Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Aktakuzat cak final e kanë luftën çlirimtare dhe shtetin e Kosovës!

| E merkure, 01.07.2020, 08:51 PM |


Aktakuzat cak final e kanë luftën çlirimtare dhe shtetin e Kosovës!

Shkruan: Florim Zeqa

Aktakuza ndaj kryenegociatorit të Kosovës (për nëntë vjet bisedime me Serbinë), e bërë publike tri ditë para bisedimeve në Washington, përveqse e qëllimshme, është edhe e rrezikshme për pozicionin politik të Kosovës në raundin final të bisedimeve.

Goditja ndaj ish udhëheqësit politik të UÇK-së, është goditje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, goditja ndaj presidentit të shtetit është goditje ndaj shtetit të Kosovës, e më së paku është goditje ndaj Hashim Thaçit si person fizik.

Duke qenë se është kështu, duhet të tregohemi të vëmendshëm në menaxhimin e kësaj situate. Të mos nxitohemi në gjykime, mos të rrëmbehimi nga zemërimi dhe as të mos shpërthejmë nga gëzimi i aktakuzave të Gjykatës Speciale.

Mungesa e lidershipit të përgjegjshëm

Çasjen jopragmatike, nënshtrimin dhe varësinë e tepruar të liderëve tonë shtetëror karrshi ndërkombëtarëve është duke e shfrytëzuar siq është më së miri Serbia më një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, përmes të ashtuquajturës "Gjykatë Speciale", e cila synon t'i niveloj krimet e supozuara individuale të ndonjë pjestari të UÇK-së me krimet gjenocidiale shtetërore të Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë.

Sa ishte gjallë presidenti historik Ibrahim Rugova vlerat e luftës çlirimtare u mbrojtën më dinjitet të lartë shtetëror. Presidenti pa hezitim u thoshte gjithmonë ndërkombëtarëve: " Ne kemi mbrojtur pragun e shtëpisë".

Madje edhe në Tribunalin e Hagës, në cilësinë e dëshmitarit kundër satrapit të Ballknit, Rugova si burrështetas i vërtetë kishte dalë në mbrojtje të UÇK-së duke pohuar, po citoj; "UÇK-ja nuk është terroriste,...ajo është formuar nga njerëzit e thjeshtë, nga patriotët që luftuan  për lirinë e vendit të tyre", për të vazhduar akuzat ndaj Millosheviqit;..."ky është personi që ka kryer krime e gjenocid ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare në Kosovë".

Mirëpo tani, kur ai na mungon, po na mungon autoriteti i një lidershipi të përgjegjëshëm siq ishte ai rugovian që mbron vlerat e luftës çlirimtare.

Kundërrthënjet BE-SHBA e dëmtojnë procesin final të dialogut

Kundërthënjet e BE-së me SHBA-të rreth përmbylljes së fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi, gjegjësisht ndarjeve që ekzistojnë mes këtyre dy fuqive politike, përveqse e dëmtojnë procesin final të dialogut, do e vënë në pikëpyetje edhe mitin e rrejshëm të Bashkimit Evropian, i cili përveq parlamentit, bashkimit monetar dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve brenda këtij unioni, nuk ka të bëjë fare me bashkim të mirëfilltë të shteteve të kontinentit të vjetër në një organizim të përbashkët politik siq janë SHBA-të, për shkak se këtij unioni i mungon forca mbrojtëse (ushtria), kushtetuta (ligjet unike) dhe organizmi politik (presidenti).

Fillimi i dialogut të pabarabartë Kosovë-Serbi nën patronatin e BE-së është një dialog në mes të viktimës dhe xhelatit.

BE-ja duke e ulur në një tavolinë viktimën dhe xhelatin, i bëri negociatorët kosovarë që të mos guxojnë të flasin për krimet serbe, nën arsyetimin sipas BE-së, që ajo temë do t’i dëmtonte marrëdhëniet ndëretnike.

BE-ja me themelimin e Gjykatës Speciale e ka bërë xhelatin viktimë, ndërsa viktimat i ka kthyer në agresorë!

Kundër kësaj politike është SHBA, e cila nuk do të lejojë që të shkatërrohet aq lehtë një investim afatëgjatë i saj në Ballkan, për të cilën ka shpenzuuar miliarda dollarë.

Barazimi i viktimës me xhelatin

Asnjëherë nuk ka ndodhë që viktima të vrapoj pas xhelatit për kërkimfalje, sikurse nuk ka ndodhë asnjëherë që xhelatët të përkulën para viktimës!

Zakonisht xhelatët mundohën të arsyetojnë krimet e tyre, ndërsa viktima objektiv ka hakmarrjen dhe kërkimin e drejtësisë.

Xhelatët (serbët) po tallen më viktimën (shqiptarët), ndërsa këta të fundit po ua arsyetojnë të parëve "mëkatët" (krimet) në forma dhe përmbajtje të ndryshme.

Nuk ishte lufta e fundit ajo që na armiqësoi më Serbinë, sikurse nuk është as dialogu i fundit që po na "miqëson" me armiqët tonë shekullor.

Që nga Serbia e parë e deri të e dyta, që nga Jugosllavia titiste e deri të Serbia  millosheviqiane, shqiptarët u prenë e u vranë, u masakruan e u dogjën, u ndjekën e përndjekën dhe prap u detyruan të "bashkjetojnë" më xhelatët e tyre, si çdo herë pa (më) fajin e tyre.

Po ashtu, është bashkësia ndërkombëtare; që nga Evropa plakë e deri të kjo e ditëve të sotme që po i "pajtojnë" shqiptarët (viktima) më serbët (xhelatët), duke ua përseritur shqiptarëve masakrat nga dy-tri herë mbrenda një shekulli.

Më (pa) dashje shqiptarët po i nënshtrohen një ligji të pa shkruar; "nëse nuk mësohet nga historia, ajo përseritet prapë".

Kështu po na ndodhë ne shqiptarëve, për shkak se nuk po arrijmë të mësojmë mjaftueshëm nga historia, por po besojmë shumë dhe po mashtrohemi lehtë, si dhe për shkakun së po i harrojmë shpejtë ngjarjet tragjike të kombit tonë!

Akoma pa i shëruar plagët e hapura nga lufta e fundit siq janë; mbi 13500 viktima, rreth 1600 persona të zhdukur, mbi 20 mijë vajza dhe nëna tona të dhunuara nga kriminelët serbë, me qindra e mijëra të plagosur, dhjetramijëra fëmijë të mbetur jetim e në varfëri të skajshme, e deri tek dëmet e pallogartishme materiale gjatë luftës së fundit nga plaçkitja e pasurive dhe dëmtimi i shtëpive të shqiptarëve.

Kjo formë e "pajtimit" me Serbinë nuk ka të bëjë fare më drejtësinë, për më tepër ky është një shpërblim që po i bëhet shtetit gjakatar të Serbisë, dhe një amnistim i krimeve të saj në Kosovë.

Dialogu nëntë vjeçar i Brukselit, jo vetëm që nuk solli kurrfarë zgjidhje të problemit shqiptaro-serb, e solli Gjykatën Speciale që për qëllim të vetëm e ka  barazimin e viktimës më xhelatin.

Brukseli i sotëm është vazhdimësi e Londrës dhe Vërsajes së 1913-s, që ndanë e coptuan pamëshirshëm trojet tona etnike, për të kënaqur orekset e pushtuesve barbarë serbo-malazezo-maqedonas, që sot e asaj dite vazhdojnë t'i mbajnë të pushtuara tokat tona.

Shtrirja gjeografike e Serbisë së sotme në shtetin e Kosovës është një "Rrip i Gazës" në mes trojeve shqiptare, i cili jo vetëm që do të prodhojë në vazhdimësi konflikte ndëretnike mes serbëve e shqiptarëve, do ta bëjë të pa mundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Të ngrihemi të gjithë në mbrojtje të Republikës së Kosovës, me të gjitha kapacitetet intelektuale e politike, ngase nesër mund të bëhet tepër vonë.

Meqë shkrimin e fillova me presidentin e akuzuar, duhet edhe ta përfundojë me të. Në paraqitjen e parë publike pas ngritjes së aktakuzës, presidenti Thaçi ndër arsyetimet e shumta, ua bëri edhe një lloj kërkimfalje qytetarëve të vendit për "gabimet eventuale" gjatë rrugëtimit politik 20 vjeçar.

Presidenti Thaçi e ka për obligim moral dhe njerëzorë që në kërkimfaljen e tij ndaj qytetarëve të vendit të jetë i qartë, konkret dhe më i sinqertë për t'iu pranuar kërkimfalja. Megjithatë, çfarëdo kërkimfalje ndaj qytetarëve të vendit nuk ia zvogëlon atij barrën e përballjes me Gjykatën Speciale.