Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Mendime për librin e tretë të Elvi Sidherit - Erdha, Pashë, Dashurova

| E hene, 06.07.2020, 09:43 PM |


Mendime për librin e tretë të  Elvi Sidherit

Erdha, Pashë, Dashurova

Nga Kristaq Turtulli

Edhe pse kanë kaluar më se 30 vjet përsëri është e vështirë të pranohet ndryshimi, mendimi i ri, mendësia e re, zëri i ri. Shumë gjëra dhe disa krijues akoma duket se janë tabu dhe, nëse i lakon ose i prek qarku i mbyllur të vështron me mëri sikur u ke ngrënë bukën dhe ke bërë faj. Kjo vjen ngaqë jemi ushqyer me lugë bosh për më shumë se 50 vjet me metodën e mediokre të realizmit socialist, me të mirë dhe të liq. Me personazhe të himnizuar në idiotësi dhe politikë puniste të bastarduar. Me gënjeshtra dhe përralla të formimit të njeriut të ri, i cili doli një dordolec i mbushur me kashtë të mykur, veshur me lecka, aq sa dhe sot e kësaj dite nuk po mundemi të orientohemi, të mësohemi të ecim me dinjitet, ballë lart drejt botës së qytetëruar.

Ja këto po mendoja teksa lexoja librin më të ri të shkrimtarit premtues Elvi Sidheri dhe personazhi Artemisa, në librin e tretë: ‘Erdha, Pashë, Dashurova’.

Autori me art dhe dashuri trajton një temë të rëndësishme; Dinjitetin e munguar të femrës, gruas, nënës shqiptare, e fshikulluar nga jeta, por që mëkëmbet, shkelmon të shkuarën, ngrihet me guxim, gjen të vërtetën e jetës së kuptimtë, dashurinë e sinqertë kudo që shkon dhe kudo që të jetë.

Pas dy romane të suksesshme ‘Dy botë’ dhe ‘Emigrantja’, doli në dritë romani i tretë të shkrimtarit dhe përkthyesit letrar Elvi Sidheri:

‘Erdha, Pashë, Dashurova’.

Miku im i talentuar Elvi Sidheri qysh në faqet e para, më tërhoqi, më la shije të këndshme me mënyrën e zhdërvjellët të shkruarit, ngrohtësinë, shkathtësinë dhe rrjedhshmërinë. Sigurisht, s’ishte surprizë por një pritje e justifikueshme, mbasi  Elvi provën e kishte kaluar mjaft mirë dhe me sukses në dy librat e parë, si nga rrjedhshmëria e rrëfimit, kompozicionet, skalitja e kujdesshme e karaktereve, sidomos e vajzës dhe e gruas shqiptare, të zhveshura nga kompleksiteti dhe nënvleftësimi qe e kemi hasur rëndom në jetën e përditëshme. Shtrirjet e ngjarjeve në kohë dhe hapësirë ishin një prezantim dinjitoz. Të dy librat personazh kryesor është vajza, gruaja shqiptare, trajtuar me frymëzim, dashuri dhe poezi. Të ëmbla, delikate, të çiltra, të ndershme, të pamësuara me kurbetin e egër dhe botën e madhe, plot mistere dhe të papritura. Por nga faqja në faqe rriten, forcohen tok me furtunat dhe rrebeshet e kohës së tranzicionit të stërzgjatur. Këto personazhe të  Elvit në letërsinë bashkëkohore mbeten fllad i freskët, por edhe kushtrim, zë i plotë në amullinë e botimeve të shumta të kohëve të fundit.

Elvi është djalë studios, serioz, këmbëngulës me kulturë dhe me këmbë në tokë si rrallë të tjerë të brezit të tij. Nga libri në libër me kujdes dhe përkushtim po krijon mënyrën e të shkruarit dhe kristalizon fizionominë e tij. Në sajë të pasionit, studimit dhe përkushtimin intelektual flet rrjedhshëm katërmbëdhjetë gjuhë dhe, nuk është pak për moshën e tij relativisht të re, por një bagazh i admirueshëm. Elvi ka përthyer me sukses vepra të shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë botërore, në versionet e tyre origjinale, si psh tre novelat e Miguel de Servantes, nobelistë si Patrick Modiano dhe plot nobelistë të tjerë.

Elvi Sidheri po jep kontribut letrar, përfaqësues i denjë i brezit që duhet të jetë në të vërtetë për ti vënë shpatullat vendit, ringritur, që ka aq shumë nevoje nga brezi më i ri, Shqipëria e lodhur nga ikjet, mediokritetet, pasivitetet dhe nënvleftësimet. Mbasi guri rëndon në vend të vet dhe Elvi ky përfaqësues i denjë i brezit të tij e di fort mirë këtë sekret.

Ngjarjet në romanin: ‘Erdha, Pashë, Dashurova’ kanë shtrirje kohore gati njëzet e vjeçare. Në sajë të bredhjeve, kontakteve dhe studimit të tij individual autori e njeh mirë terrenin ku shkel, mjedisin që përshkruan me kompetencë, dashuri, pasion dhe art. Jep njohuri, pasqyron me besueshmëri dhe vërtetësi ato që përshkruan dhe thotë nëpërmjet gojës së personazheve.

Ngjarjen e librit e nisën në janarin e vitit 1996, me ajrin që përthithej ndryshëm, me tisin që mbështillte kryeqytetin shqiptar, akoma i gëzohej pavetëdijshëm demokracisë fëminore, pa ditur ç’ofronte e ardhmja e afërt. Pra qysh në fillim autori do të na futë në mendim, natyrën, kohën, situatën, tensionin e fshehur dhe zhvillimet që do të pasojnë në libër. Artemisa gruaja inteligjente, personazhi kryesor i librit, do na shoqërojë deri në faqen e fundit. Lë Tiranë dhe merr udhëtimin për specializim drejt Mesdheut, Izraelit.

Artemisa një femër, grua e emancipuar, e hijshme dinjitoze. Jeta me peripecitë e saj e ka kalitur, ka mësuar që udha më e mirë në jetë, kudo që të ndodhesh është të llogaritësh me gjakftohtësi dhe kthjelltësi situatat dhe të përftosh prej tyre. E përpjeta e jetës e mësoi ta njohë veten, të jetë e kujdesshme dhe përgjegjësinë e femrës vetes dhe jetës.

Ngjarja në libër fillon qysh në faqet e para ndodh me një rastësi, më saktë keqkuptim që ndodh rëndom, por është bindës. Dhe ky fill që shpesh  thuhet rastësia është mbreti i botës i dha impuls situatës dhe rrjedhës së mëvonshme. Vetë jeta e njeriut është krijuar nga një mori rastësisht që shpesh  e quajmë fat dhe krijojnë një të tërë. E pra kjo rastësi ndryshoi rrjedhën e jetës së personazhit tonë kryesor, Artemisa. I dha frymëmarrje gjithë veprës në lidhje me dashurinë e zjarrtë dhe plot pasion. Autori është shkrirë me rrjedhën e ngjarjes, nuk i pengon, por, i lë personazhet të lëvizin lirshëm, siç është vetë jeta. U jep personazheve ndjenja të vrullshme, të shkruara me vërtetësi dhe dashuri dhe, vetë lexuesi i ndjek me kureshtje, i përjeton.

Achilleas Janakis, qiprioti i pashëm, burrë i sigurte te vetja, i suksesshëm në femrat. E mori si lodër të zakonshme takimin e vajzën tonë, Artemisa. Por ajo me dinjitetin, lirshmërinë, hirin e saj rrezatues, vetësigurinë e çarmatosi, ia zuri të gjitha shtigjet. Dhe ishte ai që rrëmbeu zemrën dhe i fali dashuri me të gjithë zjarrin e shpirtit. Dashuria e të dyve ishte vrullshme dhe plot pasion ringjalli shpirtin e lënduar të personazhit tonë kryesor, pas traumës që kishte kaluar nga martesa e pafat. Protagonistja e këtij romani e vuante thellësisht të shkuarën e cila kishte lënë gjurmë të thellë ne mendje dhe në shpirt. I dilte si hije, ja prishte gjumin, ja lëndonte kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e jetës. Ringjallja si dukuri, e prekur dhe shtjelluar vazhdimisht në gojëdhëna, mite, skalitje të lashta në gur, legjenda e përsiatje të shkruara apo të trashëguara brez pas brezi veç gojarisht, përbën pikërisht edhe njërën ndër shtyllat e këtij romani, duke u përvijuar përmes përvojave të personazhit kryesor (femëror) të këtij romani, ndërthurur me rrezatime të pamungueshme, të cilat të shpien gjithnjë në shtegun e praruar të dashurisë.

Dashuria e dy të rinjve, apo dy zemra kur gjejnë pikë të përbashkët, është streha më e sigurte e dashurisë, kur është e sinqertë, është sublime në jetën e njeriut dhe, kjo dashuri arrihet përmes peripecish e sakrifica të pafund, duke shkelur nëpër vise të panjohura, fizikisht, shpirtërisht, njëtrajtshmërisht; duke përshkuar periudha, të gjata herë sa një rrahje zemre, herë të befta porsi një ndryshim epokal, që ngjizet, ndodh e jetësohet, duke përfshirë në valën e tij shndërruese, gjithçka përreth.

Libri, faqe pas faqeje, ngjarje pas ngjarjeje dhe kapitull pas kapitulli, me çiltërsi dhe sinqeritet e lartëson personazhin e vet Artemisa dhe njerëzit e mirë të mbështillen rreth saj. Ky libër është një rrugëtim shpirtëror, jetësor. Tregon vlera dhe befasi, të bën ta duash dhe ta përjetosh, shpalosen njohje dhe impulse, flakën e pashuar e dashurisë, vetëmohimit dhe forcës së paepur të vullnetit të shndërrohet në vrull të pandalshëm, që pluskon në ujërat e kaltra të Mesdheut. Simbolit të këtij romani, është dinjiteti i femrës, vajzës, gruas, nënës shqiptare, në të cilën e ka trajtuar dhe në dy librat e para të tij, por këtu ka një tjetër kënd shikim dhe origjinalitet. Pra femra shqiptare ngrihet mbi mykun e kohës, mbi hijet dhe mediokritete, dhe së pari duhet të duash veten, njerëzit përreth dhe të vështrosh përpara drejt mirësisë progresit edhe kur gjendesh larg, ujdhesave, gadishujve, shkëmbinjve, majave të thepisura e luginave të brigjeve të Mesdheut të lashtë, me plot ngjarje dhe histori, aty ku shqiptarët, si gjithmonë janë gjendur në zemrën e këtij pellgu të përjetshëm,

Edhe në kulmin e mirësisë dhe të dashurisë e shkuara, hija e së keqes, përgjon, ka zënë pusi, hija, nuk ndalet përpara hakmarrjes së verbër. Kërkon të shkatërrojë, të vrasë jetën, por edhe në këtë moment të luftës së midis jetës dhe vdekjes, është mirësia dhe dashuria që triumfon mbi vdekjen, i jep fllad vazhdimësisë së jetës dhe vlerës së bukur të saj.

Mesazhi i rëndësishëm i romanit më të ri të shkrimtarit Elvi Sidheri : ‘Erdha, Pashë, Dashurova’, nëpërmjet femrës së mençur e kurajoze Artemisa, protagonistes së librit, është himni për jetën, për dashurinë, për ndjenjat e mohuara, dinjitetin e gruas shqiptare edhe pse e vetme mes detit të madh, e gjeti veten dhe dashurinë e vërtetë. Një çlirim i domosdoshëm dhe i rëndësishëm i mendësisë shqiptare, të mohuar dhe të nëpërkëmbur, që me vetëmohim dhe përkushtim mposht makthet e të shkuarës dhe vlerëson jetën dhe të nesërmen.

A nuk duhet të jetë Shqipëria si kjo grua, bija e saj Artemisa, të shkelmojë të shkuarën, kompleksitetin, që e bën të vuajë aq shumë, të përballojë furtunat dhe të dalë me dinjitet përballë botës me gjithë potencialin e madh intelektual?!