Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Mos ma vrisni qenin

| E marte, 30.06.2020, 09:34 PM |


Mos ma vrisni qenin

Nga Edison Ypi

Gjatë atij behari vajta disa herë pasditeve tek Lasgushi në Pogradec. Shtëpia ndodhej në kërthizën e Pogradecit të vjetër, atje ku zhvillohet rrëfimi dramatik më i bukur shkruar në Shqip, "Lumi i Madh" nga Mitrush Kuteli. Kopështi i vogël në formë ferre dhe kati i parë shkatarraq i asaj shtëpie ishin një realitet surreal krejtësisht i padeshifrueshëm. Ngjitja në katin e dytë ku veronte i fundit Rilindas i gjallë nëpër shkallët e drurit që luhateshin frikshëm sikur nga çasti në çast do shkuleshin e do rrëzoheshin, ishte një ritual i detyrueshëm si në filmat e horrorit. Këto, bashkë me nja dy kthina misterioze dhe dhoma lart, ishin një "thriller" aq sugjestiv sa Alfred Hitchcock-u nuk do kuturiste t'i përshkruante. Shtëpia nga jashtë dukej si e vizatuar nga eksperta të efekteve speciale të Walt Disney-t në atë mënyrë që të mos linte asnjë dyshim se ajo shtëpi ndodhej aty e paprekur që nga Mesjeta. Para asaj shtëpie ëndërrash, para asaj kështjelle përrallash me princesha të bardha dhe princër të kaltër mund të rrije i ngurosur me vite pa tu nginjur syri dhe shpirti. Kurrkund nuk mund të gjindet sot një ngrehinë aq marramendëse që nuk kuptohej nëse ishte prej tullash, prej guri, prej druri, prej drite, apo prej mjegulle. Më vonë, nga çupa e Lasgushit Maria, mora vesh se gjatë një vizite të mëparshme, krejt i mpirë para asaj pamjeje Kadare kishte thënë; Duket si kullat mesjetare të Frankfurtit.

Gjatë një pasditeje kur vajta për vizitë në atë Tempull, në dhomën lart gjeta dy çupat e Lasgushit, Marien dhe Ninën, të kudondodhurën Meri Lalaj, dhe Sovranin, Lasgushin, që rrinte gjithë kohën gjysëm shtrirë me shpinën mbështetur mbi dy jastëkë, këmbë mbi këmbë, sytë drejt infinitit.

Hyri Kadare bashkë me një tip tjetër për të cilin atypëraty qarkulloi veshmëvesh pëshpërima; Është i sapoemëruari "me ulje" nënkryetar i Degës së Punëve të Brendëshme. Qesha me vete me pëshpërimën; Nga inxhinier në mekanik unë "me ulje" në Pogradec për shak të vëllait në burg në Spaç, "me ulje" edhe ky.

Ishte e para dhe e fundit herë që Kadarenë e kam parë aq të tjetërsuar, i tëri brenda një ekstaze adhurimi për Zotin e Zotave, Zeusin kryelartë këmbë mbi këmbë me qenin Cuci pranë. Edhe tjetri që hyri me Kadarenë me një adhurim të papërmbajtur i tregoi Lasgushit përmbledhjen e Poezive në një botim luksoz që kishte marrë në Prishtinë, dhe të vetmet fjalë që shqiptoi gjatë gjithë kohës që zgjati ajo bisedë ishin; J'u duan shumë në Kosovë Zoti Lasgush.

Nuk u përmend asnjë soc-autor. Nuk u fol për asnjë kongres, komitet, plenum, apo gjëra të tjera të këtij kallëpi. U fol me respekt për Fishtën, Nolin, Migjenin. Kadare përmendi Ernest Koliqin për të cilin, mes tjerash, tha se "po duan ta përdhosin". Lasgushi lëvizi nga vendi. Tha me kërcënim; Kush guxon ta ndoti Koliqin ?!

Në një moment tjetër, Kadare e solli fjalën tek Garsia Markes. Tha, mes tjerash, se Markes, kohët e fundit kishte bërë të ditur një pretendim madhështor të padëgjuar kurrë më parë nga asnjë autor. Ishte ankuar për pamjaftueshmërinë e gjuhës së vet. Maria, Nina, Meri, unë, dëgjonim të nemitur.

Pas një pauze, siç e ka zakon Kadare që nuk e ndërpret kurrë tjetrin por pret rradhën të flasi, ju drejtua Lasgushit; Zoti Lasgush, thuaji këtij shokut (nënkryetarit të sapoemëruar të Degës së Brendëshme) ndonjë hall që ke se mund të ndihmojë.

Nuk kishim asnjë shpresë dhe nuk mund të bënim asnjë hamëndje se mund të ekzistonte ndonjë arësye që mund ta bënte Lasgushin të hiqte këmbën mbi këmbë, t'i largonte sytë nga infiniti, të drejtonte shpinën, aq më pak të hapte gojën e të fliste për të shprehur ndonjë hall. Por edhe nëse çudia do ndodhte dhe Lasgushi do fliste, dhe hallin do ta shprehte, çfarë na mori mendja se mund të thoshte ishte ndonjë problem që ndoshta lidhej me sistemimin e shtëpisë, ndoshta transferimin në Tiranë të Ninës e cila në atë kohë ishte mësuese në Starovë, apo diçka tjetër të kësaj natyre. Jo-jo. Lasgushi foli për të folur, por për asnjë hall të tillë. Pa lëvizur aspak nga vendi, pa e drejtuar fare kurrizin, pa e kthyer asnjë milimetër kokën, pa i hequr sytë nga infiniti, Zeusi tha;

Thuaji atij shokut tu thotë policëve të mos ma vrasin qenin.

Rrënqethja elektrizante që përshkoi shtyllat kurrizore të të pranishmëve bëri të kërrcasin dhogat e dyshemesë.