Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Që Shtypi të mos ‘shtypë’…

| E enjte, 02.07.2020, 05:52 AM |


Që Shtypi të mos ‘shtypë’…

Nga Vangjush Saro

Në këto dekada të fundit, pavarësisht pakënaqësive që ne formulojmë heraherës, ka një zhvillim të shoqërisë shqiptare, ka arritje në disa fusha, si cilësia e jetës dhe Turizmi, ndërtimi, lëvizja e lirë, shërbimet në disa zyra të shtetit, por edhe qasjet në letërsi e kulturë. Shtypi gjithashtu, shënon ndryshime të dukshme; kjo është një e vërtetë që flet më së pari me gjuhën e tij. Megjithatë, duke përfituar nga hapësira që më jep kjo gazetë e nderuar dhe nga vëmendja e lexuesve të saj të shumtë, po shpreh disa rezerva në këtë temë; jo për të praktikuar cinizëm, por për ta parë në një dritë tjetër të mëtejmen e Shtypit shqiptar.

Nuk është ndonjë gjë e re të themi se çdo gazetë, revistë e TV ka një përkatësi dhe disa objeksione; ato orientohen në interesa dhe pista të caktuara. Një medie e mirë di të ndjekë dhe të shfaqë të gjitha anët e realitetit; dhe kjo bën pjesë ndër preokupimet e rëndësishme edhe në ditët tona. Shtypi bën investigime, ngre probleme, drejton edhe kritikë, është detyra e tij; por ai kurrsesi nuk shpalos urrejtje, mëri, inate të mbartura. Jo shumë vite më parë, në disa TV të qeverisë së atëhershme, tash në hije, urrejtja ndaj kundërshtarëve ishte sheshit. Sot, një sërë TV e gazeta që mbajnë anën e pushtetit dhe të Kryeministrit Edi Rama, gjithashtu shkelin çdolloj vije profesionalizmi: në sasi faqesh, në kohë transmetimi, në ngjyrime ekstremisht politike të materialeve gazetareske, etj. Ato bombardojnë gjer në lodhje vetëdijen e shikuesit, të qytetarit, me vizita e fjalime pa fund të Kryeministrit dhe pasuesve të tij.

Nuk mbeten prapa as mjetet e propagandës të Opozitës apo ato pranë saj; jo rrallë herë e teprojnë. Gjithsesi, vërehet më së shumti një sforcim i pushtetit të sotëm për t’u imponuar, për ta gjetur suksesin edhe atje ku s’gjendet. Është e habitshme se si njerëzit, edhe ata të medies, binden dhe besojnë verbërisht pronarët ose politikanët që i komandojnë, ndërkohë që më të zellshmit ndër ta nuk munden dot të kontrollojnë fiksimet dhe simpatitë apo antipatitë e tyre. Mendoj se një medie profesionale i jep një kuptim të caktuar lirisë dhe, nga ana tjetër, i kamuflon me sens inatet apo pakënaqësitë e veta, së paku përmbahet emocionesh e mërish. (Nuk mund të vësh në llomotitje soj-soj shkrues e madje t’iu mbash edhe ison atyre, kur vijnë në ‘midenë’ tënde duke sharë dikë që ti e urren dhe përpiqesh ta diskretitosh… Kështu, pavarësia dhe paanësia e shtypit vdesin, shiten. Kështu shtypi ‘shtyp’.)

Një ndër detyrimet e tjera të Shtypit, është mbrojtja e vendit dhe e qytetarëve të vet, skanimi me profesionalizëm i çdo situate dhe përballimi me qetësi e dinjitet i provokimeve, ngado që mund të vijnë ato. Për hir të njëlloj ‘liberalizmi’ gjer në hipokrizi, për hir të luftës së brendshme politike, shpesh herë Shtypi dhe njerëz të njohur të tij shfaqen më kundërshtarë se kundërshtari, kinse këta janë… ‘kampionë të drejtësisë’. I tillë ishte rasti i këtyre ditëve, kur disa medie e individë u hodhën kundër z. Hashim Thaçi më me egërsi se vetë serbët; për më tepër, po të mendosh sa i madh e tërësor është ndryshimi mes paramilitarëve dhe ushtrisë së Millosheviçit dhe luftës mbrojtëse e çlirimtare e UÇK-së. Instancat përkatëse do të vendojnë në kohën e duhur, por assesi nuk na takon neve të hidhemi në sulm të parët, të paragjykojmë e të rrëfejmë zell prej ksenofobësh ndërsa akuzohet një politikan i njohur shqiptar; është e shtirur, është edhe e papranueshme. Vaniteti i disa individëve - për fat të keq, mediet ua hapin pareshtur dyer e dritare - flet për një zhvillim të vonuar dhe me hile të kësaj disipline.

Gazetaria është një profesion që jo kushdo mund ta bëjë. Përveç shkollës, që ka ‘kusuret’ e veta, janë një sërë rrethanash e specifikash, sipas zhanreve, që na lejojnë të vlerësojmë apo të tërheqim vëmendjen në pika të caktuara të kësaj trajektoreje po aq ‘tranzitore’ sa e gjithë jeta e këtyre dekadave. Në shtypin e sotëm, në medie siç thuhet tani, për shkaqe që nuk mund të renditen këtu, përpiqen të shfaqen shumë e shumë emra, që ndonjëherë redaksive u vjen për mbarë t’i aktivizojnë, e dinë ato pse. Por, bie fjala, përcjellja e një lajmi, është njëlloj komunikimi dhe kaq; nuk ka nevojë për t’u zbukuruar apo shëmtuar. Lajmi lyp saktësi; është ngjarje, vend, kohë, fakt, dokument. Këto janë të vetmet shenja të vërtetësisë dhe nevojës për t’u publikuar si i tillë. Nga ana tjetër, një analizë apo një opinion, nëse nuk duam të jetë hartim, përveç informacionit, fakteve, kujtesave dhe citimeve, lejon interpretimin e një dukurie a problemi. Por në të njëjtën kohë, lyp kujdes nga emocionet e tepruara, ca më pak nga emfaza, onomatopetë e pasthirrmat. Madje ato edhe në letërsi janë të kufizuara e zakonisht shfaqen në krijime që mbushen me patetizëm dhe humbasin në emocione boshe. Stili i letërsisë dokumentare dhe publicistikës ndryshon nga ai i letërsisë artistike, edhe pse ato shkëmbejnë elemente me njëri-tjetrin.

Në televizion, gjërat janë po kaq të dukshme, delikate, të pakorrigjueshme nëse koha nuk premton… Ndër çështjet e rëndësishme këtu, paraqitet vetë programacioni. TV-të shqiptare janë të ngarkuara me biseda e debate gjer në atë pikë, sa ato pothuaj u janë neveritur shikuesve; njerëzit duken tejet të lodhur nga patetizmi dhe banaliteti, sidomos në tema politike dhe në ato të Historisë. Britmat dhe horrllëqet, që në fakt rëndom frymëzohen nga politika, sofistikohen e shumëfishohen në këto biseda… që vetëm kështu s’mund të quhen. Gjatë këtyre muajve, për shkak të situatës së Pandemisë, në TV-të e Amerikës së Veriut - SHBA, Kanada - një pjesë e madhe e bisedave, konsultimeve, janë realizuar online. Më ka bërë përshtypja drejtimi me profesionalizëm i këtyre emisioneve e lidhjeve, për disa minuta apo për një kohë më të gjatë; pjesëmarrësit dëgjojnë me durim, presin të mbarojë tjetri argumentin e vet, pastaj fillojnë të shprehen. Edhe kur e ndërpresin dikë, ky apo kjo nuk vazhdon të flasë, që të bëhet ‘pazar’, por hesht për një çast, dëgjon, pastaj e merr fjalën sërish… Në TV-të tona, në disa emisione të kësaj natyre, s’merr vesh i pari të dytin. Protagonistët nuk përmbahen, s’dinë të respektojnë njëri-tjetrin, llomotisin gjatë gjithë kohës, shajnë, bërtasin, përplasen gojarisht dhe fizikisht. (Janë të rralla ‘përjashtimet’; e kam fjalën për ekspertë e intelektualë të edukuar dhe të kulturuar, që nuk i dorëzohen rëndomtësisë.) Kjo është një situatë e rëndë; ndonjë nga TV shqiptare duhet të fillojë ta përmirësojë këtë episod të jetës televizive, në mënyrë që të kuptohet se ka edhe ndryshe…

Më tej, në TV shqiptare ka një luks të paparë. Nuk e kam fjalën për pajisjet dhe teknologjinë, se rinovimi i tyre është një lajm i mirë. Por po të hedhësh një sy në ekranet e disa vende të tjera, duke u nisur nga Maqedonia fqinje, por edhe në Evropë, edhe në Amerikë - kam parasysh të Uashingtonit, të Vankuverit, ku jetoj aktualisht, etj. - ka një thjeshtësi e natyrshmëri në studio, ka një sens mase në veshjet e folësve e të ftuarve, ka njëlloj përmbajtjeje sa i takon tonalitetit dhe termave në tërësi. Te ne, në disa TV, luksi e llamburitja është e tillë që të kujton atë gomarin e zbukuruar të arixhiut…

Një ndër pikat më të dobëta të kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme, është gjithashtu ‘rekrutimi’ i stafit; në shumë raste, fitojnë mediokriteti dhe interesat e vogla. Në TV tona mbizotëron seksi femër dhe këto janë përgjithësisht bukuroshe e plot hir, doemos edhe plot naze; një pjesë e tyre kanë njëlloj koketërie bezdisëse, në shikim e në sjellje; nëpër biseda kërcejnë vend e pa vend, vishen sikur janë në ballo, ndonjëherë sikur po shkojnë në plazh… Në televizionet ku flet profesionalizmi, folësit dhe folëset nuk përzgjidhen për nga bukuria, hiret dhe mosha. Patjetër që paraqitja është një kërkesë, por jo ndër më të rëndësishmet. Vlerësohet më së pari aftësia për të komunikuar me publikun dhe diksioni; (ka të bëjë me shqiptimin e fjalëve, me veçanësinë dhe timbrin e të folurit, me bukurinë… e zërit). Po ashtu, lajmi nuk ngjyroset, nuk përcillet duke shfaqur qëndrim apo emocion të tepërt, gjeste pejorative (përkeqësuese) jo e jo. Edhe pse folësit, me raste, dalin nga teksti që kanë përpara dhe shkëmbejnë edhe batuda me njëri-tjetrin, sidomos në mbyllje të lajmit, ata prapëseprapë nuk u japin ngjarjeve asnjëlloj gjykimi a pasgjykimi; ka ndjeshmëri, por edhe vetëpërmbajtje; nuk mungon buzëqeshja, por ajo i drejtohet publikut dhe s’ka të bëjë me lajmin a kronikën; këto i lihen në dorë shikuesit, që ai të kuptojë e të vlerësojë çka duhet. Një pjesë e medieve shqiptare janë shumë larg këtij standarti.

Dhunimi i Gjuhës Kombëtare është gjithaq ndër dobësitë kryesore të Shtypit, në të gjithë zhanret e tij. Në shqetësimin që po shfaqim - tema është rrahur edhe më parë, edhe nga kolegë të tjerë - nuk është fjala për ndonjë rrjedhojë të pakënaqësive a pretendimeve në lidhje me jetën dhe të tashmen e variantit zyrtar të gjuhës. Ajo vetiu ndryshon dhe pasurohet, duke u konsoliduar falë zhvillimeve të gjithanshme, si dhe përfshirjes në proces të vetë përdoruesve të saj, patjetër edhe të ekspertëve të gjuhës. Nga ana tjetër, mënyra se si shkruajnë dhe flasin njerëzit, ka të bëjë me prirjet, me kulturën dhe jetesën e tyre; dhe këto nuk mund të gjykohen. Por këtu fjala është për ndotjen e gjuhës në aspektin zyrtar, gjatë përdorimit në medie dhe në letërsi. Lehtësia (e sotme) për të publikuar gjithçka përmes Shtypit dhe rrjeteve sociale, krahas anëve të dobishme, që do të thotë se ka më shumë liri për t’u shprehur, krijon njëlloj kakofonie; preken rëndë parimet kryesore të qytetarisë dhe të profesionit të gazetarit, preken gjithashtu gjuha e folur dhe e shkruar: Sintaksa dhe Rregullat e Drejtshkrimit. Ato mbrohen me Kushtetutë dhe kjo nuk mund të anashkalohet, për më tepër që në zbatim të ligjeve duhej të ‘vigjëlonin’ organizma të cilat paguhen me taksat e qytetarëve.

Natyrisht, Shtypi po kalon edhe ai Tranzicionin e vet, si çdo institucion e segment i vendit. Disa probleme burojnë nga mungesa e përvojës, të tjera nga paqartësia në zhanër e në profesion. Por defektet që bien më shumë në sy dhe që u përpoqa t’i veçoj në këto radhë, janë të njëjta me ato që pasqyrohen edhe në politikë, edhe në trajtimin e së shkuarës, edhe në problemet historike, edhe në përzgjedhjet për tekstet shkollore, etj. Kjo do të thotë se institucionet tona dhe ne duhet të lëvizim në bllok, duhet të ndjekim disa parime të qytetarisë më të përparuar, duhet të kuptojmë se ndryshimi e përmirësimi në çdo aspekt, përbën zhvillimin real të shoqërisë.