E premte, 29.03.2024, 01:48 PM (GMT)

Mendime

Ermal Mulosmani: Ridënimi i simboleve të katolicizmit të veriut

E merkure, 08.07.2020, 07:32 PM


Ridënimi i simboleve të katolicizmit të veriut

Nga Ermal Mulosmani

Në esenë e tij “Ra ky mort e u pamë”, Ismail Kadare, vë në dukje një fenomen mjaft të çuditshëm, vetëm 2 muaj pas lirisë së Kosovës. Më 25 Gusht 1999, një shkrim i një intelektuali shqiptar (të cilit Kadare nuk ia përmend emrin por nuk e fsheh vlerësimin për të) titullohej “Fashizmi kosovar, turp i shqiptarëve”. Artikulli në fjalë, siç kuptohet nga titulli, merrte në mbrojtje serbët e Kosovës ndaj sulmeve të shqiptarëve. Kadare kritikon pakujdesinë me të cilën po trajtohet ky fenomen duke e quajtur “të palejueshëm sidomos titullin e shkrimit”.

Ndër të tjera ai shkruan:

“Edhe më dëshpërues është zelli i një tufe djemsh e vajzash të reja, që punojnë siç duket, pranë organizatave ndërkombëtare për ta shpërndarë me entuziasëm shkrimin. Shtrohet pyetja “çfarë i ndezi kaq shumë këta të rinj në këtë artikull? Si është e mundur që kaq shpejt harruan martirizimin e Kosovës për të klithur për “fashizmin kosovar”? Shpjegimi nuk është i ndërlikuar po të kihet parasysh ajo sëmundje e rëndë i ra një zhgani intelektualësh në Shqipëri për t’u ngritur kundër popullit të tyre. U ngritën në emër të paanësisë, “të mungesës së nacionalizmit”, të një vizioni kinse të emancipuar modern të politikës etj etj, kurse në fakt u ngritën të shtyrë nga interesat më meskine: të fitojmë simpatinë e zyrave sterile ndërkombëtare e bashkë me simpatinë të fitojmë edhe bursat, udhëtimet, stazhet etj”….

Po ju prisni pak he burra. Lëreni pak “fashizmin kosovar” se dy muaj kanë kaluar nga “kanibalizmi serb”. Kujdes me titullin sidomos - thoshte Kadareja atëherë.

Ku dua të dal me këtë. Po te Auroni pra, te Auroni. Edhe mua më shumë se asgjë më bëri përshtypje titulli: “Mite të rremë”! Qysh të rremë Auron? Dmth janë falso? Nuk janë gjuhëtarë e letrarë të devotshëm? Ku është baza e mitit të tyre?

Mirëpo ai kastile bën sikur fama e tyre është nga jeta dhe jo nga vepra. Të merresh me autorin e mendimit dhe jo me mendimin është një praktikë e njohur, sidomos në politikë. Demagogët e njohin dhe e përdorin rëndom.

Ai e din shumë mirë se populli ynë më shumë merret me telenovelën dhe tymnajën se me letërsinë. E ushqen me konspiracion, spiunazh, dyshime, aludime dhe ja u bë. Martin Camaj u njollos. A thua nuk i mjaftoi njolla dhe mohimi 42 vjeçar por duhet një i ri tani, për brezat që do vijnë.

Sigurisht mu kujtua Kadareja me përcaktimin e zhganit të intelektualëve që në emër të vërtetës historike, në emër të paanësisë, të mungesës së nacionalitetit, të shpirtit global a universal, bëjnë zbulime kundër popullit të tyre.

Si ka mundësi që harxhojmë kaq energji për të zhbërë figura që kanë reputacion dhe janë përfaqësuese dinjitoze të vlerave të katolicizmit dhe veriut, dy identiteve më të përbuzura dhe të ndëshkuara nga sistemi komunist? Përse ky kërkim kaq i zellshëm, shumëvjeçar, për të përmbysur me të vërteta të debatueshme, disa figura që dolën në dritë vetëm pasi ai sistem ra? Përse quhet e besueshme arkiva e Sigurimit kur dihet që gjithë karriera e Martin Camajt, e mëvonshme nuk ka asnjë gjurmë bashkëpunimi me armën e dashur të Partisë? Po sikur atë dokumentacion ta ketë falsifikuar kundërzbulimi për të dëmtuar figurën e Camajt në komunitetin shqiptar të diasporës apo edhe në vendet fqinjë?

Por jo, Tarja mendon se Sigurimi nuk vihet në dyshim, në dyshim vihet autori katolik i veriut. Pasi është sharë mbarë e prapë, për 42 vjet komunizëm me epitetet tradhtar e agjent i imerializmo-revizionizmit, duket se figura e tij mori një farë vlerësimi sporadik në postkomunizëm. Deri sa Tarja merr vesh që qenka bërë një veprimtari nga Ministria e Kulturës!

Po ky është kulmi!

Atëherë i hyn kërkimeve të dokumenteve të Fadil Kapisyzit, arkivave të deklasifikuara, ulet picërron sytë, harron të hajë, i përpirë në gjetjen e të vërtetës së madhe. Në fund bërtet: Eureka! : Janë agjentë të Sigurimit, UDB-së, fashizmit, nazizmit, japonezëve, CIA-s...

Si shoku Enver dikur...

Ua dëmtova edhe mitin e tyre katolikëve të veriut. Armiqtë e komunizmit do i diskreditoj të gjithë. Përtej dilemave që e shoqërojnë atë tekst keqdashës e të anshëm, në fund fare kam një pyetje “Kujt i shërbeu kjo e vërtetë nëse do ishte vërtetë e tillë”? Në fund fare vepra dhe jo jeta e tyre ka rëndësi për trashëgiminë kulturore.

Tani Auroni do merret pak me mitin e Zef Pëllumbit, Pjetër Arbnorit, Gjergj Elez Alisë, Lek Dukagjinit, Lekë Zaharisë e kompani.




(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora