Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shyqyri Fejzo: Shtatëdhjetë vjetori i një “flakadani”

| E diele, 05.07.2020, 09:22 AM |


Shtatëdhjetë vjetori i një “flakadani”, simbol i Shqiptarizmës, Xhelil Musa

Nga Shyqyri Fejzo

Na priti fiks në orën 2 mbas dite, në orën që kishim lënë takimin.Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, buzëqeshja e tij disi e ngrirë të impononin respakt. Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. I shpjeguam pse kishim ardhur dhe ai shumë natyrshëm filloi të tregojë. Buzëqeshja e tij asnjëherë nuk i hiqet nga fytyra, kudo që të ndodhet. Një mendje e ndritur, dikur ka thënë se “…Nga e qeshura mund ta kuptosh tjetrin se c’ njeri është, në se ju pëlqen të qeshurit e parë, thoni i sigurtë se është njeri i mirë.”  Ai është një bashkëbisedues i mirë, se gjithnjë shndërrohet në një dëgjues të vemendëshëm.

Pikërisht më 10 korrik te vitit 1950, shtatëdhjet vjet më parë, në fshatin Pozharan të komunës së Vitisë në Kosovë familjes së Mehmet Musa dhe Ajshesë u lindi fëmija i parë. Ai që gëzoi zemrat e njerëzve të shtëpisë, ishte një djalë, emrin e të cilit nuk e patën vështirë për t’ja vënë. E quajtën Xhelil. Ai ishte një fëmijë i mbarë. Familja e varfër që “ngjynte bukën me dhallë”, kur i thonë një fjale, u kujdes shumë për djalin që të rritej e zhvillohej. Në vitin 1957 Xhelili nisi shkollën fillore të Pozharanit me mësues Zaker Ramizin, i cili vetë sapo kishte mbaruar 8 vjet shkollë. Vitet kalonin dhe ja ku Xhelili kalon në shkollën 8 vjecare të Gjilanit, e cila ishte 16 km larg fshatit. Banonin 6 nxënës në një dhomë të vogël dhe bukë e pak gjellë që ndodhej në shtëpi, e merrnin njëherë në javë.Këpucët e mia,(në se do të quheshin këpucë), I bëra vetë. Në vitet 1945-1960 gjendja ekonomike, vecanrisht në Kosovë ka qënë shumë e dobët. Orë për herë të parë kam parë në vitin 1963, kur s’kisha mbushur ende 13 vjet. Vetëm një radio kishte në fshat.Rryma elektrike erdhi në v1963. Kur dëgjon këto tregime rrënqethëse të Xhelil Musa nuk ka se si mos trishtohesh për fëmijërinë që ai ka nisur e kaluar.por edhe kujton thëniet e njerëzve të shquar si Hygoi, Tolstoi, Haminguei apo Lasgushi ynë, të cilët bazën e një ecurie normale e të suksesëshme të njeriut, përcaktojnë një fëmijëri të trishtuar e të vuajtur.Gjendja e dobët ekonomike e vuajtja është  quajtur një shkollë e vcantë që ndikon jo pak për një ardhmëri të suksesëshme të individit. Dhe Xhelil Musa nuk do bënte përjashtim nga kjo gjendje.Si fëmija i madh dhe atij i ra barra për të ndihmuar familjen. Më pas ai shkoi në Vojvodinë ku punoi tre vjet për të nxjerrë bukën e gojës.Në të gjitha këto hallka që po kalonte, ai bëhej më i ndërgjegjëshëm dhe më i pjekur për të përballuar sfidat e jetës duke menduar e vepruar për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme.

Dhe casti i shumëpritur erdhi. Më 16 mars 1970, në prag të 20 vjetorit të lindjes,Xhelili ndodhet për herë të parë në Gjermani. Ai dhe dy shokë të tij shqiptarë, njëri nga Mitrovica dhe tjetri nga Budriku mbrritën në Gjermani. Ky ishte ndoshta, hapi më i madh dhe vendimtar për jetën e Xhelilit dhe të familjes që priste shumë prej tij. Ai u vendos në qytetin metropol të Hamburgut. Nuk e njihte gjuhën gjermane, nuk kishte ndonjë profesion që të cante më tej, por kishte si armë moshën 20 vjecare dhe optimizmin dhe besimin e tij në mundësi për arritje.Për gjeneratën e parë të shqiptarëve ardhja e tyre në Gjermani ishte ura e parë e hedhur midis dy vendeve.Kjo ishte një urë e brishtë, me shumë të pa njohura, të cilave u bënë ballë emigrantët e parë, midis tyre dhe Xhelili. Kjo urë tani është rritur e forcuar e zgjeruar, sa që gjeneratat e dyta dhe të treta të shqiptarëve kalojnë mbi të jo në këmbë e të ndrojtur e gjithë të panjohura si dikur, por “ura” e lidhjes mban sipër makina, trena deri me avionë. Kjo ka bërë që në qytetin metropol të Hamburgut sot ka një komunitet të fuqishëm shqiptar prej më shumë se 20 mijë vetë. Dhe Xhelili qetë-qetë tregon. “Mbasi erdha në Hamburg, mbas 4 muajsh u njojta me një vajzë gjermane, Silvia Magor, me të cilën bashkëjetuam 5 vjet dhe në vitin 1976 u martuam.” Ai flet me super relative për bashkëshorten e tij e cila duke parë energjitë e zgjuarsinë e Xhelilit, si dhe synimet për të ecur përpara, e mbështeti fuqishëm në të gjitha hapat, si në mësimin e gjuhës gjermane, kualifikimin e tij në mësimin e marrjen e patentave 2 e 3 për makine e deri autobus në vitin 1973, në mësimin e vizatimit teknik në 6 semestra në vitin 1982. etj. Ksisoj, Xhelilit i u desh dhe mundi të provojë me sukses disa profesione të kërkuara në atë kohë, si tornitor, shofer, deri shofer autobusi.

Shkenca dhe përvoja tregojnë se për të arritur objektivin që i ve vetes njeriu, duhen detyrimisht të ketë qartësi mendimi dhe këmbëngulje të vazhdueshme. Këto dy veti tek personi i Xhelilit e familja e tyre e re kanë qënë të shkallës superiore në vazhdimësi. “Na joshte ambicja që edhe ne të hapim ndonjë bisnes këtu në Hamburg”. .” Gjëja më e vështirë, mendoj se ka qënë vendimi për të hapur biznes. Nuk po ndal të flas se përse. Vështirësi në radhë të parë kemi pasur se mungonte përvoja. Mungonte baza e nevojshme materiale. Shkurt, mungonte dhe “thesi dhe mielli”.  Pastaj vendi ku do të vendosej bisnesi, produkti e drejtimi kryesor e këto nuk janë probleme të lehta, e të tjera. Më pastaj pjesa tjetër është këmbëngulje me cdo kusht. Kisha dëgjuar dhe lexuar se “rruga drejt suksesit është vazhdimisht në ndërtim e sipër.” Kjo më shlodhte në një farë mase dhe më jepte vendosmëri e shpresa.

Në vitin 1983 hapëm lokalin Restorant „Adria Grill“ me të cilin vepruam me sukses deri në vitin 1988.Më pas u shtua në vitin 1988-1989 „Opatia Grill“ U pasua me një lokal të tretë „Opatia“ në vitin 1989 dhe në vitin 1990 kemi dale me emrin e firmën tonë të plotë „Baj Musa“, afër Hamburgut. Nga viti 1990 deri në vitin 1993 hapëm dhe tre lokale të tjera dhe në vitin 1994 u gjendëm me 10 restorante. Kështu, Xhelil Musa ngjitëte një nga një shkallët e jetës së suksesëshme, i sigurtë dhe i vendosur.

Këto objekte bisnesi që rezultuan të suksesëshme, kishin qartësinë e mendimit të Xhelilit e bashkëshortes tij. „E them hapur e pa ndroje, se bashkëshortja ime ka qënë ndihmsja kryesore, frymëzuesja, por edhe frenuesja në mjaft raste kur nga një veprim i gabuar prej të cilit mund të kishim pasoja. Shpesh ajo theksonte se “Në se nuk do të bëjmë sakrificat e nevojshme  tani me merak se na prishet rehatia, ne kemi zgjedhur rrugën e dështimit.” Dhe  sakrificat kohë më kohë ishin të pa numurta.

Ata rritën shkallën e profesionalizmit, kualifikimin e personelit, organizimin e drejtimin e punëve. Duhet pranuar se klima ku u zhvilluan këto bisnese në Gjermani ka qënë e mbetet e mirë, të lejon frymëmarrje dhe shteti e quan dhe e ve bisnesin tamam si partner të tij, mbi bazën e respektimit të rreptë të ligjeve.

Xhelili ka një veti, që mban mend dhe fikson emrat e njerëzve, të miqve kudo ku janë, të klientëve të bisnesit të tij e më gjërë. Cdo njeri është krenar për emrin e vet, aq më tepër kur falenderohet apo lavdërohet në prani të shumë njerëzve, duke cliruar energji pozitive. Marrja e mendimeve “vjelja” e pozitives nga ai bëhet shumë natyrshëm pa e vënë në siklet tjetrin, qofshin dhe vartësit e tij. Kujtojmë një thënie të Emersonit; “Cdo njeri që njoh, në një farë mënyre është më i vlefshëm se unë, sepse nga sejcili mësoj dicka.” E di apo nuk e ka lexuar Xhelili këtë thënie brilante, nuk ka shumë rëndësi mbasi ai e zbaton në jetë konkretisht.

Këto arritje në fushën e bisnesit e bënë Xhelil Musa të njohur publikisht dhe i dhanë mundësinë që vec bisnesit, të merret njëkohësisht edhe me politikën dhe me mbështetjen e fuqishme të sportit e vecanërisht  disa disiplina sportive    bashkëkombasve.

Në fushën e politikës Xhelili me shikimin e tij largpamës mund të merret si një etalon i një veprimtarie të gjallë politike me rezultate të mira. Në themel ai ka mbajtur dhe mban pozicionin për një ndihmë të madhe e të vazhdueshme ndaj shqiptarëve. Ai, kushdo që flet shqip, e quan shqiptar dhe nuk ka rëndësi a është prej Kosove, Shqipërie, Maqedoni e Veriut apo e Malit të Zi. Me këtë mendim ai ka rrënjosur dhe tek djali i vet, Samiu, i cili e ka shpalosur në programin e vet si deputet i Parlamentit të Hamburgut dhe po e zbaton  atë me sukses. Xhelili ka aderuar që në vitet 1980 në SPD, ku ka dhënë një kontribut të madh. Në  vitet e fillimit të emigracionit, ju bënë present problemet e shqiptarëve deputetes të Parlamentit të Hamburgut Frau Helga Wail, e cila i mbështeti fuqishëm duke dhënë  një kontribut të madh në favor të tyre.

Por si një njeri me horizont të qartë e zemër të madhe, një rol të pa zevendësueshëm ai dha në zhvillimet e viteve nëndëdhjetë në Shqipëri dhe vecanrisht në Kosovë. Nuk ka pasur ngjarje, zhvillime në këto vite pa kaluar edhe nëpërmjet Hamburgut e Xhelil Musa. Ai në takimet me personalitete e politikanë gjermanë u qartësonte atyre situatat, problemet dhe mundësinë e ndihmës për këto zhvillime. Dhe rezultatet konkrete nuk vonuan. Janë me dhjetra takimet me personalitete të Kosovës e Shqipërisë në këto momente delicate, ku ndihma e Xhelil Musa ka qënë prioritare.Në njëqindvjetorin e themelimit të shtetit Shqiptar ai organizoi një takim festiv në lokalin e tij me shqiptarë të diasporës, të ftuar të pushtetit lokal nga landet,ish ministra dhe 6 deputetë. Këto veprimtari mbeten të pa harruara nga shqiptarë dhe gjermanët,  të cilët shprehën besimin e tyre në forcim të bashkëpunimit të ndërsjelltë.

Një ndihmesë të madhe ai ka dhënë dhe jep në mbështetje të zhvillimeve sportive, si në Hamburg dhe në Shqipëri e Kosovë. Për më se 20 vjet ai krijoi dhe mbajti klubin privat të futbollit “FC Musa” ku mernin pjesë futbollistë të ndryshëm dhe shqiptarë, duke funksionuar normalisht dhe me sukses. Kuptim plote janë faktet që skuadra kombëtare e futbollit Shqiptare do të luante në Hanovër me kombëtaren gjermane.Xhelili dërgoi në ambasadën gjermane në Tiranë 45 ftesa garancie për vizë. Në këtë rast ai mbajti me shpenzimet e veta në lokalet që kishte 65 vetë për një javë. Ai ka mbështetur e nxitur sportistë si boksierin Krasniqi, xhudisten Kelmendi futbollistin Lorik Cana  e dhjetra të tjerë.  Xhelili, duke rrezatuar mirësi kudo, e shikon me miq të nderuar në Shqipëri, me F.Yllin, Musabelliun, poetin e talentuar Xhevair Spahiu e dhjetra të tjerë. Nuk ka diplomat e ambasador të Shqipërisë apo Kosovës të mos i ketë takuar e biseduar me ta për problemet e ndërsjellta. Ksisoj ai është bërë një nyje lidhëse me rëndësi, ku fjala dhe vepra e tij dëgjohet dhe vlerësohet.

Është eveniment i rëndësishëm 70 vjetori i lindjes tij, si dhe 50 vjetori i emigrimt tij në Gjermani. Por tek Xhelili vihet re dhe një dukuri tjetër bashkkohore. Ai emigracionin e quan një trompolin për tu përgatitur për sfidat që presin në Shqipëri, Kosovë dhe më tej.

Efektet psikologjike ai mendon se duhet ti drejtojmë në atë se si duhet ti zhvillojmë zbulojmë dhe përmirësojmë mardhëniet tona. Në këtë proces Xhelili i jep rëndësi dhe rol faktit se duhet të kuptojmë jetesën në të tashmen dhe jo në të kaluarën.

Edhe pse e kaluara është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë, është në të tashmen dhe në të ardhmen që po ndodh aftësia jonë për të ndryshuar. Ne nuk jemi një përmbledhje e së kaluarës sonë, duhet të përqendrohemi në të jetuarit në të tashmen. Hapi i parë për të jetuar me të vërtetë në të tashmen është të zbulosh se e kaluara nuk është e vërtetë. Ishte e vërtetë një herë, por jo tani. Prandaj, ne duhet të heqim dorë për t`i dhënë aq shumë rëndësi dhe vlerë në diçka që nuk ekziston më. Ajo që mund të bëjmë, natyrisht, është të përdorim diçka që mësuam në të kaluarën për të na ndihmuar në të tashmen. Në këtë mënyrë, e kaluara mund të jetë e dobishme dhe mund të mbetet pjesë e jona. Sot duhet pranuar se nuk mumd të ndryshohet e kaluara. Mendimi im është që emigracioni mbetet një mënyrë për të pregatitur e hedhur në veprimtari për të ardhmen në vendin tonë. Atje janë të gjitha mundësitë klimatike e toksore, asetet, pasuritë mbi toksore e nën toksore kushtet për zhvillime të rëndësishme të prodhimit.“

Xhelil Musa ndjek me interes zhvillimet në Kosovë, Shqipëri e më tej.Por atë e shqetëson dhe një fakt. “Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse televizionet publike e private në Kosovë e në Shqipëri i ftojnë tre-katër veta, të cilët bëjnë garë kush do të shajë e do të fyej më shumë kombin, historinë dhe personalitetet shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk janë historian, nuk janë të specializuar të flasin ekspert për asnjë lëmë, nuk janë  emra që të imponojnë respekt publik, ishin të panjohur derisa dolën në televizione, nuk shquheshin dhe nuk shquhen për asgjë, ndërkaq, televizionet tona i kanë bërë yje, pikërisht sepse shikojnë  me urrejtje për çdo gjë shqiptare.

Nëpërmjet këtyre botimeve krijon bindjen se jeta dhe veprimtaria e tij ka qënë sa e qetë, aq dhe e vrullshme , sa e zakonshme, aq dhe e jashtëzakonshme , sa e bukur aq dhe e ashpër , sa e gëzuar aq dhe me problematika dhe zgjidhje të mençura jetësore .

Dhe të gjitha këto janë të pranueshme në jetën e aktive të çdo njeriu . Kështu ndodh gjithmonë, me jetën e njerëzve. Askush nga ne nuk është i imunizuar dhe nuk u shpëton dot dallgëve të jetës. Jemi të gjithë timonierë në “varkat” tona dhe, na duhet që t`i drejtojmë ato me kujdes, me mençuri e zotësi, herë pro dhe, herë kundër rrjedhave, herë në det të trazuar me stuhi e furtunë, herë duke u përfshirë në vorbullat e shkumëzuara prej nga është vështirë të dalësh lehtë.E tillë ka qënë jeta dhe roli i Xhelil Musa. Për të mund të shkruash e flasësh shumë se për 70 vjet jetë të vrullshme e 50 vjet emigracion ai ka lënë gjurmë të pa shlyeshme. Ai mund të krahasohet me një “flakadan” të shqiptarizmës që dha e po jep shumë me punën e tij të ndritur. Do të ndalesha vetëm në një moment. Ky njeri do ju bënte nder cdo medalje apo dekorate të lartë që mund të akordonin në drejtim të tij organet drejtuese të Kosovës, Shqipërisë dhe më tej.

Shyqyri Fejzo Shkrimtar-Publicist

Hamburg, 4,07.2020