| E hene, 13.07.2020, 08:25 AM |
KULTURA, ZGJERIM I MENDJES DHE I SHPIRTIT
(Kundrime
eseistike), 9
Nga
Prend BUZHALA
Po,
bota moderne tashmë e ka krijuar dialogun ndërkulturor, respektin ndaj
diversitetit, kulturën e tolerancës, ndërkohë që njerëzit (dhe kombet) gjithnjë
e më shumë ndërlidhen njëri me tjetrin. "Kultura është zgjerim i mendjes
dhe i shpirtit" do të thoshte Jawaharlal Nehru. Tashmë në këtë hapësirë të
modernitetit, njerëzit e këtyre kulturave e religjioneve jetojnë së bashku e
pranë e pranë. Por ka dhe një paradoks: disa qytetërime (kultura, religjione
etj), ende mendojnë se mund të kenë progres vetëm duke u mbështetur në traditën
e vet apo duke jetuar në një realitet të mbyllur izolacionist, përjashtues...
Së këndejmi, thuhet se një komb ecën përpara duke u mbështetur në traditën e
tij, kur mëson nga të tjerët e kur i respekton të tjerët. E pra, kultura
presuspozon lirinë: "Pa kulturë, dhe pa liri relative që nënkupton
shoqërinë, madje edhe kur ajo është e përkryer, ajo nuk është asgjë tjetër
veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim autentik është një dhuratë
për të ardhmen." (Albert Camus)
1.
Dikush
krijuesit dhe intelektualët i konsideron "lëndë e parë për përpunim"
dhe si "lëndë për treg e përfitime"... dmth kështu mendojnë për
pjesën më të ndërgjegjshme e më të zgjuar të kombit. Dhe kur nuk arrijnë t' i
"përpunojnë", atëherë e hedhin si "lëndë e papërdorshme".
Duke menduar kësisoj, po harrojnë se edhe shteti kthehet në një mbeturinë për
kontejner... diku, në një qoshe të braktisur të Evropës. Por krijuesi dhe
intelektuali i mirëfilltë, janë vetvetiu INSTITUCION më vete. Nuk është e
rastit pse aty ku krijohet kultura, qoftë edhe në një qoshe fshatrash (muze,
galeri etj), kthehen njerëz nga shtete të ndryshme europerëndimore e nga të
gjitha trojet etnike, sepse Muzeu e Galeria janë tempuj modernë ku hyjnë të
emancipuarit e të zgjuarit...
Filozofët
antikë (Sokrati, Platoni, Aristoteli etj), shkruajnë vepra të tëra për raportet
e kulturës, dijes, urtisë me dhunën, armën, apo të raporteve Filozofi e
Luftëtari... dhe veprat e filozofëve antikë janë përkthyer edhe në gjuhët e
Lindjes në qendrat e zhvilluara të atëhershme të shkencë e kulturës, si Kajro,
Bagdati dhe anasjelltas domethënë para relifgjioneve monoteiste...
Në
të kaluarën ka dhe shembuj të sakrificës me jetë, për t'i ruajtur monumentet e
dëshmitë me jetë nga pushtuesit (si është dhe një film shqiptar me këtë
tematikë)... sa njeriu shqiptar ka paguar me burgje e me jetë mbrojtjen e
librit e leximin e një libri të ndaluar! Leximi e mbrojtja e një libri të
tillë, ka përfaqësuar formën më të lartë të vetëdijes për liri, kulturë,
civilizim...
2.
Arti
e politika i kanë kufijtë e vet, ku mund të pikëtakohen e ku mund të ndahen...
Nëse
ka zezonë në jetën politike, në atë të kulturës e të veprimtarive të ngjashme,
me ngjarje të tilla të bukura, Kosova është e mbushur gjatë tërë vitit... dhe
jo vetëm një muaj!
Kultura
as nuk bëhet për inat të dikujt e as për qejf të dikujt, as për qëllime
privilegjesh politike a financiare e as për t'i shtuar poenat politikë
dikujt... poezia e arti nuk njohin parti, privilegje a servilizëm politik, as
ndërskamca të çfarëdo natyre qofshin...
Hapësirat
e artit pushtohen vetë me krijimtari e punë e nuk dhurohen. As nuk stolisen me
namin e askujt... ashtu është puna edhe me veprimtarinë politike në kuadër të
një partie...
Gjithçka
bëhet për vlera, e për të dhuruar vlera.
Vlerat
krijohen me punë e përkushtim, me kaçikun që ka secili...
Është
bukur kur njerëzit reflektojnë për kulturën dhe reflektojnë kulturë... me
besimin që t'i dhurohet më e mira mesit ku jetojnë, po qe se ky mes është i
gatshëm t'i pranojë të mirën dhe vlerat...
3.
A
jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Në shkrimet personale, shpesh e kam
përmendur që IDENTITETI EVROPIAN mbështetet në tri shtylla: 1. në botën antike
greko-romake, 2. në krishterimin dhe 3. në Epokën Moderne (që zë fill prej
Humanizmit e Renesancës dhe vazhdon edhe sot në Epokën Digjitale). Domethënë,
janë shtylla që pasojnë njëra-tjetrën... si kapërcim edhe dialektik i
njëra-tjetrës, por që nuk e mohojnë njëra-tjetrën... Dhe ne e kemi hisen tonë
te këto shtylla...
Nëse
ne kemi IDENTITET KULTUROR EVROPIAN, atëherë a bën Evropa pa ne?!
Me
çka "i imponohemi" Evropës?!
Me
cilat shtylla kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike?!
Ne
kemi hequr dorë tepër lehtë nga vetvetja, nga thesaret e pafund të kësaj
trashëgimie që i kishim... Kë duam ta bindim sot se ky ose ai emër qenka
"ilir", "arbëror" ose "shqiptar", apo që ne jemi
ata që trashëgojmë këtë apo atë thesar, kur mohimet më të vrazhdta ia bëjmë
vetvetes (deri te denigrimet e figurave si Skënderbeu, Bogdani e Nëna Tereze,
madje edhe Anton Çettës e Mark Krasniqit dhe kohëve të fundit Camajt e
Koliqit)!?
As
vetveten nuk po e bindim e lëre më të tjerët...
Por
shqiptarët kanë MODELIN E TYRE TË TOLERANCËS, historikisht e provuar që nga
kohët ilirike (kur perandori ilir i perandorisë Romake, Konstantini i Madh,
shpalli EDIKTIN E TOLERANCËS dhe Ediktin e Milanos, kur u lejua publikisht edhe
religjioni krishterë, mbasi brenda një familjeje ilire banonin vëllezërit e dy
besimeve: paganë e të krishterë.). Dhe kjo traditë bashkëjetese u vazhdua gjatë
Perandorisë Otomane (si ledh kundër ndikimit përçarës të pushtuesit ndaj
shoqërisë shqiptare), vazhdoi dhe e një shekull e sa gjatë shk XX e këndej...
në trajtën e SHQIPTARISË si “fe shqiptare”.
Evropa
shpesh ka ditur të jetë edhe antishqiptare (na pëlqen Fishta kur e quan
"Evropa kurvë", kur na i copëtuan trojet tona, edhe me vetë fajin
tonë së pari...), por nuk na pëlqen e as që e lexojmë se si mund të ngrihemi në
rang të kombeve moderne...
Në
fakt, Evropa e sotme mbështetet në shtyllat e Kartës së Lirive e Të Drejtave Njerëzore
(e cila shembi totalitarizmat, si fashizmin dhe komunizmin- këto dy të këqija,
plus të keqen në Mesjetë, - nuk erdhën vendet arabe t'ua shembin, por i shembën
vetë. Mirëpo, nuk e shembën krishterimin dhe as që e kanë kërkuar faljen prej
tij... sado që gjatë mileniumeve janë bërë edhe këso KËRKIM-FALJESH KISHTARE).
Sot, në Evropë, besimtarët myslimanë i realizojnë më shumë të drejtat e tyre
fetare e njerëzore se në secilin vend tjetër aziatik... ashtu sikundër i
realizojnë edhe ateistët, budistët etj etj. (Simbolet kristiane shtetet
europerëndimore i ruajnë edhe në simbole shtetërore, si në flamuj, në
parlamente kur bëjnë betimet në Bibël, etj.)
Nga
ana tjetër, secili besimtar i feve jokristiane e ka lirinë e vet të garantuar
fetare. Ndryshe, nuk do të ishte Evropë e as civilizim evropian.
Le
ta përsëritim: harta e Kosovës gjendet në Evropë e jo në Azi.
4.
Gjuha
e artit dhe e kulturës i ndërlidh më shpejt fijet e këputura e urat e
shembura... I heq të çarat, shkëputjet e shembjet e së kaluarës me të sotmen...
sepse të përbashkëta na janë vlerat, vlerat humaniste dhe kulturore, pasuria e
traditave të ndryshme dhe objektivi unik që shpie në integrimet europiane...
sepse kultura dhe arti janë pjesë e obligimeve për ta luajtur rolin e vet në
këto përafrime vlerash e integrimesh. Aty e kemi vendin e shtëpinë tonë të
përbashkët, te këto integrime vlerash europerëndimore e universale... Dhe këtë
obligim (dhe detyrim) artistët e bartin dhe e përcjellin me krenari të
ligjshme...
(Prend N. Buzhala,
rishkrime, 9 korrik 2020)