E enjte, 25.04.2024, 02:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Seanca poetike

E diele, 05.07.2020, 09:00 AM


SEANCA POETIKE

(Kundrime në raportet letërsia si terapi e ilaç dhe psikologjia ), 1

Nga Prend BUZHALA

Poezia e psikologjia sugjerojnë ndërlidhjen me njëra-tjetrën. Nëse poezia shpreh botën e brendshme, shpirtërore; nëse poezia mjetin e saj kryesor të shprehjes krijuese e ka fjalën; atëherë edhe fjala psikologji e ka po këtë përafrim përmbajtjesor: psikë (psiko ????) dmth shpirt dhe "logos (?????)" fjalë. Në antikë poezinë e shoqëruan me muzikë dhe vallëzim.

1.

Në mistikat e moçme shërimi ndërlidhej me formula që shkruheshin a këndoheshin në formë poetike. Në antikë, e ndërthurën kësisoj poezinë me muzikën e shërimin, jo thjesht për argëtim apo kremte, por edhe për nevoja shpirtërore: si terapi për jetën me depresion dhe me probleme emocionale. Edhe rrëfimet në formë letrare që përdoreshin nga shërues popullorë, i jepnin fuqinë shëruese, prej nga sot vijnë teknikat narrative dhe poetike në psikologji e në trajtimet e shërimit psikik.

Është letërsia ajo që e ballafaqon lexuesin përmes katarsisit aristotelian, me botën e me realitetin e ndërliqshëm, nëpërmes përqendrimit të arti poetik e jo drejtpërdrejt te jeta e individit "në seancë". Seanca poetike i ngjet asaj psikike. Poezia ua krijon mundësinë pjesëmarrësve në seanca të tilla për t'i shprehur ndjesitë e veta, për t'i artikuluar idetë, për të shërbyer si katalizator për t'i shfaqur përjetimet, nga njëra anë, apo si nxitje kujtimesh, nga ana tjetër.

Në ORËN E TILLË LETRARE (le ta quajmë SEANCË POETIKE), lexuesi e dëgjuesi nuk është i vetëm: ai bashkëndjen, duke e shfaqur ndjesinë e mendimin e tij; poezia që flet "për dikë tjetër", ligjëron si ajo formula antike "de te fabula narratur": lexuesi bëhet "klient" i "trapistit" (psikologut, poetit), për t'i shqiptuar zërat e përvojave të përjetimeve, emocioneve. Në literaturën bashkëkohore ka mjaft studime që i kushtohen Artit të Terapisë së Poezisë (siç është BETH CAROL BOONE), që në studimin e vet parqet tri nivele të certifikimit të terapisë së poezisë: Edukatorë të Certertifikuar të Poezisë, Terapistë të certifikuar të Poezisë si dhe Terapistët e regjistruar të poezisë.

2.

Na bie ta dëgjojmë shpesh edhe shprehjen: letërsia si ilaç. Është fjala për efektet që ka letërsia në aspektet kognitive e emocionale të personalitetit të njeriut: se leximi dhe shkrimi i fiksonit letrar kanë efekte shëruese, kur bëhet zgjedhja përkatëse e literaturës.

Në rrjetin social komenti erdhi pikërisht si shqiptim i këtyre përvojave emocionale, kongitive dhe shoqërore: aty ku zhvillohen prirjet, saktësia dhe mirëkuptimi në perceptimin personal dhe atë të tjerëve; aty ku poeti, lexuesi dhe komentuesi zhvillojnë mendjen krijuese, vlerësimin e vetvetes dhe të vetëshprehjes; aty ku forcohen prirjet ndërpersonale të komunikimit. Është ai proces ku arti është ventilator i përjetimit dhe i emocionit mbizotërues (të tematikës e motivit), i zbrazjes së tensionit të brendshëm, i rigjetjes së kuptimeve të reja, nëpërmes ideve të freskëta dhe informacionit të ri, dhe ku lexuesi-komentues përballet me aftësitë, zotësitë e funksionin adaptues të artit dhe kuptimit.

Nëse në Antikë Apolloni ishte perëndi e poezisë, ai njëkohësisht ishte perëndi edhe i mjekësisë, sepse këto dy fusha ndërlidheshin njëra me tjetrën. Në Bibël, Davidi shëron egërsinë e Saulit, kurse një mjek romak përmendet se si shkroi tragjedi e komedi për t’i shëruar pacientët me depresion psikik.

Në shekujt e vonshëm, nëpër spitale, shkrimi letrar e poetik ishte një veprimtari e pacientëve. Kurse në shekullin që lamë pas, përmendet poeti Eli Greifer (më 1928), i cili ka qenë edhe avokat dhe farmacist me profesion, dhe i cili zhvilloi disa veprimtari për të treguar se si mesazhi poetik e didaktik luan rol në shërimin e pacientëve dhe liron energji shëruese. Ai themeloi edhe grupe psikoterapike, ku hyjnë poeti, mjeku, apo juristët në bashkëpunim me një psikiatër.

Jo pak krijues po ashtu theksojnë se si shkrimi është terapia e tij jetësore, dashuria e tij e jetës, vatra e tij e gjallimit. Është trinia e tij e shenjtë: art, shpirt, peizazh.

Poezia, kësisoj, zhvillon një proces interaktiv: emocional, njohës dhe shoqëror. Meqë vetë poezia ka në strukturën e vet paradoksin, gjithsesi që leximi i saj ka edhe komentin.

(Prend N. Buzhala, 1 korrik 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora