit janë në mosmarrëveshje me fqinjët. Kjo - pa fajin e shqiptarëve - e zvarrit procesin euro-integrues të këtij vendi.

Po të realizohej plani i kriminelëve serbë – kryetarit Tomisllav Nikoliq dhe kryeministrit Ivica Daçiq për ndarjen e Kosovës, do të çelej kutia e Pandorës, me pasoja për tërë rajonin, përfshi edhe Maqedoninë.

Më 11.10.201