E premte, 29.03.2024, 01:19 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: 24 qershori një ditë për trashëgiminë kulturore rumune

E hene, 29.06.2020, 08:11 AM


24 qershori një ditë për trashëgiminë kulturore rumune

Nga Entela Binjaku

Ka disa vite që në Rumani dhe në komunitetet rumune në të gjithë botën, data 24 qershor njihet si Dita Universale e IE-s. Nëse për opinionin anglishtfolës kjo njihet si “The Universal Day of Take” për njohësit e gjuhës rumune me termin “IE” kuptohet këmisha ose bluza e grave me qëndisje zbukuruese në krye të mëngëve.

Për ata që janë të vëmendshëm ndaj  simboleve kulturore,  mund të kenë parë që shpesh herë kodi i veshjes i përfaqësueseve të shtetit rumun në aktivitete të ndryshme ka qënë pikërisht kjo këmishë apo bluzë. Veshja autentike e një bukurie të rrallë është edhe elementi qendror i traditave rumune. Vetë bluza që gjendet gjerësisht edhe në popull, është pjesë e pasurisë kombëtare dhe është veshur në të kaluarën edhe nga mbretëreshat Elisabeta dhe Maria si në aktivitetet publike po ashtu edhe në jetët e tyre private. Vitet e fundit shumë stilistë e kanë përfshirë këtë bluzë në krijimet dhe koleksionet e tyre.

Që nga njohja e kësaj date, 24 qershori është bërë pjesë e programit vjetor të muzeve dhe instituteve kulturore si në Rumani ashtu edhe jashtë saj. Kjo ditë përkujtohet me aktivitete edhe nga ambasadat e Rumanisë  apo edhe nga misionet diplomatike në Rumani.  24 qershori përkujtohet edhe nga diaspora rumune apo nga shoqatat që veprojnë në komunitetet historike.

Disa ditë më parë Shoqata ndërkulturore rumune – elene “Dacia” me qendër në Athinë organizoi konkursin-ekspozitë me në qendër këtë simbol. Nga data 10-19 qershor ajo priti vizatimet dhe pikturat e nxënësve të shkollave rumune në diasporë ose në komunitetet historike. Bluza shërbeu si frymëzim për të vegjlit që me punimet e tyre përcollën edhe imagjinatën e tyre për atë që kanë lënë pas brezat e mëparshëm.  Në fund të këtij edicioni të parë, më 24 qershor shoqata shpërndau edhe disa vlerësime për fëmijët pjesëmarrës. Në këtë konkurs-ekspozitë morën pjesë edhe fëmijë nga Shqipëria si psh. nxënësja 13-vjeçare A.Z. nga qyteti i Fierit.

Aktivitete si këto synojnë që fëmijët dhe të rinjtë kudo ku gjenden, të forcojnë përkatësinë në identitetin kulturor rumun përmes njohjes së kulturës.

Por, ideja e një dite të caktuar për këtë simbol të trashëgimisë kulturore, i takon komunitetit online “La Blouse Roumaine”. Për njohësit e traditës rumune, 24 qershori përkon edhe me Festën e Zanave që sipas gojëdhënave ishin të veshura me këtë bluzë.  Sipas një tradite shumë të vjetër në zonën e Maramureshit në mëngjesin e Ditës së Zanave,  vajzat shkojnë të lahen në lum dhe qepin lule në bluzat e bardha. Qëndismat e kryera me kujdes kishin qëllimin për t’i mbrojtur ato nga syu i keq, nga magjitë dhe nga fati i keq.

Në vitin 2012 komuniteti “La Blouse Roumaine” projektoi dhe shpërndau idenë që bluza tradicionale rumune dhe tradita e përcjellë nga e kaluara, të kthehej në një markë që të njihej në të gjithë botën.

Në datën 13 maj 2013 Instituti Kulturës Rumune në Nju Jork përuroi një seri aktivitetesh të titulluara„La Blouse Roumaine”, qëllimi i të cilave ishte përurimi i identitetit kulturor rumun në Amerikën e Veriut.

Në vitin 2015 Dita Universale e IE-s u njoh edhe zyrtarisht në SHBA përmes një deklarate të lëshuar nga Bashkia e Uashington DC.

Në vitin 2017 komuniteti i bluzës rumune lancoi fushatën me titull “Give credit” e cila arriti në dy vjet të kthehej edhe një objekt studimi akademik duke lartësuar bashkëpunimin midis markave, artizanëve, stilistëve dhe specialistëve të trashëgimisë kulturore, në një sistem të vlerë.

Në vitin 2019 “Give Credit” u prezantua në Javën e Modës në Londër dhe u përfshi dhe si temë studimi në lëndën e “Fashion Forecasting” në Universitetin për Artet krijuese në Epsom Business School.

Këtë vit në 24 qershor 2020 kjo Ditë u festua në 50 shtete dhe në 300 qytete në të gjashta kontinentet.

IA – që është edhe emërtimi i dhënë për veshjen femërore, këmisha tradicionale rumune e festës,   konsiderohet edhe si pjesa më e rëndësishme e kostumit popullor. Siç edhe përshkruhet në faqen e internetit të komunitetit nismëtar, ajo përcakton edhe kompozimin zbukurues të kostumit, pjesën tjetër të veshjes që duhet të lidhet me të, që është e detyrueshme të përshtatet në kohë, moshë, ngjyra dhe ornamente.

Ky simbol ka frymëzuar edhe piktorin e shquar Henri Matisse (1869 - 1954) i cili ka edhe një pikturë me titullin: “La Blouse roumaine”. Kjo pikturë bashkë me shpjegimin përkatës gjendet në Muzeun “Pompidou”. Piktura i është dorëzuar shtetit francez në vitin 1953 dhe ka nisur të pikturohet në dhjetorin e vitit 1939 në Nisë, në hotelin “Regina”. Kjo vepër  i mori piktorit 6 muaj punë. Për ta dokumentuar procesin krijues,  artisti mori 11 fotografë që fiksuan në celuloid edhe procesin e gjatë të zhvillimit të saj. Këto çaste piktori i pasqyroi gjatë në një procesi krijimi në Paris në galerinë “Maeght” duke vendosur theksin në thjeshtimin e nevojshëm gjatë procesit të bashkimit të ngjyrave dhe linjave. Në formën e saj përfundimtare, detajet e modeles Lydia Delectorskaya janë lënë jashtë, fshirë ose mbuluar. Thjeshtësia rrumbullake e fytyrës i bën jehonë kthesave të mëngëve. Harmonia e fuqishme e tre fushave kryesore të ngjyrës, i jep pikturës një gjallëri të madhe.

Por përtej dëshirës për të festuar një simbol të rëndësishëm kulturor, përtej synimit për të krijuar lidhje dhe njohje përmes kulturës, përmes festimit të kësaj dite edhe vetë tekstilet rumune po fitojnë një tjetër njohje në plan ndërkombëtar. Falë saj po ridimensionohet vendi i komunitetit rural në identitetin kulturor dhe po rivlerësohet edhe trashëgimia kulturore.

Sot 24 qershori si Dita Universale e IE-s rumune është kthyer në një model të vërtetë diplomacie kulturore dhe aktivizmi shoqëror. Festimi i këtij simboli kulturor ndihmon njohjen dhe përcjelljen e  traditave dhe të pasurisë shpirtërore të një kombi,  tek brezat që do të vijnë.  Aktivitetet kulturore janë përherë të dobishshme si ura dialogu që  ndihmojnë në zhvillimin e aftësive komunikuese përmes përkatësisë kulturore.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Entela Binjaku: Bashkë për edukimin, të gjithë për të ardhmen e vendit Entela Binjaku: Ribotohet në Bukuresht romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” Në "Parfume", Kaos në Post Pandemi (E ftuar Entela Binjaku) Entela Binjaku: Vetëvrasja si akt i dëshpërimit qytetar! Entela Binjaku: Aftësimi shoqëror - emocional i fëmijëve në kopësht Entela Binjaku: “Luleborë” udhëton drejt Rumanisë Entela Binjaku: Kohë pandemie, të mbajmë nën kontroll ankthin Përtëfol - Koronavirusi - E ftuar Entela Binjaku Entela Binjaku: Përurohet në Bukuresht një tjetër vepër e shkrimtarit Ismail Kadare Entela Binjaku: Dimër i ngrohtë në Bukuresht - Mbahet shfaqja "pasion dhe dashuri" Entela Binjaku: Nga Shqipëria drejt Kinës - të gjitha përjetimet në një rrëfim mes miqsh Entela Binjaku: Përurohet në Bukuresht „24 marsi. Kronika e ferrit kosovar” Entela Binjaku: Rrugë të mbarë shkollës shqipe në Madrid! Entela Binjaku: Studentët e rinj të Shëndetit Publik në Tiranë vullnetarë në Qendrën Sociale të Kryqit të Kuq Shqiptar Entela Binjaku: Fondi i bibliotekës personale të Thoma Binjakut, dhuratë Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit Entela Binjaku: Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” nderon kontribuesit në vite Entela Binjaku: Mbahet në Tiranë Forumi i Sipërmarrjes Rumani-Shqipëri Entela Binjaku: Maia Morgenstern në Shqipëri Entela Binjaku: In memoriam për Thoma Binjakun Entela Binjaku: “Dy botë” dhuratë ne lexuesve nga Elvi Sidheri

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora