E shtune, 20.04.2024, 04:40 PM (GMT+1)

Editorial

Xhemal Ahmeti: BE: Ami - go home!

E hene, 29.06.2020, 12:47 PM


BE: Ami - go home!

Amerikanët dështuan. 5-shja antishqiptare brenda BE-së triumfoi. Kush i ka fajet! Industria vetëdifamuese nga Tropoja nëpër Prishtinë e deri në Strugë; racizmi oksidental ndaj shutëve të Karl May-t apo paaftësia vrasëse e diplomacisë shqiptare?

Nga Xhemal AHMETI

Grenell deshti ta mbajë një takim historik. Dhe ai pa ndodhur fare u bë vërtet histori. Se si duket kjo histori e përshkruajti për bukuri sociologu dhe publicisti Baton Haxhiu në tekstin që botoi në GazetaExpress me titullin: «Poshtërimi i Shtëpisë së Bardhë». Dështimin e takimit e organizoi BE. Jo francezët, gjermanët, por BE. E bëjmë këtë dallim se në këtë aksion triumfoi pesëshja anti-Kosovë brenda organizatës. Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro vepruan në mënyrë intensive kancelarive gjersa Grenell dhe Thaçi cicërueshëm lavdëronin njëri tjetrin forumeve virtuale dhe Lajçak ishte dërguar ta bëjë maskën publike. Timonierët aktualë të BE-së me ndihmën e organizatave të Sorrosit dhe militantëve të tyre nga kuzhina postsovjetike e Harvardit brenda Gjykatës Speciale triumfuan me mesazhin arrogant drejtuar «gjenive» tejoqeanik: Stop! Në këtë kontinent kollitemi ne. Kollitje që për kulturosferën shqiptare edhe pse nuk është gjak është shkëlbazë toksike. Grupi tjetër i mbetur i anëtarëve të BE-së as që mori vesh çka ndodhi, por vetëm festoi: Ami - go home!, bërtitën, pa ditur në thelb se çka ndodhi! Natyrisht se para se të cakëronin gotat pyetën edhe njëherë veten: a ka gjasa të ketë edhe një Normandi, ndonjë Jugosllavi gjenocidesh? Jo? Gëzuar!

Avokatë, specialistë dhe institucione të pavarura diskutojnë me habi të thellë se pse Gjykata Speciale veproi aq aprofesionale? Ja pse: ajo e di që do të dështojë. Pranuan viktimat infantile të saj të bashkëvallëzojnë apo jo, ajo është e dështuar – që nga embrioni i saj, ngase është ngritur mbi rrenën dhe intrigën për ta shpëtuar dorrasin dhe për ta inkriminuar viktimën. Dështim që u shkon në konto britanikëve, zviceranëve, gjermanëve dhe amerikanëve, jo këtyre të Trump-it, por atyre para tij. Po të mos ishte presioni i tyre ndaj Kosovës nuk do ishte sot Gjykata. E kjo e di se jeta e saj nuk varret nga zbulimi i rasteve [cilave? Atyre me të cilat u morr Eulexi 12 vjet?], por nga industria vetëdifamuese brenda kampit të viktimave që i asiston reahabilitimit të dorasve, që këta, dorasët të pranohen nga BE si anëtarë të parë të rajonit pa i dhënë llogari drejtësisë për krimet masive. «Vetëm vazhdoni kështu, Serbia me siguri e para nga të mbeturit do të anëtarësohet në BE». Vuçiç nuk mashtroi, vërtet ia thanë dhe atë primatë gjermanë: 2026!

Shqiptarët? Kush merret me ta.

Kjo është optika dhe qëndrimi historik dhe aktual i shumë europianëve perëndimorë karshi shqiptarëve. Ata janë kotë - thonë diplomatë të shumtë saherë të jenë të bindur se s’je shqiptar në mesin e tyre por për nga origjina ndonjë maqedon-sllav, malazez apo serb. «Janë marioneta banale të të sëmurit të Bosforit» dhe epitetone tjera që edhe shkronjat acarrohen po deshe t’i shkruash. Kanë të drejtë? Ndoshta po. Racistë albanofob janë domosdo.

II.

Hitleri nuk ishte bukuria vetë. Kishte një fizikus fragjil. Si figurë ishte sinteza e pafuqisë në person. E njëjta mund të thuhet për shumë perandorë dhe diktatorë të historisë. Dhe pikërisht pré të këtij iluzioni optik bëhet çdo epokë, çdo elitë dhe çdo masë: këto përqeshin me adjektivë të vetëshpikur figurën që kanë shënjestër dhe anashkalojnë detyrën ta analizojnë fuqinë e frymës së kundërshtarit, e cila nuk varret nga cilësia e ambalazhit ku ka gjetur strehimin ajo, por nga karakteri i saj, nga intensiteti subversiv apo konstruktiv dhe nga radiokracia në disponim i frymës që eterizon idetë dhe qëllimet. Fryma është pusi nga ku shpërthen energjia, është ipssima vox-i që gjatë eksternalizimit të përmbatjes së saj ndërton apo shkatrron botë.

Çka ndodhë kur dy fizikusë të tillë fragjil në dukje e subersiv në frymë përballen në fushëbetejë? Ato janë të pafuqishme ta shëmbin njëra tjetrën si ambalazhe. Demolojnë ndërkaq ata/ato që mbron apo sulmon fryma e tyre – si synim. Ose terreni i tyre gropohet e përflaket nga iluzionet, shpresat dhe pritjet e kota.

III.

Kosova dhe shqiptarët janë viktima që gropohen nga përballja e dy klubeve aktualisht të barabarta për nga kapaciteti dhe karakteri. Trump nuk ka pushtet përveç në oval office kur e zbavit Grenell me ca shokë. E gjitha administrata e tij është në shërbim të Sorrosit dhe demokratëve, të cilët tashmë kanë bërë aleancë me «shoqërinë civile» për të ardhur në pushtet. Joe Biden është burrë i mirë dhe i lidhur personalisht me Kosovën, por pushteti është komplet Himairë hesiodike tjetër që Kosovën e degradon në fjalorin e Erdoganit: «Kosova është e vogël të flas për islamin» e për interesat turko-ruso a mund ta thotë një fjalë? Nuk guxon se e kapur nga Sulltani.

BE aktulaisht është si ai qoftëlargu lartë; klub pa frymë por me përmbajtje toksike për shqiptarët. PE dhe shumica e komisioneve janë nën dirigjimin e Moskës. Ky nuk është sekret. E thonë haptas pas çdo të dytës birë me krenari diplomatët e 5-shes dhe gjermaneve e francezeve të majta e të gjelbërta klubeve të Brukselit.

IV.

Kjo analizë çon vetëm në një përfundim: Është e vërtetë që shqiptarët janë kot. Të ishin ndryshe nuk do kishin arritur veç në shekullin 21 të lavdërhohen se i kanë dy shtete. Kot janë në diplomaci, në arsim, në shëndetësi, në diplomaci, kot janë edhe me dy shtete se s’janë faktorë. BE vrapon pas serbëve se me lojën e tyre në relacionin rusi-kinë-turqi-be kanë vënë në kurth të gjitha këto për interesa të veta. Kot janë shqiptarët ngase nuk investojnë në strategji por në individë hallash, tezesh, biografish biogjenezash, të cilat pastaj përfundojnë si klounë të Erdoganit, Putinit, Leninit, Trapit e Gjylës por asnjhëherë vetja. Kot. Si ka mundësi për çdo ditë të lexosh për krime (mos pyet ku, si dhe çka) masive qeverish shqiptare botës (nga shqiptarë) e asnjëherë për korrupsionin serb malazez, maqedon, rus? Shqiptarët janë fatkeqësia e vetes. Dhe si të tillë as që mund t’i respektojë kush.

Kot. Popull, shoqëri kot që rastësisht – për shkak të krimit brutal të tjetrit ndaj tyre – i dhanë lirinë tjerët. Kot. I vrasin të vetët nga dashuria perverse ndaj vrasësve të tyre. Kot.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora