E premte, 29.03.2024, 03:02 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Strategjia e Pashiqit është e gjallë dhe në veprim

E diele, 05.07.2020, 11:53 AM


Blerim Latifi:

Ivo Banac, historiani i famshëm kroat, profesor në Yale University, paska vdekur dy ditë më parë. Libri i tij “Çështja nacionale në Jugosllavi- origjina, historia, politika” përbën ndoshta studimin më të mirë shkencor për periudhën midis dy luftërave botërore në Jugosllavi. Një pjesë e studimit i kushtohet edhe statusit politik të shqiptarëve të Kosovës në atë periudhë. Në kapitullin “ Kaçakët”, lexojmë këtë pjesë : “Me rikthimin e trupave serbe në vitin 1918 të gjitha shkollat shqipe në regjionin jugor u mbyllën. Fillimisht autoritetet u përpoqën të nisin asimilimin e të rinjëve dhe fëmijëve shqiptarë, duke ua lejuar atyre edukimin vetëm në gjuhën serbe. Për këtë qëllim u sollën mësues muslimanë nga Bosnja, të cilët kishin orientime të qarta proserbe. Por kur u pa se shkollat serbe jo që nuk po i serbizonin shqiptarët, por po i pajisnin ata me shkathtësi intelektuale, që nesër mund të përdoreshin kundër pushtetit serb, atëherë Beogradi hoqi dorë nga edukimi i shqiptarëve në gjuhën serbe dhe nisi politikën e orientimit të tyre në edukimin fetar. Autoritetet serbe mendonin se përhapja e shkollave fetare muslimane, mektebeve ( shkolla fillore) dhe medreseve ( shkolla të mesme), të njohura në gjuhën popullore si “shkolla turke”, do të bënte të mundur që shqiptarët të mbeteshin në prapambeturi dhe në injorancë”. Banac, në të njëjtin kapitull, citon një burim zytar të kohës, në të cilin theksohen qëllimet e këtij programi të pushtetit serb: duke i zhytur shqiptarët në prapambeturi, injorancë dhe budallallëk, ata do ta humbin forcën për t’i bërë rezistencë pushtetit të Beogradit. Shpjegimi i Banacit është se Serbia investonte në dimensionin fetar të shqiptarëve të Kosovës, me qëllim që të pamundësonte zhvillimin e vetëdijes kombëtare dhe nacionalizmit shqiptar në mesin e tyre. Për këtë qëllim në vitin 1924 në Shkup u hap Medreseja e Madhe e Krajl Aleksandrit. Qëllimet e saj ishin që të shkollonte imamë shqiptarë, të cilët pastaj do të shpërndaheshin në të gjitha trevat shqiptare në Jugosllavi për të përhapur besimin se shqiptarët e këtyre trevave parasegjithash ishin një mbetje e Turqisë osmane. Meqë nuk mund të serbizoheshin, shqiptarët duhej të turqizoheshin. Vetëm shqiptarë nuk mund të mbeteshin.

Kjo ishte strategjia e Pashiqit, strategji e cila ende sot është e gjallë dhe në veprim.

02-07-2020



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora