Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhavit Gasa: Kurorë nusërie

| E shtune, 04.07.2020, 09:41 AM |


KURORË NUSËRIE

Do të lë një plis toke në letrën e bardhë,

nga ato plisa që thërmova me dorën time.

Letra të bëhet ugar  i mbjellë me një varg,

të hedhë rrënjë dhe të bëhet pemë poezie.

Do të le një shkëmb në letrën e bardhë,

si kreshta shkëmbore në Balgjaj e Dejë.

Letra të behet burim të njomet çdo varg,

Muza të t'parfumoset me lule bjeshke.

Në mos e lexoftë askush vargun tim,

do ta lë sup më sup në rafte  biblioteke,

T'i gjejnë dhe lexojnë brezat që vjinë,

poezitë të jenë gjalla kur unë të mos jemë.

Do të lë një buqetë lule letrës së bardhë,

kopësht-stolisur me vargje e lule lëndine

T'i mbledhin bletët punëtore me nektar,

nëpër dasma t'i bëjnë kurorë nusërie.

EJA

Eja sillma fjalën e plakut të mençur,

në qoshen e oxhakut plot me prush,

sillma erën e ngrohtë të bukës së pjekur,

mos u lodh nga rruga e gjatë e imja muzë!

Futu në gjoksin tim ku fle e zgjohet ëndra,

si gur xhevahiri fshehur në arkë kujtimesh,

eja dhe tregomi të vërtetat e pathëna,

në pastë humb rruga pyet dallëndyshet!

Eja të pres si nëna fëmijët n’prag derës

pritja e gjatë që nuk më lodhi kurrë,

dimri acartë  se ndal ardhjen e pranverës,

mos u lodh nga rruga e gjatë e imja muzë!

SHPIRTI POETËVE

Fatet rrjedhin nëpër rrugë fatale,

jeta në fije të hollë peri kërkon shpëtim,

poetët fletën e bardhë mbushin me vargje,

i shkruajnë jetës vargje që bëhen hymn!

Shpirti i poetëve vrapon të mos mbetet peng,

i fateve që rrjedhin nëpër rrugët fatale,

poetët e gjithë  kohrave i gjeni në bibliotekë,

rafteve të mbushura me libra si ushtarë në betejë!

@Xhavit Gasa