E premte, 29.03.2024, 06:36 AM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Alternativa letrare e zhanrit të lirë

E hene, 06.07.2020, 08:06 AM


ALTERNATIVA LETRARE E ZHANRIT TË LIRË

(Kundrime), 2

Nga Prend BUZHALA

Kur lexojmë letërsi, nuk ndjehemi keq, pikërisht për faktin pse na pëlqen kategoria estetike e së bukurës. Ndodh që, kur kemi aq shumë telashe jetësore, shoqërore, apo përplasje mes dëshirave dhe realitetit, letërsia është ajo që na ngushëllon. Dhe: kur nga letërsia an trazojnë zërat e shqetësuar, zërat e zemërimit, protestës, atëherë është arti që na shtyn të mendojmë. Letërsia tashmë ka thyer kornizën tradicionale të zhanreve: krijohet e shkruhet si ZHANËR I LIRË, ku gërshetohen poezia me dialogun dramatik, përshkrimi prozaik me një metaforë poetike, meditimi me një diskurs eseistik; prozë, poezi, dramë, ese bëhen një. Bëhen shkrim letrar.

1.

Letërsia është edhe kërkim drejt hapësirave të panjohura, është kërkim, është përgjigje për pyetjet e koklavitura të jetës e të realitetit, në aso rastesh, kur ky diskurs letrar merr formën e analizës, pa e tjetërsuar tekstin letrar. Kuptimet çlirohen, rregullat e ngurta teorike-letrare krijojnë ALTERNATIVËN E RREGULLAVE TË VETA, idetë dhe lëvizjet letrare veprojnë e strukturoren në një hapësirë të gjerë. Nuk është e habitshme përse krijimi letrar bashkëvepron me kulturën e me shoqërinë, nga njëra anë, si dhe me politikën e estetikën nga ana tjetër. Kufijtë rrënohen. Kësisoj, letërsia kërkon SHUMËSINË E QASJEVE ndaj trajtave letrare e poetike, ndaj tekstuales ligjërimore, vë në pah mënyrat e reja, inovative, të shprehjes artistike e të mendimit. E reja gjithnjë paraqitet si zonë problematike në fushën e estetikës. Korpusin tekstor i një kohe: letërsi, poezi, dramë, roman, ese, kritikë letrare, studim letrar etj, përfaqëson një kontekst kohe, një kontekst shkrimi, një konceptualizim idesh. madje, brenda romanit ekziston metaromani, metateksti, vijnë komunikimet e teksteve, intertekstualiteti...

2.

Grindja antike midis poezisë dhe filozofisë vazhdon edhe sot, aty ku ‘Poetika’ është filozofi e poezisë, është të menduarit e artit të poetikës (siç shprehet Jerome McGann, akademik e studiues amerikan). Teksti është i hapur (teori mendimi e Lyn Hejinian "Refuzimi e Mbylljes ”(1985). Nëse kritika është MUNDËSI LEXIMI, atëherë vetë arti poetik, me gjuhën e vet të hulumtimit, bëhet mendim kërkues, metapoezi, bëhet gjuhë ndërlidhëse mes prasktikës krijuese dhe mendimit teorik-letrar, bëhet shteg te ALTRERNATIVA E ZHANRIT. Kësisoj, Hapja e Tekstit dhe Refuzimi Estetik erdhën, si praktikë krijuese dhe si mendim letrar gjatë viteve '80, edhe në Kosovë. Vjen teoria e fenomenologjisë së leximit dhe ajo e repetimit letrar, si shumësi identitetesh tekstore, e ku leximi aktiv, LEXUESI, me pjesëmarrjen e tij luan njërin ndër rolet kyçe në ndërtimin e domethënies poetike e letrare.

Te e fundit, letërsia shkruhet për njeriun si qenie me intelekt, me botën e tij emocionale, me veprimet e mendimet që ai ka. Nuk është e habitshme përse vargu shpesh vishet me mendim mistik, mu ashtu siç janë labirintore psiko-realitetet e brendshme: vishet me struktura irracionale, si atitudë e racionales, vishet me sensualen, me ngarkimin emocional.

(Prend N. Buzhala, 2 korrik 2020)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora