E premte, 19.04.2024, 11:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Fishta, shqiptari dhe invektiva poetike

E merkure, 15.07.2020, 08:28 AM


FISHTA, SHQIPTARI DHE INVEKTIVA POETIKE

(Kundrime eseistike), 10

Nga Prend BUZHALA

Të gjithë dimë për polemosin fishtian. Fillimisht kundër qarqeve evropiane të kohës (sikundër është shkrimi “A janë të zot shqiptarët me u mbajtë shtet më vedi” për të dëshmuar aftësinë e vetëqeverisjes e të shtetbërjes). Fishta spikatet dhe në shkrime të tjera, kaq të njohura për kohën, si “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”. Fishta kishte dhënë formulimin aq depërtues e proverbial me shprehjen “Tash që asht ba Shqipnia, duhen ba shqiptarët”, formulë kaq aktuale edhe sot e kësaj dite. Formula e tillë spikatet në çastet e krizës a të lëkundjes së identitetit nacional e qytetar.

1.

Ai spikaste formulën e tij se “Nuk ka Shqipni pa gjuhë shqipe”, kurse përkufizimi i tij për kulturën, edhe sot vlen si vetëdije për vetveten dje e sot... Por te dija ai shihte njeriun e lirë: “Shqipari do të bahet nji vetje e lirë, me ndërgjegje të pikatun e me karakter, ai do të pajiset me të gjitha njato njohsi e zotsi, nëpër të cilat, posi njeri i përkryem ndër të gjitha pikëpamjet, t’a vuej jetën ma së miri, jo vetëm porsi vehtje, por edhe si pjestar shoqnijet, mbas pozicionit që të ketë në familje, në qytet e në shtet. Nuk do të harrojmë, madje, se ky asht nji shqiptar e do të rritet në Shqypni: egzistencat e shpirtit e të rrethit jetësues të tij nuk janë si ato të inglizit, t’amerikanit e të frangut, por janë të veçanta, prandej kryekreje do të bahet i zoti me e kuptue, me e ndie e me e shijue jeten shqiptare.”

Por kur është puna tek shqiptarët përballë vetvetes, ai merret me qëndrimin e tij të njohur kritik dhe me vizionin e tij të qartë shoqëror e historik: "Kshtu janë elementat e ndryshëm n'Shqipni.. Të damë me lagje e sokaqe, me katunde e me bajrajqe, nuk janë bashkë në kumbari, në ortaki, në fjalën, në doket, në punën, në tregun e rrinë larg njani-tjetrit, porsi t'ishin kombesh të ndryshme..."

Aq shumë kritikë, por edhe aq shumë zemërim ka derdhur Fishta, për kaq dekada të gjysmëshekullit XX, kundër fenomeneve, sjelljeve, mënyrës së të menduarit, injorancës, mosemancipimit shtetëror e shoqëror në ambientin shqiptar.

Në këso rastesh, ai merret me rrënjët e problemit, por aty ndërfut dhe shprehjen e tij retorike, tipike fishtiane; jep rrugëzgjidhjet, por pasi t’i ketë qëruar hesapet, me anë të polemos-it të tij autentik, me grupe a individë që janë bartës të së ligës a të keqes. Si amanet, mbetet puna e madhe që lë gjurmë: “Mue më mjafton që mundi em t’i ketë mbërritë qëllimit dmth me edukue publikun tue e nxitë kah përparimi e atdhedashnija.” (At Gjergj Fishta, “Botim përkujtimuer”, f. 40).

2.

Tek popuj të ndryshëm përdoren edhe EMËRTIME INVEKTIVE, fyese, pezhorartive - popujsh ...(serbët kanë krijuar emërtesën invektive šiptari -për shqiptarët, shqip serbëve iu thuhet SHKIJE, sllavët për ta përçmuar kulturën eurperëndimore dhe mbështetësit e tyre - kanë krijuar pezhorativin LATINCI etj etj)... Invektivën LLATIN për shqiptarët e besimit katolik e ka krijuar invektiva e literaturës ruse e serbe... shqiptarët kurrë nuk kanë thënë për veten e tyre se janë LLATIN, sepse latinët nuk ekzistojnë, pos gjuhës së tyre, si gjuhë kulture, shkrimi e dijeje... Madje, për të tillët, që "Atme e Fe s’i vjerr kush në pe" (vargje të një poeti nga Kosova- A. Konushevci), do thënë edhe shumëçka tjetër. Kurse Fishta këndon:

"N’daq me gzue t’bukrën liri

mos shkel fis, as mik, as fe

pse n’kto sheja bota mbarë

na dallon se jem shqiptarë.

Poetët kanë të drejtë të përdorin thekse të forta satirike emërtimesh pezhorartive, për të damkosur dukuri e fenomene që shfaqen në jetën e përditshme...siç del mjaft e fortë edhe te poezia e Fishtës. Fishta, shprehet edhe me anë të skatologjisë lirike tejet funksionale. Kjo satirë na provokon në disa drejtime: cili është SHQIPTARI? Si duhet të jetë ai? Si e kuptojmë konceptin SHQIPTAR? Çka domethënë të jesh shqiptar? Nga ana tjetër: përçarjet që shkaktojnë dhimbje e plagë të rënda e që theksohen me vargjet antologjike.

Ani kush, pra, me i pri kombit:

ju, do pyka bijtë prej llomit

qi "shqiptarë" vedit i thoni,

jo pse ju Shqipninë e doni,

jo pse ju ndo 'i send kuptoni

shka asht Atdheu e shka asht Liria,

shka asht Vllaznija a Parasija,

Përparimi e Qytetnia,

por veç pse ende der më sot

nji tyran s`po e gjeni dot,

nën kambë t`cillit ju me u shtrue,

se un ma tash ma jam regjë me jue,

e jau njof shpirtin der m`palc,

pleh i ndytë me u bartun n`shalc

e me u qitë jashta Shqipnije.

Skatologjia e përdorur është tejet funksionale (përdorimi i emërtimeve për shqiptarët me emërtime të popujve tjerë, është ne funksion estetik të shënjimit të tjetërsimit të identitetit kombëtar, të bjerrjes se qenies shqiptare... të bjerrjes se shqiptarizmit).

Ndërsa latinishtja (gjuhë e shuar, sot nuk flitet askund, përpos përdorimit të saj në shkencë, kulturë, politikë e në të gjitha fushat e shkrimit modern...alfabeti latin është sot baza e alfabeteve të shumicës së popujve të botës... latinishtja është gjuhe italike, kurse gjuhët romane janë një nëngrup i gjuhëve italike... Në këtë rast, shprehjen pezhorative "një grusht llatinë" (që e përdor një poet yni), do marrë në kuptimin e drejtë pezhorativ, të ekstremizimit të shfaqur antikombëtar kundër pjesëve të tjera të kombit...

(Prend N. Buzhala, 10 korrik 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora