Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frrok Kristaj: Në përkujtim - Nikollë Kërhanaj (1943-2020)

| E shtune, 27.06.2020, 02:23 PM |


Nikollë Kërhanaj (5 dhjetor 1943 - 27 qershor 2020)

Në përkujtim

Nikollë Kërhanaj

(5 dhjetor 1943 - 27 qershor 2020)

Nga Frrok Kristaj

Nikollë Kërhanajn e pata shokun më të ngushtë në jetë.

Nikollë Kërhanaj, ky emër i përveçëm për shumëçka, ishte dhe mbeti njeri i qetë, njeri i ndershëm, bashkëpunëtor i shkëlqyshëm, studiues i vyeshëm e arsimtar i devotshëm…

Nikollë Kërhanaj, që u nda sot nga kjo jetë në moshën 77 vjeçare, kudo që arriti vjeli literaturë, të cilën përherë e përdori për studime shkencore e krijimtari letrare. Dhe jo vetëm kaq. Nikolla literaturën që e posedoi përherë e vuri në shërbim edhe të kolegëve dhe të nxënësve. Kurdo që e kërkoi nevoja u ndihmoi atyre.

Me Nikollën, por edhe me shumë të tjerë, e themeluam SHKA “Katarina Josipi”, Klubin letrar “Shtjefën Gjeçovi”, manifestimin “Takimet e Gjeçovit”, revistën e programeve kulturo-artistike “Hasi”, revistën letrare e informative “Zëri i Hasit”, e themeluam Muzen e fshatit, e meremetuam Shtëpinë e kulturës “Katarina Josipi”, e ngritem Qendrën kulturore “Atë Shtjefën Gjeçovi”…

Angazhimi i çmuar i Nikollës pat vlerë të madhe, në veçanti për Garat e diturisë të shkollave fillore të Hasit. Nikolla një kohë ishte edhe kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar në Has, kryetar i Shoqatës “Kolping” të Kosovës, por edhe i Këshillit për vetëfinansimin e shkollës shqipe gjatë kohës së okupimit klasik nga Serbia okupatore. Nikolla për angazhimin e tij patriotik edhe u torturua fizikisht nga pushteti okupator serb.

Nikollë Kërhanaj kado që lëvizi ka lënë gjurmë si në fushën e arsimit, të kulturës, publicistikës e të veprimtarisë së përgjithshme kulturore e shoqërore.

Natyrisht se ai edhe nuk kishte rrugë tjetër, ndaj edhe tërë jetën udhëtoi rrugës së njerëzve të mëdhenjë që ka dhënë Zymi, Hasi e trojet etnike shqiptare.

Këtë e dëshmojnë edhe veprat e botuara të Nikollës, si:

“Abetarja e Zymit” (monografi),

“Zoja e Hasit” (monografi),

“Zanat e Pashtrikut” (poezi),

“Zymi i shtatë kodrave” (monografi),

“Tempulli i librit” (monografi),

”Kronistoria e Shkollës në Zym” (II), monografi

“Takimet e Gjeçovit” 1971-2006” (monografi), “ShKA “Katarina Josipi” 1970-2005” (monografi),

“Fjala e mekur” (poezi),

“Kujtime kohësh” (monografi),

“Takimet e Gjeçovit” 2007-2015,

“Zymi i Hasit” (guidë turistike) e

“Zymi i Hasit” (fletëpalesedhe shumë vepra në dorëshkrim, që po pritin të botohen…

Nikollë Kërhanaj ishte edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 2001.

Nikollë, shoku im i jetës, në emrin tim, por edhe të dashamirëve dhe bashkëpunëtorëve tu të ngushtë, por edhe në emër të të gjithë zymjanëve e hasjanëve e më gjerë, të falanderojmë për shumëçka, e në veçanti për veprat tuaja që na i le amanet për të ta vazhduar rrugën tënde.

Nikollë Kërhanaj pushoft në paqe!

Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta!