E enjte, 28.03.2024, 10:34 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Shumësia e leximeve

E marte, 07.07.2020, 08:09 AM


SHUMËSIA E LEXIMEVE

(Kundrime eseistike), 3

Nga Prend BUZHALA

Një krijimi letrar, mund t'i bëhet, përpos leximit të parë, edhe leximi i dytë, i tretë, i dhjetë... Nëse leximi i parë na i zbulon përjetimet e papërsëritshme, reflektimet që na dhurojnë përsiatje të freskëta, një mbushullim të pasur idesh; një lexim i dytë të shpie në të tjera shtigje emocionale e refleksive të leximit... Ndërkaq, ideja e kësaj eseje ka të bëjë me diçka tjetër:.. me disa lexime poetike ... me një shënjim në fjalinë e parë, por me përqendrim te muza e shqetësimeve poetike në raport me meditimin a cogito-n dekartiane... (jeta e konceptuar në lëvizje, ndjeshmëria, ëndrra, universi, përjetësia, shpirti krijues, poezia si ditar spiritual, trajtat e kuvendimit filozofik e asaj të baladës etj etj).

1.

Teksti i mirë të tërheq për lexim...

Një lirikë që lexohet si një dhuratë me ndjesi e përjetime të forta, që na josh ta admirojmë elegancën e thënies, bukurinë e hirshme të vargut. Tingujt orfeikë të erosit, zbresin në një atmosferë mbretërore të leximit: i dorëzohemi kësaj ndjesie.

E mahnitshmja në një tekst lirik të fuqishëm në përjetim, qëndron tek lidhja me publikun lexues në një nivel personal: lexuesin e bën të lumtur, krijon ndjesinë e sigurisë së brendshme...edhe kur kjo shigjetë erosi lëndon...

Kurse melodia e rimës, me kadencat ritmike, janë unike; sikur po e dëgjojmë një violinë që na bën kaq paqësorë, kaq të lirë, te secili varg ndiejmë një fillim të ri.

2.

Ekziston edhe Leximi me Forcë, i dhunshëm, dhe Forca e Leximit. Duhet ta bëjmë dallimin midis Forcës së leximit dhe Leximit me Forcë. Kësisoj, duhet ta bëjmë dallimin midis FUQISË SË BLERJES dhe BLERJES ME FORCË... Paul de Man, kritik e teoricien i njohur evropian, kur flet për LEXIMIN E DHUNSHËM, ai tipizon edhe INTERPRETIMIN E DHUNSHËM.

Por ndër ne është provuar leximi i tillë.

Në regjimet komuniste LEXIMI I DETYRUSHËM dhe BLERJA ME DETYRIM e një libri, ishte pjesë e sistemit (në ushtri, në repartet ideologjike të shkollave komuniste; kurse leximi i detyrueshëm (dhe blerja e detyrueshme e “klasikëve të marksizëm-leninizmit” etj përbënte obligim partiak dhe shenjë se je “patriot revolucionar”, ke “formim marksist (komunist)”, se ke arritur shkallë më të lartë të “formimit ideopolitik” e të “formimit klasor” dhe mund të përparoje me grada “shkencore”, apo ngriheshe në pozitë më të lartë shtetërore, si “njeri i besueshëm” i regjimit.

Ndërkohë, po qe se lexoje fshehtas literaturë “të ndaluar” (bie fjala, po qe se lexohej Fishta, apo autorë antikomunistë etj), atëherë ti shpalleshe “dekadent”, “armik”, “agjent i borgjezisë dhe i imperializmit” dhe e paguaje me kokë (largimi nga puna, dhuna kundër familjes, burgosja e deri te internimet e madje, edhe pushkatimet, sepse “LIBRI I RREZIKSHËM” e shemb shtetin). Leximi i tillë konsiderohej LEXIM HERETIK a LEXIM DISIDENT.

E pra, libri dhe soji i tillë i leximit, si dhe trajtimi i tillë i “literaturës së ndaluar”, përbënin LEXIMIN IDEOLOGJIK, LEXIMIN MONIST: KUR Një Libër, Një Parti, Një Mendim, Njëshi... përbënte gjithçka.

Të mos harrojmë: leximet e dhunshme të NJË LIBRI dhe BLERJET E DHUNSHME kanë ekzistuar në shkollat teologjike a teokratike (mbase shumëkund ekzistojnë edhe sot).

Blerja e tillë e librit dhe leximi i tillë, i dhunshëm, ideologjik, edukon DHUNË e jo DIJE, PAQE, MIRËKUPTIM, HAPJE TË MENDIMIT E DIJES, PLURALITET a solidarësi...

Edhe në shoqëritë demokratike, po qe se sistematikisht lexohen LIBRA TË DHUNËS E MBI DHUNËN, atëherë dhe leximi i tillë çon drejt EDUKIMIT TË DHUNËS. Dhe mund të merren masa parandalimi për edukimin e tillë.

...në të kaluarën ka dhe shembuj të sakrificës me jetë, për t'i ruajtur monumentet e dëshmitë me jetë nga pushtuesit (si është dhe një film shqiptar me këtë tematikë)... sa njeriu shqiptar ka paguar me burgje e me jetë mbrojtjen e librit e leximin e një libri të ndaluar! Leximi e mbrojtja e një libri të tillë, ka përfaqësuar formën më të lartë të vetëdijes për liri, kulturë, civilizim...

3.

Prej viteve ’90 e këndej, edhe leximi dituror, leximi letrar, universitar, beletristik etj, u çlirua nga prangat sistemore e ideologjike. Miti për Librin e tillë Të Rrezikshëm, thyhet, posa ai të hidhet në treg. Lexuesit e emancipuar dinë si ta krijojnë distancën objektive me leximin e tyre...

Ndalesat, përkundrazi, nxisin më shumë kureshtje! Ky është paradoksi i leximit...

Vijnë liria e blerjes dhe liria e leximit. Leximi me porosi, ishte ai i komunizmit. Sot nuk kemi nevojë të lexojmë me porosi. Liika, këso kohe, ka poliseminë e saj. Polisemia lirike sugjeron lexime të pasura. Poezia e mirë shpërthen me pasuri kuptimesh, me poliseminë a shumësinë kuptimore... Tashmë ndërkomunikimi shqiptohet si një si lexim plagësh e brengash, bashkëndjesish, reflektimesh dhe të një imperativi etik...

Në letërsinë europerëndimore, sidomos në poezi, ekziston i ashtuquajturi INTERPUNKSION I BARDHË, ose POETIKA E INTERPUNKSIONIT TË BARDHË, një mënjanim i ndërgjegjshëm estetik i shenjave të pikësimit. Lirika e tillë MODERNISTE, vepron kësisoj, për arsye të leximit të lirshëm të ritmit të brendshëm ( e të shtrirë poetik), sidomos të sintagmave poetike-metaforike... me efekte të shumta polisemantike. Këtë prirje në poezinë shqipe të Kosovës, e përdori gjerësisht Ali Podrimja e gjenerata e tij krijuese... dikur hoqën dorë, por ende përdoret. Këtë poetikë e kanë studiuar gjatë viteve70, e '80 e këndej kritikët letrarë dhe studiuesit letrarë të Kosovës.

Do theksuar se një vepër shumë e rëndësishme e Umberto Eco-s quhet VEPRA E HAPUR (Opera aperta, angl OPEN WORK), që ka rëndësi botërore: ku një vepër letrare ka më shumë çelësa për lexim e që korrespondon me shumësinë e leximeve e të interpretimeve...

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 3 korrik 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora