Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Kultura, zgjerim i mendjes dhe i shpirtit

| E hene, 13.07.2020, 07:25 AM |


KULTURA, ZGJERIM I MENDJES DHE I SHPIRTIT

(Kundrime eseistike), 9

Nga Prend BUZHALA

Po, bota moderne tashmë e ka krijuar dialogun ndërkulturor, respektin ndaj diversitetit, kulturën e tolerancës, ndërkohë që njerëzit (dhe kombet) gjithnjë e më shumë ndërlidhen njëri me tjetrin. "Kultura është zgjerim i mendjes dhe i shpirtit" do të thoshte Jawaharlal Nehru. Tashmë në këtë hapësirë të modernitetit, njerëzit e këtyre kulturave e religjioneve jetojnë së bashku e pranë e pranë. Por ka dhe një paradoks: disa qytetërime (kultura, religjione etj), ende mendojnë se mund të kenë progres vetëm duke u mbështetur në traditën e vet apo duke jetuar në një realitet të mbyllur izolacionist, përjashtues... Së këndejmi, thuhet se një komb ecën përpara duke u mbështetur në traditën e tij, kur mëson nga të tjerët e kur i respekton të tjerët. E pra, kultura presuspozon lirinë: "Pa kulturë, dhe pa liri relative që nënkupton shoqërinë, madje edhe kur ajo është e përkryer, ajo nuk është asgjë tjetër veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim autentik është një dhuratë për të ardhmen." (Albert Camus)

1.

Dikush krijuesit dhe intelektualët i konsideron "lëndë e parë për përpunim" dhe si "lëndë për treg e përfitime"... dmth kështu mendojnë për pjesën më të ndërgjegjshme e më të zgjuar të kombit. Dhe kur nuk arrijnë t' i "përpunojnë", atëherë e hedhin si "lëndë e papërdorshme". Duke menduar kësisoj, po harrojnë se edhe shteti kthehet në një mbeturinë për kontejner... diku, në një qoshe të braktisur të Evropës. Por krijuesi dhe intelektuali i mirëfilltë, janë vetvetiu INSTITUCION më vete. Nuk është e rastit pse aty ku krijohet kultura, qoftë edhe në një qoshe fshatrash (muze, galeri etj), kthehen njerëz nga shtete të ndryshme europerëndimore e nga të gjitha trojet etnike, sepse Muzeu e Galeria janë tempuj modernë ku hyjnë të emancipuarit e të zgjuarit...

Filozofët antikë (Sokrati, Platoni, Aristoteli etj), shkruajnë vepra të tëra për raportet e kulturës, dijes, urtisë me dhunën, armën, apo të raporteve Filozofi e Luftëtari... dhe veprat e filozofëve antikë janë përkthyer edhe në gjuhët e Lindjes në qendrat e zhvilluara të atëhershme të shkencë e kulturës, si Kajro, Bagdati dhe anasjelltas domethënë para relifgjioneve monoteiste...

Në të kaluarën ka dhe shembuj të sakrificës me jetë, për t'i ruajtur monumentet e dëshmitë me jetë nga pushtuesit (si është dhe një film shqiptar me këtë tematikë)... sa njeriu shqiptar ka paguar me burgje e me jetë mbrojtjen e librit e leximin e një libri të ndaluar! Leximi e mbrojtja e një libri të tillë, ka përfaqësuar formën më të lartë të vetëdijes për liri, kulturë, civilizim...

2.

Arti e politika i kanë kufijtë e vet, ku mund të pikëtakohen e ku mund të ndahen...

Nëse ka zezonë në jetën politike, në atë të kulturës e të veprimtarive të ngjashme, me ngjarje të tilla të bukura, Kosova është e mbushur gjatë tërë vitit... dhe jo vetëm një muaj!

Kultura as nuk bëhet për inat të dikujt e as për qejf të dikujt, as për qëllime privilegjesh politike a financiare e as për t'i shtuar poenat politikë dikujt... poezia e arti nuk njohin parti, privilegje a servilizëm politik, as ndërskamca të çfarëdo natyre qofshin...

Hapësirat e artit pushtohen vetë me krijimtari e punë e nuk dhurohen. As nuk stolisen me namin e askujt... ashtu është puna edhe me veprimtarinë politike në kuadër të një partie...

Gjithçka bëhet për vlera, e për të dhuruar vlera.

Vlerat krijohen me punë e përkushtim, me kaçikun që ka secili...

Është bukur kur njerëzit reflektojnë për kulturën dhe reflektojnë kulturë... me besimin që t'i dhurohet më e mira mesit ku jetojnë, po qe se ky mes është i gatshëm t'i pranojë të mirën dhe vlerat...

3.

A jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Në shkrimet personale, shpesh e kam përmendur që IDENTITETI EVROPIAN mbështetet në tri shtylla: 1. në botën antike greko-romake, 2. në krishterimin dhe 3. në Epokën Moderne (që zë fill prej Humanizmit e Renesancës dhe vazhdon edhe sot në Epokën Digjitale). Domethënë, janë shtylla që pasojnë njëra-tjetrën... si kapërcim edhe dialektik i njëra-tjetrës, por që nuk e mohojnë njëra-tjetrën... Dhe ne e kemi hisen tonë te këto shtylla...

Nëse ne kemi IDENTITET KULTUROR EVROPIAN, atëherë a bën Evropa pa ne?!

Me çka "i imponohemi" Evropës?!

Me cilat shtylla kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike?!

Ne kemi hequr dorë tepër lehtë nga vetvetja, nga thesaret e pafund të kësaj trashëgimie që i kishim... Kë duam ta bindim sot se ky ose ai emër qenka "ilir", "arbëror" ose "shqiptar", apo që ne jemi ata që trashëgojmë këtë apo atë thesar, kur mohimet më të vrazhdta ia bëjmë vetvetes (deri te denigrimet e figurave si Skënderbeu, Bogdani e Nëna Tereze, madje edhe Anton Çettës e Mark Krasniqit dhe kohëve të fundit Camajt e Koliqit)!?

As vetveten nuk po e bindim e lëre më të tjerët...

Por shqiptarët kanë MODELIN E TYRE TË TOLERANCËS, historikisht e provuar që nga kohët ilirike (kur perandori ilir i perandorisë Romake, Konstantini i Madh, shpalli EDIKTIN E TOLERANCËS dhe Ediktin e Milanos, kur u lejua publikisht edhe religjioni krishterë, mbasi brenda një familjeje ilire banonin vëllezërit e dy besimeve: paganë e të krishterë.). Dhe kjo traditë bashkëjetese u vazhdua gjatë Perandorisë Otomane (si ledh kundër ndikimit përçarës të pushtuesit ndaj shoqërisë shqiptare), vazhdoi dhe e një shekull e sa gjatë shk XX e këndej... në trajtën e SHQIPTARISË si “fe shqiptare”.

Evropa shpesh ka ditur të jetë edhe antishqiptare (na pëlqen Fishta kur e quan "Evropa kurvë", kur na i copëtuan trojet tona, edhe me vetë fajin tonë së pari...), por nuk na pëlqen e as që e lexojmë se si mund të ngrihemi në rang të kombeve moderne...

Në fakt, Evropa e sotme mbështetet në shtyllat e Kartës së Lirive e Të Drejtave Njerëzore (e cila shembi totalitarizmat, si fashizmin dhe komunizmin- këto dy të këqija, plus të keqen në Mesjetë, - nuk erdhën vendet arabe t'ua shembin, por i shembën vetë. Mirëpo, nuk e shembën krishterimin dhe as që e kanë kërkuar faljen prej tij... sado që gjatë mileniumeve janë bërë edhe këso KËRKIM-FALJESH KISHTARE). Sot, në Evropë, besimtarët myslimanë i realizojnë më shumë të drejtat e tyre fetare e njerëzore se në secilin vend tjetër aziatik... ashtu sikundër i realizojnë edhe ateistët, budistët etj etj. (Simbolet kristiane shtetet europerëndimore i ruajnë edhe në simbole shtetërore, si në flamuj, në parlamente kur bëjnë betimet në Bibël, etj.)

Nga ana tjetër, secili besimtar i feve jokristiane e ka lirinë e vet të garantuar fetare. Ndryshe, nuk do të ishte Evropë e as civilizim evropian.

Le ta përsëritim: harta e Kosovës gjendet në Evropë e jo në Azi.

4.

Gjuha e artit dhe e kulturës i ndërlidh më shpejt fijet e këputura e urat e shembura... I heq të çarat, shkëputjet e shembjet e së kaluarës me të sotmen... sepse të përbashkëta na janë vlerat, vlerat humaniste dhe kulturore, pasuria e traditave të ndryshme dhe objektivi unik që shpie në integrimet europiane... sepse kultura dhe arti janë pjesë e obligimeve për ta luajtur rolin e vet në këto përafrime vlerash e integrimesh. Aty e kemi vendin e shtëpinë tonë të përbashkët, te këto integrime vlerash europerëndimore e universale... Dhe këtë obligim (dhe detyrim) artistët e bartin dhe e përcjellin me krenari të ligjshme...

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 9 korrik 2020)