E premte, 29.03.2024, 10:31 AM (GMT)

Kulturë

Nexhat Halimi: Ta prek Ilirinë

E shtune, 27.06.2020, 08:40 AM


Nexhat Halimi

Ta prek Ilirinë

Hekurudha gjysmë e vjedhur e mbetur shkret

Ec më këmbë nga Besiana deri te tullariotët

Pandërprerë rrjedhin vadë mendimet e lotët

Kaloj hutuar vetes e zbres kujtimit ndërmjet

Kot lidh trokun e zemrës me tokën në Toplicë

Veç luadhet nisen ngrirë për në Dumnicë

E vetmia zgjohet në kohë e hapësirë me vjet

Arrij mes narcisësh te varret dhembjes tret

Falem te varr i motrës i njërit vëlla e i tjetrit

Përkulem te varr i babës e i nënës me pietet

Më lart zgjohen zëra prej shkollës së vjetër

Mësuesi Azem Beqiraj ende shpjegon historinë

Flet me frymë shpirti alfabetin a diçka tjetër

I zgjas duart qiellit  në përpjekje ta prek Ilirinë

Takimi me veten

Mora udhë të arrij në Dumnicë me ag,

Me ca libra të mi të botuar tashmë…

Dhuratë për bibliotekën e klubin letrar,

Ecja. Kujtoja djaloshin në ëndërr var.

Më vibronte shpirti i fjetur për çdo gjë

Udhëtoja mes vetes dhe vetes kaq larg.

Librin me poezi ja vetëm për ty, nënë,

Ia solla vendlindjes me dridhje në gji.

Kaloja bri varresh, ende ndriste hënë,

A vuan më pse nuk vuan, ik në vetmi.

I lë librat në shkollë ku nisa udhëtimin,

E kujtoj mësuesin e parë e alfabetin

E urimin e zemrës nga ma jepje çdo ditë.

Ja,e njëjta gjë sillet dhe tash në dritë,

Te varri yt e te shkolla e zgjoj betimin.

Ec në lot jetës, pyllit, t`ia gjej sekretin.

Takimi me veten II

Ky takim këtë radhë me hijen e vetes

Zgjon udhës së njohur tërë i djegur etjes

Është takim i çuditshëm, `i gjë e rrallë,

Për zemrën e këputur pezull në mall

Ndërmjet oshtinë fushës ai kroi tjetër

Rrjedhë lumi çelin lule xheneti në jalli

Bri pemës në arë shtrirë përhitje e vjetër

Ik e vjen e njëjta frymë ai plak e ai çun aty

Apo vetëm fluturon një zog në gjithësi

Unë falem me të dy në vetmi e pështy

I harroj librat e dhuruar në bibliotekë

Eci mbi hijen e trazuar nën një purtekë

E ecë Dumnicën gjysmë dritës së tretur

Bie në gjunjë e lutem për shpirt të fjetur

Agon ndërsa në lule zgjohet një bletë

Ja ende thuri gardh të përvojës në jetë.

Ai zog shpirti

Ky është ai udhëtim gjatë rrufesë së gjakut

Ky është ai zinxhir ndërmjet kohës e mitit

Është yll i zgjuar në zgërbonjë të kavakut

Zot është herë po e herë tjetër jo gjatë ritit

Ja zogu sjell lajmin në liman lëviz për gji

Me shpirtin e të vdekurit puplës së shtatë

Me qiellin e thyer në copëza në lëngatë

Ndërmjet fitores e humbjes tret në gjithësi

Sillet nën vetëtimë në gjak në vetmi e lot

I thyen krahët ashpër ndër valë e ik e ik e ik

Më asnjë lajm nga ai asnjë shpresë dot kot

Vjen e shkon me shpirt shpirtit e ndrit vrik

E përplasja e çmendur derdhet për frëngji

Të vijë ai zog i mitit gjakut të rrjedhur në sy

Vija e mbamendjes

Fat ka ai që arrin ta shkruajë udhëtimin e vet

Nis në mëngjes e afrohet muzgut të hyjë në natë

Në çastin e krijimit të ditarit jetësor me kaq vjet

Kapitullit të parë e të fundit të shkrimit të gjatë

Të shënojë data e ngjarje në librat ngel në vitrinë

Brezat në ardhje të radhisin për të bibliografinë

Të rrjedhin poezi për momente kyçe ndër stinë

Rrënjës kripës e gjakut barrë të vetme në shpinë

Për dashurinë e këputur e dhembjen e vetminë

Për kujtimin e ëndrrat shiut të trishtuar në vetmi

Lumi në rrjedhë nga e fotogrfon takimin në jalli

E plepat në rojë rreth ujit nga e flasin gjithësinë

Ndërmjet afërsisë e largësisë trokut të dhembjes

Për ta ecur çarjen brenda vijës së mbamendjes

*

Ja pse  çdo gjë mes tej e meje vjen shembjes

Të kujtohet veç ajo që megjithatë kurrë s` vdes

E hija e vetmur endet në kohë koti me thes



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora