Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Zotniu

| E enjte, 02.07.2020, 09:17 PM |


Zotniu

Nga Edison Ypi

Zotniu që nuk ka parë në jetën e vet fshat internimi, nuk është Zotni, është plehër.

Zotniu mund të jetë edhe pronar kafeneje. Por një Zotni që sjell kafenë, nuk është Zotni i lartë, është Zotni hyzmeqar, Zotni kallp.

Zotniu është individ i sofistikuar që muzikën serioze e dëgjon në sallën e koncertit.

Zotniut që i duket këngë e bukur “O violino cigano” është Zotni shtazarak prej të cilit nuk nuk mund të pritet gjë e hajrit.

Zotniu nuk flet për veten e vet. Zotniu që flet për veten e vet nuk është Zotni, është derr, sorollop, zorraxhi.

Zotniu e fal jetën për Fe’, Atdhe, Dashuri. Mashtruesi që Atdheut i fal llafet, nuk është Zotni, është zagar.

Zotniu mund të jetë edhe tifoz. Por kjo nuk e lartëson. Futbolli nuk është shpikur për të zbavitur Zotniun por proletarin. Zotniun ka një mijë gjëra të tjera për të bërë para tifozllëkut. Zotniu që mburret me tifozllëkun, ka vdekur pa lindur.

Zotniu nuk përdor kurrë pseudonim. Vetëm emrin dhe mbiemrin e plotë të shkruar korrekt që nuk i prek asnjë gërmë mishin t’ja presësh me gërshërë. Zotniu që fshihet me pseudonime mburracake dhe mbështillet me flamuj dhe shkaba është një ndyrësirë që i vë shkrepsen Shqipërisë për pes lek.

Gjithkush që emrin e diktatorit “kurvi” e shkruan me “K” të madhe, nuk është Zotni, është njeri i kompleksuar, njeri i pandjeshëm, qën i rrahur.

Zotniu pëlqen ose nuk pëlqen, por nuk përgojon. Zotniu që përgojon, shpif, trillon, është një neveri, një pështirosje, një fëlliqësirë.

Zotniu nuk qahet për asgjë. Zotniu që rënkon e ofshan është një qesharak banal që fajin për paaftësinë e vetes kërkon t’ja hedhi të tjerëve.

Po ja talle Atdheun dhe Flamurin, Zotniu ta çan fytin me thonj ose ta shtyp kokën pas murit. Nëse këtë nuk e bën, nuk është Zotni, është legen.

Zotniu shkruan Shqip me "ë" dhe "ç". Në mos, nuk është Zotni.

Zotniu rrëfen shkurt e qartë me fjalë të zgjedhura e të kursyera. Zotniu i rrejshëm i bie nga Kina me të vetmin stil që njeh, atë të soc-propagandës me partizanë, gjermanë, diversanta, heronj të stisur.

Zotniu del në fotografi me prapa shpinës portretin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut etj. Jo pak nga Zotnijtë tanë dalin në fotografi me mishra, mëlçira, tava dheje, imambajalldira.

Zotniu nuk hyn nëpër fast fuda sa herë e merr uria. Zotniu nuk kullot. Zotniu ha.

Zotniu lexon libra seriozë, jo si proletari që i ka mbetur ora te revista Ylli dhe gazeta Puna.

Zotniu nuk është meskin, mizantrop, i ngutur, zevzek.

Zotniu nuk merret me gjëra atypëraty dhe tanipërtani.

Zotniu është i vëmendshëm, i kujdesshëm, i përmbajtur, i ekuilibruar, shpirtmadh, zemërgjerë, bartës dhe përhapës i principeve milenare.