E hene, 13.07.2020, 12:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Gashi: Zhvarrosja

E marte, 30.06.2020, 09:30 PM


ZHVARROSJA

-tregim-

Nga Sinan Gashi

Mushamaja e bardhë e kërtë kishte  mbështjellur një hapësirë mes varrezave, rreth së cilës lëviznin herë dy e dy e herë dy e tre ushtarë e ushtarakë, të cilët edhe diçka  çuçurisnin me njëri-tjetrin, si duket për këtë mision të rëndësishëm, por edhe tejet emocional. Njëri nga ta, i kërrusur siç ishte, largonte me radhë kurorat e shumta dhe lulet që ishin shpërndarë mbi varret, kurse i dyti që i shkonte pas në heshtje dhe paksa me një shqetësim që i vërehej në cepet e syve dhe në vetullat që ishin kacavjerrë përposh, hidhte një lloj pluhuri të bardhë, si duket dizenfektant.

-Më duket punë e rëndë kjo, - mezi shqiptoi fjalët, sikur i fliste vetes ushtaraku i parë.

-Megjithatë duhej të bëhej, për shumë arsyera.- e mbylli i dyti, që, duke mos deshtë ta nxiste më bisedën, u nis si në kontroll pas ushtarëve që kryenin shërbimin.

Nuk vonoi e varrezat e dëshmorëve, madje vetëm të një familjeje, që tashti kishte marrë karakter legjende, kishin mësyrë kameramanë, fotografë, gazetarë të gazetave e radio-tv -ve. Nuk vonoi shumë e erdhën edhe ata që ishin ekspertët, të cilët që në fillim paralajmëruan se puna do të jetë e ngadalshme, e kujdesshme, që do zgjasë ndoshta edhe një muaj.

-Sa gjatë!, - shprehu habinë një vajzë cucrrake, me flokë kaçurrela, që syzet e diellit i mbante në mes të kohës, mbase edhe kur flinte, e cila posa ishte pranuar në një televizion privat.

-Mos dërdëllis kur nuk e njeh punën dhe s’e di qëllimin,- ia ktheu kolegu i tij përbri, një zgjatan që mbante një aparaturë në dorë, mbase kamerë dore.

Pas një sqarimi, që ngjasonte si me një konferencë të shkurtër shtypi, nisi zhvarrosja e parë. Lopatat hiqnin dhe nga disa ushtarë, te  të cilët hetohej emocionaliteti i tepruar edhe nga lëvizjet e tyre të punës. Pas një shiu që kishte rënë një javë të tërë, dheu ishte zbutur dhe largohej pa ndonjë vështirësi.

Të tjerët përreth rrinin si të nemitur. Secili në vete dhe në mënyrën e vet kishte emocionet, varësisht se si e kishin përjetuar luftën e fundit.

Sa më me kujdes!,- u dëgjua një këshillë dikah që nuk mund të përcaktohej se nga erdhi. Madje kësaj radhe askujt nuk i bënte përshtypje fjala e tjetrit. Secili, madje edhe familjarët e pakët që kishin mbetur gjallë, kishin humbur diku kujtesave të tyre, copëzat e të ngjarave e të cilave ngjasonin me bashka reshë të zeza që mundohen ta zënë njëra-tjetrën në një fushë qielli të kaltër.

Nuk vonoi shumë, e u duk skeleti i parë. Ato ishin ende të paprishura nga renditja, sepse koha kaq e shkurtër nuk e kishte bërë punën e vet.

Edhe njëherë u ktheva, sikur tha ai skelet. Erdha dhe do të vijë përherë, se kam mallë. Edhe për tokën, edhe për njerëzit edhe për të parë se çfarë po bëhet pas tërë asaj katrahure të pistë… Dhe, mendoj se kam të drejtë për këto që them, dhe mendoj se kështu duhet të veproj. Mblodhi me dhembje plagët e shumta që ia rëndonin trupin e lënë force, dhe u ul si në kohën kur ishte këndej bote, kur shikonte me vështrim kureshtar tërë peizazhin, duke pikëtuar se prej nga mund të vinin sulmet e hordhive armike. Atëherë lëmonte mjekrën e dendur me fije  thinjoshe që ishte bashkuar padiktueshëm me mustaqet po aq të gjata dhe flokët  kurorë që nuk ia zinte me asnjë kusht kapela ushtarake… Historia bën punën e vet, kurse për neve Ajo ishte e rënduar fatesh, me vdekje, vrasje, sakrifica, pastaj me heronj, dëshmorë, këngë për ta, filma të përgjakur, drama përplot kuje e lot,.. Eh, ç’fat , o bacë! Por, nejse: tashti çfarë po bëhet këtu, në këtë truallin tonë, që së bashku e nisëm, e, dikur mbeti e dikush ra. E dikush tjetër, që mbeti, çfarë bën tashti? Mos ndodh që ka mbetur me propagimin e lavdet e atyre që nuk janë ndër të gjallët, apo vetëm shikojnë si vëzhgues. Unë atë që e dita dhe që e pata, si mundësi fizike e mendore, e bëra. Jo për lavdet por për obligimet që kemi secili për këtë tokë, për lirinë e atyre që do vijnë brezave. Si mendoni ju, se gjithçka fluturon hahet? Jo e jo! Kroi pak plagën e gjoksit që skuqonte lëngshëm kah maja e cicës dhe synonte rrugën e tokës së zezë. Shtrëngoi muskujt e fytyrës që vetëm ai i ndjente, dhe sërish e përfshiu përditshmëria. Emrin tim dhe të shokëve që flijuam, duhet zënë në gojë secili. Na nuk jemi pronë partiake e individësh, pavarësisht kush janë e sa vlejnë. Një gjë shqetëson tokën, eshtrat tanë, or ju, që mos mashtroni e mos mendoni se mbuloni fytyrën e zbetë pas ushtimës së rasteve. Ne dimë mjaft gjëra, që tashti nuk i themi dot. Ne mësuam edhe disa gjëra që nuk i besonim për besë të Zotit! Ndryshe me disa i patëm fjalët, or burra. Ndryshe lidhem besën, për së gjalli e për së vdekuri…

Vendosni të gjitha këto me radhë në tavolina, ju lutëm,- u ndie një zë i mekur vajze. Ajo, e mbështjellura e tëra me veshje najloni dukej se e asaj bote.

Është ajo specialistja që bën analizat e të vdekurve- u ndie një zë nga pas.

Ushtari që e tha këtë sqarim, bëri dy hapa pas për të liruar kolegun e tij që kishte diçka si lese në dorë. Ata pastaj u shtuan në numër dhe me kufomën e nxjerrë u futën në çadrën e parë ushtarake.

-Pritet që të zhvarrosen të gjithë familjarët,- tha një zë.

Duhet zyrtarizuar mënyrën e vdekjeve,- shtoi një tjetër.

Ata shpifarakët vranin e deklaronin për vdekje të natyrshme,- u dëgjua një bas.

-Vazhdojmë punën!

Një zë zyrtari kërrusi ata që kishin obligim zhvarrosjen. U dëgjuan pastaj sërish lopatat. Disa ishin trupa të vegjël, njomëzakësh, që predhat ua kishin shëmtuar pranverën e jetës. Njëri sy i kishte mbetur zgavër e zezë, kurse tjetri sikur shikonte kupën e qiellit. Asaj i mungonte një dorë dhe një këmbë. Lente përshtypjen e një torzoje antike e nëndheshme.

-Zoti i vraftë e paçin faqen e zezë! –mallkoi një zë plaku që nuk di se kah ishte përvjedhur pranë varrit.

Nëma e tij u përcoll me një ofshamë nga thellësia e shpirtit të zhuritur.

Mashtrimi është gjë kalimtare, - tha kufoma e dytë,e atij që mbante mustaqe të zezë e beretë. – Koha ikën shpejtë e të vërtetat dalin, or ti. Na lëvizëm andej e këndej, kryq e tërthor Kosovës, dhe njohëm shumë njerëz, dhe patëm mjaft takime. Ani, ashtu duhej. Po e them se dashuria ndaj atdheut, nuk është e njëditshme, nuk është e një stine. Kjo ose kultivohet që nga lindja dhe ruhet deri në frymën e fundit, ose asgjë prej asgjëje.

-Mos hezitoni, ju lutem!

Ushtarët që bënin punën ishin rënduar prej kujtimeve e përkujtimeve dhe në çaste harronin se çfarë bënin. Madje njëri duke kryen zhvarrimin edhe fliste si me vete. Tregonte veten një aksion që e kishin bërë së bashku kundër një kolone policore. Je në vete, i tha kolegu përbri, i ke deklaruar ato për gazetë edhe për televizion, tashti puno. Eh, more djalë, janë ngjarje që nuk harrohen kurrë. Mirë, mirë, por më pastaj, kur jemi ulur, nxitonte i dyti, edhe ai i emocionuar.

Një tjetër, para dy – tri ditësh, edhe ia pat nisur  një këngë epike të atyre anëve. Hej-hej, nuk je në dasmë, o jaran! Me këso trimash, gjithmonë është dasmë, - arsyetoi veten ai që këndonte dhe i mëshoi tokës së zezë së varrezës.

…Neve për të mbarën bëmë sakrificën e jo për lavdëraçët. Tradhtitë i vjell koha. Ata që nisën për të mirë dhe kishin syrin te pasuria banale, dhe madje duke folur për privilegjet me të vdekurit, janë turpi i kohërave. Idealet kombëtare nuk shndërrohen në monedha, o të mallkuar! Nuk bëhen poste tmerri mundi i tjetrit që ha dhe. Ne tashti e pamë realisht atë që e ndjenin me dyshim kur ishim në mesin e juaj. Vinin disa e rrëfeheshin në kullë për trimëritë, për sakrificat. Bënim edhe fotografi, edhe ndonjë xhirim për kujtim e dokument, por jo e jo që ato të dëshmojnë hutinë në popull se vetëm ata kanë privilegje dhe merita të sakrificës që u bë. Madje ai film të shitet për përfitime, për lekë? Si përdhosni kështu e shtrembëroni të vërtetat, ore ju, që na lëndoni plagët e shumta e shpirtin e vrullit të fitoreve!

Edhe sa  trupa kanë ngelur pa u nxjerr? – pyeti ai që kishte përgjegjësinë e kryerjes së punëve në zhvarrim.

Edhe katër kanë ngelur gjithsej,- deklaroi njëri pasi i numëroi me gisht varrezat e dalluara kube dheu me emrin e datat vënë në një dërrasë te koka e secilit.

Vëllai që kishte mbetur gjallë, me mustaqet rrafatë e plis të bardhë Kosove, kishte lidhur duart pas shpine dhe bënte ecejake sa te njëri sa te tjetri. Madje këso lëvizjesh ai i kishte nisur që ditën e parë. Disa e komentonin si shqetësim e disave iu mbush mendja se ai përjeton ndejat me ta dhe mes tyre. Ndjen sikur është me ta dhe e çlirojnë pak shpirtërisht ndejat me ta. Dërdëllisnin  gjithfarësh njerëz që ndërroheshin me radhë, nga interesimi.

Shkuan në një aksion njëherë, ti që sot dërdëllisë sallave edhe të parlamentit, ike vetëm  njëzet minuta para se të kryhej ai. Gjete arsyetim që aty për aty na u duk i sinqertë, e më vonë doli diçka tjetër… Pse në historinë tonë ndodhin këso prapështish, more njeri. Edhe dje falsitete nga ata që kishin hyrë në aksione, edhe sot po ajo formë. Por, tashti, e mira është se nuk zgjatë kohë e gjatë mashtrimi. Fotografia poster nuk mbulon më asgjë. Vetëm vetja të bën të jesh i respektuar e të qëndrosh krye vendi, përndryshe…

Dielli kishte fsheh syrin pas një hark bjeshke, kur ata mblodhën veglat e punës, u vendosen në vendin e caktuar dhe, në rreshtin ushtarak, dolën kah dera e mushamasë.

Roja që qëndronte gatitu, bëri përshëndetjen e fundit, kur makina e fundit me mjekët specialistë me fytyra të lodhura, u nisën kah kryeqyteti.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora