E enjte, 25.04.2024, 06:26 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Për 1 puthje

E hene, 29.06.2020, 08:18 AM


Për 1 puthje

Nga Edison Ypi

Për 1 puthje e bëj 3 herë më këmbë udhëtimin e Magelanit rretheqark botës.

Për 1 puthje luftoj me muaj me dallgët e oqeanit dhe zbuloj 1 Amerikë tjetër.

Për 1 puthje ulem e shkruaj, dhe ta dedikoj, një novelë më të bukur se "Zonja me kone" e Çehovit.

Për 1 puthje e thur dhe ta fal një roman më të hatashëm se "Anna Karenina".

Për 1 puthje ta bëj një tragjedi më rrënqethëse dhe më tmerruese se "Romeo e Xhulieta".

Për 1 puthje sakrifikoj të mos e shoh me sy gjatë 1 viti muzgun e përgjakur te Kepi i Rodonit.

Për 1 puthje duroj deri në 1 muaj pa parë Myzeqenë, Kishat, Manastiret e saj.

Për 1 puthje rezistoj deri në 2 muaj pa u magjepsur nga aromat e Luginës së Vjosës.

Për 1 puthje duroj deri në 6 muaj pa dëgjuar muzikën më të bukur të botës; shushurimën e përrenjve të Mokrës.

Për 1 puthje e largoj për 3 muaj mallin përvëlues për me kalu nga malet e Skraparit, kanionet e Osumit, Mulliri i Hambullës, Sevranji, Teqeja e Alipostivanit, Pacomit, Këlcyrë, Ballaban, Qafa e Kiçokut, Buz, Çorrogjafë, Zhapokikë, Tërpan, Qafa e Kumbullës, Ura e Gorricës, Berat, Kuçovë, mespërmes Dumresë, Tiranë.

Për 1 puthje rezistoj deri në 3 muaj pa kaluar nga Gramshi, Moglica, Lozhani, Maliqi, për të parë bukuritë e tyre rrënqethëse.

Për 1 puthje duroj deri në 1 vit pa vajtur të shoh Korçën elegante, europiane, fisnike, aristokratike, qytetare, romantike, magjike.

Për 1 puthje duroj deri në 5 javë pa u rrënqethur nga rrezatimi kozmik i Voskopojës.

Për 1 puthje mund të rezistoj deri në 10 netë pa më dalë në ëndërr Shën Prodhomi.

Për 1 puthje mund ti largoj nga përfytyrimi deri në 3 ditë e 3 net` Lasgushin, Liqerin, Nositin, Malin e Thatë, shqiponjën e arratisur.

Për 1 puthje duroj deri në 1 javë pa uluritur brenda gjoksit poezi përmendësh duke ikur rrugës.

Për 1 puthje rri edhe 10 ditë pa ngrënë.

Për 1 puthje rezistoj deri në 2 javë pa vënë në gojë tavë me speca të mush, turli me bamje ose patllixhana.

Për 1 puthje duroj më tepër se 20 ditë pa pirë ujë dhe asnjë lëng tjetër.

Për 1 puthje e sjell në moment shiun.

Për 1 puthje e nis dhe e ndal kur të duash dhe sa herë të duash furtunën.

Për 1 puthje ta ndal në çast erën që ti shpupurit flokët.

Për 1 puthje e ngre nga varri dhe e ngjall cilindo të vdekur që e meriton.

Për 1 puthje e fus në varr për 1 sekondë cilindo të gjallë që sipas Teje në këtë tokë vetëm ha e pi dhe nuk bën asgjë tjetër.

Për 1 puthje e thaj detin dhe e mbjell me grurë, misër, domate, patate, edhe me hashash po deshe.

Për 1 puthje e hap për 6 muaj një tunel të nëndheshëm të shkosh për 10 minuta nga Tirana në Prishtinë.

Për 1 puthje ta plotësoj dëshirën që brenda 3 ditësh ti kthej në Shqipëri të gjithë emigrantët që enden kotmëkot poshtelart udhëve të botës.

Për 1 puthje e shemb Internetin, i bëj lesh arapi emailat, mesazhet, Fejsbukun, Instagramin, selfiet, ngatërroj dynjanë, e bëj botën Babel.

Për 1 puthje, 5 dit' e pes' net' rresht nuk shoh asnjë ëndërr, as zgjuar as fjetur, as me sy hapur, as me sy mbyllur.

Për 1 puthje e ndal kur të më teket rrotullimin e tokës

Për 1 puthje zgjas dorën e marr dhe e kafshoj hënën si mollën e mëkatit.

Për 1 puthje e fik Diellin si llampën e abazhurit, dhe të puth, në errësirë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora