Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Vahit Nasufi: Kurbetçar në Amerikë

| E marte, 07.07.2020, 09:14 PM |


Vahit Nasufi

KURBETÇAR NË AMERIKË

Shumë e  dashura vendlindja ime,

Pse vajton me ligjërime?

Për bijtë e bijat që m`kanë ikë,

Nëpër Europë dhe Amerikë...

Plagë e rëndë për kombin tim,

Diagnozë që s`ka shërim

Kjo plagë e rëndë qoft mallkuar,

Brez pas brezi e kemi trashëguar.

Nuk janë pak, por,shumë shqiptarë,

Nëpër botë të shpërndarë,

Kaluan male, fusha e detëra...

U larguan me mijëra kilometra!

Shumë të rinj që u shkolluan,

Me kurbetçare u martuan,

Bukën e gojës për të siguruar,

N`valët e kurbetit kanë vërshuar!

Në këto valë edhe unë lundrova,

Në skaj të botës fatin kërkova,

Një valixhe në dorë kam marrë,

Dhe u largova si zog shtegëtar.

Lash mamanë dhe babanë,

Lash motrën dhe të vëllanë,

Bashkëshorten, vajzën, djalin...

Lotët rrjedhën nuk e ndalin!

Në aeroport kur kam zbritë,

Një kushëri atje m`ka pritë,

Pak buzëqeshi kur më pa,

Mirë se erdhe - tha në SHBA.

Që atë ditë kur kam ardhë,

Rrallë e shoh dritën e bardhë,

Sa herë vjen këtu mesnata,

Më takonë duke larë pjata!...

Nuk jam në dasmat familjare,

Larg kulturës sonë kombëtare,

Më mungojnë këngët, vallet...

Shpirti nga malli flakë më kallet.

Se kështu do t`jetë s`e kam pritë,

Një orë më bëhet sa një ditë!

Sa rëndë qenka në vend të huaj!

Mallin e nxehtë s`mund ta shuaj!

Zemra më digjet për vendlindjen,

S`ka ilaç që m`shëron dhimbjen,

Në Amerikë fizikisht jam,

Por, mendjen në Atdhe e kam.

Pas shumë vitesh në vetmi,

Në Amerikë mora fëmijët e mi,

Mësimin shqip ua ndërpreva,

Në gjuhën anglishte ua këtheva!

Shtëpinë e mbyllëm me dry,

Askush brënda më nuk hy,

Ne prej saj duke u larguar,

Me kokën pas, duke e shikuar!

Vëllezër e motra u martuan,

Të dy prindërit jetë ndërruan,

Thellë në zemër më ngeli mbresë,

N`varrimin e tyre që s`mora pjesë.

Pas ca vitesh kur kam ardhë,

Ishte zhytur ngjyra e bardhë!

Dryni n`derë ishte ndryshk,

çatija mbushur plot me myshk!

Rreth e rrotull bari ish rritë,

Plot pesë vjet pa u kositë,

Kur hyra brënda në shtëpi,

Kundërmonte lagështi,

Shumë të afërm nuk i gjeta,

Ishin ndarë shumë nga jeta,

Ca kishin ra në hallin tim,

Syrgjynosur në mërgim!

Të rinj e të reja kur i shihja,

Shumë prej tyre nuk i njihja!

Shumë tradita stërgjyshore,

Pa arsye ishin lënë pas dore!

Tjetër më s`kam ç`të pres,

Vetëm ditën kur do të vdes!

Ajo që`m`brengos po e them,

Nuk di varrin ku do ta kem?!

Amanet fëmijëve ua kam lënë,

Të më çojnë në tokën nënë,

Në Atdhe dua nê dhe t`më shtinë,

Se sa t`më djegin me maqinë!

Kërçovë, korrik 2020