Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Simfonia e leximit

| E merkure, 08.07.2020, 05:15 PM |


SIMFONIA E LEXIMIT

(Kundrime eseistike), 4

Nga Prend BUZHALA

Hermeneutika te ne në Kosovë është studiuar që në vitet '70, si metodë leximi, komentimi, gjurmimi e studimi... Ndër kririkë letrarë të leximit, shquhet Harold Bloom, kritik i mirënjohur letrar anglez.

Shqip ka të përthyer një libër të bukur, me titullin "Si dhe pse të lexojmë" (2008), të shqipëruar nga Albana Sala. Libri dhuron çaste të bukura jo vetëm leximi, por edhe reflektimi, përvijëzimi, nxitjeje krijuese...

Modeli i tij kritik është i pëlqyeshëm, sepse bën thyerje të akademizimit të kritikës letrare, e çliron nga konceptet e ngurta të katedrave letrare (dhe gazetareske) dhe fut frymë të koncept-krijimit interpretues, pra të leximit... prandaj KRITIKA MODERNE ka një mision tjetër: LEXIMIN KRIJUES a INTEPRETIMIN...

Arti ngërthen dhe ngjiz shumë domethënie, liria e kënaqësisë së leximit i takon lexuesit.

1.

Të lexosh përjetimin e emocionit të bukur në jetë - është art më vete. Poeti e lexon (dmth e përjeton nga burimet e jetës) këtë emocion... Dhe ky art i emocionit jetësor, zbret, "si lexim" në lirikën e sotme, të shqiptuar me vargje margaritarësh lirikë... Poezia e mire lexohet e lexohet. Thur një histori të tërë të leximit a të receptimit estetik...

Raportet LEXIM-KRIJIM POETIK janë shumë të ndërliqshme...

Shumë krijues ("krijues"), na shfaqen joseriozë (nga padituria), kur publikojnë vargje të paredaktuara, vargje pa redaktim gjuhësor, vargje që ligjërojnë me një gjuhë edhe më të e keqe se e gazetës a e mediave joserioze... dhe krijojnë neveri ndaj artit poetik!

Ndërkaq, poetët që kanë një përvojë ligjërimore-poetike, të paktën, ta lejojnë LEXIMIN. Mandej vijnë shkallët tjera të leximit: e para (si te filloristët) - njohja; e dyta shkallë (e vlerësimit) kuptimi - si te gjimnazistët; dhe e treta - vlerësimi (për lexuesin e kultivuar)...

Tek leximi kritik, gjithsesi, shfaqen edhe prirje të ndryshme rrymimesh, teorish, poetikash, SHUMËSISH TË LEXIMIT... Në këtë rrafsh komunikimi e vlerësimi ,ka se çka te thuhet shumë e shumë...

Nuk mund të merren njëra për tjetrën e as të bëhet përzierje zhanresh të LETËRSISË DISKURSIVE: studimi letrar dhe kritika letrare nuk janë e njëjta gjë...

Te e fundit LEXIMI dhe LEXUESI kanë të bëjnë me te gjitha zhanret e letërsisë diskursive: me recensionin, me kritiken letrare, me studimin letrar, me esenë...deri tek shkrimet akademike. I tërë prodhimi letrar (të paktën, këtë gjë e dinë edhe gjimnazistët), ndahet në LETËRSI IMAGJINATIVE (poezia, proza, drama) dhe ne LETËRSI DISKURSIVE ...

Sado që personalisht merrem me këto zhanre (poezi, prozë, kritikë, ese etj), nuk më ka shkuar asnjëherë në mend të bëj hierarki zhanresh: ky zhanër vlen më shumë, ky tjetri më pak. Një recension i shkruar mirë, vlen më shumë se një studim monografik i shkruar keq... Duhet të mbrohet cilësia e një shkrimi e jo sasia, madhësia, e shkrimit...

2.

Kënaqësinë e leximit (term i Bartit) e gjejmë tek autorë të njohur, edhe tek autorë krejt pak të njohur... dhe ndodh edhe e kundërta (atë që nuk na pëlqen gjatë leximit, nuk i bëjmë fare as koment e as analizë). Thjesht, Miti i Majës përmbyset, kur kemi pranë krijues "të vegjël" që thonë gjëra shumë të bukura, artistikisht të pasura në strukturim, në figurë e në thënie, semantikisht më të ngjeshura...

Por këtu fjala është për KRITIKËN LETRARE. Po e përsërisim: ajo e ka MISION të sajin PËRCJELLJEN e zhvillimeve, procedimeve dhe PRODHIMEVE. Të tjerat kanë të bëjnë me INDIVIDUALITETIN e FORMUAR teoriko-letrar, estetik, intelektual, vlerësues etj etj të KRITIKUT.

TJETRIT ia njohim LIRINË E LEXIMIT. Këtë liri duam ta kemi të pacenuar.

Duam t’i përmbahemi disa parimeve në kritikën letrare: 1. të përcillet veprimtaria botuese dhe kritika letrare këtë fakt e bën publik; pra, në radhë të parë, këtë mision e ka kritika (ajo botohet në media, lexohet në tubime e manifestime libri etj etj e nuk botohet "për herë të pare" si VEPËR). 2. Personalisht konsideroj që kritiku është një lexues dhe lexuesi kritik. Secili e ka hierarkinë e tij të leximit, të parimeve krijuese e vlerësuese e të parimeve estetike, në të cilat personalisht aspak nuk i ndërhyj, sepse ka shkuar koha e diktateve në letërsi. 3. Secili libër, megjithatë, nëse vërehet me kujdes, ka një strukturë të veten. Kritika letrare nuk e ka pretendimin të bëjë histori letërsie apo të marrë në thumb autorë, vepra, dukuri etj etj, dhe këtë punë e marrin përsipër kulturologët, kolumnistët e mediave, debateve të të tjerëve dhe sepse atëherë ky lexim debatues nuk përbën LEXIM KRITIK, nuk përbën LEXIM KRIJUES... nuk përbën SHUMËSI LEXIMESH... Së këndejmi, aty ka edhe një SHUMËSI QASJESH, sipas ndërthurjes autonome a të ndërliqshme që të ofrojnë poetikat e veprave... kritiku ngre një rrjetë të tërë nocionesh, frazimesh kritiko-letrare, ndërthurje diskursesh të ndryshme të vlerësimit kritik, të vjela nga fushat e shumta të dijes (me përpjekje për të shfrytëzuar të arriturat a "majat" e mendimit kritik me anë të INTELEKTIT KRIJUES e KRITIK)...

Secili autor libri që është trajtuar nga një kritik letrar, ka vlerat e veta si krijues letrar dhe vlera spikaten ... nuk ka autorë më pak të rëndësishëm apo "shumë të rëndësishëm"... Thjesht, është një LEXIM KRITIK, asgjë më shumë... Kritiku letrar nuk shpall HERONJ sipas modelit socrealist, apo KULTE, por thjesht shquan VLERAT E LEXIMIT... Dhe akëcilit LEXUES mund t'i pëlqejë ose të mos i pëlqejë një vepër a një autor...është e drejta e SHIJES PERSONALE të tij... sigurisht që aty do parë sa ka thellësi, gjerësi, depërtim, në shtresat thellësore të veprës e të kësaj shijeje të formuar a të shformuar...

Një mik imi, GJEKË MARINAJ (SHBA) poet, ligjërues letërsie, eseist, etj, ka një libër të tërë e që flet për PROTONIZMIN si drejtim në mendimin kritik... Ja edhe një "çelës" për të depërtuar në hapësirat e leximit...

Prandaj, kritiku sot vepron sipas TRADITËS së KRITIKËS LETRARE EVROPIANE: si PËRCJELLËSE E PRODUKTIT LETRAR... dhe këtë kritiku letrar personalisht, e bën, thjesht, vullnetarisht (pa përfaqësuar as institucione shkencore, as profesura a doktorantura, as universitura apo magjistratura që e kanë për detyrë dhe nuk e bëjnë... )

Do thënë se SHUMËSIA E VEPRAVE dhe e lëvizjeve të pafundme narrative e procedimore në prozë, apo edhe në poezi etj; ashtu sikundër shumësia e tillë e MENDIMIT KRITIK i huton sadopak krijuesit e dalë nga diktatura, prandaj kërkojnë "hierarki vlerash" sipas një MODELI TË KALUAR... dhe këtu ky HUTIM iu shkakton shumë mosmarrëveshje...

Do mësuar, pra, me universin e shumësisë së tillë....

E pra, ekzistojnë lexime këndvështrimesh të ndryshme, ... Dhe, i dimë edhe kohët kur leximi paguhej me jetë (në kohën e Perandorisë otomane, apo në atë nën Serbinë e nën regjimin komunist në Shqipëri, madje, këso ndalim-lexim-komentimesh, ka pasur në disa periudha e epoka historike)...

3.

Leximi letrar përbën shpirtin demokratik e të kultivuar: për të pasur kurajën njerëzore për ta dëgjuar edhe Tjetrin! Vetëm mendësia totalitare komuniste nuk dëgjonte për zërin e Tjetrit! Ashtu qëndron puna edhe me thirrmën e shkrimtarëve për ta dëgjuar zërin e vuajtjes...

Kritiku letrar ndodh që bën edhe një shëtitje mbresash të leximit, për ta parë poetin a krijuesin letrar nëpër vite e vite, se si poezinë ai e kishte një shoqëruese të pandashme muzash, se si me anë të saj ai regjistron kronikën e vibrimeve jetësore të shpirtit...

Poezia e ka moshën e saj, DITËLINDJEN, porse ajo, mandej, mbetet me këtë fytyrë të ditëlindjes… gjithmonë e re dhe e freskët. Nëse dikur Aristoteli fliste për parimet e artit (emocionin dhe arsyen), atëherë që nga Niçe e këndej, flitet për dy parime të artit, për parimin dionisian (përmasa pasionante, gjakuese, e truallit krijimtarisë) dhe parimi apollonian (përmasa racionale)...

Këtë gjë e ka parasysh kritiku letrar kur me pak fjalë vë në dukje logjikën njerëzore dhe logjikën poetike... Përderisa karakterin apolonian të kësaj lirike e nxit meditimi i leximit (çka mund të themi për poezinë a veprën që e lexojmë) atë TJETRIN, karakterin dionisiak, e nxit përjetimi ynë i TË BUKURËS në strukturën e saj... përgjithësisht, e lexon një VETËDIJE POETIKE që arrin ta nxjerrë nga këto LIRIKA KONCEPTUALE, gati proverbiale, atë spiritualen - metaforë lartësimi e përsosjeje...

4.

Thënie për leximin:

"I kam frikën njeriut që ka lexuar një libër." thoshin dikur latinët.

Leximi e ushqen mendjen. (Seneka)

Njeriu s'bëhet i mirë dhe i mësuar nëse lexon shumë, por nëse lexon shumë e shpesh gjera të mira. (Lorka)

Leximi për mendjen është si gjimnastika për trupin. (Stali)

Lexoni! Mos lejoni që t'u kalojë as një ditë e jetës suaj pa lexuar, të paktën një faqe nga libri i ri. (Paustovski)

Si s'lexojnë libra, njerëzit s'mendojnë. (Didro)

Ai që mban shënime gjatë leximit, ka lexuar dy herë. (Latine)

Mos fol për atë që ke lexuar, por për atë që ke kuptuar. (Azerbejxhane)

Të lexosh e të mos kuptosh, kjo është si të shkosh në gjueti e të mos gjuash asgjë. (Goldoni)

Libri që nuk meriton të lexohet dy herë, nuk vlen të lexohet as edhe një herë. (Bushi)

Unë jam pjesë e çdo gjëje që kam ndeshur në jetë, së këndejmi jam edhe pjesë e asaj që kam lexuar. (Tenisoni)

Leximi i librave të mirë është një lloj bisedimi me njerëzit më të mirë të kohërave të kaluara (autorëve të librave), një lloj bisedimi me ç'rast na komunikojnë mendimet e tyre më të mira. (Dekarti)

Të lexojmë, të ecim një hap me njerëzimin, me mendjet e tij më të ndritura, ku hyjnë edhe shkrimtarët më të mirë, me përparimtarë, të kaluar e bashkëkohës. (Elyari)

Ndonjëherë lexuesit ndahen nga librat tërësisht të transformuar. (Hygo)

Njerëzit e rëndomtë dinë pak se sa kohë dhe përpjekje i duhen njeriut për të mësuar leximin. Kam tetëdhjetë vjet që lexoj dhe ende nuk e mësova. (Gëte)

Kur lexoj librin interesant mund të harroj çdo gjë rreth e rrotull dhe të zhytem në lumturi. (Momsoni)

Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi, shoku më i mirë libri. (S.Frashëri)

Libri bëhet mike e zemrës. (Lavica)

Shpesh mund të konstatosh se libri është shok më i mirë se njeriu. (Setembrini)

Libri është pykë që duhet të thyejë akullin e detit brenda nesh. (Kafka)

Ka libra prej të cilave mësojmë gjithçka, por në fund nuk kuptojmë asgjë. (Gëte)

Mjaft vlerë ka ari, por vlera e librit ia kalon arit. (Kineze)

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 4 korrik 2020)