E enjte, 28.03.2024, 09:42 PM (GMT)

Kulturë

Rexhep Shahu: Rrugët i kërrus vetmia

E shtune, 04.07.2020, 05:44 PM


REXHEP SHAHU

RRUGËT I KËRRUS VETMIA

Poemë nga libri i ri poetik Dita e gjashtë

Rrugët i kërrus vetmia

Mua mungesa jote.

Nga malli për ty

Më përgjakën xhamat e thyera të zemërimit.

Ka ditë që më duket se jam kufomë që eci

Ndjehem krejt bosh pa ty zemër

Sa vij të shoh ty zemra ime jashtë meje

Filloj marr frymë normalisht.

Pranvera me lule e zogj që këndojnë

Është më e vogla dhuratë për ty.

Dimrat do t'i mbaj për vete

T'i fsheh thellë në sy.

Ti nuk je, unë s’kam kë dua

S’kam kë përqafoj

S’kam kujt t’i pëshpërij.

Nuk zgjohem më asnjë mëngjes

Zgjohesha për ty…

Ti ike larg

përtej syve

matanë.

Po nga ëndrrat pse s’më ikë

Pse rri

Pse s’shoh ëndrra pa ty…

Tani do të doja të isha me ty

t’i ndizja një nga një yjet në sytë e tu

Do t’i marr gjithë yjet e qiellit tim dhe do t’i sjell ty

do t’i ve ato në flokët e tu

do t’i lë zotat në terr.

Kam filluar të zgjohem herët

Me ardhë tek ti

Për pak diell sysh.

Ti je ikje brenda meje

unë, rendje pas teje...

Edhe një ditë nëse kalon pa aromën tënde

Në mbremje yjet do të këputën

Ti do të ecësh nëpër prush dhimbjesh

Nëpër thëngjll yjesh…

S’po i dal dot përtej hijes time të mbrëmjes

Që zgjatet deri te ti.

Dielli kur të pa që po më prisje

Ma zgjati hijen, të të mbërrij.

Po fryn

Vetëtin e bie shi i sertë malli.

Po ku e din ti çfarë është malli

si ta dish ti që nuk arrin të lexosh në sytë e saj

një turbullirë loti që as derdhet e as ikën mbrapsht

por pret të pihet prej buzëve të puthjes.

Ku e din ti çfarë është malli

kur nuk arrin të lexosh rrudhat e padukshme

poshtë syve që qajnë pa lot mungesën e mallin

kur nuk arrin të lexosh buzëqeshjen e fshehtë

por i beson asaj që ajo i jep botës për etiketë

ndërsa thellë e përvëlon loti i nxehtë.

Nuk mund ta dish çfarë është malli

derisa ecën si gjithë njerzit

dhe nuk të fluturon kapaku i kresë…

Unë nuk i kam duart e tua rreth qafe

Por pesha e tyre më rëndon sa ëndrrat

Unë nuk i mbush më duart e mia me ty

Por poret e lëkurës së duarve të mia janë ding me ty

Buzët e mia janë plot me puthjet e tua

Faqet e mia kanë ngrohtësinë e dorës tënde që më përkëdhel

Mjekra ime është në dorën tënde që e puth me afsh

Buzët e mia kanë mbetë në ty

Shih duart se i ke aty.

Tani ti vizaton fatin në mua

Hartën e shpresës në sytë e mi

Udhët ku më merr përdore në rudhat e mia

Të më bësh fëmijë.

Mbërriti mbrëmja e kësaj dite pa ty

Në duart e mia të lutjes qan

Si zog të vogël e fus në gji

Për puthjen që mungoi qan.

Tani, këtë çast

kur nata më ka hyrë në sy

ndjej dhëmbët e tu të bardhë

tek mundohen të ma kafshojnë

shuplakën e shtrirë të dorës.

Mundohem të qesh

ndërsa loti lan natën.

Mendoja se do të kthejnë tek unë

Ëndrrat që ruaja për ty.

Vetmia pikon nga strehët e shpirtit

Dhe m’i lag ëndrrat.

Po fryn erë malli...

Germat e emrit m’i lëshon përtokë

si tjegullat e çatisë së vjetër

m’i ndjek nëpër udhë

si gjethet e rëna vjeshtën e fundit

derisa t’m'i kalbë germat e emrit

në pellgje harrimi.

Aq shumë të dua

sa më dukesh e pavërtetë

më bëhet se ekziston vetëm në ëndërr

edhe pse dora jote më rrëshqet në fytyrë...

Bie shi malli

në udhën e puthjeve tona.

Mjafton që e di se je në këtë qytet

dhe ndjehem i mbrojtur nga rrufetë e qiellit.

Mjafton që e di se je në këtë qytet

kanë kuptim zgjimet.

Kur më merr malli për veten

vij shihem në sytë e tu.

Kur dua të bëhem i bukur

vij dhe vishem me vështrimin e syve tu

me qeshjen tënde që më kthen në xixëllonjë.

Eci nëpër shi kujtimesh dhe qaj

Pengje puthjesh jemi ne.

Nga malli

Ti vlon e pikon lot i nxehtë

Nga sytë e mi.

Sa herë fryn mall

Më therin dhimbjet...

“Dhe nëse ndonjë ditë

të pyet ndokush për mua”

I thuaj se të desha shumë

sa mendimin, sa fjalën

sa lulja dritën, sa vesa lulen

sa loti syrin

sa buza buzën e puthjes

sa ëndrra krahët e përqafimit

sa udha hapat e hapat udhën

sa qielli zogjtë e sa zogjtë qiellin

sa deti brigjet e brigjet detin

sa unë ty që e di veç zoti sa të dua...

Ne ishim fjalë, puthje, buzëqeshje

Dritë sysh ishe ti, më bëje dritë në jetë

Po tani nga erdhi kjo heshtja jote

Ky det që s’flet, kjo hënë e verbër.

Ulesh si flutur në ëndrrat e mia

Shkrin akujt e deshpërimit tim…

Lutjet e mia i morën zogjtë

i derdhën nëpër qiell.

Ndoshta kanë shpirt zotat.

Veç teje

S’kam ëndërr tjetër.

S’kam qiell tjetër

Veç syve tu.

Gjithë kohën që mungoj

Jam i humbur honeve të vetes

Me gjetë udhën për te ti.

Gjithë ditët që mungoj

Ti je me mua më shumë se kur jam me ty.

Je loti që më vlon në sy.

E nxora veten prej vetes time

E ta dhashë ty.

Më duket ti më ruan më mire.

I duhet një trëndafil kësaj nate

Por ti je larg

S’kam ku ti marr buzët e tua.

Ku me të vu në qiell për dritë

Dritë për veten.

Sejcili ka yllin e vet.

Nuk e gjeta sot veten në ty.

Kush e di ku më ke harruar

Në ëndrrën e vjetër.

Asgjë nga unë s’mbeti në ty.

Veç një hije në cep të syrit

Herë pas here qan.

Asgjë s’mora sot nga ti

Veç trishtimit.

Sot ia kishe dhënë sytë diellit

Më pa me sytë e tu.

Vitet varur poshtë syve tu

do t'i bëj flutura.

Dhimbjet aty do t'i bëj puthje.

Ti mbjell trëndafila.

Unë fluturoj nga qërpikët e tu

Dhe bëhem flutur në petale.

Vetja më ngjan me një trëndafil

Që ti më mbjell në ëndërr.

Shkoj udhëve nga ti ke ecur

të zgjoj tek gjurmët e hapave që ke lënë

të marr përdore

të përqafoj e të puth për gjithë vitet që ke munguar.

Nëse nuk e duron dot mallin tim,

nëse e sheh se nuk ngihem me ty

mos mungo kaq rëndë

kjo mungesë thanë rrënjët e lisave...

Nëse më sheh ndokund në ëndërr ndonjë natë

ndalu, folmë, jepma dorën.

Ndalu folmë se mund të më vijë drita e syve.

Unë nuk do të bëja tjetër

por një varëse me yje qielli do ta varja në qafë.

U sosa udhëve

e pritjeve.

Eja se pa ty nuk di si të rri

Ose më mëso si rrihet pa ty.

Se nuk të puth kur dua shpika pritjen

se nuk jam tani me ty shpika ëndrrën.

Si flutur ulesh në ëndrrat e mia

Shkrin akujt e deshpërimit tim…

Derisa unë të dua ty

Asnjë zog nuk do të mbetet pa kapërcyer detin.


LIBRA NGA AUTORI

1. Mali i Hënës - vëllim poetik (Tiranë, 1998)

2. Bregu i Brengës - vëllim poetik (Prizren, 2000)

3. Misioni për paqen - publicistikë, për krizën e Kosovës 1998-1999 (Tiranë, 2001)

4. Bllaca – (monografi) – 2002

5. Marsi i minave – publicistikë, për ngjarjet e Kosovës 1998-2000 (Tiranë, 2006)

6. Lis i vetëm në fushë - Vëllim poetik, (Tiranë, 2011)

7. Apologji per udhen e kombit - Publicistikë (Tiranë, 2012)

8. Qyteti i lutjeve – Poezi, Tiranë, 2013

9. Buken tonë të përditshme, publicistikë, Tiranë, 2013

10. Syte e lirisë, monografi, Tiranë, 2014

11. Kjo vere merzie, poezi, Tiranë, 2015

12. Ku ishe ti hero, publicistikë, Tiranë, 2016

13. Shkrimtarët për Havzi Nelën - Shpirti i lirë  i Lumës, përgatitës, Tiranë, 2018

14. Havzi Nela – Shtatë Fletore, botimi i plotë me 5548 vargje, përgatitës, Tiranë, 2018

15. Bisedë me Havzi Nelën, publicistikë, Tiranë, 2019

16. Faleminderit Doktor Alushani, Tiranë, 2020

17. Dita e gjashte, poezi, Tiranë, 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora