E premte, 19.04.2024, 09:42 PM (GMT+1)

Mendime

Ibrahim Kabili: Jo më, bisedime të tilla me Serbinë

E diele, 28.06.2020, 12:03 PM


Jo më, bisedime të tilla me Serbinë

Nga Ibrahim Kabili

Bisedimet e 27 qershorit midis Kosovës dhe Serbisë të iniciuar nga Grenell dështuan. Si pretekst shërbeu aktakuza ndaj Thaçit, por shkaqet e vërteta nuk dihen. Një gjë është e sigurtë që politikanët e Kosovës në këto bisedime ishin të pa pêrgatitur dhe pa strategji të qartë dhe në disfavor me Serbinë nga rrethanat e krijuara. Serbia në këndvështrimin tim, në mënyrë graduale, hap pas hapi, me objektiva të qarta, strategji të mirëpërcaktuar, dhe me një luftë diplomtike të arrirë synon të çbëjë shtetin e ri të Kosovës. Ajo si e përkëdhelura e Rusisë dhe "kali i trojës" së saj në Ballkan, bën lojën e vet. Serbia me mbështetjen e Moskës, merr forcë, trimërohet, luan fuqishëm kundra Kosovës e pavarësisë së saj. Fatkeqësisht deri më tani ja ka arritur qëllimit të saj. Çbënë politikanët tanë të Kosovës, për t'ju kundërvënë kësaj ofensive agresive, rreth 21 vjeçare të Serbisë, kundër Kosovës? Shumë pak: Taksën 100% te vënë nga qeverija Haradinaj dhe reciprociteti nga qeverija Kurti!  A janë të mjaftueshme këto? Për fat të keq ato u morën me njëri tjetrin! U përçanë dhe bënë një luftë të ashpër për pushtet. Sa njëri vinte "kollaren e kryeministrit" kujtonte se Kosova i përkiste atij. Politikanët e tjerë në "çast", pa pritur, pa rregulla loje, ashtu harbutshe, alla fshatareske, i shtërngonin "gravatën" kryeministrit të radhës, i merrnin frymën, dhe me ndihmën e "partnerit" përmbysën disa qeveri. E kur nuk gjenin partner shqiptare, kërkonin ndihmën e Listës. Po kështu ndodhi edhe me Qeverinë Kurti. E ndërkohë që ato mateshin me hijën e mëngjesit dhe mendonin për feudet e tyre, Serbia helmonte në çdo qelizë institucionet e Shtetit të Kosovës. Dhe rezultati: Humbje të njëpasnjëshme dhe autogola në portën tonë.

Ngjarja e fundit me aktpadinë nga Gjykata Specile e tregon më së miri këtë. Përse nga kjo gjykatë nuk bëhen aktakuza për kriminelët serb që kanë kryer krime lufte në Kosovë? Thaçi me shokë këmbënguli për krijimin e kësaj gjykate. Shumë mirë bëri, krimet e kriminelët duhej të ndëshkoheshin. Krimet i kanë bërë serbët dhe jo shqiptarët, jo UÇK-ja. A nuk është kjo një drejtësi që bën autogola në portën e Kosovës? Natytisht që po! Kjo aktpadi ndaj Thaçit dhe Veselit synon goditjen e gjithë veprimtarisë së UÇK-së. Këtë nuk mund ta bëjnë "pis" luftën e UÇK -së sepse :

• UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë në mbrojtje të Kosovës.

• Bëri një luftë në mbrojtje të popullsisë civile.

• Luftoi kundër ushtrisë dhe milicisë më barbare  dhe pushtuese të Serbisë.

• UÇK-ja me luftën e saj dha kontribut në rrëzimin ushtrisë së Millosheviçit.

Parë dhe analizuar në këtë këndëvështrim arrijmë në konkluzionin e përgjithshëm se UCK-ja dhe lufta e saj heroike përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Pa këtë formacion luftarak dhe ndihmën e NATO-s dhe vendeve perëndimore Kosova nuk do kishte fituar lirinë dhe pavarësinë e saj. Kjo është ngjarje madhore dhe si e tillë mbart vlera të mëdha për kombin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti. E pikërisht për të goditur Kosovën dhe UÇK-në ato akuzojnë ish komamadantët e saj. Nuk është rastësi që të gjithë komandantët janë përballur me aktakuza nga Gjykata Speciale. Tani së fundmi dhe presidenti Thaçi dhe kryetari i opozitës Veseli. Natyrisht me këtë aktakuzë të këtij formati është tronditur Kosova dhe reputacioni i saj. Kjo është një goditje e përkohëshme sepse është vetëm një aktakuzë. Aktakuzë e cila do vërtetuar me prova. Dhe unë kam bindjen e plotë se edhe Thaçi dhe Veseli, ashtu si dhe Haradinaj, Limaj, Ceku etj...do provojnë pafajësinë e tyre, për akuzat e ngritura. Kjo do i mbetet kohës për tu provuar në Gjykatë. Secili mban përgjegjësi për veprimtarinë e tij. Ajo që është për tu theksuar është fakti se ish komandantët e UÇK-së e kryen me sukses të plotë detyrën e tyre në luftë. Dhe për këtë ato kanë një meritë të jashtezakonshme në shërbim të cështjes kombëtare, në luftën e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Komandantët, e fituan luftën. Dhe kjo është e vlefshme dhe për Thaçin e Veselin. Ato, e kam thënë disa herë unë, "humbën paqen". E humbën paqen pasi nuk arritën ta forcojnë shtetin e Kosovës si në aspektin e brendshëm dhe në atë të jashtëm. Arsyet janë të shkruara dhe të stërshkruara. E keqja është se "komandantët" në pushtet nuk dëgjuan njeri! Ato qenë "të pa arritshëm", " të pa gabueshëm" " të gjithanshëm", " të pa zevendësueshëm", dhe si rrjedhojë e humbën paqen. Në këto 21 vite ata degraduan shtetin e Kosovës, keqpërdoruan pasurit e saj, u treguan pa përvojë në bisedimet me Serbinë,  vunë në tavolinën e bisedimeve elementët e shtet formimit të Kosovës, u treguan trima e fudull me njëri tjetrin, vunë interesat e veta mbi ato të Kosovës, nuk luftuan korrupsionin, krimin e organizuar, i lanë dorë të lirë Serbisë në Veri, nuk bënë denoncimin e krimeve të luftës të Serbisë, nuk kërkuan dëmshpërblim prej saj, nuk gjetën të humburit, nuk arritën të bashkëpunojnë sa duhet me drejtuesit e shtetit tjetër shqiptar dhe të dalin me qëndrime të përbashkëta. Kjo efundit, jo vetëm për fajin e tyre. U shkëputën nga populli deri atje sa ish ushtari i UÇK-së koleg i tyre dikur, ushqehet në kazana  dhe vetë kanë pasuri përrallore. U falën territore fqinjëve sikur të ishte mall i tyre etj. Bëmat e tyre nuk kanë të mbaruar ndaj Kosova falë tyre është në ditët e saj më të vështira. Këto kodoshë politikanë me sjelljet e tyre kanë bërë që Kosova e pas pavarësisë në mënyrë graduale të humbi një nga një elementët e shtetformimit të saj. Kush më shumë e kush më pak ra nën grackat e Serbisë. Eshtë një fat i madh që nuk u zhvillua takimi në Vashington me datën 27.06.2020 pasi Kosova qe në disavantazh ndaj Serbisë. Rroftë "preteksti" Thaçi që u anollua takimi. Situata e krijuar ndaj shtetit të Kosovës është e rëndë. E rëndë, por jo pa shpresa. Gjithmonë shqiptarët dinë ti përballojnë situata të tilla dhe të dalin më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë. Për të dalë nga kjo situatë, klasen politike dhe shoqërinë kosovare e presin disa sfida:

• Presidenti Thaçi të bëj një akt patriotik në shërbim të Kosovës, të japë dorëheqje.

• Kuvendi i Kosovës të zgjedhë me kosensues një president të ri gjithpërfshirës dhe të aftë për përballimin e dialogut me Serbinë.

• Të krijohen kushtet për zgjedhjet e reja të parakohshme, të krijohet një qeveri e re pa Listën Srpska.

• Për të forcuar Pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, Kuvendi të analizohen të gjitha marrveshjet me Serbinë dhe gabimet e bëra nga klasa politike e Kosovës në këto 21 vite. Të dilet me plane konkrete për të ardhmen.

• Rezolutat e miratuara në Kuvendin e Kosovës për dialogun me Serbinë të zbatohen me detyrim nga grupi negociator.

• Për dialogun të përzgjidhen ekspert të Kosovës dhe të huaj, për të dalë me sukses në negociatat e vështira me Serbinë.

• Klasa politike kosovare e përçarë duhet të bashkohet rreth dy partnerëve te SHBA-së dhe BE-së. Eshtë e vogël Kosova, për tu futur në "batbatet" e tyre. Ndaj maturi, përfitim në kohë, pasi njëra është NATO e tjetra BE-ja. Jetike të dyja.

• Të rritet bashkëpunimi i nisur, midis politikanëve të dy shteteve shqiptare dhe të dilet me qëndrime të përbashkëta për çështje kaq madhore. Duhet unifikim qëndrimi.

• Të eleminojë luftën, e pa moraltë për pushtet, dhe të vihet në shërbim të Kosovës. Politikanët janë të përkohshëm, madje shumë, ndërsa Kosova e përjetshme.

• Të mos tregohet inferiore ndaj Serbisë por e barabartë me të, dhe, asnjë LESHIM, Vuçiçit. Lëshimet ai i merr si dobësi!

• Të gjenden forma, mundësi dhe mjete që drejtimin e institucioneve të Kosovës ta marrin politikan të rinjë. Klasa e vjetër politike e ka kryer misionin e saj. Sa më shpejt të largohen, aq më mirë për Kosovën.

• Të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshme ligjore për denoncimin e krimeve të Serbisë dhe gjenocidit të saj ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.

• Të evidentohen provat dhe faktet që e vërtetojnë katërvipërist se Serbia është agresore dhe jo "viktimë" siç po "pretendon" kohët e fundit. Deri tani vetëm fjalë boshe kemi ndëgjuar nga politikanët e Kosovës. Pse vallë?

• Të rivendos reciprocitetin me Serbinë.

• Jo më bisedime të këtij formati, si deri tani, me Serbinë. Ajo e ka humbur Kosovën ndaj kërkon të marri sa më shumë. Kosova ka dhënë gjithça atëherë kur Serbia nuk ishte në tavolinën e bisedimeve.

• Të gjejë forma dhe mundësi të lobojë me administratën Tramp për problemet e Kosovës me Serbinë. Le të "zgjohen" nga gjumi ato diplomatët e "Paçollit" dhe të punojnë për njohje të reja, dhe jo çnjohje si deri tani.

Klasa politike e Kosovës nga ngarjet e kohëve të fundit në lidhje me dialogun me Serbinë duhet të nxjerr mësime. Duhet të punojë me të gjitha forcat dhe mundësitë për fuqizimin e shtetit të Kosovës. Ky është obligim ndaj popullit të Kosovës, obligim ndaj gjeneratave që kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë e Saj, obligim ndaj dëshmorëve të rënë në luftërat për liri, obligim ndaj ish ushtarëve të UÇK-së dhe Komandantit të saj Adem Jashari. Kështu do merrte më shumë jetë sllogani "Bacë u krye". Vetë Baca do prehej më i qetë, atje, në Prekazin e tij legjendar.

IBRAHIM KABILI

Tiranë më 27.06.2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora