Mendime
Enver Bytyçi: Pse Hashim Thaçi nuk jep dorëheqje?
E shtune, 04.07.2020, 07:05 PM
Pse Hashim Thaçi nuk jep dorëheqje?
Nga
Enver Bytyçi
Dorëheqjet
janë mjeti që e bëjnë të shëndetshme demokracinë dhe jetën e qytetarëve.
Ministri i Brendshëm i Sllovenisë dha dorëheqje për një skandal jo të lidhur
drejtpërdrejt me të dhe për këtë shkak duket se ky vend do shkojë në zgjedhje
të reja. Në Kosovë dorëheqja është karakteristikë e përgjithshme për shumë
eksponentë të qeverisjes, në mesin e të cilëve bën dallim Ramush Haradinaj.
Po
pse atëherë Hashim Thaçi nuk jep dorëheqje, megjithëse ndaj tij është ngrit një
akt-akuzë për krime kundër jetës së disa qytetarëve?! Pse ai nuk e ndjek
shembullin e Ramush Haradinajt? Cilat janë disa nga arsyet e mbajtjes me zor të
postit të presidentit? Nëse gjykojmë me gjakftohtësi dhe nëse analizojmë
rrjedhat që janë zhvilluar deri tani, atëherë duhet të vemë në dukje disa
faktorë:
Së
pari, Hashim Thaçi nuk është një lider politik, i cili zbaton parimet e
demokracisë. Ai e sheh veten lart, shumë më lart se Haradinaj dhe e konsideron
dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës si tragjedi. I marrosur pas
pushtetit ai nuk mund ta përfytyrojë veten jashtë posteve më të larta në
Kosovë. Po t'i shtojmë kësaj edhe pasurinë që ka vënë pas ardhjes në politikë e
në pushtet, atëherë mosdorëheqja e tij motivohet nga domozdoshmëria e të
qëndruarit në pushtet, si kusht për të ruajtur privilegjet ekonomike e
financiare. Thaçi i përket linjës së liderëve autokratë. Nëse do kishte
mundësitë dhe forcën e Vladimir Putin, ai do ta ndryshonte kushtetutën për ta
konfirmuar veten në pushtet edhe për 20 vjet të tjera. Kjo është mendësia e zotit
Thaçi.
Së
dyti, presidenti i Kosovës qëndron në detyrë edhe pas datës 24 qershor kur u
publikua akt-akuza ndaj tij, sepse ka frikë nga Gjykata Speciale dhe ndëshkimi
që e pret pas përfundimit të procesit gjyqësor. Nëse nuk do kishte frikë, pra
nëse do ishte i pastër në jetën e tij dhe nuk do të ishte fajtor për së paku
disa nga ato akuza, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen që ditën e parë. Një njeri
i pafajshëm ka interes jetik ta mbyllë sa më shpejt procesin e hetimit dhe
gjykimit, me qëllim që ta konfirmojë pafajësinë e tij dhe më pas të rikthehet
akoma më fuqishëm në jetën politike të vendit të tij. Duket qartë se Hashim
Thaçi ka frikë nga Gjykata Speciale, ndaj nuk jep dorëheqjen dhe nuk është i
gatshëm të fitojë kohën për një rikthim në skenën politike të Kosovës.
Së
treti, është logjike të besohet se mosdorëheqja e zotit Thaçi lidhet me
presionin që të tjerët ia bëjnë atij për të mos u dorëhequr. Edi Rama ishte në
Prishtinë me miratimin e Aleksandër Vuçiç, me qëllim që ta inkurarojë
presidentin e Kosovës që ai të mos dorëhiqet. Interesi i Serbisë është që me
ose pa Thaçin të realizojë projektet e saj për Kosovën, shkurt ta realizojë
ndarjen e saj, pra ndryshimin e kufijve përmes shkëmbimit të territoreve. Këtë
interes Beogradi e realizonte shumë më mirë me Thaçin si partner në bisedime.
Ndaj dhe Vuçiç u deklarua se ai "nuk ka asnjë problem të bisedojë për
zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi edhe me Hashim Thaçin". Që do të thotë
se presidenti i Serbisë i jep mbështetje presidentit të Kosovës për të vazhduar
ushtrimin e detyrës së tij.
Eshtë
i pari rast në historinë e shtetit të Kosovës pas qershorit 1999, kur qeveria e
Beogradit njeh legjitimitetin e një lideri politik në krye të institucioneve të
Kosovës, edhe pse për të hapet një proces hetimi për krime lufte. Në çdo rast
tjetër Beogradi ka vënë alarmin për "krimet e luftës së UÇK-së, me qëllim
që ta zhvleftësojë luftën e shqiptarëve për liri. Në rastin e Hashim Thaçit po
ndodh e kundërta. Asnjë rrjesht nuk shkruhet nga shtypi serb e rus, nuk flasin
as TV-të dhe radiot e këtyre dy vendeve. Pra, Beogradi e Moska vazhdojnë ta
duan Hashim Thaçin si partner në bisedime, pasi ai u ka dhënë atyre garanci për
realizimin e projekteve që këto dy kryeqytete kanë në Ballkan. Edhe Edi Rama
ishte në Prishtinë me këtë mision. Por europianët dhe amerikanët nuk do ta
pranojnë Hashim Thaçin në tryezën e bisedimeve me Serbinë. Ndaj dhe Kosovës i
duhet një kryenegociator me legjitimitet, i cili del vetëm prej zgjedhjeve të
reja.
Së
katërti, Thaçi nuk jep dorëheqjen, sepse ka marrë premtimin e Edi Ramës dhe
Aleksandër Vuçiç për mundësinë e një zgjidhjeje të ngërçit të krijuar. Ata po
mendojnë se si mund ta ndalojnë një vendim qënjeh akuzën ndaj zotit Thaçi. Ndaj
presidenti e kushtëzoi dorëheqjen e tij me vendimin e gjyqtarit special. A do
t'ia arrijë kësaj lobi serbo-rus? Vështirë të thuhet, sepse askush në Europë
nuk merr përsipër prishjen e ekuilibrave gjeopolitikë të rajonit, ekuilibra, të
cilat i ka shkatërruar treshja Vuçiç - Rama - Thaci.
Së
pesti dhe më e mundshmja, ka të bëjë me përzgjedhjen e një personi që garanton
trashëgiminë e Thaçit në postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Edhe
kjo është në axhendën e Vuçiç dhe Ramës, si plan B. Një person besnik i Thaçit
si kryetar (e) shteti në Kosovë, do të thoshte edhe lojalitet me Beogradin. Por
presidenti i Republikës duhet të jetë legjitim, jo produkt i pazareve politike.
Prandaj duhen bërë fillimisht zgjedhjet e më pas të zgjidhet presidenti.
Për
të gjitha këto arsye Thaçit i duhet bërë presion nga të gjitha partitë politike
në Kosovë që të japë dorëheqjen sa më shpejt, mundësisht sot ose nesër. Çdo
ditë që kalon vetëm sa e përkeqëson pozitën e Kosovës në raport me Serbinë.