E premte, 19.04.2024, 11:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Mbreti Agron

E enjte, 09.07.2020, 06:15 PM


TEUTA E ILIRISË

(Fragment nga kreu I)

Roman nga Resmi Osmani

Mbreti Agron

Salla e armëve e kështjellës në qytetin Lynhid[1],ishte përgaitur për takimin e sovranëve. Në ballinë ishte Dielli i Artë i Maqedonisë me gjashtëmbëdhjetë rreze. Sfondi i purport e bënte më të dukshëm, majtas dhe djathtas truporet e mermerta të Mbretit Filip dhe  Lekës, të skulptorit të famshëm Lisipit.nëpër mure ishin vendosur shpata të kryqëzuara dhe armë të tjera trofe.Në dysheme një mozaik shumëngjyrësh, ku paraqitej Leka në gjuetinë e luanëve, në qëndër një tryezë mermeri ngjyrë trëndafili, kurse rrëzë mureve divanë të rehatshëm mbuluar me lëkurë leopardi.Në tryezat e vogla të praruara ishin të vendosura kupa të arta dhe fruta të stinës.Mbreti Dhimitër II kishte zënë vend midis statujave të dy mbretërve, pasardhës i të cilëve ishte, ulur në një fron me shenjat e familjes mbretërore. Majtas e djathtas i rrinin: i biri, princi Filip, gjeneralët dhe dinjitarët e mbretërisë.

Mbretit Agron i printe shambellani i ceremonialit, pas tij vinin shoqëruesit dhe këshilltarët. Qëndroi disa hapa para Dhimitrit dhe u përkul lehtësisht në shënjë nderimi. Në vend të përshëndetjes ai tha thjesht”Madhëri”. Dhimitri u ngrit nga froni. Edhe ai u përkul hijshëm  dhe i uroj mirseardhen:

-Mbret i Ardianëve, mirë se erdhe në tokën e mbretërisë së Maqedonisë!

Agroni nënqeshi dhe pa u menduar gjatë ia ktheu:

-Madhëri, po tu besojmë etërve tanë, vendi që kam shkelur është truall i ilirisë. Ne jemi pasardhës të ilirit dhe ai ishte bir i Kadmit dhe Harmonisë[2], që u bashkuan në trojet rreth liqeneve Lynkestë[3]. Këtu është mitra ku u ngjiz populli ynë. I takun që, i ardhuri të jeni ju.- Tha dhe e pa me ngulm drejt e në sy.

Dhimitrit si pëlqeu aspak përgjigja dhe iu duk se takimi kishte nisur keq, jo si midis miqsh. Kësaj i thoshin më shpejt të vritesh sesa të njihesh! Sido qoftë ai ishte mikpritësi dhe duhet të lëshonte fill.

Mbreti, me ato që tha në krye të herës ,ma mundëson të them se, në dinastinë tonë mbretërore, ka hyrë aq gjak ilir saqë ne të ndihemi të afërt. Për këtë dëshmojnë zakonet,afërsia e gjuhës e deri te mënyra e veshjes. Mbreti Filip i II ishte bir i Euridikës ilire nga Lynkestët, Mbreti Leka, bir i Olimpias Epirote dhe më pas Dhimitër Poliarketi u martua me Deidemanë, motrën e mbretit Pirro, kësisoj edhe nëse brenda mbretërisë maqedonase, janë përfshirë toka e fise ilire, ne jemi në trashëgimin tonë mëmësor. Pa thënë pastaj se për këta troje është derdhur shumë gjak. Dihet, ajo që është fituar me luftë, nuk mund të fitohet veç me luftë. Është një e vërtetë e njohur: popujt tanë, më së shumti kanë luftuar midis tyre sesa kanë jetuar në paqe. Në luftë fiton më i forti. E tllë është lufta. Më së shumti kemi fituar ne, por edhe ilirët, nën prijës trima si mbretërit Bardhyl dhe Glaukia, shpesh janë ndarë faqebardhë.

Më ndje mbret, për këtë fjalë disi të gjatë, po shkëndijën e zjarrit e ndezët ju. Mua më takon ta shuaj. Jeni mysafiri im dhe takohemi për të biseduar, po për tjetër gjë dhe jo për këto që sapo u thanë.

-Madhëri, nuk presim që ju të na rrëfeni trojet tanë, pasi ato na i kanë rrëfyer etërit tanë. Në sinoret e tyre janë varret e të parëve,si rrënjë që askush nuk mund t’i shkulë. Jeta e mbretërive është si ajo e stinëve që vijnë e ikin, herë dimër e herë verë. Çohen të vegjlit dhe gremisen të mëdhenjtë, ashtu siç u  shkoq perandoria e Lekës. Kush jeton me lavdinë e së shkuarës dhe nuk sheh rreziqet e së sotmes, veç I bën  dëm vetes. Është si ta matish shtatin me hijet e mëngjesit. E dimë se nuk ka, as miq, as armiq të përjetshëm. Miku i sotëm, mund të jetë armiku i nesërm dhe armiku i sotëm, miku i nesërm, prandaj sytë mbahen të çelur, kështjellat me mure të forta dhe shpata të mprehta. Sidoqoftë, kemi ardhur si miq, për të qënë  aleatë e që mbretëritë tona të jetojnë në paqe.

Teksa mbreti Agron fliste, mbreti Dhimitër II, po e vërente dhe përpiqej të zhbironte mbretin e ilirëve: i veshur thjesht,me një tunikë ngjyrë vjollcë, kapur në supa me tokza të arta, mesin ngjeshur me brez të purport të stolisur me pafta argjendi. E vetmja stola ishte një gjerdanë i artë ku ishte varur një gjarpr Boa, totem të Ilirëve. Vinte shtatlartë, gjoksgjerë, i fuqishëm si një krep i palatuar, flokashpër, korb të zeza, fytyrën eshtake, të gjerë me tipare të spikatura, por të ashpra, ia mbulonte mjekra e plotë ku shquheshin fijat e argjendta të thinjave. Sytë të futur thellë në zgavra, hunda si e gjeraqinës dhe buzët e plota e mishtore, sensuale, nuk rrëfenin fisnikëri nga gjaku. Ata sapo kamë zbritur nga mallet e tyre, mendoi Dhimitri, i pari i fisit është shpallur mbret dhe ende s’kanë një dinasti, në rrëmbat e së cilës të rrjedhë gjaku mbretëror i disa brezave. Por ai nuk mund të vinte re që mbreti ishte guximtar, me një ndërkryerje të brendshme, të vetvetishme dhe i zgjuar. Kur bashkohen në një person trimëria dhe mënçuria, janë paja më e mirë për një Sovran.

Ishte koha të këmbenin dhuratat. Agroni i bëri me nojmë njërit prej truprojave. Ai u afrua duke mbajtur para duarve, mbuluar me një pëlhurë të purpurt dhuratën për mbretin e Maqedonisë.

-Pranoni madhëri, në shënjë nderimi, një dhuratë të varfër, por që bëhet e pasur nga ndjenjat e miqësisë,-tha dhe zbuloi pëlhurën.

Nën të ishte kompleti luftarak i punuar mrekullisht nga mjeshtrit pirustë[4]:përkrenarja ilire, mburoja e çeliktë me reflekse mavi, në qendër të saj ishte gdhendur hyu Medaur[5], si kalorës me shtizën në dorën e majtë, kollçinjtë me bronz të ndritur, parzmorja e thurur me hallka çeliku dhe shpata e shkurtër dytehëshe me një dorezë që përfundonte me një mollë të artë.

-E çmuar dhurata, por më e çmuar miqësia e dhuruesit-tha Dhimitri, që i pëlqyen pajisjet luftarake.

Ishte radha e tij të bënte dhurimin:

-Pranoni madhëri edhe një dhuratë nga ana jonë, si vlerësimi ynë për personin tuaj,Sovran i Ilirisë.

Në sallë hyri një officer i mbretit që hiqte nga freri një kalë madhështor të racës tesaliane, të zi, me blanë të bardhë në ballë, veshët të vegjël e të mprehtë, jelet të gjata e të mprehta, mbuluar me një halli të purport. Kur e zbuloi, u dukën  shala dhe pajisjet e shtrenjta të lara në ar dheargjend.Kali turfullonte e se mbante vendi.

Mbreti Agroni e pleu dhuratën.

-Qofshin fitoret tona, të shpejta si vrapi I këtij kali!- uroi ai.

* *  *

Të dy palët zunë vend në tryezën e gjatë.

Mbreti Agron qëndroi ballë mbretit Dhimitër II. Mbreti maqedonas duhet t’i kishte kaluar të pesëdhjetat. Kishte ca tipare të buta e të hijshme gati femërore, nuk mbante mjekër.Flokët e verdha si shtupë, të dallgëzuara, i kishte tëprera në lartësinë e qafës.Goja e vogël, e fisme, me buzë të holla, hunda e drejtë por më flegra të gjera, sytë si më të gjelbër, të lëvizshëm, të zgjuar e dinakë.Duart e vogla gishtrinjholla, të stolisura me unaza e byzylikë, nuk ngjanin si duar luftëtari, ndërsa në qafë një gjerdan ari ku ishte varur pllaka me diellin gjashtëmbëdhjetë rrezesh, simbol i Maqedonisë. Majtas e djathtas i rrinin gjeneralët dhe oborrtarët qëndrimrëndë e dinjitozë.

Dhimitri e nisi bisedën qetë, i menduar duke i zgjedhur fjalët.Po përsillte në mendjen dinake mendimet, që ta paraqiste bisedën se kjo besëlidhje paqeje e mossulmimi, ishte më së pari në interest ë mbretërisë Ilire, se maqedonia, mbretëri e vjetër dhe e fuqishme, zere se i bënte nder duke e lënë të qetë në kufijtë lindorë dhe i hapte hapësira e fushveprimi në detet Adriatik e Jon.Nga kjo aleancë, do të ishte mbretëria Ilire ajo që dilte e fituar. Ai tha se nga Athina dhe qytet shtetet greke nuk vinte asnjë rrezik, ata ishin mundur e poshtëruar aq herë, sa nuk guxonin të shkrehnin asnjë shigjetë.Ishin si qen të rrahur, por në verilindje ishte forcuar një aleancë me në krye Etolianët[6], ku bënin pjesë edhe Akaia, Epiri dhe Dardania. Ishte një kundërshtar i fortë dhe i fuqishëm. Akarnania ishte ende aleate e Maqedonisë dhe kufi ndarës me Epirin, Akainë dhe Etolinë, por qyteti i saj i Medionit ishte i rrethuar prej muajsh nga Etolia. Po të binte Medioni[7], kjo aleancë fuqizohej, dilte në kufijtë e mbretërisë së tij dhe i rrinte si thikë pas shpine.Një nga kushtet e besëlidhjes ishte që Mbretëria Ilire të çlironte nga rrethimi medionin dhe ti jepte një grusht vdekjeprurës Aleancës Etoliane.

Mbretit Agron iu duk se Dhimitri, donte t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve.

-Po ne, veç haraçit të gjakut, çfarë fitojmë nga kjo kuturisje në detin e largët dhe sterenë e Greqisë?

-Emër, famë, lavdi, plaçkë lufte dhe skllevër.Mbretëria juaj ngrihet, del si fuqi politike që bën ligjin, jo vetëm në Adriatik, por edhe në jon. Ajo bëhet mbajtësja e çelsave të portës së Mesdheut. Me këtë rast ne heqim dorë nga intereat tona në Adriatik, Dyrrah, Apoloni dhe Korkyra[8] e ujdhesat joniane dhe u japim liri veprimi, të bëni si të doni mbi qytetet e bregdetit, Dyrrahun dhe Apoloninë që janë nën zotrim të huaj. Kjo nuk është pak.Apo jo? Me paqen midis nesh ju jeni të sigurt në kufijtë tanë lindorë se nuk do të goditeni pas shpine dhe, keni dorë të lirë të dilni jashtë kufijve tuaj të tanishëm, për zgjerimin e shtetit në jugë e në veri.

-Madhëri, nuk është bujari të falësh atë që s’e ke dhe të kshillosh luftëra, që nuk do ti bësh vetë!

-Por është bujari edhe të mos e lakmosh, kur e mëtojnë të tjerët! Mos harroni, se Roma, tani që i mbylli punët për zotërimin e perëndimit, heret a vonë, në mos ka filluar, do të hedhë sytë në lindje nga siujdhesa Ilirike. Atë ka filluar ta këndellë edhe Greqia e përçarë dhe e sunduar.Pengesa e parë që duhet kapërcyer është iliria.Sado që ati juaj i ndjeri mbreti Pleurat, e ruajti miqësinë me Romën dhe armiqësinë për ne, ajo është fuqizuar shumë dhe nuk duron dot që ju të zotëroni Adriatikun e të plaçkitni anijet e saj dhe, do të gjejë një shkak.Roma që tani ka filluar ta quajë Mesdheun”Mare nostrum”, deti ynë. Preja e saj e pare, ka për të qënë Iliria. Me këtë besëlidhje, ne do të jemi krah jush, në të mirë e në të keq dhe do të luftojmë së bashku, me vëllazërim armësh kundër fuqisë së Romës.

-Që të ndërrmarrim  veprimet luftarake në Jon, çfarë tribute jep mbretëria juaj?

-Armë dhe Anije.

-Pyje dhe miniera iliria jonë ka mjaftueshëm për të armatosur ushtri edhe më të mëdha se e jona.

Mbreti Dhimitër, para se të pyeste se çfarë kërkonte mbreti Agron, u ndrojt se mos ai kërkonte ar. Arka dhe thesari i mbretërisë së tij ishin për të qarë hallin.

-Thoni, madhëri, cila është kërkesa dhe ne do ta mendojmë.

-Kam dëgjuar se nëTesali keni ferma mbretërore që rrisin kuaj lufte.Do të më mjaftonin njëqind çifte, për të ngritur një bulqizë shtimi për kuaj lufte. Në fushat e Taulantisë rriten kuaj vrapi, por janë më trupvegjël se tuajt

Mbreti Dhimitër u hodhi një shikim pyetës gjeneralëve.

Ata miratuan me krye.

Me kaq biseda politike u mbyll. Shkruesit u vunë në punë mbi pergamenat dhe kallamarët me mellan për hartimin e neneve  të aleancës.

* *  *

Jashtë mureve të kështjellës, në majë të kodrës, ishte tempulli i Zotit të Rrufeve, kryezot dhe zot i luftës.Deri aty të shpinin shkallët e ndërtuara mjeshtërisht në të përpjetën e pjerrët. Në sheshin e shtruar me plloça ishte altari dhe vendflijimi, më tej vatra e zjarrit, që ishte mbushur me dru lisi të stivuara, gati për t’u vënë flakën.

Të dy mbretërit dhe shpurat e tyre u ngjitën aty që sipas zakonit të bënin flitë dhe betimin për besnikëri ndaj njeri tjetrit.

Shërbenjësit e tempullit të shenjtë, e lagën turrën e druve me verë dhe vaj ulliri, pastaj me pishtar i vunë flakën. Zjarri mori sakaq dhe gjuhët e flakëve i dhanë dritë muzgut që po binte. Që kryezoti t’i pranonte lutjet dhe betimin, u flijuan dy mëshqerra dhe tre desh brimëdhenj. Pasi i therën dhe i ropën, i prenë në copa të mëdha dhe i hodhën mbi prushet e kuq. Sakaq , tymi i erëndshëm i dhjamit dhe mishrave që po piqeshin u ngjit drejt qiellit.

Kryeshkruesi i mbretit Dhimitër, me ton solemn e qëndrim të madhërishëm, si të  kuvendonte me zotat, shqiptoi përmbajtjen e betimit:

-Ne,Mbreti Dhimitër II i Maqedonisë dhe Mbreti Agron i Ilirisë, me vullnetin dhe pëlqimin e zotave, sovranë të kurorëzuar të shteteve tona, lidhemi me besë, që vendet tona të jetojnë në paqe dhe në gjallje tonë, mes nesh të mos ketë luftë, paqja të jetë bekimi i Zotave.Besëlidhemi që t’i gjendemi njeri-tjetrit në rrezik e në nevojë. Kush shkel këtë besëlidhje, Zeusi e shoftë me një gjuajtje rrufeje dhe mbretëria e tij u bëftë shkrumb e hi!

-Betohemi!-Thanë mbretërit njëzëri.

Kur ceremonia ishte duke u mbyllur, ,Agroni i tha mikpritësit dhe aleatit të tij:

-Mbret ne do të vulosim pergamenat, u bëm fli zotave dhe u betuam, por duhet të dini se në Iliri, nderi, fjala e dhënë e burrit dhe besa e lidhur, janë të shenjta. Është kjo arsyeja, që ne mendohemi gjatë para se të japim fjalën dhe të lidhim besën. Besëshkelësi humbet nderin, mbulohet me turp, por shpesh i shkimet edhe jeta!

Larg u shfaq një re, vetëtiu dhe u dëgjua një bubullimë. Zeusi, zoti I luftës dhe rrufeve i kishte pëlqyer flitë dhe e miratonte besëlidhjen.

Në oborr i priste darka mbretërore……..

Mars-shtator 2013.

Vijon



[1] Qytet atje ku gjendet Pogradeci I sotëm

[2] .Parardhësit legjendarë të ilirëve

[3] Liqenet e Prespës

[4] Fis ilir që jetonte në trojrt e Mirditës

[5] Hyu ilir I luftës

[6] Etolia, Akaia dhe Akarnania, kra hina në Greqinë  veriperndimore.

[7] Medioni, qytet në Akarnani që u pushtua nga mbreti Agron.

[8] Ishulli I Korfuzit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora