E marte, 23.04.2024, 06:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Gashi: Dr. Mirash Ivanaj, krijues letrar në dorëshkrime

E shtune, 04.07.2020, 07:07 PM


Dr. MIRASH IVANAJ (1891-1953) KRIJUES LETRAR NË DORËSHKRIME

Nga Sinan GASHI

Ndër ata krijues që, të mbetur në dorëshkrime, mbetën nën hije, gati sit ë paqenë, është edhe shkrimtari shqiptar Mirash Ivanaj. Mbase rrugëtimi i tij jetësor, gjithsesi i kushtëzuar, kishte bërë që ai të mos jetë i stacionua në asnjë vend jetese, po aq edhe obligimet e interesimet e shumanshme që ai i manifestoi, bënë që krijimtaria letrare të mbetet dëshmi e një dhuntie artistike e asgjë më shumë.

Dromca jetësore

Fshati Benkaj i Triepshit (tashti Mal i Zi) dha disa emra të çmuar të kulturës dhe jetës atdhetare shqiptare. Përveç vëllezërve Ivanaj, Martinit e Mirashit, shquhej edhe Nikollë Ivanaj (1879-1951), si veprimtarë dhe si krijues letrar. Ai, madje, kishte lënë të botuar një vëllim poetik si dëshmi, “Lulet e pasosme”, Tiranë 1944.

Mirashit iu kushtëzua që të tërë shkollimin ta kryej në gjuhën serbe. Kështu gjimnazin ai e mbaroi në Pozharevac (Serbi), duke i vazhduar pastaj studimet në Beograd. Studimet e vijimësisë për afro dhjetë vjet, ai i bëri në Universitetin Mbretëror të Romës, për filozofi dhe drejtësi, ku kishte mbrojtur dy doktorata shkencore, për letërsi dhe për drejtësi. Pas kësaj kohe atë e hasim në Shqipëri, fillimisht si avokat, ndërkohë që emri i tij prej publicisti veç u bë aktual. Profesionet e  tij kryesisht u sollën vërdallë rreth arsimit, ku bëri punë të rëndësishme kombëtare. Punoi profesor e drejtor i Gjimanzit Shtetëror në Shkodër (1925-1930), profesor në Gjimnazin e Tiranës si dhe ministër i Arsimit gjatë harkut kohor 1933-1935. Ai ia kishte prerë bursën Enver Hoxhës, me arsyetimin se nuk e kishte dëshmuara asnjë provim të dhënë. Zaten kjo ishte një veprimtari e tij e lakmueshme, kur shtetëzoi dhe laicizoi shkollat shqipe. Bëri punë të mirë edhe kur plotësoi dhe freskoi tekstet shkollore me materiale, duke mos e harruar përkujdesjen për infrastrukturën shkollore dhe administrimin e mirë e korrekt. Në sferën politike, ai ishte anëtar i Këshillimit të shtetit (1936-1939), kur kryeministër ishte Mehdi Frashëri, ndërsa që pas pushtimit fashist të Shqipërisë, më 9 prill 1939, ai largohet nga atdheu dhe shtegton në Larisa, Athinë, Stamboll, Bejrut, Jerusalem, Sofje, Shkup etj. Më 1945 ai kthehet në vendlindje, me synimin që të bëjë diçka të mirë për shtetin e tij, por shteti komunist e dënoi 7 vjet me burg politik. Pas 6 vjet vuajtjesh, ai vdes në “spitalin” e burgut të Tiranë, më 1953.

Ai nga bashkëvuajtësit mbahet mend si njeri serioz, fjalëpakë, i tërhequr, që jetoi vetëm me botën e tij, e cila mbeti mister për shumëçka të jetës së tij.

Tomor Aliko, për shokun e qelisë në Burgun e Tiranës, kishte shkruar një poezi 6 strofëshe më 1957, ku portretizon karakterin e tij dhe arsyen e dënimit.

E kujtoj sa herë Mirash Ivananë

Atë burrë shteti që na mbante pranë

Sigurimsat për të çfarë nuk thanë

Agjent i Imperializmit anglo-amerikan

Si armik populli e dënuan

Patriotin e cilësuan armik

Në spitalin e burgut e helmuan

Agjentët e Bashkimit Sovjetik

Krijimtaria letrare për kujtesë brezash

Ajo që kishte bërë në letërsi Mirash Ivanaj së bashku me të vëllain Martinin, ishte e përmbledhur në dy vepra në dorëshkrim, dhe ato të shkruara në gjuhë të huaja, kur ishte student. E para ishte vëllimi poetik në serbisht “?ovjekova epopeja” (“Epopeja e njeriut”) dhe një dramë të shkruar në italisht “Il fuoco di Sant’Elmo” (“Zjarri i Shën Elmit”).

Ai kishte shkruar edhe mjaft publicistikë, ndërsa që në burg kushtëzohet të përkthente materiale në serbisht dhe rusisht. Ai kishte mbajtur edhe disa ditarë, për të ndriçuar synimet e tij atdhetare.

Ai që ia dëshmoi talentin, të cilin vetëm sa e la peng të një lajmërimi, sepse aktiviteti dhe varavingot e fatit jetësor e orientuan në kahe të tjera, ishte Lazer Radi. Në fakt këto poezi i kishte shkruar kur ishte nxënës dhe student në Serbi e Itali. Në mungesë periodiku dhe shkollimi shqip, nisën shkrimet në gjuhë serbokroate edhe shkrimtarë të tjerë, si Hivzi Sulejmani dhe Esat Mekuli, po e zëmë.

Për të treguar se kur nisi të shkruajë dhe në cilin vend i lindi frymëzimi, Mirashi i shënon vendet dhe datat në çdo fundpoezi. Këto poezi, që arrijnë numrin 20 sosh, me gjatësi të ndryshme strofike, e deri në poemtha, kanë datat 1910 deri 1918 e fundit, dhe  vendet Leskovac, Beograd, Deti Adriatik, Romë. Ajo mbase ishte mosha kur lajmërohen xixat e talentit, që zakonisht nxitën nga motivi erotik, ashtu siç janë edhe këto krijime.

Ajo që krijon habinë e këtij vëllimi (mbase cikli) poetik, është biautorësia: Martin e Mirash Ivanaj. Kjo autorësi e binjakëzuar me të vëllain, po ashtu student i shkëlqyer, e bëri të thellohet edhe më gjetësin e këtyre dorëshkrimeve në Dosjen Ivanaj, Dr.Lazër Radi. Ai duke gjurmuar të vërtetën, bëri edhe krahasimin e kaligrafisë, që i dolën e një dore, i analizoi motivet e poezive, që heponin në një pikë: te një dashuri platonike e autorit (autorëve!!!) të pafat. Të dy nuk ishte e mundshme që të ketë të njëjtin ngacmim. Atëherë autori real është Mirashi, ndërsa i vëllai redaktor, që e nderoi atë, duke e bërë ‘bashkautor’.

Sido që të jetë, nga këto poezi të shqipëruara nga L. Radi, hetohet bindshëm pena e një talenti të jashtëzakonshëm dhe sikur ai kishte një përvojë shkrimore të më hershme, ngase ato kishin një mendim të mbushur me lëngë artistik dhe shprehje të mendimit filozofik. Që ka/kanë pasur një ndikim nga krijuesit eminentë të kohës, kjo veç kuptohrt, por që ato të krijojnë një kapitull kaq serioz dhe artistikisht kaq të arrirë në këtë moshë, krijon habi. Madje-madje, habi tjetër rrjedh edhe nga distanca kohore e shkrimeve të tyre, duke mos e humbur vlerën, ndryshimin e as intensitetin artistik e emocional si në e parë.

Ja një fragment dëshmimi:

U çmend deti me dallgë, në shkumë e gjëmime,

dhe krejt stuhi u mbush prej trupit të Eolit:

Gurët flakëroi nga kurorë e Neptunit

e me tërbimin tënd vriti yjet e qiellit!

Kjo dashuri që tek ti vogëlushe më shtyn

është shumë më e madhe se ai zemërimi yt,

këmbëngulja më e fuqishme se shpatullat etua

dhe ky pasioni im shumë më i madh se besimi yt.

(Zemërim)

Gjurmuesi dhe përkthyesi e vlerësoi këtë poezi si “mjaft sentimentale dhe prekëse. I kushtohet një vajze të bukur e cila tashmë ka vdekur.” Nisur nga kjo ai e mendon se emërtim më i saktë vëllimit do të ishte “Lirikat e një dashurie të humbur”.

Dihet se Mirashi nuk u martua asnjëherë por, pas vdekjes, në strajcën e tij në burg “iu gjet një llullë duhani e përdorur, një gërshet mjaft i madh vajze me flokë bionde...”, që rrëfen diçka interesante dhe tronditëse për shpirtin e tij, që e kishte mbajtur peng gjatë gjithë jetës, kudo që frymoi.

Nëpër gjithë këtë vrungull emocioni, përvijohen dijet e tij intelektuale, që poezinë e nisur nga motivi i ndjenjës, i jep kahe drejt një filozofie që përgjithësohet si mendim filozofiko-poetik. A bëhet kjo për fshehje të së vërtetës, apo bëhej për të rrëfyer realisht vetveten , si njeri dhe si karakter, nuk dihet saktësisht, mbase që të dyja nga pak.

Pas gjithë kësaj stuhie tek më linin fuqitë

e ndjeva dobësinë... e m’u zgjua vetëdija.

Një duhma e rëndë kundërmonte rreth meje,

fantazia e përgjumur më shtynte me forcë

të mendoja më saktë për çmendurinë njerëzore,

ndërsa shpirti nënë mantel pendimi, qëndronte

mbi pllakën e heshtur të varrit ku e tashmja vajton,

e një zë dëgjohet: “Askush s’është i pavdekshëm,

si gjithë të tjerët bëj dhe ti, se dhe ti je njeri...”

(Njeriu)

Ky rast dhe shumë të tjerë dëshmojnë për humbjen e madhe të artit letrar, kur fati i tyre i zi ka bërë që ato të mbesin vetëm shoqëruese të autorit dhe tashti, ta humbasin hapin e aktualitetit artistik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora