E premte, 29.03.2024, 05:44 AM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Poetika e thuknisë në letërsi

E diele, 12.07.2020, 07:22 AM


POETIKA E THUKNISË NË LETËRSI

(Kundrime eseistike), 7

Nga Prend BUZHALA

Vërtet, shumë poetë e shkruajnë tekstin e thuktë, e përdorin procedimorin e dendësisë së thënies, e poetikës së thuknisë. Zaten, poezia, që në zanafillat e saj, e ka pikësynuar mjeshtërinë e fjalës. Letërsia pikësynon ta bëjë një hap më afër qenies. Na bie të lexojmë format e shkurta letrare, të cilat, në leximet tona, shpesh e shpesh, i quajmë poetikë e thuknisë, në të cilën përqendrohen e kristalizohen prirjet krijuese të shkrimtarit. Të duket sikur ato thënie përafrohen me formula lapidare ligjërimore, të kërkuara me mund krijues. E në këtë kërkim të së bukurës krijuesi nuk do të mund ta shkruajë as ta përjetojë atë pa etikën e saj; pra, poetika e ka si estetikën, ashtu edhe etikën e fjalës.

1.

Thuknia e thënies së kursyer letrare shpesh e shpesh shënjon vlera të larta me funksionalitet estetik. Është njajo denduria e thënies, që buron nga dhimbjet e përvojës, nga përvoja e dhimbjes dhe e vuajtjes, nga përpjekjet cfilitëse të rezistimit kundruall barbarisë, nga pasioni i pamposhtur për emancipim e dije përballë mohimeve të pafund të injorancës së mbjellë na kohët e nga sunduesit. Është një shpresë e bukur, një bukuri e shpresës, që e mban gjallë njeriun.

Si nga pikëpamja e kohëhapësirës, si nga vetë titujt metaforikë e provokues semantikë, krijuesit dëshirojnë të zgjojnë tek lexuesi fenomenin e çudisë, apo sikundër shprehet Bahtin, të çrëndomtësimit, tek realizohen në kuadrin e konturave ende të paqarta, apo nëpërmes rrjedhës së asociacioneve, retrospekcioneve, anticipimeve, vëzhgimit simultan, fanitjeve dhe ëndrrave. Tekstet shpesh jepen me fjali maksimalisht ekspresioniste, të dendura. Ngjarja që zhvillohet, duke e mbajtur tensionin deri në fund, nuk i ofron lexuesit zgjidhje të lehta apo çlirim emocional. Shpesh, përfundimi i tregimit, bëhet me qëllimin që të paraqiten pasojat e personazhit të izoluar, të cilit i kanë dështuar përpjekjet që të kyçet a integrohet në realitetin social. Akuzë, kjo, edhe kundër realitetit çintegrues, tjetërsues.

2.

Në prozën moderne fabula rrudhet maksimalisht, duke i vënë në plan të parë përfigurimet e realitetit, vlerat afektive dhe efektive të narracionit, të vizionit a të ndjeshmërisë së mbrendshme, subjektivizmin, fantazinë dhe poetizimet, rrëfimin diskontinuitiv, lirizmin e atmosferës, shkallën e theksuar të psikologjizimit, sines-tezinë, tendencat mistike, fragmentaritetin, motivet e homo duplex-it me dyzimet e pafund jetësore, etj. Madje, njeriu i dyzuar shndërrohet në një qenie automatike, për ta vazhduar agoninë e tij. Integrim i imagjinatës personale nëpërmes simboleve të tilla, bëhet burim i pasurive të fshehta e të pashtershme nga oqeani personal shpirtëror i individit a personazhit

Në dendësinë e tillë të burimit krijues gjuhësor, shkrimtarit i ndodh, mu ashtu si ligjëron poeti japonez Çuangçe: "A jam unë ajo qenie njerëzore që ëndërron se është flutur, apo mos qenkam flutur që ëndërron se është njeri.?"

Letërsia gjithnjë pikësynon të evoluojë kah procedimet krijuese., prandaj evoluojnë edhe stilet dhe poetikat, me koncepte të reja, fjala merr potencë të shumësisë kuptimore e shënjuese, ndërkëmbëhenen paradokset e thënies oksimorike me fenmenet e metakomunikimit të lirikës vizuale, i poezisë konkrete e singnaliste me metaforizimet orfeike të vargut, hyjnë në strukturën e këndimit elemente të lojës tekstuale-ligjërimore.

Koshet

Krijimtaria është një tension i përhershëm e i vazhdueshëm i shkrimit.

3.

Mund të ndodhin sa të duash eksperimente klasike, moderne a postmoderne; porse thelbi mbetet po ai: i të kuptuarit të thënies poetike si veprim i mjeshtrit në punë të artit.

Ashtu sikundër poeti e parapëlqen poezinë me thënie të dendur, të përpunuar, fine; po ashtu ai e parapëlqen edhe fuqinë e shprehësisë artistike, të ekspresivitetit, për të krijuar situata të veçanta estetike. Kurse lexuesit i mbetet që krijimin poetik ta lexojë si kënaqësi estetike të përjetimit të së bukurës.

Kjo do të thotë se fjala poetike dhe vargu, krijohen mbi parimin e të folurit me kursim, do të thoshim: mbi parimin e dendësisë së thënies lirike. Të duket sikur ato thënie përafërohen me formula lapidare ligjërimore, të kërkuara me mund krijues. E në këtë kërkim të së bukurës krijuesi nuk do të mund ta shkruajë as ta përjetojë atë pa etikën e saj; pra, poetika e ka si estetikën, ashtu edhe etikën e fjalës...

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 7 korrik 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora