Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Lutfi Isufaj, Dr. Shkencash, i vlerësuar ndërkombëtarisht

| E hene, 06.07.2020, 07:37 PM |


LUTFI ISUFAJ, DR. SHKENCASH, I VLERËSUAR NDËRKOMBËTARISHT

Nga Kadri Tarelli

Jam njohur vonë me profesorin e nderuar, Lutfi Isufaj, Dr. Shkencash në mbrojtjen e bimëve, personalitet me emër në rrethet intelektuale të qytetarisë durrsake, madje edhe në mbarë vendin, fatmirësisht edhe në elitën e njerëzve të shquar në botë.

Them jam njohur vonë, kam parasysh zakonin tonë si shqiptarë, që duhet të ulemi në kafe dhe të bisedojmë, duke shkëmbyer mendime dhe përqasje opinionesh në fusha të ndryshme të shkencës dhe kulturës. Pavarësisht se emrin e tij, e kam dëgjuar që herët në vite të shkuar, nga vëllai im Sefer Tarelli, i diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, përfshi këtu edhe shkrimet e shumta që janë bërë për të, nga gazetarë e kolegë të nderuar anembanë vendit.

E kisha parë dhe shoh shpesh herë tek kalon nëpër rrugët e qytetit të Durrësit, madje edhe pranë kafes ku ulem gati çdo ditë. Bie në sy shpejt. Burrë i veshur me kujdes, me pallto të zezë dhe kapele republike të vogël, në dorë një çantë të zezë, një kombinim i hijshëm ngjyrash. Më nxjerr mallin e fisnikëve të hershëm shqiptar, të fiksuar nëpër foto të ndryshme, të bëra para dhe gjatë Monarkisë, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Dallohet që nga larg për ecjen e tij të shpejtë, përherë i nxituar, sikur po e presin studentët në sallën e leksioneve, apo takime me ministra dhe anëtarë të kabinetit qeveritar. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe kur unë dhe shoku ynë Shpendi Topollaj e ftojmë për kafe, na përshëndet me mirësjellje, tund dorën duke na thënë: “Me kënaqësi por një herë tjetër, pasi sot po më presin. Një fermer kërkon këshillë, sepse bimët e kërkojnë doktorin pranë, në ditë të mira dhe të vështira”.

Artikull, “Gazeta e Durrësit”. E hënë, 14 janar 2013

Natyrisht, “hera tjetër vjen shpejt” dhe është kënaqësi të bisedosh me këtë dijetar shqiptar, në fushën e “Mjekësisë bujqësore”, por me kulturë të gjerë dhe njohje të madhe edhe për ekonominë, artin, kulturën dhe letërsinë, përfshi edhe artin e të shkruarit shkencërisht dhe letrarisht. Nuk nguroj të them, se është autor i disa librave shkencor, broshura e katalogë, kushtuar mbrojtjes së bimëve, njëkohësisht edhe qindra artikujve të botuar në gazeta dhe revista të kohës, disa prej tyre me theks të mprehtë kritik.

Ka lexuar dhe vazhdon të lexojë shumë. Këtu mjafton të përmend një ndodhi të vogël. Kur po diskutonim rreth gjendjes ekonomike dhe shoqërore në vendin tonë edhe pas 30-vjetësh demokraci, më mjaftoi një shprehje lakonike: “Lexoje këtë libër, që është shkruar para 100-vjetësh. Kemi mbetur në vend numëro, kemi po ato probleme si atëherë, e s’po i zgjidhim dot”. Dhe, më dhuroi një fotokopjim të librit “Plagët tona”. Çë na mungon? Çë duhet të bëjmë”, shkruar nga Lumo Skëndo. Shtypur, Tiranë. 1924.

Dr. Lutfiu është njeri shumë i shëtitur, ku siç thotë edhe vetë: “Nuk ka vend brenda Shqipërisë, fshat e zonë prodhimi që nuk kam shkelur me këmbë. Ma kërkonte detyra dhe unë nuk i bëja bisht, pa pyetur për hallet e shtëpisë. Motorit në qafë, (Jawa 250), dhe nisesha, në kohë të mirë e të keqe. Jo pak por për rreth tridhjetë vjet rresht”. Dhe ajo që e bën më të këndshme bisedën, është se ka gjezdisur shumë edhe nëpër botë, Eurpën po se po, madje edhe në SHBA, jo për turizëm, siç na shkon mendja, por në delegacione dhe grupe pune. Kujtesa e fortë e bën kuvendimin të ndjehemi sikur jemi në Paris, Londër, Berlin, Bon, Vjenë, Bukuresht, Sofje, New Jork, apo Filadelfia.

Nuk kam ndërmend t’i bëj jetëshkrimin, pasi bukur dhe hollë e ka bërë durrsaku Bashkim Kadiu, në librin “Vlerat e qytetit tim”, volumi I-rë, botimi i vitit 2013.

Veç dy fjalë sa për njohje:

Lutfi Isufaj, lindur në Fier më 1942. Mbaron Teknikumin Bujqësor në Fier me nota të shkëlqyera, ndaj i miratohet bursë studimi, për të ndjekur udhën e dijes në Institutin e lartë Bujqësor “Gjergj Dimitrov” në Bullgari, dega e mbrojtjes së bimëve. Pas një viti, (probleme të politikës shqiptare të asaj kohe), si të gjithë  studentët e tjerë, kthehet në atdhe, dhe gjatë viteve 1961-1965, vazhdon studimet në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, Tiranë, (sot Universiteti Bujqësor), ku shkëlqen me rezultate të larta. Pak vite më vonë, më 1972, kryen studimet pasuniversitare pranë Institutit të Mbrojtjes së Bimëve në Bukuresht, Rumani.

Studimet, shkalla e lartë e njohurive shkencore dhe përvoja disa vjeçare në prodhim, nëpër ekonomi bujqësore, e bëjnë pjesë të Institutit të Mbrojtjes së Bimëve, që u ngrit në Shkozet të Durrësit, ku Lutfi Isufaj, ishte një ndër themeluesit kryesor të shërbimit të mbrojtje së bimëve në Shqipëri. Pikërisht këtu përsëri shkëlqeu, pasi në vitin 1981, mbron doktoraturën me temë: “Studimi i dëmtuesve të tokës në Shqipëri”, duke u bërë pjesë e elitës shqiptare në fushën e bujqësisë, si dijetar mëndje mprehtë dhe me logjikë të shëndoshë, si specialist i papërtuar dhe praktik në zbatimin e të dhënave shkencore.

Aq e vërtetë është kjo sa, Enver Maloku, agronom i lartë, shumë vite kryetar kooperative dhe drejtor në disa ndërmarrje shtetërore, kujton pas më shumë se 35 vjet të shkuar: “Në çdo takim pune të thirrur në strukturat shtetërore dhe partiake të Rrethit të Durrësit, nuk mbyllej mbledhja pa folur Dr. Andon Papingji (Drejtor i Institutit të mbrojtjes së bimëve) dhe Dr. Lutfi Isufaj, ndërsa ne mbanim shënime”.

Në këtë hulli vlerësimi, gazetari i njohur Gëzim Kabashi, te “Gazeta e Durrësit”, (E hënë, 14 janar 2013), shkruan: “E kam zili Dr. Lutfiun. Ka lënë pas krahëve 70 vjet dhe çdo mëngjes e shoh që lëviz si djalë i ri. - Më pas ai shton: - Është ai që në vitin 1992, në ditët kur bashkë me sektorët e tjerë edhe bujqësia ishte krejt e çoroditur, Dr. Lutfi Isufaj e la mikroskopin e institutit dhe hapi të parën farmaci bujqësore”.

Shumë vite më vonë, lidhur me këtë hap të guximshëm për kohën, kur ne të gjithë ishim mësuar që gjithçka ta prisnim nga shteti, vetë Dr. Lutfiu thotë i vendosur: - “Ishte një vendim i marrë fill pas një vizite pune në Gjermani, ku mësova se këshilla private do t’i shërbente më mirë bujkut privat shqiptar. Përvoja 10-vjeçare e vërtetoi plotësisht guximin tim. Aq e vërtetë është kjo, sa mbas dhjetë vjetësh, kur e ndërpreva veprimtarinë e kësaj farmacie, pata mbi 100.000 klientë (fermerë), madje edhe nga shqiptarët e Kosovës, që kërkonin barna, këshillime dhe literaturë, katalogë, fletë-palosje, me sqarime se si duhej vepruar në parcelë. Shifrat janë kokëfortë. Ky dhjetëvjeçar më dha të kuptoj, se ç’ është prona private, ç’ energji çliron interesi vetjak, çfarë nismash të guximshme shpërthyen nga bujku shqiptar, për zhvillimin e ekonomisë bujqësore, pa as më të voglën përkrahje nga shteti. Janë për t’u admiruar bujqit e rinj, apo fermerët, siç i quajmë ne me një llafe të jashtme. Sikur fare pak më shumë kujdes të kishte bujqësia, ekonomia shqiptare do të ishte ndryshe, duke përfshirë tregun dhe punësimin e të rinjve”.

Më 1996, tashmë doktor shkencash dhe pedagog i jashtëm në U. Bujqësor, Tiranë, ngarkuar me shumë përvojë në jetën teorike e praktike të “Mjekut të bimëve”, në disa rrethe të vendit, si në Krujë, Korçë, Pogradec, Dibër, Shkodër dhe më gjatë në Institutin e Mbrojtjes së bimëve në Durrës, njëkohësisht edhe botues i disa librave dhe qindra artikujve në shtypin e kohës. Të gjitha së bashku bëjnë që të përzgjidhet e të përfshihet në një grup të specialistëve shqiptar, të cilët ftohen të udhëtojnë drejt SHBA-ve, për shkëmbim përvoje dhe kualifikim pranë institucioneve kërkimore, shkencore, si dhe në qendrat e biznesit Amerikan. E gjitha kjo mund të përkufizohet në filozofinë dhe praktikën e botës së përparuar, që vlerëson dhe mbështet intelektualët. Është një arsyetim i përmbledhur shkurt te Fjalori Anglez i Oksfordit, që e përkufizon intelektualizmin, si “Një doktrinë, ku njohuria është tërësisht apo kryesisht e prejardhur nga arsyetimi i vërtetë”. Dhe vazhdon: “Intelektuali i vërtetë është një “person”, i cili zotëron një të kuptuar të mirë, është një person i ndritur”.

Mjaftojnë vetëm këto ngjarje në jetën e Dr. Isufaj, që të shkruhet një libër i tërë dhe të përgjithësohet përvoja dhe vlerësimi, për këtë figurë të njohur të shkencës shqiptare, për t’i thënë vetes dhe botës, se edhe ne jemi të zot, madje të barabartë edhe me kolegët e vendeve të zhvilluara.

Ngjarjet nuk mbarojnë me kaq. Ka edhe të tjera vlerësime më të larta, që nderojnë e lumturojnë Dr. Lutfiun, vlerësime që na bëjnë edhe ne të ndjehemi të përkëdhelur për bijtë e këtij vendi, që me mençuri, punë e studim të përhershëm të arrijnë maja të tilla të dijes, aq sa emri i tyre të përfshihen në elitën e njerëzve të shquar të botës.

Modestia e tepruar këtu nuk ka vend, madje na dëmton, sepse për Dr. Lutfiun, si “Misionar” i mbrojtjes së bimëve, janë edhe dy vlerësime të institucioneve më të njohura në botë, të lakmuar nga cilido dijetar e shkencëtar shqiptar, apo i çdo kombi qoftë.

Vlerësimi i par: Nga Instituti Biografik Amerikan “ABI”, më: 10, dhjetor, 2001, që vlerëson Doktorin e shkencave z. Lutfi Isufaj, si: “Mendje e

ndritur e shekullit 21”, në saje të arritjeve të jashtëzakonshme dhe zotërimit të shkencës së Mbrojtjes së Bimëve”.

Vlersimi i dytë: “Qendra ndërkombëtare e biografive të Kembrixhit, në Mbretërinë e Bashkuar, e shpalli Dr. Lutfiun: ”Intelektuali ndërkombëtar i vitit 2001”. Dhe përfshihet në librin “2000 intelektualët e shquar të shekullit XXI1” dhe “Kush jeni Ju, në shekullin XXI”, shoqëruar me medalje. Me këtë rast po citoj vetëm pak fjalë të shefit të botimeve z. Jon Gifford, i cili thotë: “Ju ftoj të zini vendin tuaj brenda faqeve të këtij libri. Vetëm 2000 intelektualë janë përzgjedhur nga e gjithë bota. Përfshirja në këtë botim, është bazuar vetëm në meritat tuaja. Përgëzime, sinqerisht”.

Pak kohë pas këtij lajmi të mirëpritur, Enver Isufi në Durrës, edhe ky koleg e dr. Shkencash “Për mbrojtjen e bimëve”, në përshëndetjen në festën e 60-vjetorit të Lutfiut, fjalë e botuar më pas në artikullin “Gëzime dhe përfundime nga një ngjarje e këndshme”, thotë: “Është lajm i mirë! Ndjehemi të respektuar, sepse pjesë të jetës së Lutfiut, janë pjesë e secilit prej nesh. Ky institucion i famshëm botëror, e ktheu mikun tonë, nga një fenomen shqiptar në një fenomen të Kembrixhit. E regjistroi atë në “Bankën botërore të vlerave njerëzore”. Artikull. “Bujqësia Shqiptare”. Nr. 5. Viti 2002. Faqe. 18.

Janë të shumtë edhe të tjerë shokë e bashkëpunëtorë, gazetarë  e shkrimtarë, që i kanë kushtuar vëmendje dhe shkrimë figurës së Dr. Lutfiut. Mes tyre mund të përmend: Jani Gusho, Thanas Mustaqi, Fuat Memeli, Andrea Shundi, Veli Hoxha, Flori Slatina, etj, etj. Ata me artikujt e tyre të publikuar në faqet e gazetave të ndryshme, si: gazeta “Bulevard”, “Gazeta e Durrësit”, “Gazeta 55”, gazeta “Zëri i Popullit”, përfshi edhe revista “Bujqësia Shqiptare”, në disa numra të saj, kanë bërë të njohur veprimtarinë dhe vlerësimet për dr. Lutfiun, si specialist i kalibrit ndërkombëtar, por edhe si njeri dhe qytetar i nderuar.

Dy fjalët e fundit më shtyjë të zbuloj edhe anën njerëzore të doktorit të shkencave. Kam në dorë dy letra të shkruara me stilolaps:

E para letër drejtohet për mikun dhe kolegun Dr. Andon Papingji, me titull: “Andon Papingji, shkencëtari që la emër në mbrojtjen e bimëve”. Ja si shprehet që në fjalët e para: “Kështu e kanë cilësuar të gjithë specialistët e bujqësisë në mbarë Shqipërinë, sepse kudo që shkonte, me punën e tij shkencore, me fakte bindëse tregonte se ishte një shkencëtar i kompletuar….. Ai luftonte që, atë që provonte në shkencën e mbrojtjes së bimëve, ta vinte në shërbim të prodhimit bujqësor shqiptar”. Lidhur me këtë figurë të nderuar të shkencës shqiptare dhe qytetarisë durrsake, në një bisedë mes miqsh, vetë dr. Lutfiu rrëfen: “Ngazëllehem, se edhe pas shumë vitesh, kur shkoj në rrethe të ndryshëm, i thirrur për probleme të mbrojtjes së bimëve, shumë specialistë dhe bujq të nderuar, më flasin me admirim për mikun tonë të përbashkët Andon Papingjin i cili prej disa vitesh nuk është më mes nesh. Besoj se nuk ka nderim më të madh që i bëhet njeriut të dijes dhe punës, kur kujtohet nga brezat”.

Letra e dytë, drejtohet për dr. Bajazit Habibi, me titull: “Një jetë në shërbim të bujqësisë”, ku ndër tjera shkruan: “Ishte shkencëtar dhe specialist me dije bashkëkohore…”. Më tej shton: “Njohja e jetës dhe veprimtarisë studimore e aplikative dhe e punës së Bajazitit, mbetet për të gjithë ne që e njohëm dhe punuam, një burim frymëzimi, një model i përkushtimit për punën deri në momentet e fundit të jetës së tij.……”

Duke parë dr. Lutfiun, këtë njeri me kaq punë kërkimore-shkencore dhe vlerësime të larta, si brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare, shtojmë këtu shkrime e botime të ndryshme, përfshi kujtime e mbresa nga kuvende shkencore dhe nga takime me personalitete të larta, pa lënë pas dore edhe kujtime të kolegëve, bashkëpunëtorëve, miqve dhe shokëve, bëhet një mal me letra e dokumente, që fare mirë mund të krijohet një monografi e bukur dhe me vlera shkencore dhe njëherazi njerëzore e qytetare. Një libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”, për t’ia lënë brezave.

E përsërita dy-tri herë shprehjen e fundit, duke shpresuar se do të pëlqehej. Çuditërisht dëgjova një mendim që më befasoi, për qetësinë dhe sinqeritetin siç u tha: “Jam shumë i nderuar me të gjitha vlerësime që me janë dhënë. I kam marrë të gjitha. Jam i ngopur. Libri me duket si mburrje e tepërt. Unë kam bërë aq sa ç’ kanë bërë edhe shumë nga kolegët e mi. Kam bërë detyrën si specialist, si qytetar dhe si shqiptar. Kaq më mjafton, si trashëgimi për vete dhe fëmijët e mi”.

Në këto kushte u ndodha ngushtë, sepse sado të them unë dhe sado ta zgjas këtë shkrim, nuk mund të përmblidhet e gjithë jeta, puna dhe përvoja dhjetëra-vjeçare e këtij njeriu me përmasa intelektuale kombëtare dhe ndërkombëtare. Unë nisem nga parimi, se shkrimet nëpër gazeta e revista sado të shumta qofshin, janë si kokrrat e grurit të rëna përdhe, që po nuk u mblodhën e të futen në hambar, i hanë mizat e dheut. Koha i mbulon me pluhurin e harresës dhe zor se mund t’i mbledhësh në grusht.

Kam edhe një arsye më tepër që të mendoj kështu: Letrat dhe dokumentet në vetvete janë të ftohta, janë si fotografi që fiksojnë kohën, por u mungon lëngu i jetës, ngrohtësia, gëzimi dhe trishtimi, shpirti i sakrificës. I mungojnë përpjekjet, shqetësimet, pengesat, përplasjet nëpër dikastere, zhgënjimet dhe vështirësitë në realizimin e detyrave apo projekteve, pa harruar edhe mirëpritja e mirëkuptimi, gatishmëria dhe mirësia e njerëzve të thjeshtë, bujq, specialistë dhe kuadro të prodhimit. Është një pasuri jetësore që e ka dhe mund ta lerë si trashëgim, vetëm Dr. Lutfiu, askush tjetër.

Rrallë ndodh kështu, që titullin e shkrimit ta kem shkruar e ndërruar disa herë, duke e titulluar si në krye, apo edhe kështu: “Dr. Lutfi Isufaj, intelektuali me modesti të tepruar”. E përsërita disa herë këtë, sepse nuk e mbush dot mendjen time dhe aq më pak mendjen e atyre qindra e mijëra, miq e shokë, këtu e në Kosovë, që e njohin nga afër dhe, që natyrshëm mund të pyesin: Pse nguron mjeshtri ynë?

Megjithatë, edhe pse nuk jam i një mendje me doktorin e nderuar, e mirëkuptoj plotësisht shpirtin e tij të mbetur fisnik, të pa trazuar nga rrebeshet e kohës, madje të forcuar nga vitet, se librat monografi kanë vlerë, vetëm pasi “heroi” nuk është më.

Në këto kushte, “Mjeku i bimëve”, megjithëse po i afrohet të tetëdhjetave, me shëndetin e mirë dhe energjinë rinore që zotëron, libri duhet të presë edhe shumë vite të tjerë, kur ndonjë kokëkrisur të ulet e të shkruajë, duke i ngritur monument emrit dhe vlerave të tij, në kujtesën e kohërave.

Brezat kanë ç’të mësojnë nga Dr. Lutfi Isufaj, nga jeta e tij, përvoja, vullneti, durimi dhe përkushtimi ndaj punës dhe detyrës. Mesazhi mbetet i përhershëm: Lavdia nuk e zbut dhe as thyen karakterin e atij, që nuk heqë dorë nga thjeshtësia, as edhe nga këmbëngulja për dije, për ta vënë atë në shërbim të shoqërisë dhe kombit. Besoj se për njerëz si dr. Lutfiu, ka folur dikur Abraham Linkolni, që thotë: “Karakteri i ngjan pemës, kurse fama është hija e saj. Ne kujdesemi për hijen kur në të vërtetë duhet të mendojmë për pemën”.

I urojmë dr. Lutfiut, jetë dhe shëndet të mirë, energji djalërie për të qenë i kudondodhur në ndihmë të bujqësisë shqiptare.

Lum kush bën dhe le vepra të mira në këtë botë!

Kadri Tarelli

Durrës më: 28, qershor, 2020.