E enjte, 28.03.2024, 11:53 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Mirko Gashi ose Mali me Lisa

E enjte, 02.07.2020, 08:11 PM


MIRKO GASHI ose MALI ME LISA

Nga Timo Mërkuri

Më tepër pata dëgjuar për Mirko Gashin se sa pata lexuar prej tij.. Por mjaftoi leximi i ciklit poetik “NATA E QIRINJVE” me poezi  nga libri i tij botuar pas  vdekjes“REINKARNIMI IM” Media plus art, Prishtinë, 2010  publikuar te “AGMIA”  në 01.07.2020 për tu ndalur i mahnitur se po ndjen që para teje ke një mal mbushur me lisa të lartë.

Ndjesinë e lisave ta jep edhe stili i tij poetik me vargje të lira,e të shkurtëra që prezanton një poezi shtatlartë si malsorët tanë dhe përgjithësisht shqiptarët e Kosovës, sa që të krijon bindjen se  autori, jo më kot e ka përdorur këtë stil vargu. Në qoftë se kjo ide të lind si mendim, të përforcohet në bindje  nga  simbolika e përdorur nëpër vargje …Një plak/një lis/me plis…Nuk mjafton paralelizmii një plaku me një lis, duhet konkretizuar portreti me “një plis” për ta lexuar qartë “pasaportën etnike” të poezive të tij. Duhen lexuar mirë poezitë e Mirkos, duhet qëmtuar besimi e shpresa ndër to, duhet parë e ardhmja me doemos, sepse ajoi ka rrënjët thellë në poezi si lisat në tokë... Buzëqesh o fëmijë/ndezi qirinjtë/shpirtërat e parrëfyer/na i sjell  Kali i Varreve…Ime bijë/mëson anatomi/mësimin për nanën/e meson/me Ilirin në gji/Në lumëkëndonin najadat/në qiell/vallëzonin plejadat/Kush është/ai professor/që ia jep/notën e dobët/qoftë në ferrin e Dantes…për të aritur te poezia e thellë dhe vizionare TË MENDOSH NDRYSHE e cila të trondit me vargun e saj …fjala më e uritur në gjuhën shqipe/është fjala “uri”…

Përmes një kinse “lodra fjalësh” poeti shkruan një manifest rezistence e proteste sa të thellë nga mendimi, sa të fortë nga guximi aq dhe vizionar nga qëllimi…E fjalës uri/po t’ia shtrosh bukën përpara/ajo bëhet bukuri/Po të ishe më i gjymertë/e t’ia shtrosh një dash/ajo do të kënaqej e do të bëhej/dashuri…Dhe ne lexojmë e kuptojmëse motori lëvizës i këtij të menduari ndryshe është fjala “liri”.

Ritmi i poezive të  Mirko Gashi është vërtet i veçantë. Në pamje të parë të ngjason me një çupë që loz në kolovajzë me ato ..ulem/ngjitem… , por me një shikim të qartë dallon se nuk është një kolovajzë por është kalvari i një jete në robëri dhe skamje…Unë mbjell elb/e më del qelb/Shumë e shumë gënjeshtra/na futën në eshtra/…. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, poeti na thotë se e kanë…Halë në sy/tërë kohën…Dhe na e thotë këtë sikur thotë një rebuz për fëmijët.

Tronditëse është poezia VARRET me vargjet si eshtra njerëzish që u ka shkarrë dheu i varreve, ku qysh në fillim  bën deklarimin sat ë qartë aq dhe nëkuptues...I kemi kudo (varret. Shënim im T.M.)  jemi/të pasur me to…për të vijuar me aludimin e të vdekurve tëpranishëm në jetën e të gjallëve…E vjen koha/kur Kali i Varreve/na sjellë/shpirtrat/në dasmë…dhe jo vetëm kaq, por edhe vallzojmë me të vdekurit tanë…s’e di kush/Mes teje/dhe atij/që ia ke qitë krahun/ padukshëm/vallëzon…Përmëndja e baladës së Kostandinit dhe Doruntinës si ilustrim mund të shërbejë në qëllimin sipërfaqsor të poetit se ai e ka fjalën për të vdekurit e kohës së tij, me të cilët vallzon gëzimin e  ditëve  që do vijnë.

Është mjeshtër i shprehjes së thellë Mirko Gashi, i shprehjës artistike të mendimit, të cilin  më shumë e ndjen si rrahje pulsi nëpër vargje se sa e kupton nga fjalët e vargjeve... Jemi më të etshëm/se lulja për bletë /Jemi/lule ndër lulet/që flet…Nuk kam lexuar një portretizim më të bukur për njeriun Kosovar dhe mos u përpiqni se as ju nuk do gjeni dot. Por unë pyes veten në se vetëm unë i kam lexuar këto vargje? Se s’di si ta shpjegoj që kjo poezi nuk është muzikuar në një simfoni, sepse teksti për të tillë muzikë ka lindur, jo për tu recituar. Lexojeni ju lutem bashkë me mua…se pa të s’ka liri/E ne jemi plim/tri fe e një fis/Në këto ditë/ shpatën e ndërruam/me durim/Jemi ushtarë/të Skënderbeut/Ujë i kuq/për tokat/e mëmëdheut/ Qoftë/edhe në këtë ferr/popullin askush/s’ma merr…

Po Mirko Gashi, askush nuk na e merr dot popullin, kur jemi vërtet bij të tij.

Unë dua tju tregoj se te Mirko Gashi, përtej pamjes së një bohemi, përtej vargjeve hymn apo aludive, unë pashë një zemër të ndjeshme, si një lule bajame e porsaçelur e ndrojtur dhe delikate ndaj erës së fillimpranverës. Këtë lexuesi mund ta ketë vënë re te vargjet e poezive  me ton dhe botë fëminore, por unë do tjua  ritregoj te poezia LULJA ku shkruan ...Vestalet e strehuara/në syrin tim/ma flakërojnë shikimin/Druaj mostë djegë/ frikësohem /mos po të çeli plagë/sepse kur fishkesh ti/mplakem unë/Dhe të varrosi në ballin tim/ti aty qëndron në të si vrragë/Dhe unë harroj emrin tim/dhe kush më solli në këtë botë…Kjo është një poezi e bukur dashurie, janë fjalët këngë të një djali në dashurinë e parë që ja drejton (qoftë dhe në heshtje) vajzës që do. Aty  ndjen më shumë se sa lexon si i dridhet zemra djalit, si i mblidhet ankthi si një grusht në stomak qoftë dhe në një vonesë disa minutëshe të vajzës, aty përjetëon frikën e drojën e tij për lumturine e vajzës. Aty kupton se ç’do të thotë të dashurosh me gjithë zemër. Aty kupton se Mirko Gashi është një poet i tendosur si tel kitare që jo vetëm dora e njeriut, fati real i njeriut kosovar dhe i njeriut në përgjithësi, por edhe mendimi i një dhimbjeje njerëzore e prekte dhe e bënte të lëshonte tinguj ndjenjash në formë vargjesh që të shponin zemrën tej e tejë.

Mirko Gashi është një mal i lartë plot shkëmbinj e dhe që i ndali vrullin acarit dimëror të veriut. Mirko Gashi është një mal me lisa poetikë, me rrënjë të futurathellë në dheun amë e  të pleksura nëpër shkëmbinj, tradita e kujtesën e kombit, që i ndalën erozionin  e i ruajtën gjelbërimin tokës amë. Nëpër lisat e tij në çdo degë cicërin pranvera dhe në mes të dimrit.

Mirko Gashi ishte vërtet një poet në plot kuptimin e fjalës dhe më vjen keq që e njoha kaq von.

Sarandë, më 01.07.2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora